Jump to content

Muzika/Kompozitorët/120

Nga Wikibooks

Vasil S. Tole
(22 nëntor 1963 Përmet, Shqipëri)
NË ENCIKLOPEDI


Shkollën e mesme e ka kryer për violinë, në vitet 1978-1982 pranë shkollës artistike “Tefta Tashko Koço”, në Korçë. Në periudhën 1983-1987 përfundon Institutin e Lartë të Arteve, në Tiranë, në degën e Kompozicionit dhe pas diplomimit, deri më 1991, punon në qytetin e Përmetit pranë Shtëpisë së Kulturës “Naim Frashëri”. Prej vitit 1991 është pedagog i Kompozicionit dhe Folklorit Muzikor Shqiptar në Fakultetin e Muzikës pranë Akademisë së Arteve, në Tiranë. Më 1994 mbron disertacionin për gradën e Doktorit të Shkencave Etnomuzikore me temë “Aspekte historike në evolucionin e muzikës popullore instrumentale të Shqipërisë së Jugut”. Në vitin 1994-1995 kryen specializimin pasuniversitar për Kompozicion në Folkwang Hochschule në Essen-Gjermani, nën drejtimin e Prof. Wolfgang Hufschmidt dhe, më 1996, bën studime të postdoktoranturës pranë Universitetit të Athinës. Në vitin 2000 fiton titullin e Mjeshtrit të Kerkimeve=Profesor i Asociuar.

Autor i monografisë “Muzika dhe Letërsia”, ONUFRI-1997; “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut” + C.D, Tiranë 1998; “Folklori muzikor-polifonia shqiptare”-I, Sh.B.L.U 1999; “Folklori muzikor-strukturë dhe analizë”, Sh.B.L.U 2000; si dhe i shumë artikujve në shtypin periodik dhe atë artistiko-shkencor. Ka marrë pjesë në kongrese, simpoziume dhe veprimtari të tjera mbi muzikën, në vende të ndryshme si në Hollandë, Francë, Itali, Austri, Greqi etj. Veprimtaria e tij muzikore përfshin atë simfonike, muzikën e dhomës dhe për instrumente solo e cila është luajtur në Shqipëri si dhe në vende të ndryshme: Itali, Gjermani, Austri, Bullgari, Greqi etj. Ka fituar disa çmime, si atë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për kompozitorin e ri më të mirë (1990), çmime në Festivalet “Ditët e Muzikës së Re Shqiptare” (1993,1994,1995,1997), në “Festivalin e Romancave Shqiptare” (1996, 1999), çmimin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve për baletin me një akt (1998) etj. Është anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve (2000), anëtar i “Albautorit” (1992), bashkëthemelues i shoqërisë artistike “Elena Gjika”-Përmet (1990), bashkëthemelues i shoqatës së “Muzikës së re” (1993), themelues i seksionit shqiptar të “Rilm abstract literature of music”, New York-USA (1995), bashkëthemelues dhe antar i kryesisë së seksionit shqiptar të C.I.O.F.F-it, President i Këshillit të Muzikës Shqiptare-anëtar i Këshillit Ndërkombëtar të Muzikës-UNESCO, antar i GEMA-s-Germany (1997), antar i SEM-it (1999)-USA, antar i IOV-Austri, drejtor i Teatrit të Operas dhe Baletit-Tiranë (1997-1999) etj,.