Vitviteja/ÇAJUPI/Shqipëtar

Nga Wikibooks

SHQIPËTAR[1]

Shqipërin' e mori turku, i vu zjarr!
Shqipëtar, mos rri po duku, shqipëtar!
Mjaft punove për të tjerë, o fatkeq!
Kujto vendin tek ke lerë dhe tek heq...
Erdhi dita të ngresh kokë, të kërkosh
lirinë, bashkë me shokë të fitosh!
Mos bëni si kini bërë gjer më dje,
po të luftoni të tërë për atdhe.
Pesëqind vjet kemi rruar[2] me pahir,
lidhur nga këmb' e duar zinxhir!
Mysliman' e të krishterë jemi keq,
të ngrihemi që të tërë, djem e pleq.
Të ngrihemi të dëftojmë trimëri,
ja të vdesim, ja të rrojmë për liri!
O moj Shqipëriz' e dashur, mëmëdhe,
të shoh me buzë të plasur, si më sheh...
Zhvish rrobat e robërisë, mëmëdhe,
vish armët e trimërisë, se ke ne.


  1. GJUHA SHQIPE PËR TË HUAJ DHE SHQIPTARËT JASHTË ATDHEUT fq.270 Autor: Gj. Shkurtaj dhe E. Hysa. Sh.B. TOENA, Tiranë 2001. ISBN 99927-1-454-9
  2. rrojtur, jetuar - sipas GJUHA SHQIPE PËR TË HUAJ DHE SHQIPTARËT JASHTË ATDHEUT fq.270 Autor: Gj. Shkurtaj dhe E. Hysa. Sh.B. TOENA, Tiranë 2001. ISBN 99927-1-454-9