Mateu - Kapitulli 17
|
1 Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi mbi një mal të lartë, në vetmi;
2 dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita.
3 Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të.
4 Atëherë Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: "Zot, është mirë që ne jemi këtu; po të duash, do të ngremë këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian".
5 Ndërsa ai fliste akoma, ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: "Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!".
6 Dhe dishepujt, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe.
7 Por Jezusi u afrua, i preku dhe tha: "Çohuni dhe mos kini frikë!".
8 Dhe ata, kur i çuan sytë, nuk panë njeri, përveç Jezusit vetëm.
9 Pastaj, kur po zbrisnin nga mali, Jezusi u dha atyre këtë urdhër duke thënë: "Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri".
10 Atëherë dishepujt e tij e pyetën duke thënë: "Vallë pse skribët thonë se duhet të vijë më parë Elia?".
11 Dhe Jezusi u përgjigj: "Vërtetë Elia duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë.
12 Por unë ju them se Elia ka ardhur dhe ata nuk e kanë njohur, madje u sollën me të si deshën; kështu edhe Birit të njeriut do t'i duhet të vuajë prej tyre".
13 Atëherë dishepujt e kuptuan se u kishte folur për Gjon Pagëzorin.
14 Kur arritën afër turmës, një burrë iu afrua dhe, duke u gjunjëzuar para tij,
15 tha: "Zot, ki mëshirë për birin tim, sepse është epileptik dhe vuan shumë; shpesh ai bie në zjarr dhe shpesh në ujë.
16 Tani unë e solla te dishepujt e tu, por ata nuk mundën ta shërojnë".
17 Dhe Jezusi duke u përgjigjur tha: "O brez që nuk beson dhe i çoroditur! Deri kur do të qëndroj midis jush? Deri kur do t'ju duroj? E sillni këtu tek unë".
18 Atëherë Jezusi e qortoi demonin dhe ky doli nga djali; dhe që nga ai çast djali u shërua.
19 Atëherë dishepujt iu afruan Jezusit mënjanë dhe i thanë: "Përse ne nuk ishim në gjendje ta dëbonim?".
20 Dhe Jezusi u tha atyre: "Prej mosbesimit tuaj; sepse në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t'i thoni këtij mali: "Zhvendosu nga këtu atje", dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju.
21 Por ky lloji demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit".
22 Por, ndërsa ata qëndronin në Galile, Jezusi u tha atyre: "Biri i njeriut do t'u dorëzohet në duart e njerëzve,
23 dhe ata do ta vrasin; por ditën e tretë ai do të ringjallet". Dhe ata u pikëlluan shumë.
24 Kur arritën në Kapernaum, vjelësit e të drahmeve iu afruan Pjetrit dhe thanë: "Mësuesi juaj a e paguan taksën e tempullit?".
25 Ai tha: "Po". Kur hyri në shtëpi, Jezusi e priti përpara duke thënë: "Ç'mendon ti, Simon? Prej kujt i marrin haraçet ose taksat mbretërit e dheut? Prej bijve të vet apo prej të huajve?".
26 Pjetri i tha: "Prej të huajve". Jezusi tha: "Bijtë, pra, përjashtohen.
27 Megjithatë, për të mos i skandalizuar ata, shko në det, hidhe grepin dhe merr peshkun e parë që do vijë lart, hapja gojën dhe do të gjesh një staterë; merre dhe jepjau atyre për ty dhe për mua".