Pepili/Komedia Hyjnore/5
Parathënie
Dante Aligieri, autori i "Komedisë Hyjnore" - vepër madhore e letërsisë botërore, jetoi në kohën kur vendet më të përparuara evropiane po bëheshin gati të dilnin më në fund nga epoka e errët e Mesjetës dhe të bënin kërcimin e madh për në epokën Moderne.
Rizbulimi i veprave të Aristotelit dhe i mjaft veprave të letërsisë antike në shekullin e XII dhe fillimin e shekullit XIII nga burimet arabe qenë një ferment i fortë intelektual për qarqet skolastike mesjetare. Shoqëria evropiane, që ende nuk ishte shkëputur nga barbaria, por që ishte shumë afër qytetërimit, lindi në këtë kohë njerëz me përmasa të mëdha intelektuale dhe talent të madh letrar.
Pikërisht atëherë Shën Thoma Akuinasi përpunoi argumentet e dogmës së krishtere, të cilat janë të vlefshme dhe shërbejnë edhe sot e kësaj dite, ndërsa Dante Aligeri krijoi një poemë të madhe, me përmbajtje kryesisht mesjetare, por ku gjallojnë filizat e një kohe të re që po afron.
Vendlindja e tyre ishte Italia. Ky vend ishte në pararojë të zhvillimit shoqëror, për shkak të së kaluarës së tij të lavdishme politike dhe kulturore, gjurmët e të cilës ruheshin akoma, pavarësisht nga invazionet e shumta të barbarëve, si dhe për shkak të pozicionit të saj të favorshëm gjeografik si ndërlidhëse midis Perëndimit dhe Lindjes, të tregtisë që zhvillohej midis tyre, e cila sillte jo vetëm fitime por edhe ndikime të ndërsjellta nga më të ndryshmet midis këtyre dy botërave.
Qendrat më të përparuara të zhvillimit shoqëror të kësaj kohe ishin qytetet italiane, midis të cilëve dallohej Firencja, ku në maj të vitit 1265 lindi Dante Aligieri.
Familja e tij, fisnike nga titujt e nderet, kishte rënë nga vakti. Megjithë kushtet ekonomike modeste, Dante mundi të shkollohej dhe të bënte jetën e një fisniku të ri. Nuk dihet me siguri se çfarë shkolle ndoqi Dante, por mendohet se Retorikën, që përfshinte artin e të folurit në publik dhe të shkruarit e letrave, zotërimi i të cilës kërkohej jo vetëm nga gjyqtarët dhe avokatët, por edhe nga ata që donin të kishin influencë në jetën publike, ai i mësoi nga Bruneto Latini, një nga njërëzit më të ditur të qytetit, sikundër e thotë edhe vetë, kur i drejtohet me këto fjalë:
...në botën lart ju më patët mësuar
si bëhet i pavdekshëm një njeri. (Ferri, Kënga XV, vv. 83-84).
Që në rininë e hershme filloi të shkruante poezi, të cilat u bënë të njohura dhe e lidhën me mjaft poetë të tjerë që shkruanin në imitim të poezisë trubadore. Shumë shpejt poezia dhe filozofia u bënë për Danten preokupimi kryesor në jetë, sidomos pas lidhjes së miqësisë me intelektualin e shquar fiorentin Guido Kavalkantin. Por ndërsa ky i fundit u thellua më tepër në mendimin filozofik, sidomos atë epikurian materialist, Dante preferoi studimin e poetëve latinë, sidomos të Virgjilit, të cilit i drejtohet me këto fjalë kur e takon në Ferr:
"Virgjili qënke, ai krua i kulluar
nga rrjedh një lumë i gjerë poezie!"...
"Ti, që për poetët je simbol lavdie,
më ndih se veprën tënde e studiova
me zell e plot me ndjenja dashurie.
Autor e mjeshtër je që preferova,
të ëmblin stil e mora veç prej teje..." (Ferri, K. I, vv. 79-86)
Një ndikim të madh ushtroi mbi Danten poezia e trubadurëve provansalë, që, e kombinuar me njohjen e shkëlqyer të poezisë latine, e lejuan Danten të krijojë artin e tij poetik, që ai e quajti"dolce stil nuovo" (stili i ri i ëmbël).
Poezia e Dantes së ri është e lidhur në mënyrë të pashkëputur me imazhin e një gruaje të re fisnike fiorentine, të Beatriçe Portinarit. Ai e pati njohur Beatriçen kur ajo nuk ishte më tepër se 8 vjeçe, ndërsa ai vetë 9 vjeç. Ajo ushtroi një ndikim të madh në shpirtin e poetit për gjithë jetën. Dante i kushtoi Beatriçes vëllimin e tij të parë me poezi "Jeta e re" (Vita Nuova,1292-93). Le të kujtojmë sonetin e famshëm 127 nga ky vëllim - Kaq e njerëzishme (Tanto gentile):
Kaq e njerëzishme dhe e dlirët duket
Me njerëz Zonja ime kur përshëndetet,
Sa gjuh' e tyre ngrin e goja meket,
Guxim s'ka syri që ta shohë e tutet.
Baret ajo dhe ndjen si e lëvdojnë
Me mirësi t'përkorët e mbuluar,
Nga qiejt ngjan të jet' ajo dërguar
T'i thonë tokës ç'mrekulli sajojnë.
Përshtypjet që i kishte lënë që në fëmini, idealizimi i saj si simbol i virtytit dhe i pastërtisë qiellore dhe, padyshim, nevoja për të paraqitur në poezinë e tij "zonjën e zemrës", sipas klisheve të kohës, dalëngadalë ngulitën tek Dantja bindjen se ajo duhej të ishte udhëheqësja e mendimeve dhe e ndjenjave të tij drejt perfeksionit ideal, për të cilin duhet të aspirojë çdo shpirt fisnik. Beatriçja vdiq shumë e re (në vitin 1290), para se të botohej "Jeta e re", dhe Dantja deklaroi se shpreson "të thotë për të çfarë nuk është thënë për asnjë grua tjetër", gjë që ai e realizoi vërtet në veprën e tij madhore "Komedia Hyjnore".
Në kohën e Dantes në Firence po ndodhnin ndryshime të mëdha shoqërore: zhvillimi i madh i artizanatit dhe i tregtisë, dyndja e njerëzve të rinj në qytet, të shtyrë nga etja për të fituar dhe për t'u pasuruar, po e kufizonin gjithnjë e më shumë pushtetin dhe ndikimin e shtëpive fisnike, që nuk merreshin me zanate apo tregti dhe ndjeheshin ngushtë ekonomikisht. Dante që jetonte pothuajse i shkëputur nga jeta materiale, duke qenë i zhytur në studimet dhe në provat e tij krijuese, e ndjeu gjithashtu darën e nevojave materiale. Për të rregulluar disi gjendjen ekonomike të familjes, i ati e martoi me Xhema Donatin, pinjolle e një familjeje të kamur. Me të ai pati disa fëmijë. Po kjo nevojë materiale e shtyu Danten të hynte në korporatën e mjekëve, sepse vetëm kështu mund të merrte ndonjë nëpunësi në komunë.
Qyteti në këtë kohë ishte i ndarë në dy parti kundërshtare: guelfët, partizanë të ruajtjes së pavarësisë së qytetit me përkrahjen e Papës, dhe gibelinët, që donin ta merrnin pushtetin me ndihmën e Perandorit. Familja e Dantes, si të gjithë fisnikët e vegjël të qytetit dhe artizanët, bënte pjesë në partinë e Guelfëve dhe ishte kundërshtare e partisë së Gibelinëve, në të cilën bënin pjesë pronarët e mëdhenj të tokës. Midis këtyre partive u bë një luftë e ashpër për pushtet. Ardhja në pushtet e njërës sillte me vete mërgimin e partizanëve të partisë tjetër. Dante kështu krenohet nëpërmjet gojës së gibelinit Farinata deli Uberti për familjen e tij:
... dhe tha: " U treguan armiq krenarë
me mua, gjyshërit dhe partinë time,
prandaj dy herë ata i paç shpërndarë!". (Ferri, K. 10, vv. 46 - 48)
Dante mori pjesë në kavalerinë e Komunës si kalorës dhe pati disa nëpunësira. Në vitin 1301 u dërgua si ambasador i komunës në San Xhiminjano për t'u mbushur mendjen toskanëve që të bëhen bashkë e të mos i nënshtrohen pushtetit të papës. Në vitin 1302, ndërsa ishte dërguar si ambasador pranë Papës, ai u dënua në mungesë bashkë me mjaft qytetarë të tjerë nga guelfët e zinj (që ishin për pushtetin e papës), si kundërshtar i pushtetit papënor dhe shkaktar turbullirash, me një gjobë prej 5000 florinësh dhe me përjashtim të përhershëm nga ushtrimi i ofiqeve zyrtare. Sipas vendimit gjyqësor, ai që nuk paguante gjobën ekzekutohej duke u djegur i gjallë. Dante bashkë me të tjerë, duke mos patur mundësi të mbrojnë veten apo të paguajnë gjobën, pranuan pasojat e këtij dënimi: mërgimin.
Mërgimi qe i rëndë. Në fillim ai bashkëpunoi me shokët e tij në mërgim për t'u kthyer përsëri në vendlindje, por shumë shpejt u nda prej tyre. Mendimet për Firencen dhe qëndrimin e fiorentinëve ndaj tij ai i shpreh nëpërmjet Bruneto Latinit (Ferri, K. XV, vv. 61-76), i cili, pasi i thotë se në këtë qytet, që është bërë "fole për të pandershëm", të ardhurit që kanë mbushur qytetin çdo të mirë do ta shohin me armiqësi, dhe "qejf të të grijnë dy partitë kanë", e këshillon që të mbështetet në "fatin e mbarë" dhe të mos shpresojë në dashamirësinë e bashkëqytetarëve. Në fillim u strehua tek sundimtarët e Veronës, por pastaj u largua prej tyre dhe u end nëpër oborret e sundimtarëve që kishin namin e njërëzve dashamirës të arteve dhe shkencës. Dante shpesh ankohet për fatin e tij, duke e krahasuar veten me një barkë pa vela e pa timon që era e shpie sa në një port në tjetrin.
Por mërgimi pati edhe një pasojë pozitive: ai e zgjeroi horizontin e Dantes, i cili nga një qytetar i Firences u bë qytetar i gjithë Italisë. Duke qenë i mërguar, Dante u ballafaqua me Italinë e kohës, ku sundonte përçarja dhe jo ligji, dhe kjo e pasuroi eksperiencën e tij jetësore dhe, si rrjedhim, edhe librin e tij.
Dante nuk pati fatin të kthehej në qytetin e vendlindjes. Ai vdiq në mërgim. Në verën e vitit 1321 shkoi me një mision diplomatik në Venedik. Gjatë udhëtimit u sëmur dhe vdiq në shtator në Ravenë.
Dante u dha shumë pas studimit të filozofisë, sidomos të veprave të Aristotelit, studimit të poezisë latine dhe në të njëjtën kohë ai studjoi poezinë popullore të trubadurëve. Ka mendime, të paverifikuara, se ai është autori i një përkthimi të reduktuar në italisht të "Romanit të Trëndafilit", kryeveprës së poezisë trubadure, në 232 sonete.
Dante shkruajti këto vepra në italisht dhe latinisht: Jeta e Re"(Vita Nuova), Rimat (Rime ose Canzoniere), Gostia (Convivio), Mbi Elokuencën popullore (De Vulgari Eloquentia), Monarkia (Monarchia), Letra (Epistole), Ekloge (Egloghe - dy në latinisht).
Të gjitha këto vepra, të cilat dëshmojnë për punën e madhe të bërë nga Dante për përsosjen e gjuhës popullore italiane dhe shndrrimin e saj në një gjuhë kulture, për thellimin e mendimit filozofik dhe zgjerimin e erudicionit, qenë një parapërgatitje për kryeveprën e tij Komedia Hyjnore (La Divina Comedia).
Komedia , që u quajt Hyjnore vetëm më vonë, në një botim të vitit 1555, u hartua nga Dante midis viteve 1304-1320.
Në një letër që i dërgoi një miku dhe mecenati të tij, Dante shpjegon kuptimin dhe ndërtimin e Komedisë. Sipas tij, kuptimi i poemës është i dyfishtë: i drejtëpërdrejtë - gjendja e shpirtrave pas vdekjes, dhe alegorik - se njeriu, që ka aftësinë të vendosë vetë për veprimet e tij, merr nga drejtësia hyjnore ndëshkimin apo shpërblimin që meriton. Pra, me të drejtë është thënë se subjekti kryesor i kësaj vepre është "Drejtësia" dhe vendosja e saj.
E vërteta është se poema ka një strukturë komplekse alegorish e simbolikash, të planeve të ndryshme, për shpjegimin e të cilave kanë vrarë dhe vazhdojnë të vrasin mendjen shumë studjues dhe komentues, por kjo nuk pengon aspak që ajo të jetë plotësisht e kapshme nga lexuesi në kuptimin e saj të drejtpërdrejtë.
Forma e poemës është gjithashtu e dyfishtë. Struktura e saj mbështetet në numrin tre në raport me numrin një: ka tre kantika (Ferri, Purgatori dhe Parajsa), të ndara secila në 33 këngë, që përbëjnë gjithsejt 99 këngë në raport me një këngë (Këngën e parë të Ferrit që shërben si hyrje). Vargjet janë të ndarë gjithashtu në tercina (strofa me tre vargje). Vargu i parë dhe i tretë rimojnë bashkë, ndersa i mesit rimon me vargun e parë dhe të tretë të tercinës pasardhëse. Kjo rimë "trefishe" është shpikje artistike e vetë Dantes. Përdorimi i numrit tre përputhet me konceptin e Dantes se arti është imitim i natyrës (jetës), që përshkohet nga Trinia e Shenjtë e Krijuesit. Prandaj dhe ky numër manifestohet vazhdimisht nga Dante në poemë, ashtu siç manifestohet ai në jetë nga Providenca. Vargu është trokaik, pra rrokja e fundit është gjithnjë paraoksitone dhe lejon të ketë një pauzë më të madhe midis vargjeve, gjë që, krahas rimës trefishe, bën që poezia të tingëllojë veçanërisht melodioze dhe harmonike.
Dante e quajti veprën e tij Komedi duke u nisur nga ligjet e Retorikës, ku përcaktoheshin tre stile: i lartë (tragjik), i mesëm (ose komik) dhe i ulët (elegjiak o bukolik). Sipas Dantes, vepra e tij nuk ishte e stilit të lartë, por të mesëm, për shkak të zhvillimit të aksionit (sepse këtu veprimi fillon i trishtuar dhe mbaron i gëzuar , e kundërta ndodh me tragjedinë) dhe të gjuhës (këtu përdoret gjuha e folur italishte dhe jo latinishtja si gjuhë e stilit të lartë). Siç e thamë më lart, "Hyjnore" ajo u quajt vetëm më vonë nga pasardhësit për vlerat e saj të larta poetike dhe të përmbajtjes.
Poeti e paraqet veten si një njeri të privilegjuar nga Hiri hyjnor që të bëjë një shtegtim në botën e përtejvarrit duke kaluar tri pjesët e saj: Ferrin, Purgatorin dhe Parajsën. Dante takon mjaft shpirtëra të ndëshkuar (në Ferr) apo të shpërblyer (në Purgator dhe Parajsë) nga drejtësia e Perëndisë.
Udhëtimi nëpër Ferr zgjat aq kohë sa kohë pati kaluar nga zbritja e Krishtit në Varr deri në Ringjalljen e tij. Në Purgator shpirtërat pastrohen për në Parajsë, ku shkojnë shpirtrat e bekuar nga Hiri Hyjnor. Ky është një shtegtim që bëhet duke patur "Perëndinë në mendje dhe zemër" . Ai është gjithashtu një alegori për rrugën që përshkon njeriu në jetë.
Udhëheqësi i tij nëpër Ferr është Virgjili, i cili e shoqëron atë edhe në Purgator. Pastaj atë e shoqëron Beatriçja, bashkë me të cilën ai ngjitet në sferat e planetëve dhe të yjeve të Parajsës, ku takohet me shpirtrat e bekuar që zbresin për ta përshëndetur.
Duke dalë nga pylli i errët i mëkateve, poeti takon Virgjilin, i cili me porosinë e Beatriçes, mishërimi i hirit dhe i bekimit hyjnor, bëhet udhërrëfyesi i tij nëpër Ferr. Ata futen në portat e Ferrit në vigjilje të së Premtes së Zezë të vitit 1300. Sëbashku kalojnë nëntë rrathët e Ferrit dhe sosin në qendër të tokës, ku shohin Luciferrin (Satanain) të prangosur nga graviteti i tokës dhe akulli i urrejtjes së përjetshme.
Tre janë mëkatet kryesore që ndëshkohen në Ferr: mospërmbajtja, dhuna dhe mashtrimi. Sipas Dantes, Ferri është vendi i ndëshkimit të çdo dhune, e cila mund të ushtrohet ndaj Krijuesit, të afërmëve dhe vetëvetes.
Sistemi moral i Ferrit të Dantes është një shkrirje e kujdesshme e teologjisë së krishtere me etikën pagane. Etika e Aristotelit shërben si burim i parë. I gjithë vizioni i Dantes për botën e përtejme përshkohet nga kristianizmi i ndërthurur me paganizmin. Ky ishte vizioni i kohës së Dantes. sepse botëkuptimi i krishterë i kohës u pasurua shumë nga zbulimi i veprave të Aristotelit dhe thellimi në studimin e trashëgimisë kulturore greko-latine. Kështu Ferri, vendi i ndëshkimit hyjnor, ndëshkim që zbatohet nga djajtë, sipas doktrinës së krishtere, është i mbushur me qënie të mitologjisë antike: Fati, Gjigantët, Minosi, Cerberi, Flegjasi, Karonti etj.
Në epiqendër të veprës është vetë autori.
Nga njëra anë, bota që ai përshkruan është krijesë e tij, e imagjinatës së tij, mbështetur në teologjinë e krishtere dhe etikën pagane, nga ana tjetër, ai shëtit nëpër të si një kalimtar i rastit, në një kohë kur, siç thamë, vetë është gjyqtari, ndëshkuesi dhe njeriu që ka gjetur mënyrat më të përshtatshme të ndëshkimit.
Nga njëra anë ai është vetë gjyqtari gjakftohtë dhe objektiv, që i ka dhënë seicilit atë që i takon, nga ana tjetër, duke qenë prej mishi e kocke, na paraqitet si një njeri, brenda të cilit vlojnë dashuria dhe urrejtja, admirimi dhe përbuzja, mëshira dhe ndjenja e hakmarrjes, tek i cili shfaqen jo vetëm ndjenjat e holla të simpatisë, por dhe të përbuzjes, jo vetëm keqardhja e çiltër fisnike, por edhe keqdashja cinike zemëgurë.
Në këtë botë të përtejme të dhimbjes së përjetshme shohim një galeri personazhesh: figura historike të të gjitha kohërave, të të gjitha fushave: politikës, filozofisë, kulturës, por edhe bashkëkohës, miq apo armiq të poetit, që do të kishin mbetur krejt të panjohur po të mos i kishte rrokur, për shkak të miqësisë apo armiqësisë, pena e poetit të madh.
Në letrën që përmendëm më lart Dante shkruan: " ... mund të themi shkurt se fundi i të tërës (i komedisë simë) është që të nxirren të gjallët në këtë jetë nga gjendja e mjeruar dhe të udhëhiqen për në gjendjen e bekuar"", me fjalë të tjera që njeriu të çlirohet nga mëkatet dhe të perfeksionohet moralisht.
Në Komedinë e Dantes ndjehen edhe filizat e epokës që është në lindje e sipër. Pikërisht në këtë vepër, ai ndër të parët i thuri një himn madhështor njeriut-sipërmarrës të guximshëm, që nuk ngurron të flijojë veten për të zgjëruar njohuritë mbi botën. Në Këngën e njëzetegjashtë, një nga këngët më të bukura të Ferrit, ai përshkruan udhëtimin e fundit të Odiseut, i cili u drejtohet shokëve të tij me këto fjalë:
"Vëllezër, - thashë, - që në perëndim
arritët nëpër rrugë aq të vështirë,
sa ende gjallë e kemi çdo ndijim,
pak jetë që na mbeti me dëshirë
le ta flijojmë për të njohur botën,
që prapa diellit shtrihet si shkretirë. (Ferri, K. XXVI, vv. 112-117)
Në Komedi u mishërua puna e madhe, e gjatë dhe këmbëngulëse që kishte bërë Dante për përsosjen e tij si artist dhe mendimtar. Ai arriti të krijojë një kryevepër me vlera unikale artistike, të japë gjykimin për njerëzit e kohës së shkuar dhe bashkëkohësit, dhe ta bëjë gjuhën e popullit të thjeshtë italian një gjuhë të madhe kulture.
Vepra e Dantes edhe sot demaskon dhunën që për fat të keq vazhdon të ushtrohet kundër popujve dhe kundër individit.
Bashkë me Danten endemi nëpër Ferr edhe ne, lexuesit shqiptarë. Mëkatarët që sheh dhe përshkruan ai na përkujtojnë mjaft mëkatarë realë, dhunën e të cilëve ne e përjetuam për një kohë të gjatë, dhe, vetëvetiu, na lind dëshira për t'i parë edhe ata midis akujve të ngrirë të Kocitit, në Kainë!
_________________________________
"Dante Alighieri - Komedia Hyjnore - Ferri" - Shqipëroi Çezar Kurti, "Kurti Publishing", New York, 1996.