Jump to content

Pepili/Tri këng zie për Kosovën/1

Nga Wikibooks

Përgatiti për botim
Bujar Hudhri


Copyright 1998 by Onufri
për botimin në gjuhën shqipe.
brenda dhe jashtë kufinjëve të Shqipërisë.


ISBN 99927-30-18-8


Tiranë: Rruga "Asim Vokshi". Nr. 26
Kutia postare nr. 8152
Tel/Fax. 00 355 42 20017
Mobil 00 355 382022609
http://www.albanian.com/Onufri




Tri këngë

zie

për Kosovën



Novela
nga
Ismail Kadare




Kadare, Ismail
Tri këngë zie për Kosovën: Novela/
Ismail Kadare; Përg. për bot. B.Hudhri.-
T.: Onufri, 1998.- 89 f.; 18 cm.
ISBN 99927-30-18-8


1. Tregime dhe novela shqipe
891.983. -32
K 14

PËRMBAJTJA[1]
LUFTA E VJETËR, ... f.5
ZONJA E MADHE, ... f.37
LUTJE MBRETËRORE, ... f.83
PËRMBAJTJA ... f.89

       S'kishte qëlluar asnjëherë që të hapej fjala se do të kishte luftë e pastaj të bëhej paqë. Kurse e kundërta, pas shpresave për paqe të shpallej befas lufta, kjo ishte pothuajse e zakonshme në gadishullin e madh.
       Nganjëherë dukej se gadishulli ishte vërtet i madh dhe kishte vend për të gjithë: për gjuhë e fe të ndryshme, për një dyzinë popujsh, shtetesh, mbretërish e principatash, madje edhe për tri perandori, dy prej të cilave, ajo e serbëve dhe e bullgarëve, për turp të vet e të krishterimit mbarë, ishte shpallur vasale e turqve.
       Mirëpo vinin ditë të tjera që në mendjen e njerëzve ndodhnin ndryshime dhe gradishulli ngjante i ngusht. Ndjenja e ngushtësisë, më shumë se nga trojet dhe gjuhët e popujve që përkiteshin me njëri-tjetrin shtohej prej kujtimeve të vjetra. Ishin makthe që popujt i bluanin në vetmi, gjersa vinte një ditë që ngjanin të padurueshme.
       Kjo ndodhte zakonisht në pranverë, kur bashkë me pëshpërimat për luftë ose për paqe, ndihej gjithkund një trazim i pashpjegushëm. Në të vërtetë parashikimet e mbara ose të prapa nuk rreshtnin kurrë në zonat e ulta e kryesisht në qytete. Por ato bëheshin zotëruese kur bashkoheshin me trazimin që zbriste prej njerzëve të lartësive. Dhe kjo ndodhte në pranverë, fill pas shenjave të para të shkrirjes së dëborës. Shpjegimi ishte i thjeshtë: ndonëse parathënmet e qytetarëve bazoheshin në lame e pëshpërima të përhapura andej-këndej prej tregëtarëve endacakë, karrocierëve të konsujve, kursit të këmbimit të dukatit venedikas në bankat e Durrësit, spiunëve, epileptikëve e lavireve të porteve, pra, ndonëse rridhnin prej burimeve të besueshme, ato, për t'u kthyer në pëshpërima të vërteta, kishin nevojë për një përmas tjetër: të parrokshme e misterioze, me fjalë të tjera të palogjikshme. Këtë ua siguronin njerëzit e lartësive.
        Për këta të fundit, që nga Bjeshkët e Namuna të Shqipërisë, në Mal të Zi, e gjer te Olimpi i moçëm e te Karpatet, gjithçka lidhej me dëborën. Ashtu si njerëzit e qyteteve, që kishin prirjen ta përftonin botën përgjithësisht të rrafshët, njerëzit e maleve bënin gabimin e kundërt: besonin në zotërimin e lartësive. Kështu për ta, edhe sikur dikush të bënte be e rrufe se e kishte parë me sy ushtrinë që ishte nisur për luftë, ata kthenin sytë nga dëbora e tundnin kryet për të thënë "jo". Gjersa ajo bablokja ishte aty, s'kishte ushtri që lëvizte e s'kishte luftë që fillonte.
       Në pranverë e gjithë kjo siguri shembej dhe bashkë me ujërat rrjedha e mendimeve ndryshonte.
       Kështu ndodhi edhe atë pranverë të vitit 1389, kur fill pas lajmeve se do të kishte një paqe të pazakontë, erdhi lajmi tjetër se do të kishte luftë dhe se, pikërishtë kjo do të ishte e tillë, e pazakontë. vazhdon por unë u ndala.

  1. Të gjithë përmbajtjen nuk kemi drejtë të paraqesim, por përhirë të studimeve të lira për interesin e përgjithëshem shoqërorë, për të pasë pakë a shumë njohuri nga përmbajta po i prezentoj vetem këngën e parë. Ju lutem të keni mirëkuptim rreth të drejtave të autorit. Kopjimi "Copy-pase" jo vetem prej autorit po edhe prej meje që po e kopjoj shkronjë për shkronjë është e ndaluar. Pra kopjimi dhe sidomos shpërndarja masiv është e ndaluar.