Shqiptarët/1

Nga Wikibooks
Shqiptarët
< TOKA DHE BANORËT >
Tokë e Shiqipërisë lemë të hedh sytë e mij,
Mbi ty, O nanë e mjerë e njerëzve primitivë.
Bajroni tek Udhëtimi i Çajlld Heroldit
Bah! Shikoni këto barbarë! ka thirrur çdo tiran që ka shtyrë në fatkeqësi viktimën e vet, kur më në fund e ka pa të pamundshme me e bërë skllav. Ngjarja e dhimshme e Shqipërisë nuk i është treguar popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo ka qenë zhdukur në vendin e vet të Bajronit dhe të shteteve të mëdha, të cilët kanë vendosur të zhdukin nga faqja e dheut këtë popull heroik. Në sallat e errta të diplomacisë Europiane për shekuj me radhë ka qenë mbyllur e munduar fati i Shqipërisë. Edhe tani, me lot ndër sy dhe krejt e dobësuar nga robërija dhe padrejtësia e shekujve, ajo po nxjerr pëerpara duart thatanike për të kërkuar drejtësi dhe liri; por akoma më kot. Po, shpërblimi i mëkateve është vdekja dhe kujdesi i drejtë i Perëndisë nxjerr përpara faktin se gjendja e keqe e sotme e Europës rrjedh drejtpërsëdrejti po nga ajo politikë që e përdori për Shqipërinë. Megjithëse ka shumë për të thënë, dal përpara ta them unë këtë ndodhi, të përshkruaj tokën, origjinën, gjuhën, zakonet dhe historinë e këtij populli, intrigat e Europës për ta mbajte këtë popull skllav të Turqisë, mundimet dhe kërkesat e drejta të tij për liri dhe pavarësi, dhe më në fund se si Amerika mund ta ndihmojë duke i prirë këtij populli në të drejtat e veta.
Toka e Shqiptarëve
Valona ishte një pjesë e vogël e kësaj toke prej së cilës ata që shkelën Shqipërinë krijuan emrin Albania në shekullin XI. Emri i vërtetë i kësaj toke është Shqipëri dhe i popullit Shqiptar që domethënë toka dhe bijt e Shqipes. Shqipëria, në mes të Malit të Zi dhe të Austrisë kah Veriu, le Serbinë kah Lindja dhe Greqinë kah Jugu, dhe shtrihet 390km përgjate bregut Lindor të Adriatikut. Ajo është shumë afër bregut Italian ku qytetet dhe portet prej Brindisi deri në Venedik duket sikur duan me thënë se janë kryenaltë me përparimin dhe lumturinë e tyre përpara anës tjetër të shkretë të detit të fqinjës së vet. Si në Jug ashtu edhe në Veri të Shqipërisë ka porte të bukur dhe liqenj të mëdhenj e të mrekullueshëm. Buza e Drinit dhe liqeni i Shkodrës, të cilët janë tani pothuaj të pavozitshëm, duhet që nëpërmjet tyre t’u zhvillonte një tregti e madhe e përgjithme. Katër porte të tjerë përgjatë bregut Shqiptar janë pa mole dhe pa farë përmirësimi. Lumenjt janë të mbushur e të pavozitshëm, ndërsa pyje të mëdhenj po kalben në balta e moçale. Fusha të mëdha e pjellore shërbejnë vetëm si një kullote e dobët për tufat e dhenve të një race shumë të dobët; i vetmi plug është parmenda e drunjtë e Romës së lashtë. Minierat e punuara prej Romakëve dhe Venecianëve janë zhdukur nga pamja dhe s’dihet fare ku janë. Përveç rrugës Egnatia, një tregues i pushtimit Romak, s’ka rrugë dhe fuqi të mëdha ujrash shkojnë kot, sepse s’ka asnjë central elektrik. Nuk ka bankë dhe ka shumë pak të holla; nuk ka një zyrë postare të vendit veç atyre të të huajve. Ka shumë pak gazeta dhe libra; shumë rrallë lëviz ndonjë lloj maqine dhe madje s’ka as qeveri të vendit.
Ministri i Punëve të Jashtme të Italise, i shquari San Xhuljano, bëri një përshkrim se si mbërriti nga bregu i detit deri në Shkoder, qyteti kryesor, hypur mbi kalë, nëpër fusha, moçale, ferrishte e baltra, mbi një rrugë të verbët, ndërsa gjatë rrugës së tij në njërin krah kalonte i bukuri lumë pengues dhe i pavozitshem, i cili me pak shpenzime mund të bëhet që të kalojnë nëpër të prej qytetit deri në det vaporë prej më se tre mijë tonelatash. E pamundur! Në zemër të Europës të ndodhet një shkretirë kësi soji, por qe një fakt. Në të vërtetë kjo rrjedh nga se ky vend ka mundësira përparimi më të mëdha se çdo shtet tjeter i Ballkanit por që Europa e ka pa të arësyeshme me e bërë këtë vend të mjerë e të shkretë. Ky vend zë pozitën gjeografike më të mire në Europe; ai është çelsi i tregtisë së Ballkanit dhe porta e kalimit për në Lindje. Me gjithë këtë, sot nuk ka asnjë udhë hekuri që t’i përshkojë Ballkanet prej Adriatiku në atë mënyrë që kjo të jetë një vijim i linjës Austriake.
Kur Princ Vidi dhe përfaqësuesit e gjashtë fuqive të mëdha e bënë Durrësin kryeqytet të Mbretërisë, ata sot zunë një vend të keq, një katund të qelbët, porse Durrësin nën emrin Epidamus siç quhej në kohët e vjetra Ciceroni dy mije vjet përpara e përshkroi si një vend të bukur, të madh e të lulëzuar. Në atë kohë ishte një qendër e madhe tregtie, por sot sikurse edhe fqinji i tij Tivari në Veri, qëndrojnë si njëmendore e mëkatit të shkatërrimit turk. Në tokën e Epirit ku sot 600’000 frymë rrojnë mjerisht, nën Pax Romana rronin 4’000’000 në lumturi. Do të shohim më vonë se jo natyra por arti i zi e zbriti këtë vend nga lumturia e hershme në gjendjen e dhimshme e të mjeruar të sotme. Kjo u qeth e u shkurtua në traktatin e Berlinit, në ndarjen e Ballkanit dhe në marrëveshjen e Londrës, saqë askush s’mund të dije sot sipërfaqen dhe popullsinë e saj. Mund të jetë e madhe sa shtetet Konektikat dhe Masaçuset bashkë dhe popullata mund të çmohet nga 500’000 në 1’500’000, por mesatarisht mund të jetë 750’000 shpirt. Shkodra ka 40’000 banorë dhe me pak përjashtime ky vend përbëhet prej katundesh.
Origjina e Shqiptarëve
Mbrapa në kohët parahistorike, para se poetët e Homerit të këndonin për perënditë e tyre dhe heronjtë e përrallave, përpara se të shkruhej gjuha greke, rronte një popull i qujtur Pellazg. Herodoti (484-425 p.e.s.) iu vesh Pellazgëve historinë e cila këto i përmend shumë më parë se sa qytetërimin e grekërve; punimi i ashpër që mbulon anët e Panteonit në Athine akoma quhet Pellazgjik. Këta ndërtuan mure të mëdhenj që quhen ciklopike dhe për të cilët Prof. Pokok thotë që qenë ndërtuar shumë më përpara se të egzistonin grekërit e Homerit. Prej kësaj race të fortë parahistorike mbetën vetëm Shqiptarët. Vetëm në kohë të vona u shkoqit se Pellazgët qenë Ilirianët e vjetër, e para degë Indo-Europiane, perandoria e të cilëve shtrihesh që nga Azia e Vogël deri në Adriatik dhe nga Veriu deri në Danub. Nga studimet e shkrimtarëve të rinj, si Prof. Maks Myller dhe Prof. Pot, në gjuhën Shqipe u bë e qëndrueshme kjo origjine. Këto Ilirianë, që rrojnë akoma në Shqipëri si Toskë, u shpërndanë edhe në Itali dhe njihen si Toskë, Toskanë, Etruskë.
Është e kotë të kërkohet për perënditë e Greqisë në etimologjinë e gjuhës së saj. Në gjuhën Shqipe këto janë shumë të qarta dhe domethëniet e tyre shumë të drejta. Për shembull, Kaos është hapsi, hapësira; Erebus, biri i Kaosit, është er-het-os, me e bërë të errët; Uranos është I-Vran-os, domethënë zana e reve, vranët; Zeus, Zaa, Zee, Zoot-Zot, zë rrufe; Athena është E thëna, me thënë fjalën; Nemesis, nemës, domethënë nam, thirrje e djallit; Muse, Mosois, është mësuesi; Afërdita domethënë afër ditës, agimi. Kur do të jetë studiuar mirë gjuha Shqipe dhe kur do të jenë zhvarrosur gojëdhanat e saj, atëhere shumë nga veprat e Homerit do të rishkohen dhe ca nga ato do të jetë nevoja edhe të korigjohen. Herodoti nuk e pati ditë që emrat e heronjve të veprës së Homerit ishin fare qartë në gjuhen Pellazgjike. E deri edhe emri i vet i Homerit mund të gjurmohet në gjuhën Shqipe: I mirë, dhe në formën Imiros do të thotë poezia e mirë.
Në gjuhën Shqipe është Agamemnon, Ai-ge-mendon, ai që mendon; Ajaks, ai gjaksi, gjakderdhës; Priamos, Bir-i-amës, biri i amës e me kuptim ironik Biri i tokës, i vendit; Akili, i qiellit, një i zbritur nga qielli; Odiseu, i udhës, udhëtari, aji që shëtit; Ithaka, i thak, idhnak; Droilos, Droili(os), ai që druhet, frigac. Shumë të tjera mund t’i shtohen kësaj liste. Nuk është çudi në se njerëzit që kanë studiuar gjuhën Shqipe të thonë se kjo është gjuha origjnale e Homerit dhe që grekërit e morën nga poetët Pellazgjike të shumtën e këngëve të trimërive dhe ato heroike. Sa dituri e madhe e pret arkeologun kur toka Shqiptare do të hapi thesarin e historisë Pellzagjike! Këta dhe shumë rrjedhime të tjera provojnë që Shqiptarët sot janë mbi tokën e të parëve dhe flasin gjuhën e stërgjyshëve të tyre. Edhe përpara se dega helene të njifej në malet e Thesalisë, Shkodra, qyteti kryesor i Shqipërisë, qe pa dyshim kryeqyteti i mbretërisë madhështore të Ilirisë. Shqipja qe gjuha amtare e Aleksandrit të Madh që pushtoi botën dhe e Pirros së Epirit, një nga gjeneralët më të mëdhenj që përmend historia dhe përballues i fundit i ushtrive pushtuese Romake. Një tragjedi, përtej përfytyrimit të tragjedistit, është kjo që një racë e vjetër dhe e fortë erdhi në një gjendje kaq të keqe dhe mizore, gjë e cila shikohet si skandal i qytetërimit Europian. Nuk është për çudi që otomanët nuk lejuan ndonjë gërmim në tokën Shqiptare, sepse ajo mund t’i sillte ndërmend këtij populli lulëzimin e parë.
Vendasit e Shqipërisë
Nuk janë turq sikurse shumë e mendojnë; përpara kanë qenë të gjithë të krishterë, por gjatë shekujsh pjesa më e madhe është kthyer në besimin mohamedan. Shumë prej malsorëve janë katolikë, ndërsa në Shqipërinë e Jugut pothuajse kisha greke është krejtësisht e pranueshme përveç mohamedanëve. Gjuha shqipe është aq e dallueshme nga gjuhët tjera të Europës sikurse është gjuha Kelte dhe Baske. Ata s’kanë literaturë veçse pak libra të priftërinjve katolikë; as alfabet të qëndrueshëm nuk kanë akoma. Në shkollat e pakta turqit nuk kanë lejuar që të mësohet gjuha e tyre dhe nuk janë shumë ata që dijnë me shkruajtur e me lexuar. Historia e Shqipërisë është një shënim i gjatë shkeljesh, plaçkitjesh dhe gjakderdhjesh. Këngët e tyre tregojnë, theksojnë, vetëm lufta e trimërira. Të gjitha shkeljet e Europës mizore e kanë përshirë këtë vend me zjarrm e shpatë.
Mbasi vdiq heroi Gjergj Kastrioti që mbajti larg nga Shqipëria për 24 vjet ushtritë e sulltanit duke i zhdukur nga faqja e dheut njërën mbas tjetrës, otomanët mundën ta pushtojnë Shqipërinë dhe e mbajtën nën zgjedhë për më se 450 vjet. Përveç popullit të fushave, të cilët i ka vrarë më shumë zgjedha e robërisë, përgjithësisht Shqiptarët janë trima e luftetarë të fortë. Malësori nuk del kurrë prej shtëpisë së tij i pa armatosur, e deri bariu mban tufën e vet i armatosur deri në dhëmbë. Lufta ka qenë i vetmi besim i tyre; biles ata thonë: aty ku është shpata aty është besimi. Djali rritet pa farë edukate ose disipline përveç se përdorimit të armëve. Në ushtrinë turke ai mësoi se si me vjedhë e me grabitë; në shtëpinë dhe vendin e vet zyrtarët dhe tagrambledhësit e pengonin në kursimet, punimet dhe industritë. I rritur në një atmosferë dhune dhe vjedhje, edhe urija shpesh here e ka shtërnguar të fitojë rrojtjen e tij si të mundet, qofte edhe prej armikut që i ka shkelë në votër. Nuk duhet shikuar për çudi pse vjedhja që i bënin turqve quhesh patriotizëm i lartë. Pa dyshim këta malësorë janë të egër dhe të pamëshirshëm në mësymje ose në mbrojtje. Që këta kanë edhe zakone të këqija s’ka nevojë për vërtetim, porse janë rritur në një atmosferë pesimiste.
Një popull fisnik
Ky popull është shembulli më i madh i të mbajturit të moralit dhe meritave të trashëguara, për fisnikërinë dhe për kapacitetin e tij që, megjithëse për shekuj me rradhë ka qenë nën ndikimin tiranik dhe zhvleftësues, e mban prap kryet lart, nuk i ka humbur shpresat e veta dhe gjithnjë thotë se jam Shqiptar, qoftë edhe në mes të zjarrmit. Dhe për këtë ky meriton të gradohet me një listë të gjatë virtytesh të pastërta e shembullore. San Xhiljano thotë se Shqiptarët janë egoista të radhës së parë. Sigurisht ata nuk janë një racë që shtrohen dhe kërrusen nga frika. Trimërija e tyre s’ka kufi; ata e përballojnë vdekjen dhe fatkeqsinë e tyre pa u trembur. Fjala e besës për ta është shumë më e shenjtë se sa bëmat e mëdha të popujve të qytetëruar dhe mikpritja e tyre vijon deri sa mos t’u mbetet më kurrgjë. Virtytet e grave të tyre janë të trashëguara dhe vdekja është dënimi i zakonshëm dhe i shpejtë në rast tradhëtie ose imoraliteti. Ndjeshmëria e tyre në çnderime dhe fëmijë është shumë më i madh se sa në rrena e shpifje dhe këto raste mbarojnë gjithmonë në gjakmarrje. Në asnjë vend tjetër të botës nuk është ma e sigurte gruaja nga fyerjet se sa në Shqipëri; ai qe vret një grua bie nga vlefta dhe e humb emrin e famën. Bajroni e nderon në këtë mënyrë besnikërinë e Shqiptarëve nga përvoja vetjake që pati prane tyre
T’ashpër janë djemtë e Shqipërisë,
e me gjithë këtë nuk u mungojnë virtytet,
të ishin ato virtyte më të pjekur;
Ku është armiku që ua ka pa shpinën e shtegun ta lirojnë?
Fortesat e shtëpitë e tyre nuk janë më të sigurta kurrë,
sa ata vetë në kohëra turbullimi e në rast nevoje;
Sa e rëndë është mërija e tyre,
por kur ta falin, miqësia është fare e sigurtë;
Kur mirënjohja ose fisnikëria me derdh gjakun i thërret,
të patrembur shkojnë përpara kudo që t’i çojë udhëheqësi i vet.
Kaq tepër e admironte Bajroni këtë popull saqë Shelli e thërriste atë me emrin përkëdhelës ALBI. Malësori dallohet nga qytetari. Veshja përgjithësisht është si veshja kombëtare e Greqisë. Fustanella, një fustan i bardhë që mbërrin deri ke gjuri, çorape të bardha mbulojne puplat e këmbëve, këpuce me maja të kthyeme e me tufa mbi ta, rrypi i mesit i mbushur me armë, xhamadani me mëngë të lëshuara mbrapa dhe qeleshe. (Xhorxh Fred Uilliams ka vizituar vetëm bregun e jugor të Shqipërisë, prandaj përshkruan kostumin popullor jugor Shqiptar – shën. përkth.). Ky popull rron në formën prindërore, domethënë plaku i shtëpisë nderohet dhe shquhet përmbi të tjerët dhe të gjithë e dëgjojnë. Vajzat nderojnë dhe ndigjojnë nanën. Iu mbarohet më parë çdo dëshirë prindëve e pastaj të tjerëve. Tek ky popull nderimi për moshën është një tipar i veçantë. Janë shumë zemër mirë për njëri tjetrin, ndihmojnë shoqi shoqin në rast rreziku apo nevoje, kanë respekt për eprorët e tyre dhe e mbajnë besën me drejtësi e me ndërgjegje të pastër. Në mes të tyre flasin një gjuhë të zbukuruar, përdorin shprehje të pastra dhe të prishurit e gojës shpaguhet pa vonesë e ngadonjëherë shumë rëndë. As me qeshje nuk përdoret gjuhë përdhosëse.
Mikpritja është në kulmin e saj në Shqipëri. Një sulm po t’i bëhet mikut në çdo mënyrë qoftë, është një çnderim i madh për të zotin e shtëpisë e për gjithë fisin e tij. Ai që grabit ose vjedh mikun, sipas zakonit të vendit dënohet shumë rëndë, ose me vdekje ose nxirret jashtë fisit. Burrat janë të gjatë, Gegët në Veri janë më të gjatë se Toskët në Jugë; gjithashtu më të fortë dhe më të rreptë. Një shkrimtar e përshkruan lëvizjen e malësorëve të Veriut si të dhive të egra që i ngjiten majave e shkëmbinjëve më të mprehtë dhe zbresin pa pikë frike nga këto vende, që kur i sheh thua se asgjë e gjalle s’mund të shpëtoje nga ato. Besa është tradita më e shenjtë; kur njëri ka besën e një personi të mirë të njërit fis, çnderimi më i madh e pret thyesin e saj prej personit të atij fisi. Besa e Shqiptarit jo vetëm që mbahet dhe mbrohet me vullnetin më të mirë, por Shqiptari po të jetë nevoja jep edhe jetën për të mbajtur besën e dhënë. Një udhëtar nën fjalën e besës është nën mbrojtje të shenjtë.
Zakone gjakmarrje
Gjakmarrja është një traditë e Shqiptarëve, por e rregulluar mbas ca ligjeve dhe zakoneve të vendit që caktojnë kur, kush dhe si është e drejtë një gjakmarrje. Në këto raste qeveria nuk përzihet, edhe në qoftë se ndërhyn do të ndjekë zakonin e vendit më tepër se ligjin. Ky “lex talionis”, rregull që jep të drejtë që të shpaguhet një dëm i ndërsjelltë ose si i thonë, një sy për një sy e kokë për kokë, jo vetëm që hyri nëpër ligje gjatë shekujve, por edhe nëpër besime. Gjykohej se shpirti i të vrarit nuk ka qetësi deri sa të vritet gjaksori. Në Shqipëri familjes ose trashëgimtarve nuk u mbetet gjakmarrja vetëm për vrasje, por edhe për çeshtje nderi grash. Gjaqet shpesh herë shtrihen deri në bajraqe, fise, dhe shpagime gjaqesh shumë herë kanë kapërcyer katunde e krahina. Ligjet turke në këtë vend nuk jepnin ndonjë farë drejtësie; madje i nxitnin këto zakone pasi ato shkaktonin përçarje, grindje dhe armiqsira të mbrendshme ndërmejt Shqiptarëve, gjëra që i lehtesojnin barrën Turqisë për të zbatuar më tepër tiraninë dhe robërinë. Me ardhjen në fuqi të ligjit të krimeve, ky zakon ndoshta do to zhduket me kohë sikurse në rastin e Malit të Zi.
Gratë Shqiptare
Ndërsa, si dhe në shtetet tjera të Ballkanit, gruaja bën të gjitha punët, si në fushë ashtu edhe në shtëpi, ajo shikohet më me respekt dhe zë një pozitë më të lartë se gruaja e Lindjes. Një grua mund të shëtisi prej një ane të Shqipërisë në tjetrën pa farë dyshimi, bile edhe një burrë që mund të ndodhet me të, nga shkaku i gruas është i sigurtë. Në qoftë se një vajzë e fejuar le të fejuarin e vet, ajo e ngarkon familjen e saj me një gjak të cilin e ka të drejtë i fejuari i saj. Përveç atyre të qytetit, nusja nuk merr pajë nga ati i saj, përkundrazi dhëndri i paguan një shumë të hollash të atit të vajzës; për gratë e veja paguhet gjysma. Ndër gratë Shqiptare dashuria dhe bukuria nuk luajnë një rol me rëndësi. Ç’ka ia shton rëndësinë gruas pranë burrit është të pjellurit; dukë shtuar femijët, shtohet edhe pozita. Nuk egzistojnë gjëkundi gra më të virtytshme se në Shqipëri.
Brez i fuqishëm
Gjaku i Shqiptarëve është gjak burrërie. Shqiptari i ka dhënë Turqisë gjeneralët dhe ministrat më të mirë. Vëllezërit e tyre në Itali, Toskanët, vunë themelet e vertetë të madhështisë së Romës. Pesë perandorë të Romës qenë bij malësorësh Ilirianë; ata e forcuan racën Italiane. Në grykat dhe në malet e Atikës gjuha Shqipe është në përdorim edhe sot. Në përpjekjet e Greqisë për liri, Shqiptarët lanë emra fame. Ata trazohen me të tjerët, por në trazim nuk bashkohen, domethënë nuk i përziejnë gjakun dhe zakonet e tyre. Të ruajturit e gjuhës dhe të zakoneve të veta nën thembrën dhe tiraninë e shekujve tregon mundësitë e një race të fortë e të pamundëshme. Do të shohim se si Europa e përdori këtë çelës të Ballkaneve për të mbajtur mbyllur dyert e mëshirës e të dritës mbi një popull, i cili tani po lutet për pavarësi e liri.

Parathënie e botimit të dytë
faqe
- 1 -

2 >