216. Juve u është bërë obligim kitali (xhihadi) , ndonëse ju e urreni atë. Por mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju. All-llahu di, e ju nuk dini.
217. Të pyesin për luftën në muajin e shenjtë, thuaj: “Lufta në te është e madhe (mëkat i madh) , por pengimi nga rruga e All-llahut, mosbesimi ndaj Tij, pengimi nga xhamia e shenjtë (Qabja) dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo, janë mëkate edhe më të mëdha te All-llahu. E fitneja është edhe më e madhe se mbytja. Ata do t’u luftojnë juve vazhdimisht për t’ju zbrapsur, nëse munden, nga feja juaj. E kush zbrapset prej jush nga feja e tij dhe vdes si pabesimtar, ata i kanë zhdukur veprat e veta në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Të tillët janë banorë të zjarrit dhe në të do të qëndrojnë përjetshëm.
218. Ata të cilët besuan, ata që u shpërngulën dhe luftuan në rrugën e All-llahut, ata meritojnë të shpresojnë në mëshirën e Tij. All-llahu falë shumë dhe është mëshirues.
219. Të pyesin ty për verën dhe bixhozin . Thuaj: “Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëz, por dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre. Të pyesin ty edhe se ç’do të japin. Thuaj: “Tepricën!” Kështu ua sqaron All-llahu juve argumentet ashtu që të mendoni (çka është mirë e çka është keq).