Pepili/1200 tekste këngësh shqipe të muzikës popullore dhe argëtuese/1
Appearance
Botimi i kësaj përmbledhjeje me tekste të këngëve të muzikës popullore dhe argëtuese shqipe është kurorëzim i një pune shumëvjeçare të bërë me përkushtim e dashuri të veçantë dhe paraqet një kontribut modest për kulturën shqiptare, posaçërisht në fushën e muzikës dhe ruajtjen e trashëgimisë dhe krijimtarisë popullore. Pasioni për mbledhjen e teksteve të këngëve te unë ka lindur shumë vite më parë. Duke qenë nga Gjakova dhe i rritur në një mjedis dhe shoqëri ku është kultivuar muzika e mirëfilltë shqipe, në veçanti kënga qytetare (një vëlla imi është njohës i mirë i muzikës dhe një kohë të gjatë merret me këngën), çështja e mbledhjes së teksteve të këngëve më është bërë pasion që në vitet e shtatëdhjeta dhe me intensitet të ndryshëm, sipas periudhave të caktuara kohore, dhe ka vazhduar deri në ditët e sotme. Këto tekste janë mbledhur në formë dorëshkrimi dhe janë rreth 3.000 faqe të shkruara me tekste të këngëve të ndryshme shqipe. Tekstet, kryesisht, janë nxjerrë përmes dëgjimit të këngëve. Kjo mënyrë e shënimit të teksteve të këngëve mbase është e vështirë dhe për këtë arsye tekstet jo gjithherë mund të jenë të plota dhe të sakta. Vitet e fundit më shumë jam marrë me plotësimin, sistemimin dhe përzgjedhjen e këtyre teksteve nga dorëshkrimet. Për plotësimin dhe korrigjimin e tyre është konsultuar edhe një numër i caktuar përmbledhjesh të këngëve të botuara nga autorë të ndryshëm. Kjo më shumë vlen për këngën shkodrane, siç janë botimet: “Këngë popullore shkodrane” nga Agim Velaj, “25o këngë qytetare shkodrane”, transkriptuar dhe harmonizuar nga Tonin Zadeja dhe Tonin Daija dhe “Këngë popullore shkodrane” nga Kasem Taipi, botuar në vitin 1998 dhe në një masë më të vogël për këngët e Shqipërisë së Mesme, ku do përmendur përmbledhja e këngëve të Isuf Myzyrit nga autorët Sulë Dreshaj dhe Alfons Balliçi, botuar në vitin 1996 dhe Këngë popullore të Shqipërisë së Mesme nga autori Hysen Filja botuar në vitin 1991. Për plotësimin dhe korrigjimin e këngëve gjakovare kryesisht janë shfrytëzuar disa përmbledhje nga Qamili i Vogël të botuara duke filluar nga viti 1961. Pas plotësimit dhe sistemimit rezulton se janë rreth 1.700 tekste këngësh. Do të ishte mirë që këto të botohen të gjitha. Por duke pasur parasysh qëllimin që në një vëllim të vetëm të mblidhet numër sa më i madh këngëve, është bërë një përcaktim që në këtë përmbledhje të botohen tekstet e 1.200 këngëve të muzikës popullore dhe argëtuese shqipe. Është e kuptueshme që pjesa dërrmuese e tyre janë të muzikës popullore - 850 këngë, kurse 350 janë të muzikës së lehtë dhe argëtuese.
< 0 |
faqe - 1 - |
2 > |