Mateu - Kapitulli 16
|
1 Pastaj iu afruan farisenjtë dhe saducenjtë dhe, për ta tunduar, i kërkuan që t'u tregojë një shenjë nga qielli.
2 Por ai iu përgjigj atyre dhe tha: "Në mbrëmje ju thoni: "Do të jetë mot i mirë, sepse qielli është i kuq".
3 Dhe në mëngjes thoni: "Sot do të jetë stuhi, sepse qielli është i kuq dhe i vranët". Hipokritë, pra, ju dini të dalloni dukuritë e qiellit, por nuk arrini të kuptoni shenjat e kohës?
4 Një brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Jona". Dhe i la ata dhe shkoi.
5 Kur dishepujt e vet arritën në bregun tjetër, ja që kishin harruar të marrin bukë me vete.
6 Dhe Jezusi u tha atyre: "Kini kujdes dhe ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve!".
7 Dhe ata arsyetuan ndërmjet tyre duke thënë: "Se nuk kemi marrë bukë".
8 Por Jezusi i vuri re e iu tha atyre: "O njerëz besimpakë, përse diskutoni ndërmjet jush që nuk keni marrë bukë?
9 Nuk e keni kuptuar akoma dhe nuk kujtoni të pesë bukët për pesë mijë burrat dhe sa kosha keni mbledhur?
10 Dhe të shtatë bukët për katër mijë bu-rra dhe sa kosha keni mbushur?
11 Si nuk kuptoni që nuk e kisha fjalën për bukën kur ju thashë të ruheni nga majaja e farisenjve dhe saducenjve?".
12 Atëherë ata e kuptuan se ai nuk u kishte thënë të ruheshin nga majaja e bukës, por nga doktrina e farisenjve dhe të saducenjve.
13 Pastaj Jezusi, mbasi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti dishepujt e vet: "Kush thonë njerëzit se jam unë, i Biri i njeriut?".
14 Dhe ata thanë: "Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, të tjerë Jeremia, ose një nga profetët".
15 Ai u tha atyre: "Po ju, kush thoni se jam unë?".
16 Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: "Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë".
17 Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: "I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.
18 Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë.
19 Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej".
20 Atëherë i urdhëroi dishepujt e vet që të mos i thonin askujt se ai ishte Jezusi, Krishti.
21 Që nga ai çast Jezusi filloi t'u sqarojë dishepujve të vet se i duhej të shkonte në Jeruzalem, të vuante shumë për shkak të pleqve, të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve, se do të vritej dhe do të ringjallej të tretën ditë.
22 Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe nisi ta qortojë duke thënë: "O Zot, të shpëtoftë Perëndia; kjo nuk do të të ndodhë kurrë".
23 Por ai u kthye dhe i tha Pjetrit: "Shporru prej meje, o Satan! Ti je një skandal për mua, sepse s'ke ndër mënd punët e Perëndisë, por punët e njerëzve".
24 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: "Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.
25 Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë.
26 Ç'përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?
27 Sepse Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe atëherë ai do të shpërblejë secilin sipas veprës së tij.
28 Në të vërtetë ju them se disa nga ata që janë të pranishëm këtu nuk do të vdesin pa e shikuar më parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e vet".