Jump to content

NËN PUSHTETIN E URDHRAVE/8

Nga Wikibooks
intervistuarve, nuk është një pasqyrim i përsosur i masakrave. Megjithatë, natyra kulmore e grafikut, me tri rritje të skajshme për intervale shumë të shkurtra kohe, na bën të kuptojmë që masakrat nuk ishin rezultat i një dhune rastësore nga ana e forcave qeveritare. Sipas shumë gjasave, ato ishin operacione të planifikuara e të zbatuara me kujdes, në përputhje me synimet strategjike të qeverisë.
      Në të njëjtën mënyrë, grafiku 6, 10, 14 e 15, i cili paraqet rrjedhën e ekzekutimeve jashtë gjyqësore nëpër komuna në varësi të kohës, tregon kulme të ngjashme të kurbave në intervale të shkurtra të kohës. “Zdërhallja” vrastare nëpër komuna vërehet në periudha të caktuara kohe, gjë që do të thotë se ka ekzistuar një urdhër strategjik për të kryer këto masakra në zona të kërkuara.
      Përdhunimi e dhuna seksuale ishin gjithashtu elementë të fushatës. Përdhunimet e grave shqiptare nuk përbëjnë akte të rralla e të izoluara të kryera nga individë të veçantë, por ishin instrumente për të terrorizuar popullsinë civile, për të zhvatur para nga familjarët e për të shtrënguar njerëzit ta braktisnin Kosovën. Në total, Human Rights Watch gjeti dëshmi të besueshme për nëntëdhjetë e gjashtë raste të dhunës seksuale të ushtruar nga ana e ushtarëve jugosllavë, policëve serbë apo paraushtarakëve në periudhën e bombardimit të NATO-s. Është e qartë se numri i vërtetë është shumë më i lartë.
      Përgjithësisht, përdhunimet në Kosovë mund të grupohen në tri kategori: përdhunime në shtëpitë e grave, përdhunime të grave në rrugë e sipër për të lënë Kosovën dhe përdhunime në lokalet e paraburgimit. Në kategorinë e parë, forcat e sigurimit hynin në shtëpitë private dhe përdhunonin gratë në prani të anëtarëve të tjerë të familjes, në oborr, apo në ndonjë dhomë të veçantë brenda apartamentit. Në kategorinë e dytë, gra që shpërnguleshin brenda për brenda, që ecnin në këmbë apo mbi zetorë së bashku me familjet e tyre, ndaleshin, plaçkiteshin e kërcënoheshin nga ushtarët, policët e nga paraushtarakët. Nëse familjet nuk kishin para të thata për të paguar, forcat e sigurimit i kërcënonin se do t’u rrëmbenin vajzat e do t’i përdhunonin; në disa raste, vajzat janë rrëmbyer edhe pasi familjet jepnin pará. Kategoria e tretë e përdhunimeve ndodhte në qendra të improvizuara paraburgimi, siç mund të ishin shtëpi e ahure të braktisura.

< 7
faqe
- 8 -

9 >