Shqiptarët/Parathënie e botimit të dytë

Nga Wikibooks
Shqiptarët
< Parathënie e botimit të dytë >
Kur m’u tregua ky libër i vockël e lexova menjëherë dhe pa vonesë, e rishtypa dhe e redaktova duke ruajtur përkthimin origjinal. Libri është shkruar para 90 vjetësh, përkthyer e botuar në Shqip para 70 vjetësh dhe ribotohet për herë të dytë tani. Falenderoj me këtë rast përkthyesin Shaban Balla që e kaloi në Shqip veprën e respektuar të Xhorxh Fred Uilliamsit dhe dajën tim Qazim Kuqashin që kishte ruajtur një botim të tillë 70 vjeçar.
Së pari botimi apo ribotimi i një libri të tillë është një gjë shumë e mirë, sepse shpreh respektin për një njeri shpirtmadh e shpirtdrejtë si Xhorxh Fred Uilliamsi, për edukimin e shkollimin e tij dhe respektin për vlerat që përcjell pena e tij. Nga ana tjetër, është për të ardhur keq që ajo histori e dhimshme e Shqipërisë e fillimit të Shekullit XX, në vend që të ishte për arshivë, vazhdon poshtërsisht të nëpërkëmbet edhe në kohën e tanishme. Libri pohon thënien popullore se të huajt, akoma më shumë armiqtë, kur gjejnë shesh bëjnë përshesh. Libri tregon sa tragjike kanë qenë (dhëmsurisht edhe janë) ndaj shqiptarëve përçarjet e shkaktuara nga armiqtë. I vetquajturi mbret Princ Vidi qëndroi në Shqipëri në periudhën 7 Mars – 3 Shtator 1914. Siç edhe shkruan Xhorxh Fred Uilliamsi, nga ajo rrëmujë mizore e Luftës I Botërore shqiptarët vetëm e pësonin. Pena e Xhorxh Fred Uilliamsit përcjell rëndësinë e vlerave njerzore që duhet të kenë udhëheqësit që organizojnë, drejtojnë apo udhëheqin shtetet. Vetëm njerëzit me mirësjellje, me shpirtmadhësi, fisnikërisht të respektuar, të palodhur në punë, me vullnet dhe trimëri janë ato që kanë shkaktuar dhe udhëhequr përparimin e popujve.
Xhorxh Fred Uilliams (1852-1932) lindi në Dedham të Masaçusetsit. U arsimua në degën e ligjeve në Masaçusets më 1872 dhe pas studimeve të tjera u bë avokat. Gjatë viteve 1880-1887 kreu redaktime të botimeve të rëndësishme ligjore në vitet. Më 1889, ishte anëtar i legjislaturës së Masaçusetsit dhe gjatë viteve 1891-1993 ishte anëtar demokrat i Kongresit Amerikan. Gjate viteve 1913-1914 ishte Ambasador i SHBA në Greqi dhe Mal të Zi.
Saimir Lolja
Tiranë, 19 Tetor 2004

Parathënie e botimit të parë
faqe
- Parathënie e botimit të dytë -

1 >