Jump to content

Përdoruesi:Hipi Zhdripi/Leje/Fantazmat e një epoke të mërzitshme

Nga Wikibooks

Pasi që titulli origjinal i librit nuk do të kishte kuptim (do të ishte falsifikat) është bërë ridrejtim i titullit Fantazmat e një epoke të mërzitshme dhe pjesët e kopjuara janë paraqitur si Pjesë të zgjedhura nga Arben Orhani

Fantazmat e një epoke të mërzitshme

[redakto]

Letra dërguar: http://www.arbenorhani.com

1
Tung!

E quaj vetën Hipi Zhdripi dhe pata një pyetje. Më ka ra të shohë që në një
projekt ku po mundohem të ndihmoj, dikush ka provuar të paraqesë apo të
lidhë fletën  "Fantazma e një epoke" me atë projekt (adresa e projektit
http://sq.wikibooks.org/wiki/Faqja_Kryesore ).

Nëse ju duhet ndihmë me programin operues mos nguroni dhe shtroni pyetjen,
do të ju ndihmoj me gjithë çef.

Si do që të jetë nëse nuk keni qenë ju atëherë e di si të veprojë (e
ndaloj atë veprim),  dhe këtë letër elektronike ju lutem harroni.

Ju faleminderit për mirëkuptim
Me nderime
Hipi Zhdripi

Përgjegja nga : http://www.arbenorhani.com

2
Pershendetje!
Faleminderit per interesimin. Quhem '''XXX''' dhe doja te paraqisja punen time
ne faqet e atij projekti, por nuk di sesi. Pasi e provova disa here, m'u
duk sikur funksionoi, por mesa duket, nuk paska qene keshtu. Une thjesht
do te deshiroja te shfaqja linkun e sitit tim ne ato faqe, pasi ka shume
njerez qe e kerkojne faqen me ermin tim ne Wikipeidia. nqse me ndihmoni
dot do t'j'ua di per faleminderit!

'''XXX XXX'''
Mobile: '''XXX-XXX'''
Email: info@arbenorhani.com
http://www.arbenorhani.com
3
Tung!

Shumë mirë. Tani më duhet të njoftojë për kushtet në të projekt:
Prezentimi ashtu klot i lidhjeve nuk është i mundëshëm.
Punimet e prezentuara aty lëshohen nën licenca. Nëse nuk ke ndërmend
të fitosh para me atë libër unë do ta paraqes aty, ti mos humb kohë. Nëse
jo, mendo pak për mundësin që ofron ai projekt dhe gjeje mënyrën e
shfrytëzimit të asaj mundësie dhe më dërgo punime tjera joshëse.

Sipas mendimit tim licenca aty, i mbronë disa të drejta të autorit mbi punimin e tij 
por jo të gjitha. Unë për veten time e bëjë këtë me qëllim të
shpërndarjes së fjalës shqipe, ti ndoshta je autor i ri mund ta përdorësh për krijimin e 
një opinioni tënd. E kupton.

Si do që të jetë për ta paraqitur librin aty më duhet pajtimi yt,i kjartë 
për paraqitjen dhe për licencën. 
Shiko :http://creativecommons.org/license/results-one?license_code=by-sa&wiki=true&lang=en
Mbes me shpresë se ke kuptuar qëlimin dhe ndihmën që kamë pasur dëshirë të ju jap.

Me nderime
Hipi Zhdripi
4
Pershendetje!
Shume falemnderit per ndihmen e ofruar, por nuk mendoj se kam kushtet per
licensime, projekte etj. Une mezi kam gjetur sponsoret per librin dhe
faqen dhe po perpiqem aq shume per librin e dyte, sa them ta le fare.
Ketu ne Shqiperi jemi ende ne epoket e gurit te lumit shoku! Une nuk po bej dot
punen qe dua sepse jemi ne perpjekje per mbijetese. Nqse do te me shfaqnit
te pakten linkun e websitit tim do t'jua dija shume per nder. Nqse jo,
nuk ka problem. Edhe nje here falemnderit per ndihmen dhe ju uroj shendet!

Tungjatjeta!
5
Tung!
Puna e licencës këtu nuk ka të bëjë që ju të jepni para, por kur
prezentohet libri juaj aty, mund të ndodhë që dikush tjetër ta përdorë 
mundin e juaj edhe për qëllime materiale. Unë nuk e kam lexuar librin e juaj por 
e pashë që pas saj qëndronë një punë e madhe. Për këtë edhe nuk pata dëshirë 
që të i jepet e drejta dikuj tjetër.

Si do që të jetë unë me dëshirën tënde apo jo do të i "vjedhë" dy-tre tregime, 
aq sa lexuesi të kërkoj mjaltin nga libri juaj. Këtë nuk mund të ma
ndaloshë, nuk kemi të holla për padi penale. Ndërsa sa i përket linkut
shiko këtu dhe përshkruaje librin si dëshiron vetë.  

shtype këtu http://sq.wikipedia.org/w/index.php?title=Fantazma_e_nj%C3%AB_epoke_t%C3%AB_m%C3%ABrziitshme&action=edit

dhe do të ishte mirë të shkruni diçka për biografin dhe veprat e juaja, në
fletën tjetër. Mos i fut lidhjet ato do ti bëjë unë, sepse të tjerët do ti
heqin.

Është edhe një mundësi tjetër por atë do ta bëjmë më vonë.

Upss!! Më falë, se jemi keqkuptuar për licencat që janë në modë në Shqipëri,
por po më duket që ishte hera e parë që ju ishit ai që duheshit të i lejoni (jepni licencën).

Nëse më keni keqkuptuar prap, do të bëjë ashtu si di më së miri për ju.
6
Tung!
E kuptova shume mire qe ju nuk kerkuat te jepja para, sigurisht. Dhe
patjeter qe mund te "vidhni" ndonje tregim aty per ta paraqitur, une nuk e
vras shume mendjen. Fundja do te filloj te mendoj per parate kur ta
perkthej ne anglisht ose gjermanisht, ose ndonje gjuhe tjeter, gje per te
cilen jam duke u perpjekur. Edhe nje here, shume shume faleminderit per
ndihmen, jeni nga te paktet qe po e beni pa ndonje perfitim. "Veproni si
t'ju duket me mire". Shpresoj qe t'ju pelqeje kur te lexoni ndonje tregim
nga libri.
Me nderime, Beni!
Falemnderit!

Kopjet

[redakto]
Figura:Fantazmat.PNG

Shkresat:

Dialog me varrmihësin

- Çfarë po bën? - Po gërmoj! - Përse? - Po hap një varr! - Për kë? - Për Hënën! - Çfarë të ka bërë Hëna? - Ajo më mësoi si të hapja varre për të vdekurit dhe t’i varrosja. Unë u kam bërë varrin shumë njerëzve. Tani i mbulova të gjithë dhe kam mbetur vetëm unë, unë dhe Hëna. Por do ta varros edhe atë! - Po ajo nuk ka vdekur ende! - Ajo ka vdekur!!! - ?! - Po, sepse, nëqoftëse nuk do të kishte vdekur, do të më mësonte si t’i hapja varrin vetes! - Po sikur të ketë harruar? - Atëherë do të futem vetë në këtë gropë! - E kush do të të mbulojë me dhe? - Ti! - Unë? Po mua? - Mbase kujtohet Hëna! - Po sikur të harrojë? - Atëherë gjallo derisa të kujtohet! - ?!

Flagrancë e sakrifikuar

Plaku kalon një gardh të fortë të thurur kujdesshëm, megjithëse jo të lartë, dhe futet brenda në një kopsht të bukur, mbushur me fruta ndjellëse, të cilat duket se ka kohë që nuk vilen. Pret të shohë ndonjë roje apo dikë tjetër, të cilit mund t’i kërkojë të hajë pak nga ato fruta. Mbështetet pas një trungu dhe pret. Kishte dëgjuar njëherë se rojet janë shumë të duruar, ata fshihen dhe presin gjersa hajdutët të prekin diçka me dorë, nëqoftëse jo, ata nuk shfaqen kurrë, por rrinë fshehur. Mendon të presë, por kalon shumë kohë, aq sa uria fillon ta mundë dhe i erren sytë. Shikon pemët e mbushura me fruta të lëngshme, dhe niset drejt një peme të vogël. I afrohet duke pritur që ndokush të ulërijë gjatë çastit që zgjat dorën. Kap frutin dhe e mban me dorë pa e këputur. Vazhdon ta mbajë ashtu edhe për shumë kohë, por askush nuk bëhet i gjallë, ndërkohë që uria fillon t’i japë goditjet e fundit. Papritur, vëren se të gjitha frutat janë të krimbura, përveç asaj në dorën e vet. Vendos ta lëshojë poshtë dorën e lodhur bashkë me frutin, por dëgjon një zë të mbytur që duket sikur del nga ndonjë zverk i shtrënguar fort. Një gjarpër me ngjyra të bukura shfaqet që mbrapa pemës dhe i thotë: “Nëqoftëse e ha, do të vdesësh!” Plaku buzëqesh zorshëm si i frikësuar, ul dorën bosh me sytë ngulur ethshëm drejt gardhit dhe shtrihet dalngadalë përtokë me vështrimin e trishtuar, duke menduar për gjërat që kishte dëgjuar para se ta kapërcente.

Autostop

…një dorë e ngritur lart me gishtin e madh drejtuar nga njëra anë e rrugës, ndërsa nga ana tjetër një makinë e zezë afrohet ngadalë, e ndjekur nga kortezhi i përmotshëm me fytyra të lodhura, me një shprehje të padurueshme për të mbaruar sa më shpejt atë lamtumirë të fundit, e cila duket sikur po zgjat që prej një shekulli e që mbetet në mendjet e njerëzve si një çast i neveritshëm e i padurueshëm, ku ndërthuret më magjishëm se kurrë jeta dhe vdekja dhe njeriu i mban sytë e skuqur e të hapur fort vetëm te fytyra e shtrembëruar e njeriut të kthyer tashmë në hiç, dhe, prapëseprapë, të gjithë qajnë e vajtojnë për “ikjen e tij të papritur e të dhimbshme”, duke kujtuar të mirat që ka bërë gjatë gjithë jetës së tij, tashmë të kthyera mbrapsh e të pavlera, dhe për të mirat që ka lënë si trashëgim, pa harruar edhe ligësitë, që për një çast duket sikur u hapin rrugë të mirave, por pak nga pak bllokojnë gjithë rrugën, dhe, makina e zezë, e ndjekur nga kortezhi i përmotshëm, ndalet, duke mos patur rrugë tjetër për të mbaruar atë që ka nisur, dhe, njeriu që rri pranë rrugës, ende me gishtin e ngritur lart e me vështrim shpresues se ndokush mund ta marrë me vete, sepse është shumë i lodhur për të vazhduar rrugën i vetëm e më këmbë, dalngadalë ul poshtë dorën e lodhur, merr në krahë arkivolin, që e ka ndërtuar me duart e veta, dhe vazhdon përsëri rrugën më këmbë, me kokën poshtë, por që ndonjëherë e kthen mbrapa për të parë nëse është zhbllokuar rruga e makina e zezë ta arrijë, trembet nga një prekje e lehtë prapa krahëve dhe një zë, i cili i thotë t’i vendosë rrota arkivolit që mban në krahë, të hipë në të dhe ta drejtojë me timonin e duarve të veta, ashtu siç është dhe bën bota, nga e cila as një përcjellje me makinë dhe njerëz që të flasin për të mirat e tij nuk i dha, por vetëm i tregon rrugën nga duhet të ikë e të mos kthehet kurrë, megjithëse ai e di se kërkon diçka që nuk mund të jepet, përveçse rrotave të arkivolit, për të cilin njeriu fillon të shqetësohet se mbase shkatërrohet nga tronditjet e rrotave, që e ndihmojnë të ecë shumë më shpejt se makina dhe njerëzit e veshur me të zeza, të cilët ende nuk kanë nisur rrugën e vetme që nuk ka kthim, por vetëm vajtje, e cila varet edhe nga lloji i arkivolit e rrotave, që duhen drejtuar mirë, përndryshe del nga rruga e madhe dhe detyrohet patjetër të presë makinën mbrapa krahëve, për t’i bërë shenjë ta marrë edhe atë, prandaj japin vetëm rrotat e arkivolit, sepse kushtojnë më pak dhe prishen më shpejt, duke i ofruar pasagjerë të mirëpritur makinës së zezë, e cila i ngjan më shumë makinës së plehrave të shpërndara kudo anash rrugës, ku vazhdon udhëtimi i njeriut që vendosi të ecë vetëm mbi arkivolin e vet, me kokën e rënduar nga mendime, që nuk e lejojnë të jetë një plehrë si gjithë të tjerat, por një që ecën mbi arkivolin e vet me rrota pothuajse të shqyera nga shpejtësia e madhe, me të cilën shkon njeriu dhe arkivoli i tij drejt gropës mbase jo të caktuar për të, që ka ardhur aq shpejt dhe si në ëndërr, por për një tjetër, që vjen nga mbrapa dhe vonohet nga plehrat e shumta anash e nëpër rrugë, dhe njeriu detyrohet të hapë vetë edhe gropën, ku pret me padurim të fshihet nga bota, që mbase do ta lërë të presë radhën në qoftë se, pa mbaruar së hapuri gropën, do të arrijë makina e zezë e plehrave, prandaj gërmon nxitimthi me thonj duke vështruar rrotat tashmë të shqyera, që i ngjajnë si sytë e kortezhit të përmotshëm, të cilin nuk ka më zili ta ketë, me lot në sytë gjysmë të mbyllur e gati pa jetë, të cilët po pijnë pikat e fundit të burimit të shterur, duke marrë me vete gurgullimën e vetme që ngjason pak me zhurmën e rrotave të arkivolit, kur rrëshqet mbi rrugën e të gjithëve, në gllabërimin e çastit të sfidimit të rrugës së tepricës së

pamundësive anonime…

Dilemë e mbikqyrur

Prifti mblodhi forcat dhe i ra disa herë këmbanës, duke tërhequr litarin e gjatë që përfundonte te këmbana në majë të kullës. Kreulur, përshpëriti disa lutje të frikshme nëpër dhëmbë, sikur të mallkonte, dhe i hodhi një vështrim turmës së njerëzve që mbushnin kishën. Pahsi bëri kryqin, përveshi buzët me përçmim, duke ndjekur me sybishtazi njerëzit, të cilët e pasuan dhe ngulën sytë shpresues drejt tij. Fshatarët iu dukën si krimba të bardhë e të trashë, që zvarriteshin drejt tij duke u ngërdheshur e lëshuar jargë nga goja. Donte t’i shqelmonte e t’i flakte tutje, t’i dërgonte aq larg sa, duke u zvarritur, nuk do të mbërrinin kurrë tek ai. Por e dinte se ishte e kotë: vezët e tyre do të çelnin dhe krimbat e tjerë do të vazhdonin të zvarriteshin, derisa të mbërrinin, por, deri atëherë, kishte kohë. U foli njerëzve me zë të ulët, ngadalë, me sy gjysmëmbyllur, për krimbin, sesi ta shmangnin e të ruheshin prej tij. Sapo mbaroi, mori frymë thellë, duke i vështruar të gjithë me radhë, drejt në sy. Ata u ngritën me padurim dhe shtynin njëritjetrin për të dalë jashtë. U merrej fryma në atë vend të mykur e të lagësht, plot merimanga e insekte, që u futeshin ngado nëpër trup e u pinin gjakun. Prifti pështyu dhe kaloi në një dhomë të vogël të errët. Pasi hoqi veladonin u shtri të flinte. Dikush trokiti fort e me nxitim te porta. Prifti hapi derën përgjumësh. Në fytyrë iu përplasën pika shiu. Njeriu i tha diçka nxitimthi. Nuk e kuptoi dhe vuri dorën te veshi, që të dëgjonte më mirë, por menjëherë iu kujtua diçka që e bëri të sprapsej, duke mallkuar veten për gjestin e bërë. E kishte vënë re menjëherë atë endacakun budalla që ishte dukur në fshat. Pasi asnjeri nuk i dha gjë tjetër, veç sharjeve e shqelmave, u shtri në mes të rrugës, duke bërë si peshqit, kur i flakin në pluhur. Kryeplaku iu afrua dhe endacaku kërkoi me shenja t’i thoshte diçka në vesh. Veshi bashkë me dorën iu afruan gojës së tjetrit, ndërsa një gjë e bardhë hollake, si krimb, doli nga goja, duke u zhdukur brenda organit dëgjues të kryeplakut. Vetëm prifti e vuri re atë si krimb, përmes gishtave të dorës që hidhte gurë fshehurazi kundër tij. Por fshatari te porta i ndërpreu mallkimin ndaj vetes duke i thënë se kryeplaku kishte vdekur papritur. Ashtu, përgjumësh siç ishte, por i gëzuar, madje i lumtur, i përplasi derën tjetrit në fytyrë dhe nxitoi drejt litarit të këmbanës, megjithëse koka i dhimbte shumë; i dukej sikur ndonjë nga krimbat e vegjël të bardhë i ishte futur në vesh, duke e grryer që brenda. Shtrëngoi litarin dhe u var atje duke qeshur me të madhe. I dukej sikur këmbana e lagur ding-dongonte më fort dhe tingulli shkonte më larg. Papritur, goditja u ndërpre dhe prifti, i habitur, vuri re se litari po i mbështillej rrotullimthi mbi duar. Ngriti kokën duke shtangur syshqyer drejt këmbanës së zezë që afrohej marramedthi duke u zmadhuar frikshëm. Nga goja e hapur nuk nxorri dot asnjë lutje dhe këmbana e lagur ndali vringëllimën me një goditje të mbytur e të thatë, sikur të kishte thyer ndonjë ashkël druri. Njerëzit, pasi dëgjuan këmbanën të binte furishëm, rendën drejt kishës. Atje gjetën kryeplakun, i cili dukej se ishte njoftuar i pari. Ai po vështronte mendueshëm trupin, gjysma e të cilit kishte mbetur jashtë këmbanës. Gishtat e dorës së vjetër, si krimba gjysmë të ngordhur, lëviznin ende pakëz. I shkeli me këmbë dhe u mëshoi fort, duke i ndalur përgjithmonë. Dy burra iu afruan gjysmës së trupit dhe e tërhoqën fort, duke shqyer ngjethshëm copat e mishit që e mbanin ende lidhur me gjysmën tjetër, e cila do të mbetej poshtë këmbanës, që edhe të gjithë bashkë, nuk mund ta lëviznin nga vendi, aq e rëndë ishte. Njëri prej burrave volli mbi fytyrën e ngrirë të priftit, kurse kryeplaku pështyu mbi këmbanën e lagur nga shiu.

Lojëzhytje

Mjafton një litar i varur diku dhe, duke e pikasur, kushdo bie në mendime. Rilind një ndjenjë detyre për të bërë patjetër diçka me atë copë litar. Ndërrohet rrugë dhe ecet me kokën mbrapa, por, sapo rihidhet vështrimi përpara, pritet rruga nga një litar tjetër, që del para syve e mbulon fytyrën, madje më i fortë e i mirëmbajtur se i pari. Në çdo rrugë ndodhet një litar i varur. Diku bëhet përpjekje për të mos vënë re, por një frymëmarrje e lehtë e litarit mbi sup, duke rrëshqitur pranë padashur, tund zërin, me të cilin provohet të flitet për zemërimin, që nuk dihet se kujt t’i shkarkohet. Nga të gjitha anët ushtojnë të qeshurat e jehonat e tyre dhe zemërimi fillon të ulet. Bie përtokë e thyhet, bëhet copë, pis, ngatërrohet, (tani zemërimit i vihet edhe datë skadimi), lyroset e ftohet, pastaj tretet në të qeshurat acide. Bëhet një rrotullim i paparashikuar i kokërdhokëve synorë dhe gjithçka ndalet, shtangur thinjshëm, duke jehonizuar të qeshurat, zërat, zhurmat, thirrjet, kurse gjetiu rirefrenizohet në goditje këmbanash. Dikush, ndërkaq, pyet veten me kokën ndër shalë: Për kë bien kaq fort këmbanat, vallë? Ndokush mund të mendojë se është loja më e bukur, fantastike, e pabesueshme dhe marramendëse që mund të ekzistojë. Kur thuhet fshehtazi në vesh se kush e organizon, nuk besohet, por në tru të mykur diçka fillon të lëvizë skuthërisht. Vështrohet naivisht, duke buzëqeshur, edhe kur tradhëtohen lojtarët. Pasi mbaron dëgjimi, kryhen përshëndetjet dhe largimet me kruarje koke, të pasuara nga thënie të tilla si: “Sa keq, paska rrjedhur!”, madje edhe me keqardhje. Në mbrëmjë flihet dhe ëndërrohet. Gjithçka krimbëzohet, duke gjethuar kukulshëm. Ndjenja e zgjimit përfshihet nga gojë të plotëmëndafshuara. Nga shtresat e bardha nxiton një merimangë, e cila kishte përfituar nga hapësira dhëmbore dhe keqajrosja gojore për të bërë çka di të bëjë më mirë (edhe ajo lojëzohet, mjaft që t’i krijohen kushtet). Është lojë e stërmadhe, thith papërfillshëm, e parevënë, por vetëm kur fillon të shfaqet, shihen sytë e saj, tmerrësim gogolesk. Pranë humnerës shihen njerëz që ecin shkujdesshëm, sikur shkojnë drejt koshit të plehrave për të hedhur diçka, duarkryq. Diçka trunore ftillohet për dobishmërinë e tyre. Thirren dhe kthejnë kokën me përtesë. Ngrejnë një vetull dhe vështrojnë nga kokakëmbazi. Pastaj zgjatin dorën, ku ndriçon një çelës. “Është imi!”, dhe duart fshihen pas kurrizit me përtesë. Megjithëse nuk parashikohet gjë për momentin, nuk pëlqehet. Papritur, fillojnë dënesat, duarmbulim i fytyrës dhe tokëpërplasje këmbësh, si fëmijët e sëmurë tullacë vdekjeprurës. Pritja për të ndalur zgjat shumë. dhe, pas një lotëfshirjeje të ngeshme, sa për mosqejfmbetje, rifillon mbyllja e syve dhe lëshimi i trupit në boshllëkun humnerizues duke marrë frymë thellë, me synimin për të futur gjithë atë hapësirë të zezë në mushkëri, dhe, ndodh aq shpejt, sa shkakton vetëm gojëhapje. Zgjaten koka që shoqërojnë me vështrim trupin zvogëlues, i cili, kur kthen kurrizin, mbështjell të dyja duart në gjoks, mendjendërruar, dhe vë dorën te goja sikur gëlltit diçka ose zë gojën që të mos dëgjohen klithmat. Mbyllen sytë ngadalë, jo tmerrshëm e me nxitim, të mëdhenj, të pambyllshëm e të zakonshëm. Pas syzhdukjes imagjinohet zhytja deri në fund. Trupi përplaset fort, duke ngritur pak pluhur. Nga gjithë ai shformim, vetëm sytë ngelen gjithmonë ashtu si janë.

Ëndërr gënjeshtarësh

Gënjen! Ti gënjen kaq shumë, sa i beson edhe vetë ato që thua. Ti flet për shumë gjëra, por vetëm flet. Mohon! Mohon gjithçka dhe beson vetëm gënjeshtrat. Vë në provë veten para pasqyrës, por asnjëherë nuk mbetesh i kënaqur. Atëherë fillon të shtrembërosh çdo pasqyrë në të cilën shihesh. Dhe ata që shihen pas teje bëhen si ty. Shihesh në ujin e një pellgu me ujë të ndotur anash rrugës dhe shtrembëron ujin, duke hedhur gurë. Shihesh në sy fëmijësh dhe i mëson të shohin vetëm me mosbesim. Vazhdon të mohosh veten në pasqyrën e kohës, por atë pasqyrë nuk e shtrembëron dot. Mendon dhe me mendim gënjen veten. Flet dhe gënjen njerëzit që të vënë në mendime duke të thënë të vërtetën. Por unë pres të vetmen të vërtetë që goja jote do të nxjerrë, qoftë edhe në gjumë, dhe do të të mohoj me të njëjtat fjalë që ti ke mohuar. Do të bëhem si ty, por jo me ty. Nuk ka rëndësi sa e madhe është gënjeshtra. Ti do mbetesh vetëm një hallkë e zinxhirit të gjatë që po formoj unë. Sepse unë jam i vetmi, dora e të cilit tërheq me zhurmën ndjellëse ato hallka që shtohen dita-ditës. Dhe ti mbetesh i vetëm duke sajuar veten në hiç. Dhe ke vetëm një emër: i mashtruar.

'Grabitja

Në të dalë të një fshati të madh, brenda një guroreje të braktisur shumë kohë më parë, në vitin 198…, dikush gjeti disa fletë prej një lënde të çuditshme, të vjetra dhe mbase të shkëputura nga ndonjë lloj ditari, të paktën ashtu dukej. Dukej sikur kishin ngelur rastësisht në një të çarë të thellë shkëmbi. Ja çfarë shkruhej nëpër ato fletë të kafshuara e të çjerra me thonj, fjalë për fjalë: …dhe njëri prej tyre, ai më i gjati, më drejtoi një kazmë e lopatë që nga errësira, pastaj më urdhëroi të filloja punën atë çast. Ngrita supet dhe hapa pëllëmbët e duarve, por më hodhën te këmbët një kufomë dhe ikën nxitimthi, pa u ndjerë fare. Nata ishte e qetë dhe dëgjoheshin vetëm goditjet e kazmës sime që shkallmonin dheun e fortë e të thatë. E futa kufomën në gropë dhe e mbulova me dhe, por gurin, që duhej t’ia vija te koka, ia vendosa nga këmbët; harrova, por edhe errësira ishte e tepër e thellë për sytë e mi të pamësuar me… …ndërsa unë rendja nëpër natë me qiri në dorë duke parë mbrapa. E flaka në një gropë të sapohapur dhe ika përsëri duke vrapuar. Atje u afruan disa të vdekur dhe rrethuan qiririn, duke e vështruar dritën e vogël qetësisht me sytë e tyre të fishkur e fytyrat e kalbura. Trupin e kishin mbuluar me çarçafët e bardhë të vdekjes. U ndala mbrapa një trungu peme dhe i përgjova. Njëri prej tyre, që m’u duk i njohur, ktheu kokën nga unë dhe më tha: “Qiririn do ta mbajmë ne, ti nuk na e merr dot përsëri”. Papritur, u dëgjuan disa këmbana. Të vdekurit vështruan njëri-tjetrin të trembur dhe u zhdukën në terr. Pasi u sigurova që kishin ikur u afrova te gropa, hyra brenda dhe zgjata dorën drejt qiririt që po shuhej. Dëgjova një përplasje gurësh dhe gropa u përqarkua nga të vdekurit, të cilët mbanin mbi supe gurët e varreve të tyre. M’i hodhën përsipër, duke qeshur pa zhurmë me gojët e të zeza… U zgjova i tmerruar, duke u stërbetuar se që nga ai çast e tutje do t’i mbaja mend të gjitha fytyrat e të vdekurve dhe anën nga do të kishin kokën. M’u duk vetja përsëri në ëndërr kur pashë gjithë ato varre, që dukeshin sikur sapo ishin kthyer në formën e tyre të zakonshme nga ndonjë përçudnim i frikshëm. …këmbët m’u lagën nga gjaku i një gruaje të shtrirë përtokë. Ata u zhdukën menjëherë për të mos ua parë fytyrat. I rridhte gjak nga çdo vrimë e trupit, madje edhe nga sytë dhe lëkura, që ishte si e plasaritur. Dukej sikur qante me lot gjaku. E tërhoqa nga këmbët drejt një grope të gatshme. Pasi mbarova me të, fillova të hapja një gropë tjetër, thjesh për të shtyrë kohën. Është e vetmja gjë që mund të bëj në këtë jetë, në të vërtetë është gjë e thjeshtë… Nuk jam mësuar…me pamjen e njerëzve që u kanë bërë autopsi: sot sollën një të tillë. Barku i dukej si gropë, trupi si thes i qepur keq, edhe koka e qepur pas trupit me qafën mangët, e hodha në gropë, si të tjerët … e kishin sjellë me litar, se nuk mund të kapej me duar: nga i gjithë trupi i dilte qelb me erë të pështirë, që të hiqte çdo dëshirë për të marrë frymë ... e tërhoqa zvarrë nëpër bar, ku dukej sikur kishte shëtitur ndonjë kërrmill i stërmadh i qelbur. Varreza po zmahohet, dalngadalë… …megjithëse ishte akoma i gjallë, me sa dukej ishin të sigurt se do të vdiste, dhe vërtet: dha shpirt në duart e mia…zorrët i vareshin nga barku i çarë dhunshëm, patjetër me diçka të fortë, dhe i dukeshin si mëngë të shthurura të një bluze të vjetër. Sapo iu var koka anash, sytë i morën ngjyrë bënë gri. Ngjante sikur vështronte larg, i qetësuar nga gjithë ajo dhimbje… …erdhi njëri pa plagë dhe gjak. Çudi! Mbase kishte vdekur nga frika, ose kot, mbase...nuk e di, ndoshta ishte budalla, ku di unë…i volla mbi fytyrë dhe lëkura, nga e ftohtë dhe e lyrosur, u duk sikur mori jetë për një çast… ...dikujt i kishin nxjerrë sytë dhe shqyer zemrën. Mizat e ndiqnin kudo nga pas. U mundova t’i trembja, por ato nuk i ndaheshin dhe vendosa t’i varrosja bashkë me të, duke i lënë të përzjeheshin e të bëheshin një…megjithatë, kisha frikë se mos i vdekuri çohej vetë për t’i larguar, aq shumë miza kishte… ...një sakat pa këmbë e duar. Sytë i kishin mbetur të hapur fort, sikur po kërkonte gjymtyrët e tij. Ia mbylla me dorë, por përsëri iu hapën, madje m’u duk sikur i lëvizi pak në atë drejtim ku duhej të kishte këmbët. Gjeta dy gurë dhe ia vendosa mbi sy… ...atë natë sollën dy njëherësh. I kishte kafshuar një gjarpër në grykë. Goja u ishte mbushur me shkumë jeshile, që dukej si sekrecion orgazmash të vdekjes ku ishin përpëlitur... …nata - natës po kuptoj rëndësinë e kësaj pune, e cila ka filluar të më pëlqejë më tepër se ç’duhet… ...në mesnatë. Në katër qoshet e varrezës u dukën disa drita të vogla. U afrova, por u larguan menjëherë, duke lënë mbrapa përshpëritje shqetësuese të largëta... ...nata filloi me një kufomë të djegur, që lëshonte ende tym. Nuk njihej fare; i dukeshin vetëm dhëmbët e skërmitur dhe brinjët... …një i dënuar me vdekje në litar. Gjuha e tij, si këmbë oktapodi, më lagu duart. Para se ta varrosja ia mbështolla rreth qafës... …një i vetëmbytur në gropën e ujërave të zeza. Ishte nxirë i gjithi: duhej të kishte shumë kohë në ujë, i fryrë, sy të kuq në jeshilë, dhe ngado i dilte ujë, që i bëri mirë bimësisë gjembore të varrezës… …ftohtë, shumë ftohtë. Binte shi i çmendur. Dikë, që nuk i kishin lënë as rrobat në trup, e kishin bërë copë - copë me një dorezë thike të ndryshkur, të cilën ia gjeta brenda mëlçisë. E tërhoqa nga flokët e lagur që i kërcisnin. Fytyra e tij dukej sikur më thoshte të mos e zvarritja më, por ta mbuloja shpejt me baltë për t’u ngrohur nën tokë... …më dorëzuan një njeri pa kokë që më çuditi. Kishte kapur fort me duar pjesën e qafës që i kishte mbetur. Koka ishte prerë mjeshtërisht: një prerje e menjëhershme, e sigurt, e ftohtë. I pyeta se ku ishte koka dhe më thanë se nuk e dinin. Duke parë trupin pa kokë më vinte keq ta varrosja dhe vendosa të mos e kallja në dhe pa ia gjetur… ...pas dy javëve ende nuk e kisha gjetur kokën e humbur. Besoja se edhe ajo do të ishte qelbur poaqsa trupi, që kishte zënë krimba, aq shumë krimba sa nuk dukej më trupi. Mbante erë të tmerrshme dhe vendosa ta varrosja. Fundja, edhe po të gjeja ndonjë kokë, nga ta dija se ishte e tij... …përsëri dritat e vogla dhe përshpëritjet e largëta, që u larguan sapo u afrova. Mendova t’i ndiqja, por nuk doja t’i kaloja muret, madje nuk kisha dëshirë të dilja që atje. Gjithë natën e kalova duke fishkëllyer... …duart më kishin marrë një ngjyrë të kuqërremtë nga gjaku që prekja çdo natë. Në dritën e hënës ngjyra bëhej akoma më e bukur dhe mendova të lyeja edhe fytyrën e trupin, që të gjithë të më kenë zili, madje edhe… …një klithmë e tërhequr zvarrë nëpër natë më bëri të rendja varr më varr për të parë se mbase ndokush i kishte shpëtuar vdekjes. Njëri ishte vërtet bosh. Hodha sytë rreth e rrotull dhe pashë, shumë larg, dritat e vogla që po rendnin bashkë me… …shumë net që përsëritej e njëjta gjë: më vidhnin të vdekurit. Nëse do të vazhdonte ende ashtu, vendi nuk do të ishte më varrezë. Ata pak që kishin mbetur i ruaja ditë e natë, por, sapo më zinte gjumi, dëgjoja atë klithmë gjithë dhimbje. Vrapoja deri te muret dhe ndaloja i dëshpëruar, duke nuhatur kutërbimin e qelbur të kufomave, që mbetej pas dhe përhapej në të gjithë vendin. Vetëm ajo po më mbetej… …por sot më vodhën të vdekurin e fundit. Kam kohë pa kallur ndonjë. Dritat e vogla ngjyrë blu vetëm ikin dhe nuk dihet se ç’janë. Ndonjëherë hungërijnë frikshëm, ndonjëherë blegërijnë, pastaj zhduken aq shpejt, sa dhe vetë…që lëshojnë… …që pashë një ëndërr, por kur u zgjova vendosa të ikja…po flija në varrin tim, ashtu si bëja çdo natë. Bënte ftohtë dhe isha mbuluar i tëri me dhe, përveç syve dhe hundës. Pranë meje vigjëlonte ndezur një qiri. Papritur, nga muret hynë disa të vdekur dhe u afruan te qiriri. Ecnin ngadalë që të mos zgjonin njerëzit, që flinin secili në varret e tyre. Fytyrat e kalbura ua ndriçoi drita e dobët. Njëri syresh zgjati dorën drejt flakës së vogël. Hapa sytë dhe nxorra dorën që poshtë pirgut me dhe. U zgjuan të gjithë, duke vështruar egërsisht të vdekurit e zënë gafil. Ra këmbana dhe qiriri u shua. Të vdekurit u zhdukën duke përfituar nga errësira, ndërsa unë lëshoja klithma triumfi… …me qirinjtë ndezur në dorë u nisa drejt varrezave. Të vdekurit më vunë re u nisën pas meje. Vazhdova t’i tërhiqja derisa arrita në varrezën time. U futa brenda dhe të vdekurit më ndoqën me ndrojtje. Hodha qiririn përtokë, ndërsa grumbulli i të vdekurve vështronte dritën e vogël që tretej ngadalë duke… …njerëzit më përzunë nga varret e tyre, por duke u endur vetëm nëpër natë…vetëm…nuk besoja se do t’ia tregoja të gjitha vetes kur…

Post Scriptum. Pjesët nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, p.sh: një faqe ka numrin 19, tjetra pas saj 23, dhe vetëm në njërën prej tyre është shënuar viti 197…, kohë në të cilën mbase është shkruar. Dikush, që i lexoi rastësisht, pasi dëgjoi hamendjet e shumta të një grupi të vogël njerëzish që dinin përmbajtjen e atyre fletëve, tha me gjysmë zëri se gjëra të tilla ndodhnin shpesh. Në çastin që ky njeri po hapte gojën, nxorri disa fjalë pa lidhje me njëra-tjetrën, pësoi diçka dhe u plandos përtokë i vdekur në çast. Pas disa ditësh, çuditshëm, u zhduk edhe grupi i njerëzve që bisedoi me të.

Fantazmat e një epoke të mërzitshme

(…hodha një hap, që, gjysmëloja kushtuar atyre rastësisht, të humbë në fundin e përcaktimit që u bën përkëdheljeve të fundit të zemrës, këllirës së keqkuptuar nga i tremburi që varroset zakonisht me një fund të frikshëm, duke përpëlitur varrmihësin lakuriq e të gjymtuar, humusin gjithmonë të zgjuar…) - E di kë pashë dje? - Jo, cilin? - Gjyshin tonë. Ishte lakuriq dhe po recitonte monologun e famshëm të Hamletit, ndërsa të vdekurit e tjerë të fisit ishin ulur këmbëkryq rreth e rrotull dhe dëgjonin të mërzitur… - Edhe sa do të rrish këtu? - Dy javë… …edhe e ëma e … dikujt, s’ia mbaj mend emrin tani, ishte atje. Kishte hipur në majë të një thane, ku dhisnin të gjithë qentë e fshatit dhe mbante fjalime për zgjedhjet e ardhshme, kurse njerëzit, me motorrë e biçikleta, e dëgjonin me vëmendje. I biri mbante shënime, i ulur mbi mutin e qenve, me një stilolaps ku shkruhej Love +, në një bllok kamarieri, i cili priste më këmbë të merrte ndonjë porosi të çastit…gjyshja, ishte mbuluar me batanije dhe më përgjonte nga gishtat pakëz të hapur të duarve të palara, me të cilat kishte mbuluar fytyrën e rrudhur. “Taaaaaa!”, i’u hodha unë si macja miut, dhe ajo kërceu përpjetë e trembur, gjoja flinte, si bukuroshja. Gjeti përtokë një cigare të ndezur dhe ma ngjeshi në gojën pak të hapur. Dhëmbin e thyer ma zëvendësoi me filtrin e cigares, ishte me dhe e me shije si mut qeni…e ëma e atij debilit nuk pi, më ngjan, por sytë i flakërojnë e fillon të rrokulliset si e çmendur mbi kashtë po të shikojë tym. Në kashtë, atje po e përgjoja një herë, kishte hapur këmbët dhe ia kishte rrethuar belit të kamarierit dembel. Nuk ia hoqi derisa i erdhën flakët afër dhe i përcëlluan leshin, kurse ai tjetri, me pamje prej shpëtimtari hipur mbi kalë të bardhë, filloi t’i bënte shurrën zjarrit, por ai flakëroi më shumë, sikur të ishte alkool, fundja kamarier ishte, pinte…një sy e kishte të nxirë, të zi nga jashtë e të kuq nga brenda, ngjante si zog bufi me atë hundë në surrat, si zog haleje, hale fshati…gropë e madhe me mut, ku futen pulat e qentë e uritur. Njerëzit nuk guxojnë të ulin brekët se…gropa të mëdha, nejse, si syri i zi i kamarierit: pak i kuq, në mes të së kuqes një e zezë tjetër, bebja e syrit…vrimë e zezë që thith fort, e etur për gjithçka…edhe gjyshja ime, kur ishte e re dhe e bukur në gjumë, ashtu bënte: mbante fjalime në majë të gjyshit, i hipte në qafë që të ishe më lart…gjyshi, si thanë, vdiq…kishte flokë të gjata, shumë të gjata, dhe i ngelën jashtë varrit…mbi beton…dhisnin gjithmonë qentë, sapo dilnin nga gropa e madhe, atje ku mbijnë shumë thana…dikush ndezi motorrin dhe iku me shpejtësi. Ose u mërzit ose shkoi të lajmërojë të tjerët për të dëgjuar fjalimin…të gjitha gratë, pa përjashtim, depilohen…të gjitha i kanë sytë të nxirë, natën nuk flenë, nuk dihet nga zhduken, pastaj shkojnë te varri i gjyshit dhe marrin nga një tufë lesh…gjyshi e tradhëtonte gjyshen me të gjitha gratë e fshatit që kishin biçikleta: të kuqe, të zeza, të verdha, pa kolltukë; ua shkulnin sapo i blinin, pastaj ua jepnin nga një xhiro burrave, pastaj ata rrinin më shumë mbi biçikletat pa kolltukë, sesa me gratë e tyre shtatzëna synxira, dhe pastaj shkonin atje, te thana, ku kishte hipur e ëma e atij kopilit, që ishte më i madh se kamarieri, i cili e qëllonte në vesh duke nxjerrë jashtë gjuhën e duke u zgërdhirë, kurse e ëma pirdhte që nga maja e thanës zëçjerrë e duke nxjerrë stërkala pështyme që u binin në fytyra dëgjuesve gojëhapur e dhëmbëprishur…i hanin krimbat…një herë, gjyshi më gjeti një krimb në brekë: ishte askarid i ngordhur. Dy javë në brekët e mia, domosdo që do të ngordhte…po sikur…një qen, ta kapja e ta fusja në brekë, sa do të duronte, vallë??? - Dy orë, jo më shumë! Qenit do t’i bllokohej frymëmarrja dhe do të pësonte atak…ose nga frika, do ta ngacmonin receptorët e qeses së urinës dhe do të…mjaft, trap, shko bëje në banjë, merr me vete edhe regjistruesin, shpejt… …gjyshja e shkretë, ka mbetur vetëm me minifundet e saj ngjyrë rozë dhe zien gështenja, kapulit sytë e qan për gjyshin me flokë të gjata…kaçurrelsi im, eh…e di kë pashë tjetër? Komshiun me biçikletë…vetëm gjyshi im nuk kishte biçikletë, por një gomar të zi, të cilin e ngiste më shumë gjyshja. Shkonte për të prerë dru bashkë me t’ëmën e atij që gjuante kamarieri në vesh, ajo me biçikletën e të birit, të cilin e detyronte të përgjonte kamarierin kur futej në kashtë ose në banjë…sa shumë krimba kishte patur varri i gjyshit!!! Mbase ishte shumuar krimbi që gjeti në brekët e mia dhe e futi në xhep, pastaj shkoi t’ia tregonte gjyshes…diku ku e fshehën ata të dy…edhe dhëmbët i kishin rënë gjyshit, vetëm njëri, i krimbur, i dilte përpara si trim. E ngacmova me gjilpërë, por gjyshi nuk lëvizi fare, madje as gojën nuk e mbylli; sa herë flinte gojëhapur i ngacmoja dhëmbin e prishur, që të ulërinte, por më përpara e lidhja mirë pas karrikes ku e zinte gjumi…jam si merimangë, me këmbë të pushitura, të padepiluara. Po të lidha, nuk të zgjidh dot…gjyshi ulërinte, kur nga dritarja u fut një vajzë, e cila mbështeti biçikletën poshtë dritares. Gjyshi pushoi së ulërituri dhe buzëqeshi. Vajza, me sy të nxirë nga jashtë e brenda të kuq, ngriti fustanin e madh dhe mbuloi, veç gjyshit, edhe karriken. Pastaj filloi të ulërinte, megjithëse dhëmbët i kishte të gjithë të rregullt. Si të mos i kishte: 19 vjeç ishte, edhe zërin e kishte të fortë, aq të fortë, sa, po të thërriste që nga maja e thanës, do t’i shurdhonte qentë poshtë saj. Kurse gjyshi vetëm rënkonte, i gjori! Çiklistja iku me vrap nga dritarja, kurse gjyshi me kaçurrelat e gjata varur supeve, pushoi së rënkuari. Dola nga vrima ku isha fshehur dhe iu afrova. I ngacmova dhëmbin me gjilpërë, por nuk lëvizi fare, madje edhe kur i thashë se kisha një krimb tjetër në brekë, kësaj radhe të gjallë…më shumë nga të gjitha qante ajo çiklistja me dhëmbë të bukur e të rregullt, e veshur me të zeza. Edhe biçikletën e kishte lyer me kongjij të zinj. Pastaj u rreshtuan të gjitha të më puthnin mua. Më jargosën gjithë surratin me gojët e shpifura dhe disa prej tyre më prekën me dorë krimbin duke qeshur kur u thashë se ishte ende gjallë. Vetëm kur erdhi të më puthte ajo që qante më shumë, më ndritën sytë. Futa dorën në brekë, kapa krimbin, i cili kishte një javë që përpëlitej atje, dhe ia futa në gojën e bukur që po i afrohej gjysmëhapur hundës sime plot qurra…le t’i krimben edhe asaj dhëmbët si të gjyshit, i cili, edhe në brekët e saj, mbase ndonjë krimb po kërkonte. U mblodhën qentë duke ngrënë si të babëzitur ujëvarën e të vjellave e të jargëve që dilte nga stomaku i çiklistes 19 vjeçare me dhëmbë të bukur e të rregullt. Pastaj i hipi biçikletës dhe iku, ndërsa gratë e tjera shkallmonin dheun e lagësht, nga ku dilnin ca krimba të ngjashëm me krimbin e brekëve të mia. …ku e ke besën që na dhe?!, qanin gratë te varri i gjyshit, por ai ishte tre metra nën dhe, me flokët jashtë mbi beton. Gratë nuk depiloheshin më dhe kishin shtuar orët e xhirove me biçikleta, sidomos ajo që…u mbyt në lumë dhe leshi i sqetuallve i dukej si lleshterik i madh i vjetër, ku mund të fshihej fare mirë një ngjalë e madhe e dhjamur…sa herë që binte shi, ai debili i dhjamur, e ëma e të cilit rrinte majë thanës duke u çjerrë si sorrë, merrte një sapun e lahej. Një herë, kur e ëma po shurronte si lopë që nga maja e thanës, ai mendoi të lahej, më në fund, dhe mori një copë dhjamë e filloi të fërkonte kokën. Flokët iu ngritën përpjetë, sikur të donin t’i iknin nga koka e të shkonin majë thanës, pranë s’ëmës. Që atëherë, kamarieri nuk iu afrua dot që ta gjuante në vesh, pastaj ku të linin qentë t’i afrohej kush atij debilit: e lëpinin si të babëzitur ngado, sidomos flokët, ia hëngrën të gjitha duke ia shkulur, kurse ai u thoshte qenve duke ulëritur të mos ia prishnin vezët e morrave, që ngjanin si perla të mëdha të bardha në një pe të hollë të zi, i pafund në atë mori dhëmbësh qensh lara-lara; jo nga ngjyra e lëkurës, por nga një sëmundje e re që u kishte rënë kohët e fundit të gjithëve duke i lënë pa qime vende-vende, madje dhe pa lëkurë. U dukej mishi si i çjerrë nga dhjetëra dhëmbë të prishur, si dhëmbi i gjyshit tim, madje, njëri kishte ca krimba të vegjël të bardhë të ngulur në mishin e kurrizit…unë, njëherë, mbylla në kasollen e qenit maçokun sterrë të zi, një rosë, ca pula dhe komshiun tim, të cilin e gënjeva duke i thënë se qeni kishte bërë vezë të kuqe. Mbylla fort e mirë derën dhe mbajta frymën për të dëgjuar. Dukej si diçka që vinte duke u zmadhuar nga fundi i ndonjë shpelle, si kometë, si orkestër e çakorduar: çjerrje, ulërima, kakarisje, përplasje, mjaullima, kafshime, pordha…tërmet! Hapa derën: që andej fluturoi një maçok i zi, i zbukuruar me krahë e pendë të bardha, si dashnore faraoni, pula e rosa me papionka dhe brirë, bythëjashtë; më në fund komshiu im, me mustaqe të zeza, sy të nxirë nga jashtë e të kuq nga brenda, me një vesh mangët, nga ku i dilte gjak, dhe qeni, i cili i kishte shqyer pantallonat komshiut tim dhe, si i mërzitur e i zgjebosur që ishte, po e përdhunonte me një furi të papërmbajtshme. Gjyshi im doli me nxitim nga shtëpia me pushkë në dorë, duke iu valëvitur flokët e gjata e duke marrë shenjë nga kolibja e qenit…bam…klithmat ngjethëse të qenit zgjebarak u ngritën në qiell, kurse komshiu mori frymë i lehtësuar, megjithëse plumbi i përcëlloi bythën dhe brenda saj i ngeli një pjesë e qenit, që gjyshi ia këputi pa mëshirë...qeni vajtonte me zë dhe lëpinte gjakun që i dilte nga fundi i barkut; fluskat e gjakut përzjeheshin me ulërima në gojën e qenit, ndërsa sytë e mëdhenj të habitur të komshiut, si sy struci, u ngulën atje, duke marë një formë të zbutur e mëshiruese, një dritë të brendshme pëlqyese e të paturpshme epshi…një gojë e mbushur me makarona të zeza ose me lesh, lëshonte që nga maja e thanës tinguj me ndikim të fuqishëm te njerëzit, të cilët ishin shtuar aq shumë, sa që poshtë thanës shërbenin tashmë edhe dy kamarierë të tjerë, që mbllaçiteshin gjithë kohën duke u krruajtur…aq të shpeshta i kishte njëri prej tyre këto krruarje, sa shkoi e u mbështet pas një muri të pambaruar e u bë njësh me të, duke u fërkuar nga të gjitha anët e trupit: kur mbaroi dukej sikur ishte holluar…u përplasa me të birin e asaj llafazanes së thanës, kockat delikate të kafkës sime imcake u përplasën me dhëmbët e tij të verdhë, të trashë e të fortë, që mbanin erë djathi të prishur, por ngjanin më shumë si krimba mëndafshi të ngrirë. Këmbët më morën me vete disa hapa mbrapa dhe rashë bythazi, ndërsa rreth e rrotull kokës sime filluan të vraponin si të çmendur disa minj, pastaj ikën dhe erdhën zhabat, më vonë sorrat që hëngrën zhabat, pastaj ca “Mercedes Benz” me targa CD…isha perandor dhe po ecja në rrugë, nga të dyja anët e së cilës ushtarë të gjatë e të drejtë mbanin nga një fshesë në dorë, që e zgjatnin mbi kokën time…m’u thye një vezë në kokë dhe vura dorën: ishte glasë, e lëshuar nga një korb, banor i pemës-ushtar mbjellë anash rrugës. Nga pamja dhe era dukej se kishte 100 vjet peng, kapsë tek ai korb i stërzi e i stërmadh…ai debili i qeshi pemës, sikur të ishte përplasur me të, dhe e puthi me dorë: mbase i ngjante me t’ëmën e dashur, e cila ishte bërë njësh me shtëpinë-thanë, madje kishin filluar t’i mbinin edhe disa pendë nëpër krahë e bythë, t’i rritej leshi si majmun etj, etj, etj, (2000 vjet më vonë e kishin gjetur të fosilizuar nën një mullar kashte, me të birin afër, dhe tani është në një muze të famshëm të botës) me një fjalë: gjysmëzvarranikegjysmëzog, një gjë e tillë pak a shumë…i biri, megjithëse shumë kohë nën dhe, ishte i paprishur; toka e kishte ruajtur të virgjër, ashtu, të ngrirë në mes të atyre lëvizjeve idiote që bënte gjithmoë kur përzinte qentë, macet, zogjtë ose mizat, që e ndiqnin gjithmnë kudo. Nëpër trup kishte të ngjitura shumë nga ato gjallesa, që nuk iu ndanë edhe nën tokë. Sapo u dëgjuan tinguj muzike moderne lëvizi dhe filoi të kërcente si robot fantastiko-shkencor… …po pse ti i pari, më mirë unë se…jo, unë…pse?!…unë…më hëngsh…epo mirë, kthehu…shtyva ngadalë derën e sallës së konferencave për shtyp dhe pashë fillimin e një akti seksual, sa për të thënë, midis një prifti dhe një hoxhe, të dy pleq të nderuar që u ishin ndryshkur kockat (edhe spermatozoidët e shenjtë) …na fal, se…ne atëherë kujtuam se me dy-tre herë nuk do të arrinim deri këtu, por…ja, fjala nxjerr fjalën…unë, i hutuar pas portretit të presidentit të varur në mur, hoqa mendjen që atje dhe u përgjigja i bezdisur: ëëë?!…pastaj, pa pritur përgjigje, hodha sytë me nxitim mbi fytyrën e zverdhur të presidentit, të cilës i ishin shtuar me kongjill të zi një palë mustaqe të gjata simentrike dhe brirë lope, ndërsa në qafë varur një palë çorape të qelbura. Poshtë çorapeve ca minj, aq të mëdhenj, sa mund t’i mbaje për të ruajtur shtëpinë, jo vetëm nga kafshët, por edhe nga hajdutët më të rrezikshëm, të cilët urreheshin nga minjtë, sepse, kur vidhnin, gërrmonin edhe në vrimën e miut duke marrë çorapet e qelbura, të përdorura si pasuri e paluajtshme nga ky i fundit në ankandet e shumta të zhvilluara gjirizeve të botës, ku rridhte gjithë kohën, në mes të jashtëqitjeve e lëndës së ndyrë të përgjithshme, edhe ndonjë shishe bosh me tapë të mbyllur mirë, për të mos u hapur rastësisht gjatë udhëtimit, e flakur qëllimisht nga ndonjë poet i dashuruar, që më shëmbëllen gjithmonë me komshiun tim, është bërë edhe ai poet…thes me gurë, si i vdekur, u plandosa mbi krevat dhe, duke kërkuar me dorë nënkresën, kapa diçka të fortë: kama e ndryshkur e gjyshit… …edhe gjyshi u përpoq disa herë: sapo hidhej nga kati i 99 i Kullës së Babelit e prisnin gratë me sustën e krevatit, dhe gjithmonë përfundonte i çjerrë e i përdhunuar, por më duket se ligji nuk e njeh këtë lloj krimi, dhe ai nuk kishte ku të ankohej, përveçse tek e ëma e dikujt që rrinte poshtë thanës dhe të të s’ëmës. Ajo e shprehte këtë shqetësim përpara njerëzve, të cilët, ose kuptonin gjithçka që llomotiste dhe ngeleshin gojëhapur nga zgjuarsia e saj, ose nuk kuptonin asgjë dhe hapnin gojën se mbase u dukej sikur ajo do t’u hidhte diçka për të ngrënë; të ishin të përgatitur…gjyshi u hidhte fara kungulli, si të ishin majmunë, dhe luante me ta duke u kënaqur…për mendimin tim, fjala e duhur është i vetmi shërim për të çmendurit, aty qëndron i gjithë sekreti, te përdorimi i fjalës… rep për të kapur në kafkat misterioze atë të fshehtë, misteri më i madh i gjithë kohërave, të cilave ato kafka u kanë hyrë në pjesë…mos vdis, o trap, mos vdis se na duhesh për të luajtur futboll; mbetemi dhjetë vetë…merrni të ëmën e atij debilit për portiere se i pret mirë topat…edhe dy javë portier, booo…krimbi duron dy javë në brekët e mia: merr frymë me lëkurë, qeni dy orë: me mushkëri…edhe në Trojë, te kushërinjtë e mi të largët, kishte shumë thana; atje shkonte për pushime ajo gruaja, merrte me vete edhe të birin…njëherë, u kujtuan për të ca tipa, nuk më kujtohet mirë nga erdhën, duke ulëritur se kushërinjtë e mi kishin rrëmbyer atë me gjithë të birin. Ata tipat erdhën me një ushtri të madhe: helikopterë, llastiqe, gurë të rrumbullakosur dhe një mushkë prej druri. Brenda saj fshehën një pervers, i cili la gruan në shtëpinë e komshiut dhe vetë la mendtë pas fustanit të thanëlartës; bënte edhe veprime të turpshme me trungun e thanës (mbase e ngatërronte me padronen: psikologët këtë e quajnë zhvendosje, thjesht zhvendosje, as edhe me një fjalë tjetër nga mbrapa). Ai tipi, me shumë mundime, gjeti rrugën e shtëpisë për nja 10 vjet (mbase 11), sepse nuk la bordello e pijetore pa hyrë rrugës; më në fund, pasi provoi të ngiste edhe një biçiketë pa kolltuk, e gjeti shtëpinë me të shoqen brenda, që ishte bërë pornstar, dhe ia fali të gjitha mëkatet duke e detyruar të bënte gargarë me ujë të bekuar; pastaj rrojtën të dy lumtur…ata tipat kishin sjellë me vete edhe një qorr bejtexhi, nuk më kujtohet emri tani. Pastaj filluan të grindeshin me njëri-tjetrin përpara mureve të Trojës për një biçikletë pa kolltuk të vizatuar me kongjill të zi, të cilën e kishin gjetur rrugës për në Trojë, të ngjitur pas një skeleti me dhëmbë të mprehtë. Kushërinjtë e mi nuk e vrisnin shumë mendjen dhe argëtoheshin si gjithmonë: shkonin në disko e kërcenin deri natën vonë, bashkë me atë shëmtirën e të birin. Kur bënin dritat fap-fap në të qindat e sekondës, fytyra e saj dukej aq e shëmtuar, sa njëri nga ata i theu shishen kokës: iu duk si dordolec që donte t’i hante të gjithë. Ajo nuk shkulej nga Troja pa mbaruar plazhin dhe thanat…mashkull…femër…mashkull…femër… kushërinjtë e mi grindeshin me njëri-tjetrin për seksin e mushkës prej druri që ndodhej jashtë mureve. Një polic, të cilin më vonë e hëngrën ca krimba të mëdhenj, që dolën nga sistemi i ri i ujërave të zeza të Trojës, i paralajmëroi të gjithë se mushka vuante nga sëmundje seksualisht të transmentueshme, por askush nuk ia vuri veshin, madje e shanë edhe nga nëna…vunë alarmin e orës në tre të mëngjesit të së premtes dhe u zgjuan të vidhnin mushkën prej druri për ta futur brenda në qytet: po të ishte femër do ta nxirrnin në rrugë, që të punonte si prostitutë për 13 euro nata, po të ishte mashkull do ta tridhnin e t’ia falnin asaj që mbante fjalime nga maja e thanës dhe të birit debil, të cilin e qëllonte gjithmonë në vesh një kamarier me sy të nxirë anash e të kuq në mes. Vunë maskat e zeza në kokë, rrëmbyen kallashnikovët dhe hapën portat e mëdha, që kërrkëllinë…ata tipat: diku luanin të mërzitur me letra, ca të tjerë bënin gara me biçikletën e gjetur (e kishin zgjidhur problemin e pronësisë: e përdornin sipas përqindjes së aksioneve që kishte secili në një firmë të madhe ndërtimi në Egjipt), kurse ca të tjerë luanin symbyllazi me bejtexhiun, që zgjaste duart e i fuste ngado: nëpër pantallonat e tyre, nëpër flokë, gojë e rrotat e biçikletës, derisa u përplas me një thanë e ra përtokë i vdekur. Nuk ia vari asnjëri, përveç një tipi, të cilin, kohë më vonë, e therri e shoqja me thikën e bukës, sepse kishte përdorur perzevativ të vjetër para se të shkonte në luftë, dhe kur u kthye që andej, jo vetëm që gjeti një tufë kalamanj që po hanin kos, por hyri dhe me këpucët gjithë baltë në shtëpinë e pastër…nejse…mushka ngjante si gjel me sisë dhe i kishte të dyja sekset: ndoshta kishte bërë operacione transseksuale, ku di unë… - Më jep një copë gazetë? - Pse? - ?! …në hale, shpejt…më zuri barku nga thanat… …brenda mushkës prej druri kishe ca qese me gjak të infektuar me SIDA…kushërinjtë e mi e ngatëruan me verë të kuqe dhe e pinë, pastaj vdiqën…kur u zgjuan ata tipat i vunë flakën gjithçkaje dhe pas dy javësh vendi ngjante me një pjatë të madhe duhani të mbushur me hi, këmbët e mushkës të lyera me gjak, si bishta cigaresh të futura përgjysmë në hi, cigare të pira prej prostitutash buzëlyera vesh më vesh, ose buzëgjakosura nga kushërinjtë e mi, mbrojtësit e tyre…pastaj, ca njerëz me brekë të gjera e çorape të mbështjella pas kokës…shkulën hekurat e murit rrethues të shkollës dhe iu vërsulën kushërinjve të gjyshit tim, por ai nuk i lejoi, se, fundja, kushërinj i kishte, por ata ishin shumë pordhacë dhe e mbanin veten për të ditur…ai debili flokëkuq, e ëma e të cilit shpëtoi gjallë nga pushimet verore, kishte shumë qejf të peshkonte. Sytë e peshqve i ngjiste në ballë dhe i linte të thaheshin atje. Kur nuk kapte asgjë, shfrynte qurrat dhe i vinte në ballë, që të ndritnin në dritën e diellit…përvëlues të shkretëtirës…vetëm në hijet e piramidave mund të shikoje ndonjë hienë, nga bajgat e të cilave bëheshin parfumet më të mira të botës për të mbytur erën e djersës së sqetullave faraonike… sy peshqish nëpër mjegull...një mumje mashkull, që ia kishin prerë e ia kishin vënë në gojën e tharë e të fishkur, ngjante si polic rrugor me bilbil në gojë…i ishte tharë goja për një pikë ujë…t’i bëjmë shurrën, të mbijë, ta vaditim; për dy javë do të japë fruta, kokrra, kaktuse a papiruse, diçka e tillë…dy javë duron krimbi në brekët e mia, merr frymë me lëkurë…pore fantastike…një qen, dy orë, me mushkëri…lëkurë pa pore…daulle fantastike, për valle burrash, në disko…ca tipa të plevitosur që hanin vetëm patate, shkulën thanat nga rrënjët dhe panë njëri-tjetrin në sy të çmeritur. Pastaj përplasën këmbët përtokë dhe filluan t’u rrëmbenin njerëzve biçikletat e t’u hanin telat e hekurt, pastaj u futën te kolibja e qenit të gjyshit tim dhe fjetën gjumë, pasi e hëngrën edhe qenin e bërë synet me armë zjarri; të gjithë ngjanin si ameba e paramecë të dhjamosur, të cilët kishin zënë pleshta e morra të kuq…edhe rrotull thanës, kishte aq shumë njerëz, sa dukeshin si milingona që gëlonin vetëm aty, për shumë kohë, pa lëvizur nga vendi, kamarierët mbllaçiteshin e kruheshin ngado, sidomos te sytë e nxirë si vula të lagura nga lotët e shkaktuar prej qepëve që kishte vënë në veshët e skuqur i biri i asaj që fliste dhe çdo gjë e bënte që nga maja e thanës, për të cilën thuhej se ishte mbjellë për herë të parë prej jashtëtokësorëve, apo…më duket se dikush ishte urdhëruar atje me nja dhjetë fatura pagesash, diçka e tillë, nuk më kujtohet mirë…sa shumë që harroj…booo, edhe dy javë…po sikur të rri përgjithmonë?!…mos vdis këtu, o debil, shko në banjë, merr edhe një copë letër me vete që të shkruash testamentin… …rrija shtrirë në krevat, me sytë lart në tavanin e pistë. Sipër meje qëndronte kokëposhtë një mizë e madhe, shumë e madhe; mbase kishte pirë shumë gjak. Lëviza vendit, edhe ajo lëvizi: bënte të njëjtat lëvizje që bëja unë. Mendova: sikur të isha unë ngjitur pas tavanit dhe t’i bija mizës përsipër do të më bënte pis me lëngun e saj dhe gjakun e thithur nga ndonjë kufomë. Tavani më afrohej, mbase nga pesha e njerëzve që ishin sipër, afrohej bashkë me mizën dhe me gjumin. U mundova të rrija zgjuar derisa ta kapja me dorë e ta hiqja që andej. Zgjata pëllëmbën dhe e shtypa fort pas tavanit: kërciti duke nxjerrë gjak të zi. Mora frymë thellë dhe mbylla sytë. Kur të zgjohem do të mendohem sesi t’i shpëtoj tavanit, të cilin e kishin parë të gjitha gratë e fshatit dhe e kishin ndyrë me këmbë, këllirë…se nuk më tremb vrasësi, por viktimat. Jam njeri, prandaj gjithçka duhet të më hapë rrugën. Nuk dua asgjë në rrugë, as njerëz, kuptohet për cilët njerëz e kam fjalën. Kurat e ndryshme më tmerrojnë, më trembin, më ngrejnë nervat, më bëjnë keq…nuk dua të të mbroj më, nuk ia vlen…sytë e kuq nuk i duroj dot, jam njeri më shumë se kurrë dhe nuk duroj dot më, po pëlcas. Është diçka më shumë se ngulitja e syve dhe lëvizja e ndyrë e buzëve. Megjithatë, tani për tani, nuk pres asgjë, asnjë që të më thotë se jam i keq e i poshtër, këllirë, fundërrinë. Po, jam! E pastaj, çfarë?! Vazhdoj të hedh poshtë gjithçka dhe duroj deri në pikën e fundit. Tani kam një dëshirë të papërmbajtur të mbars vdekjen duke e shkërdhyer egërsisht, derisa të thërrasë: “Mjaft, mjaft më, se më çmende!”. Pastaj ta përzë me shkelma bythëve hollake, ashtu, lakuriq, dhe mantelin e saj të zi erëkeq ta mbaj për vete…mos kujto se është shpëtim, as llum, as dëshpërim. Do t’jua them vetëm po të më puthni bythën, por vetëm një herë, se pastaj ma ndotni me jargët tuaja. Ose duroni derisa të fle dhe ma puthni tre herë, që të kënaqeni! Jam i mirë? Po, jam! E çfarë pastaj? Mua më pëlqen shumë të qesh si i çmendur, bëj gjithçka që të jem ashtu, të eksitohem në kulm. Të qeshurat e tjera më duken si tingujt e ndonjë simfonie të Inkuizicionit. Jam gati të rend rrugëve të pista duke i lëpirë, derisa gjuha të më bëhet e zezë dhe pastaj t’i pështyj njerëzit me të qeshur e duke i treguar me gisht, derisa ndonjë vdekje tjetër të vijë që mbrapa kurrizit tim dhe t’i shikojë ngultas, pastaj të buzëqeshë e të vazhdojë rrugën, por tani kam vetëm një dëshirë: të më puthin bythën, se pastaj do t’i tregoj të gjitha, edhe vendin ku kam patur orgazmën e parë me vdekjen e i mora mantelin e zi famëkeq. Jam njeri, më ka mbetur edhe një botë e tërë për të dhjerë me shenjtin tim. Kam kaq shumë punë, është botë e madhe, më hapni rrugën se po më shpëton… …para se të vdisja, i lashë hijes sime porositë e fundit. Deri tani, ajo m’i ka kryer të gjitha porositë me besnikërinë më të madhe, ashtu siç askush nuk do ta bënte. Sapo nxora frymën e fundit, më rrëmbeu në krahët e hollë, më hoqi rrobat nga trupi dhe më hodhi në kurrizin e saj të brishtë. Njerëzit ngelën gojëhapur, por hija nuk i la t’i mbyllnin e t’i hapnin përsëri: ia mbathi, me mua në krahë dhe me kokën duke m’u tundur, pa zhurmë dhe shumë e shpejtë, si vdekja ime (lloji më i mirë i vdekjes). U drejtua e heshtur drejt një pirgu të madh plehërash që digjeshin dhe më hodhi në flakët lëpirëse. Priti gjersa u bëra hi duke mbajtur duart te goja që të mos i shpëtonte ndonjë psherëtimë keqardhjeje. Pastaj u largua me hap të ngathët e të pasigurt. Në të vërtetë, më erdhi shumë keq: s’kishte ku të shkonte, s’kishte asnjë vend ku mund të rrinte, sepse unë nuk do të kisha një varr me fotografi, ku mund të kisha pozuar duke qeshur kot, dhe me budallallëqe të shkruara sipër. Do të endej kot nëpër botë, duke mos kërkuar e pritur asgjë, ashtu si bëja unë njëherë e njëkohë. Hija ime ka mësuar shumë gjëra prej meje dhe gjithçka e kemi bërë bashkë, por tani ajo do të jetë diçka tjetër: si mua, por pa hije. Do të jetë fare vetëm, madje një gjysmë e vetes. Do të ketë vetëm një të mirë: nuk do të ketë probleme për t’u djegur në zjarr, që të mos ketë varr, si mua, sepse nuk do të ketë njerëz që ta duan, si mua, ose kokëçarje të tilla. Do të jetë pothuajse një kufomë pa erë të keqe, që nuk i prish punë askujt dhe që do të donte vetëm të integrohej në ndonjë varrezë (fundja, vetëm një banesë e fundit ku të futë kokën i duhet, asgjë më tepër). Ose, po të dëshirojë, mund të gjejë ndonjë njeri pa hije (të tillë ka sa të duash) dhe, fundja ai tjetri do të ngelet i kënaqur, sepse do të fillojë të bëjë hije mbi tokë. Ajo mund t’i mësojë shumë gjëra të thëna prej meje, por, nëqoftëse është e zgjuar, nuk duhet t’ia tregojë të gjitha, sepse ai tjetri mund të veprojë njësoj si mua dhe hija do të ngelej përsëri vetëm, duke nisur gjithçka nga fillimi dhe duke i bërë të tjerët të bëjnë hije mbi tokë me hijen time. Dhe mundimi i testamentit tim do të shkonte kot… …pres qetësinë, pastaj sjell përpara pasqyrës, në të cilën jam zhytur i pari…pashë një fytyrë të zhubrosur nxitimthi; ca dele kullotnin mbi kokën me xhunga; flokët binin një nga një, si kalatë e dikujt që nuk ia mbaj mend emrin tani; erdhën ata me brekë të gjera, morrat…zorrët e morrit, hematoma nëpër brinjët e pleshtit që nga epoka e gurit: paleoliti, mezoiti, neoliti…edhe Prometeu, shkërdhatë u tregua; na dha vetëm një gur, por thuaj “sa mirë që gjetëm gurin që harruar në mes të rrugës njëfarë Sizifi, i cili shkoi të jetonte në bordello…po morrin, pse e krijoi ai i madhi fare? Të gjithë na e kanë futur sa krahu: fundja, pa ne, ata nuk do të mund të bëheshin dot kurrë heronj, vetëm për këtë na duan…përplasa gurin që më dha njëfarë Prometeu me atë të njëfarë Sizifi dhe shkëndijat i mbajta për veten time, për të djegur qentë morracakë që më zënë rrugën e lehin kotsëkoti, sa lehtë marrin flakë, si fitilë më barut; janë të lyer me llak, shkumë flokësh, lloj-soj parfumesh të nxjerra nga bajgat e hienave kërrmëngrënëse…booo, metan, sikur të haja edhe unë gjëra të ngordhura mbetur anash rrugës, kushedi ç’parfum të mrekullueshëm do të bënin shkencëtarët me bajgat e mia, femrat marsiane do të çmendeshin pas meje, pastaj do të më kërkonin autografe, por nuk do t’ua jepja, pa ma dhënë njëherë… - Më kanë humbur çelësat e depos së vjetërsirave! - Të depos sime? Ku? - Më ranë në vrimë të hales, më fal! - S’ka gjë, se e shqyej derën me shkelma! …në depon e vjetërsirave; dikush kishte parë atje cigaren e ndezur të ndonjë kovaçi pijanec dhe shpiku një histori me fantazma, lugetër e perëndi: e bëri vetëm për të dalë në televizor. Depos sime i vunë edhe një emër: Olip…Polip…Pilo…Pi…Pi…Olimp më duket se ishte…nga emri: si vend i denjë për të bërë orgji…si gjyshi…edhe ai, gruas së kushedisekujt, i mbështeti kokën pas kolonave dhe e pyeti në fund, duke u tallur e mbërthyer ngeshëm pantallonat: “Hë, i dëgjove lajmet, të rëntë kanceri me ngjyra të rëntë. S’ka gjë, pi shurup minjsh dhe të ikën, shërohesh për dy javë, ose pi raki thane që të harrosh”…më mirë gjysmëbudallenj; të paktën nuk kuptonim ç’bëhej rreth e rrotull dhe do të zhgërryheshim lëndinave, të ngopur e të lumtur si zogj haleje… - Po ti, kur e ke datën e skadencës? Unë nuk e shikoj dot timen, se e kam në qafë, njëherë që doja të shikoja desh e theva, qafën… - Nuk e di, edhe unë atje e kam të shtypur. Sikur ta kisha të shtypur në tapën e ndonjë vrime të trupit, të paktën të isha gati…edhe sa do të qëndrosh këtu? - Edhe dy javë! …dy javë: dalin e teprojnë për të përdhunuar Zeusin dhe gjithë sojin e sorrollopin e tij, komshijtë, shokët, vartësit, madje edhe ata që kanë të njëjtën nënshtetësi me të, pastaj t’ia futësh vetes me kënaqësinë më të madhe, duke bërë harakiri me zorrë të lidhura në qafë, si gjyshi im, që përdori thikën e bukës, megjithëse e pamprehur, e ndryshkur e gjysmë e thyer në thembrën e një gogoli që mbajta dy javë peng në brekët e mia, bashkë me Zeusin dhe sojin e sorrollopin e vet, duke ndjekur njëri-tjetrin vërdallë, si pordhët nëpër brekë. Kush duron dy javë do të jetë i pavdekshëm, por varet se me çfarë do të marrin frymë: mushkëri, lëkurë apo me të dyja bashkë, si amfibë. Ndokush edhe mund të ngordhë nga mërzia, kështu që do të detyrohen të flasin gjersa t’u zërë goja lesh, do të lodhen duke u vërdallosur, do t’i marrin këmbët në krahë dhe do të enden plot dy javë…duke bërë shurrën në vrimën e hales, se jam me kulturë, vura re një mizë të madhe jeshile, e cila i vinte korthi litarit të verdhë që bëhej lëmsh në vrimën e zezë. E lëviza litarin, jo drejtpërdrejt, dhe e lidha mizën pas lëmshit të zi brenda në vrimë. Unë, unë, që nuk kisha vrarë as edhe një mizë deri atëherë (vetëm një, por gabimisht, jo për fajin tim). Bashkë me mizën u mbyt edhe Zeusi, i cili pa litarin e u kap pas tij për të zbritur fshehurazi nga brekët e mia, dhe të mendosh që i kishte mbetur vetëm një javë…le ta hanë minjtë tani, po s’pati ngelur te shpikja më e madhe e njeriut, te sifoni, duke e bllokuar përgjithmonë: jo për gjë, por nuk kanë me çfarë të ushqehen qentë, zogjtë e haleve, mizat, etj. Edhe mushkonjat do të detyrohen të thithin gjak heronjsh të zënë kaps, që do të jenë duke u munduar me një bisht fshese në dorë e të djersitur të zhbllokojnë sifonin, shpikjen më të madhe të njeriut (këtu mund të bëjnë përjashtim vetëm disa gjëra, si, p.sh., rrota, filozofia ose prerësja e thonjve, por që përsëri nuk qëndrojnë mbi të), kush ka qenë urith e di më mirë se mua, dhe heronjve do t’u vijnë ndërmend ditët e lavdishme, kur e kalonin kohën duke kapur miza e duke u këputur kokat, për të vënë bast se miza e kujt do të gjente e para atë pisanjosin, e ëma e të cilit fliste dhe çdo gjë tjetër e bënte që nga maja e thanës. Kush fitonte i ftonte shokët për akullore. Kamarierët, vetëkrruajtësit synxirë e syskuqur mbllaçitës, përfitonin nga rasti që heronjtë nuk dinin ç’ishin akulloret e vërteta dhe u jepnin dhjamë qeni ose sapun, pastaj i ngulnin përsëri sytë turmës gojëhapur e të disiplinuar, por paksa të shtangur nga britmat ngadhënjyese të zëdhënëses së thanës. Fytyrave të verdha gjatoshe, pa vetulla e qerpikë, si pubisë të depiluar, u rrinte bukur nga një gjerdan me sy të tharë peshqish, vezë morrash e sysh të nxirë anash e të kuq në mes, ku kishte një vrimë tjetër të zezë, si çdo sy. Ata burra të lodhur, mbështetur pas biçikletave, që i donin më shumë se gratë e tyre…”Polli, polli, polli!- klithte dikush, për nder të të cilit bëhen çdo vit ca gara vrapimi…polli që nga maja e thanës, por kopili ra mbi flokët e butë të gjyshit tim dhe shpëtoi, fat kurve. Pastaj ai dikushi vdiq, sapo u dha lajmin kushërinjve të pjellëses në Trojë: nxori gjuhën si kafshë e therur dhe kërkoi ujë, por askush nuk i dha; e pyetën nëse ishte mashkull apo femër;ai u përgjigj: - Mushkë! Ata i dhanë shëllirë, dhe ai, pasi gogësiu aq fort sa u shpupuriti flokët njerëzve, vdiq, ishte nekrofil. Punonte në një morg, ku eksperimentonte seksualisht me të vdekurit. Kur i sollën një çikliste 20-vjeçare të vdekur, filloi ta përdhunonte rregullisht, gjersa ajo një ditë u ngjall dhe ia ngjeshi me shpulla…budalla, turp të kesh, ha-ha-ha, pastaj e kafshoi me dhëmbët e rregullt e të bardhë në vendin që u bë shkas i ringjalljes…kur ulërinte ai vrapuesi nga dhimbja, më ngjante si qeni i gjyshit tim pasi përdhunoi komshiun e padjallëzuar, të cilin e përdorja si lodër kur kisha kohë të lirë…diku andej nga fundi filloi të mbinte një kërpudhë e stërmadhe…turma e përgjumur shkëmbente shenja me kamarierët, duke porositur pije alkoolike me shumicë, përplasnin gotat me njëri-tjetrin dhe buzëqeshnin mirësjellshëm me fytyrat e përborura (kur gjyshi donte t’u bërtiste u binte me thupër ballit, se ishin shurdhmemecë). Pastaj nxiheshin nga një hije serioziteti dhe ngulnin sytë nga thana, ndërsa nga rrugicat e shumta derdhej zgjebja në formën e turmave të qenve…dy javë zi…njerëz pa ngjyra, mbi shina metali rrëzëllitës, retëbrekë që mbështjellin planetin si angullima fantazmash…të gjitha galaktikat brenda breçkave të mia… - Do të bjerë shi, se janë nxirë retë…! - Janë nxirë?

Njerëz

…një tingull i shtrirë kudo, që vjen nga një vrimë e zezë mbi kokat e njerëzve, ë cilët e shohin të frikësuar. Uri e madhe për siguri. Vetmi e mbështjellë nga paranoja. Më në fund, Skizofrenia endet lirshëm. Vrima e zezë qëndron sikur edhe vetë nuk di ç’të bëjë. Dikush beson se kur tingulli të mos dëgjohet më ajo do të zhduket. Pëpiqen ta rrethojnë tingullin me zbrazëtirë dhe ai zhduket dalngadalë në ajrin e heshtur, por vrima është atje. Kur hesht është më e frikshme se kurrë. Heshtja mbivlerësohet. Diku bëhet një marrëveshje viktimash. Faji i mendimit. Për një çast vihet në dyshim rrëmuja njerëzore, e justifikuar nga dhimbja dhe dëshpërimi, por qëllimi është të gabohet, duke fajësuar mospërputhjet. Vrima e zezë nuk ngjall më frikë, por neveri. Duket si një pjesë e tepërt, e flakur në skutat e kujtesës. Halucinacion i pavarur nga agonia. Vendimi është larg. Ai do të shpallë shanset e mashtrimit. Një iluzion i fundit, që përforcon shqetësimin për kumtet e neveritshme të së ardhmes. Por të gjitha këto nuk durohen, sidomos qëllimi i fundit. Dyshim pa fund, i mbyllur përmes labirintesh nënvlerësimi, piramidë ndjenjash, fytyrë e askujt…

Trajtë

I fundit gabim i madh. Jo më nxitimthi. Një e nga një, të gjitha, nga të gjitha anët, me kureshtje të frikshme. Hollësitë nguliten në tru, ngjiten, mbeten, saldohen. Sytë duan të kapin vetëm të zi. Kudo që shkelet vetëm rrëshqitet. - Mbahesh dot? Ha-ha-ha! Jo? Jam këtu! Do të të mbyt në të zi! Çdo gjë rrëshqet nga duart e bie, por nuk thyhet, asgjë nuk thyhet, vetëm shformohet e lodron, pastaj rrëshqet e vetëm rrëshqet. Mbërrin nëpër pellgje, te zhabat. Ato shohin me inat. - Tani nuk na bën dot asgjë! Ik! Zhdukuuu! Dhe vazhdon rrëshqitja e madhe. Gabimet ndjekin njëri-tjetrin. Mos! Zhurma e këmbëve nëpër baltë! Erdhi përsëri! Ku të fshihem? Asnjë vend i fshehtë. Më mirë në baltë. Mbuluar me baltë, duart, këmbët, trupin, flokët. Balta hyn në sy, hundë, veshë, gojë. Tani shkon poshtë, pushton stomakun…Ku? - Nuk iki, jo! Jam këtu! Do të të vras! (Sa mirë!) - Jooo! Nuk të vras! Do të të ha të gjallë, por jo tani, pastaj! - Krrau-krriu! Kuak-kuak! - Të kaaapaaaaaa! Po tani, ku do të shkosh? Të thashë që do të të ha? Ik edhe një herë! Po të kapa përsëri nuk të lëshoj më! Ik tani, rrëshqit! - Ding-dong? Ding-dong! Ja edhe patrulla, vazhdon saldimi.

Zemra

Kohët e fundit nuk ndihesha mirë. Diçka më mundonte përbrenda, sidomos gjatë gjumit. Më dukej sikur lëvizte edhe nëpër krevat, kur flija. Shikoja ëndrra të çuditshme. Një natë, ëndërrova atë gjënë me sy e veshë dhe në mëngjes, sapo u zgjova, volla Tokën. E njoha menjëherë tek fluturonte drejt vrimës së zezë në banjë. Pasi u rrotullua disa herë atje, rryma e ujit e mori me vete. U çlirova dhe mora frymë thellë, duke çliruar djersë të ftohta. Mendova se nuk do të më ndodhnin më gjëra të tilla dhe e hoqa nga mendja, por s’kaloi shumë dhe filloi të më përzihej përbrenda. Vrapova drejt banjës me dorën te goja. Sytë më lotuan dhe dukej sikur zorrët nuk i kisha brenda barkut. Turbull, pashë dikë në miniaturë, që më doli nga goja, dhe, duke u fshehur nëpër të vjellat e mia, u përpoq të hidhej në vrimën e zezë. U tregova më i shkathët dhe e kapa në ajër. Filloi të përpëlitej për të shpëtuar, por e shtrëngova aq fort sa për pak i mora frymën. Ishte aq i vogël, sa e mbaja me një dorë. Më vështroi hetueshëm nga koka te këmbët. Ngrita dorën tjetër për ta goditur, por ai mbuloi fytyrën me duar: - Më fal, më fal!- tha me të shpejtë. - Kush je ti?- e pyeta i xhindosur. Nuk m’u përgjigj. Ngrita përsëri dorën ta godisja, por ai belbëzoi pa i hequr duart nga fytyra: “Mbikqyrës!...” Papritur, filluan të më binin djersë të ftohta dhe gjithçka të rrotullohej marramendthi. Vura dorën atje ku duhej të ishte zemra, por nuk ia dëgjova rrahjet. - Po zemrën, ku e kam zemrën?! - e pyeta i shqetësuar dhe kërcënueshëm njëherësh. Ai ngriti supet dhe vuri duart në fytyrë, megjithëse unë s’isha bërë gati ta godisja. Dukej që gënjente. E pështyta me neveri. Pickova veten, por nuk ndjeva gjë. Përbrenda isha i ftohtë akull. Sapo mbikqyrësi hapi gojën për të thënë diçka e ngjita me grusht pas murit, si insekt. Ngordhi. Fillova të ecja i shqetësuar nëpër shtëpi. Kushedi edhe sa organe të tjera më ishin shkëputur nga trupi kur kisha vjellë! Duhej të gjeja zemrën me çdo kusht. Shpresoja të ishte ende nëpër tubat e ujrave të zeza, se po të kishte përfunduar në gropën e madhe të qytetit, atje s’mund ta gjeja dot kurrë. Mbylla sytë, mbajta frymën dhe u zhyta poshtë në vrimën e vogël të zezë. Rrëshqita me shpejtësi nëpër tubat e zinj e të ngushtë. Larg, pashë një dritë të vogël. Ishte fundi i tubit. Kur u afrova vura re zemrën time që kishte mbetur atje, duke vazhduar rrahjet si zakonisht. Zgjata dorën ngadalë, por një valë e pistë uji e mori me vete dhe zemra ime përfundoi në gropën e madhe të gjërave më të ndyra të qytetit. Nxorra kokën jashtë për ta parë, por ishte zhdukur. U ktheva mbrapsht dhe dola përsëri në shtëpinë time. Nuk e dija ç’të bëja, por më duhej zemra, patjetër. Po të futesha ta kërkoja në atë gropë, edhe sikur ta gjeja, do të humbja pëgjithmonë, bashkë me të. Vendosa të duroj edhe pa zemër, do bëj si do bëj, por, nëqoftëse diçka nuk do të shkojë mirë, do të hidhem në vrimën e zezë për ta gjetur. Tani për tani jam mirë.

Përkëdhelja e fundit

Kur të gjeta, të kishin lidhur te një pemë e vogël e vetmuar në mes të një lëndine. Mua nuk më vure re se po gulçoje kokëposhtë dhe vështroje telat e gjembuar që të shtrëngonin fort trupin. Ata sapo kishin ikur. Kur ngrite kokën, buzëqeshe dhe u gëzove si gjithmonë. Të gjithëve që u binte rruga andej duhej të të goditnin me shpullë fytyrës, pastaj të vazhdonin rrugën pa kthyer kokën. Nuk e di se si më erdhi, por edhe unë të godita, madje fort. Doja të më vështroje si gjithë të tjerët: me urrejtje pa fund, duke shtrënguar dhëmbët. Druaja vetëm mos ulje kokën, por nuk e bëre. Ftohtë, hodhe sytë nga një kalimtar i rastit, i cili lexoi njoftimin dhe t’u afrua. Shpullën e tij e prite gjithashtu ftohtë, madje pa ia hedhur sytë. Vështrove edhe njëherë dorën time, e cila kishte mbetur e hapur, pastaj ngule shikimin në boshllëk, pa lëvizur, sikur unë të mos ekzistoja.

Fund i frikshëm

Lëvizte duke rrëshqitur nëpër këmbët e njerëzve që ecnin rrugës. Në fillim ndjeva keqardhje. Dukej sikur kërkonte mëshirë me atë si buzëqeshje të lehtë dhe sy të ftohtë e paksa të qullur. Sa vinte e lëvizte më shpejt, si për të m’u fshehur. Mendova ta merrja në duar për ta përkëdhelur e për t’i thënë ca fjalë të mira, të cilat e dija që nuk do t’i kuptonte, megjithatë doja patjetër t’ia thoja. Iu afrova ngadalë, por filloi të më rrëshqiste nxitimthi nëpër trup, duke u munduar të ikte. U përpoqa ta mbaja duke e shtrënguar me thonj. Fshiva buzëqeshjen nga fytyra dhe e vështrova me inat. Ndali, m’i nguli sytë e ftohtë pa formë dhe filloi të më afrohej duke u zmadhuar e deformuar. Më hipi një dëshirë e çmendur për ta përypur fort nëpër dhëmbë e ta gëlltisja; pas disa kohësh do ta kisha tretur dhe mbeturinat do t’i kisha jashtëqitur. Nuk do t’i mbetej më as ndonjë lloj shpirti që mund të kishte. Vazhdonte të më afrohej ngadalë, ndërsa unë shtanga. I bashkoi sytë me sytë e mi dhe hapi fort atë që duhej të ishte goja. E hapi aq shumë, sa filloi të më gëlltiste të gjithin, ngadalë e me një zhurmë jarguese që më kalli krupën. Nuk kuptova si u gjenda në mes të asaj gjëje gri të butë rrëshqitëse që më përtypte pa zhurmë. Pata ftohtë në mes të atij lëngu që filloi të më grryente. Për një çast u duk sikur do të më villte, por jo; vazhdova të rrëshqisja nga të gjitha anët, pa u kapur dot diku nëpër ato jargë të pista. Duhej të bëja patjetër diçka, përndryshe do të tretesha. Fillova të përpiqesha e të përpëlitesha me gjithë forcën, duke u munduar të godisja e të çirrja pisllëkun. Nuk kisha ku të mbahesha dhe rrëshqisja pa pushim, megjithatë vazhdova ashtu derisa më shterruan forcat.

Hija

Unë eci me shumë kujdes nëpër rrugët e qytetit. Shmangem me zotësi majtas e djathtas, që njerëzit e shumtë, të cilët nuk e kanë mendjen kur ecin me kokën lart, të mos më shkelin hijen. Kohët e fundit është bërë shumë e gjatë dhe e ngathët. Mund t’i ndodhë gjithçka nëpër rrugë, sidomos në ato më të ngushtat, ku me vështirësi këmbehen dy hije. Sa herë që e shkelin ndjej dhimbje të tmerrshme, sikur më shkelin mua vetë. Fajin e kanë edhe dritat e shumta anash rrugëve, që e shumëfishojnë aq shumë, sa më merren mendtë. Në fakt, me hijen time të vërtetë, ndihesha edhe më keq: kjo që përdor nuk është hija ime. E vërteta është se këtë ia kam marrë një të vdekuri, ndërsa timen e fsheha në një nga varret e mia, të cilat i njoh vetëm unë dhe as hijes sime të vërtetë nuk ia kam treguar; kur i gërrmova e vura në gjumë në shtëpi dhe ika fshehurazi. Ishte natë pa hënë dhe nuk besoj të më këtë parë ndokush, sepse, sikur të më ketë përgjuar ndonjë i paskrupullt, mbarova: deri në fund të jetës nuk do të mund ta ndërroj përsëri hijen, ai do të ma ketë vjedhur dhe nuk do të isha i pari që do t’i ndodhte kjo. Dikujt, që e kishin parë ku e kishte fshehur hijen e vet, ia kishin vjedhur e ia kishin çjerrë me thonj, pastaj ia kishin flakur përpara derës së shtëpisë. Kur i zoti pa hijen e çjerrë barbarisht vdiq në vend nga hidhërimi. Unë dua ta ndërroj patjetër hijen para se të vdes, dua të varrosem me hijen time të vërtetë. Do ta lidh ose ngjit fort pas trupit, që të mos ma marrin. Uroj vetëm që të kem kohë ta bëj ndërrimin para se të vdes, pra, ta kuptoj se kur do të më vijë vdekja, gjë që është pak e vështirë, por jo e pamundur, sepse, fundja, veten në dorë e kam. Pasi ta kem lidhur mirë hijen në trup, do t’u lutem të tjerëve të më mbërthejnë mirë pas arkivolit, që të jem më i sigurt. Mbase do të përpiqen të ma shkulin, pasi të kenë hapur arkivolin, por, e shumta, mund të këputin vetëm ndonjë copë pa rëndësi dhe do të marrin nga pas si një mallkim erën e keqe të kufomës sime. Unë vetë, kur bëra këtë punë, ia kisha blerë hijen atij njeriu që kur ishte gjallë, prandaj e mora të gjithën, ai nuk e kishte lidhur apo ngjitur pas vetes. Kur i hapa arkivolin, hija e tij sorrollatej atje e mërzitur. Sapo më pa, u ngjit te mua me vërtik, pa hequr ende hijen time, e cila, megjithëse e përgjumur, mundi të më gjente. Ndjeva keqardhje, pasi ishte nata e fundit me të derisa të isha gjallë, por nuk mund të bëja ndryshe: me hijen e të vdekurit ndjeja më pak dhimbje. Tani jetoj i qetë, megjithëse hija e re më rri pak e madhe, por nuk ka shumë rëndësi, se do të mësohem me kalimin e kohës. Më rri pak e madhe te koka, përshembull: zgavrat e syve të saj mua më rrinë te veshët dhe goja te gurmazi im; kur përtypem duket sikur më është shqyer gryka, por janë gjëra që kanë pak rëndësi për mua. E vetmja e metë e pandreqshme e hijes është se ajo qesh shumë, pothuajse gjithmonë vetëm gajaset me të madhe. Mbase i vdekuri do të ketë qenë ndonjë klloun ose budalla. Qesh me një hi-hi-hi të zgjatur, por që, kur jam në qejf, më pëlqen. Ndonjëherë zgjohet në mesnatë dhe më bën të ngrihem vërtik nga të qeshurat. Unë, si tip, jam shumë serioz dhe më vjen keq për hijen time të vërtetë, e cila po vuan mbyllur atje, në arkivolin e dikujt që nuk e meriton, dhe që tashmë ka nxjerrë dhëmbët. Shpresoj të mos mërzitet shumë atje, derisa të shkoj e ta marr përsëri. Tani për tani e ndjej veten mirë, megjithatë, varrin e kam bërë gati. Në të vërtetë janë disa, ku do të shkruaj emrin tim, te të gjithë, në mënyrë që të mos ma gjejnë varrin për të vjedhur hijen e vërtetë. Nëpër varre do të vendos të tjerë njerëz, pasi t’i kem masakruar, që të mos njihen, por hijet nuk do t’ua prek. Do të vras njerëz që mundësisht të kenë hije të ngathëta, që zvarriten, kështu që mund të kapen lehtë. Ata do të mendojnë se është hija ime e vërtetë dhe do të largohen mendjefjetur, ndërsa unë do të prehem i qetë, me hijen time, në ndonjë qoshe të humbur të këtij planeti. Uroj vetëm që hija, të cilën po përdor tani, të mos bjerë në dashuri me mua e të mos ketë dëshirë të vijë tek unë, pasi do të më zbulonte varrin e vërtetë (hijet nuk mashtrohen aq kollaj sa njerëzit) dhe do të grindej me hijen time. Do të bëhej një zhurmë aq e madhe, sa, patjetër, dikujt do t’i tërhiqej vëmendja: ka shumë njerëz që enden natën nëpër varreza.