Jump to content

Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë/8

Nga Wikibooks

Drejitimi i mjeteve dhe kafshëve


Faqe 7
faqe
- 8 -

Faqe 9
NENI 114 - KERKESAT PER DREJTIMIN E MJETEVE DHE KAFSHEVE

1. Cilido që drejton mjete ose kafshë, duhet të plotësojë kërkesat fizike e psikike dhe të ketë mbushur moshën:

a) katërmbëdhjetë vjeç për drejtimin e mjeteve të tërhequra me kafshë, ose të drejtojë kafshë tërheqëse, barre ose shale, si dhe tufa, kope ose grupime të tjera kafshësh;
b) gjashtëmbëdhjetë vjeç për drejtimin e ciklomotorëve me cilindrat deri 50 cc;
c) njezet e tre vjeç për drejtimin e mjeteve me motor, për drejtimin e të cilave kërkohet lejedrejtimi e kategorive A dhe B sipas nenit 115.

2. Cilido që drejton mjete me motor nuk duhet të ketë kaluar moshën:

a) gjashtëdhjetë e pesë vjeç për të drejtuar mjete me motor për transport malli;
b) gjashtëdhjetë vjeç për të drejtuar autobusë, kamionë, kamionë me rimorkio, gjysmërimorkiatorë dhe artikularë të tjerë, të caktuar për transport personash. Ky kufi mund të rritet çdo vit deri në gjashtëdhjetë e pesë vjeç kur drejtuesi paraqet një dëshmi të veçantë për kërkesat fizike dhe psikike pas një vizite të specializuar mjekësore të përvitshme, sipas mënyrave të përcaktuara në aktet në zbatim të këtij Kodi.

3. Cilido që drejton mjete dhe nuk plotëson kushtet e kërkuara nga ky nen, përveç rasteve të paraqitura në pikat e mëposhtme, ndëshkohet me masën administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. 4. Cilido që, duke pasur në përdorim mjete ose kafshë, ua beson ose ua lejon drejtimin personave që nuk plotësojnë kushtet e kërkuara nga ky nen, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë, kur bëhet fjalë për automjete ose me masën administrative me gjobë nga një mijë deri në katër mijë lekë, kur bëhet fjalë për kafshë ose mjete të tërhequra me kafshë. 5. Shkeljet e dispozitave të mësipërme, kur kryhen nga mjete me motor, ndëshkohen edhe me ndalimin administrativ të mjetit për 30 ditë.


NENI 115 - LEJEDREJTIMI DHE CERTIFIKATA E AFTESISE PROFESIONALE PER DREJTIMIN E MOTOMJETEVE DHE AUTOMJETEVE

1. Nuk mund të drejtohen automjete dhe motomjete pa marrë lejedrejtimin e lëshuar nga dega e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, e cila përfshin rrethin e banimit të kërkuesit.

2. Për të dhënë provimet e aftësisë për lejedrejtimin, duhet t'i drejtohet kërkesë me shkrim degës përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, ku kërkuesi ka vendbanimin dhe të plotësohen kërkesat e caktuara fizike e psikike.

3. Lejedrejtimi sipas modelit të Komunitetit Europian, siç përcaktohet në aktet në zbatim, duhet të përmbajë treguesit e grupit të gjakut të mbajtësit të lejedrejtimit, që është i detyruar të vërtetojë saktësinë e tyre. Këta tregues në asnjë rast nuk shërbejnë si autorizim për kryerjen e transfuzioneve të mundshme të gjakut. Lejedrejtimi ndahet sipas kategorive dhe aftësive në drejtimin e mjeteve, të përcaktuara për secilën nga kategoritë e mëposhtme:

A - Motomjete me peshë pa ngarkesë deri në 400 kg.
B - Motomjete, me përjashtim të motoçikletave, dhe automjete me peshë të përgjithshme jo më të madhe se 3.50 tonë dhe me jo më shumë se 8 ndenjëse, duke përjashtuar ndenjësen e drejtuesit të mjetit, edhe pse mund të tërheqin një rimorkio të lehtë ose një rimorkio që nuk e kalon peshën pa ngarkesë të mjetit tërheqës, me kusht që pesha e përgjithshme me ngarkesë të plotë për të dy mjetet të mos i kalojë 3.50 tonët.

C - Automjete me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë, më të madhe se 3.50 tonë, edhe pse mund të tërheqin një rimorkio të lehtë, duke përjashtuar automjetet, për drejtimin e të cilëve nevojitet lejedrejtimi i kategorisë D.

D - Autobusë dhe automjete të tjera të destinuar për transport pasagjerësh, që kanë më shumë se 8 ndenjëse, duke përjashtuar ndenjësen e drejtuesit të mjetit, edhe pse mund të tërheqin një rimorkio të lehtë.

E - Automjete, për drejtimin e të cilave kërkohet lejedrejtimi i kategorive B, C dhe D, për të cilat drejtuesi i mjetit duhet të jetë i aftësuar, kur tërheqin një rimorkio që nuk hyn në asnjërën nga kategoritë e mësipërme; gjysmërimorkiatore dhe artikulare të destinuara për transport pasagjerësh, mjafton që të ketë lejedrejtimin e kategorisë D; gjysmërimorkiatore ose artikulare të tjera, mjafton që të ketë lejedrejtimin e kategorisë C.

4. Rimorkio të lehta quhen rimorkiot me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë deri në 0.75 tonë.

5. Invalidët, edhe pse mund të kenë disa invaliditete, mund të marrin lejedrejtimin e kategorisë A, B dhe C, edhe kur tërheqin rimorkio të lehtë. Lejedrejtimet e kategorisë C mund të kufizohen në drejtimin e mjeteve të veçantë dhe me karakteristika të veçanta, sipas përfundimit të kontrolleve të përcaktuara në nenin 117, pika 4. Kufizimet duhet të pasqyrohen në lejedrejtimi dhe duhet të saktësojnë se çfarë proteze kushtëzohet dhe, kur është e nevojshme, çfarë modifikimi duhet t'i bëhet mjetit. Ata nuk munden të drejtojnë mjetet e shërbimit taksi ose me qiradhënie me drejtues mjeti për transport njerëzish a në shërbimet në linjë, autoambulancat dhe mjetet që përdoren në transportin e mallrave të rrezikshme ose në transportin e më shumë se 8 pasagjerëve, përveç drejtuesit të mjetit.

6. Mund të aftësohen në drejtimin e automjeteve, për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorisë C vetëm ata që janë të aftësuar për të drejtuar automjete dhe motomjete për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorisë B, dhe që kanë punuar 12 muaj në këtë kategori. Mund të aftësohen për drejtimin e automjeteve, për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorisë D, ata që janë të aftësuar për drejtimin e automjeteve për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorisë C dhe që kanë punuar 3 vjet në këtë kategori. Mund të aftësohen për drejtimin e automjeteve për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorisë E, vetëm ata që janë të aftësuar për drejtimin e automjeteve për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorisë B, C e D dhe që kanë punuar të paktën 12 muaj në njërën nga këto kategori. Nuk mund të drejtojnë mjete të shërbimit publik drejtuesit e pajisur me lejedrejtimi të kategorisë B dhe C.

7. Afati i vlefshmërisë së lejedrejtimit mund të zgjatet nga zyrat kompetente që e kanë lëshuar atë, nëpërmjet verifikimit të aftësive fizike, psikike dhe provimit, sipas kategorive të ndryshme të mjeteve.

8. Në rastet e parashikuara nga marrëveshjet ndërkombëtare, ku aderon edhe Shqipëria, për drejtimin e mjeteve për transporte të caktuara profesionale, mbajtësit e lejedrejtimit të vlefshëm për kategorinë e përcaktuar duhet, gjithashtu, të marrin certifikatën përkatëse të aftësisë, përshtatshmërisë, kapacitetit ose formimit profesional të lëshuar nga zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Kjo certifikatë nuk mund t'u jepet invalidëve a të gjymtuarve fizikisht.

9. Në aktet në zbatim, duke respektuar çka është përcaktuar në normativat ndërkombëtare, përcaktohen tipat e certifikatave profesionale sipas pikës 8, si dhe kërkesat, procedurat dhe programet e provave për marrjen e tyre. Në të njëjtat akte në zbatim do të tregohen edhe modelet dhe karakteristikat përkatëse të lejedrejtimeve dhe mënyrat për shmangien e falsifikimeve.

10. Mbajtësi i lejedrejtimit të mjetit duhet që brenda 30 ditëve të njoftojë zyrën kompetente të territorit nga varet bashkia a komuna e vendbanimit për ndërrimin e vendbanimit brenda së njëjtës bashki a komunë, ose nga një bashki ose komunë në bashki a komuna të tjera, duke paraqitur lejedrejtimin për kryerjen e ndryshimeve të nevojshme; ndryshimet bëhen menjëherë.

11. Cilido që, duke zotëruar materialisht një mjet, ia beson ose ia jep ta drejtojë një personi të papajisur me lejedrejtimi, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë dhe me pezullimin e lejedrejtimit për një vit.

12. Cilido që drejton automjete a motomjete pa marrë lejedrejtimi, dënohet me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë; i njëjti dënim zbatohet edhe për drejtuesit që drejtojnë mjete pa lejedrejtimi, sepse u është hequr ose nuk është rinovuar për mosplotësim të kushteve të përcaktuara nga ky Kod, kur kjo nuk përbën vepër penale.

13. Cilido që, megjithëse ka dhënë me sukses provat sipas nenit 119, drejton mjete pa qenë i pajisur me lejedrejtimi, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.

14. Cilido që drejton automjete a motomjete i pajisur me lejedrejtimi, por që nuk është i pajisur me certifikatën e aftësisë profesionale, kur kjo është e detyrueshme, ose me deklaratën përkatëse zëvendësuese të lëshuar nga zyra kompetente e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, kur nuk ka qenë e mundur t'i jepet certifikata e aftësisë brenda 10 ditëve nga dhënia e provave, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.

15. Mbajtësi i lejedrejtimit, që nuk bën shënimet e nevojshme të ndryshimit të vendbanimit në lejedrejtimi, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri në dhjetë mijë lekë.

16. Shkelja e dispozitave të pikës 15 sjell si pasojë masën administrative plotësuese të ndalimit administrativ të mjetit për 30 ditë dhe masën administrative plotësuese të tërheqjes së lejedrejtimit.

17. Me masat e dënimit për krimet e parashikuara nga pika 12 gjykatësi urdhëron konfiskimin e mjetit, me përjashtim të rasteve kur ai u përket personave që nuk kanë të bëjnë me krimin. Kur nuk është e mundur të urdhërohet konfiskimi i mjetit, merret vendim për pezullimin e lejedrejtimit të të dënuarit për kohën e kryerjes të dënimit kryesor. Autoriteti gjyqësor kompetent dhe, në rastet flagrante, edhe oficerët dhe policët e policisë gjyqësore duhet ta sekuestrojnë mjetin, duke respektuar normat e Kodit të Procedurës Penale.

NENI 116 - LEJEDREJTIMI DHE CERTIFIKATA E AFTESISE PROFESIONALE PER DREJTIMIN E TROLEJBUSIT

1. Nuk mund të drejtohet trolejbusi pa qenë i pajisur me lejedrejtimi të automjeteve, në rastin e drejtimit të trolejbuseve për transportin e njerëzve, dhe me certifikatën e aftësisë profesionale të lëshuar nga zyra kompetente e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, mbi bazën e ndërmarrjes së interesuar.

2. Kategoria e lejedrejtimit, me të cilën duhet të jenë të pajisur drejtuesit e trolejbuseve, duhet të jetë e njëjta me atë të automjeteve përkatëse.

3. Certifikata e aftësisë profesionale merret nëpërmjet provimit që duhet të paraprihet nga një periudhë ushtrimesh për drejtimin e një trolejbusi, që kryhet me ndihmën e një drejtuesi të autorizuar dhe nën kontrollin e një funksionari teknik të ndërmarrjes, e cila synon të caktojë kandidatin për të drejtuar trolejbuset.

4. Në aktet në zbatim përcaktohen kërkesat, mënyrat dhe programet e provave për marrjen e certifikatës së sipërpërmendur të aftësisë profesionale.

5. Kandidatët që nuk e kanë marrë provimin, mund të paraqiten sërish për dhënien e tij vetëm pasi të kenë kaluar edhe një herë periudhën e ushtrimeve në drejtim dhe pasi të kenë kaluar të paktën 30 ditë.

6. Zyra kompetente u jep kandidatëve që e kanë marrë provimin një certifikatë aftësie profesionale për funksionin e drejtuesit të trolejbusit, që është e vlefshme vetëm kur shoqërohet nga lejedrejtimi për automjetet sipas pikës 2. Certifikata e aftësisë profesionale lejon drejtimin e trolejbuseve pranë çdo ndërmarrjeje.

7. Vlefshmëria në kohë e certifikatës së aftësisë profesionale është e njëjtë me atë të lejedrejtimit që zotërohet nga i interesuari sipas pikës 2. Kur konfirmohet vlefshmëria e lejedrejtimit sipas normave të nenit 124, zyra kompetente merr masa për konfirmimin në mënyrë të ngjashme, për 5 vjet, të certifikatës së aftësisë profesionale. Kur vlefshmëria e lejedrejtimit nuk konfirmohet, certifikata e aftësisë profesionale duhet të tërhiqet nën kujdesin e zyrës që e ka lëshuar.

8. Zyrat kompetente të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mund të marrin vendim që zotëruesi i certifikatës së aftësisë profesionale për drejtimin e trolejbuseve t'i nënshtrohet vizitës mjekësore ose provimit të përshtatshmërisë, kur lindin dyshime për plotësimin e kërkesave fizike a psikike të përcaktuara, ose të aftësive profesionale.

9. Dispozitat përkatëse për pezullimin dhe anulimin e lejes së drejtimit, sipas neneve 127 dhe 128, zbatohen edhe për certifikatën e aftësisë profesionale për drejtimin e trolejbuseve, në bazë të fakteve të konstatuara gjatë drejtimit të tyre.

10. Cilido që, duke zotëruar materialisht një trolejbus, ia beson ose ia jep ta drejtojë një personi të papajisur me lejedrejtimi për automjete ose me certifikatë aftësie profesionale, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.

11. Cilido që drejton trolejbuse pa qenë i pajisur me lejedrejtimi, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.

12. Cilido që drejton trolejbuse i pajisur me lejedrejtimi, por që nuk është i pajisur me certifikatën e aftësisë profesionale, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.

13. Në shkeljet e mësipërme zbatohet edhe masa administrative plotësuese e ndalimit administrativ të mjetit për gjashtë muaj, si dhe dispozitat e Kodit Penal.


NENI 117 - KERKESAT FIZIKE DHE PSIKIKE PER MARJEN E LEJEDREJTIMIT TE MJETIT

1. Nuk mund të marrë lejedrejtimi ose autorizim për të ushtruar në drejtim mjeti sipas nenit 120, pika 2, ai që është i prekur nga sëmundje fizike a psikike, që ka paaftësi organike a të meta psikike, anatomike ose funksionale të tilla që e pengojnë të drejtojë në mënyrë të sigurt një mjet me motor.

2. Verifikimi i kërkesave fizike dhe psikike, përveç rasteve të përcaktuara në pikën 4, kryhet nga institucioni shëndetësor kompetent për territorin, i caktuar nga Ministria e Shëndetësisë.. Në të gjitha rastet këto verifikime duhet të kryhen në lokale të përshtatshme.

3. Verifikimi sipas pikës 2 duhet të rezultojë nga certifikata me datë jo më të vonshme se tre muaj përpara paraqitjes së kërkesës për të dhënë provimin e drejtimit të mjetit. Në certifikatë duhen marrë parasysh edhe të gjitha sëmundjet infektive që ka kaluar kërkuesi i lejedrejtimit dhe që deklarohen në një certifikatë mjekësore të lëshuar nga institucioni shëndetësor përkatës.

4. Verifikimi i kërkesave fizike e psikike kryhet nga komisione mjekësore lokale, të formuara në çdo rreth pranë njësisë shëndetësore lokale të kryeqendrës së rrethit për:

a) të gjymtuarit dhe ata me të meta fizike;
b) ata që kanë kaluar moshën sipas nenit 114, pika 2, shkronja "b";
c) ata, për të cilët është bërë kërkesë nga zyrat që lëshojnë lejedrejtimin;
d) ata, për të cilët gjatë verifikimeve klinike me instrumente dhe laboratorike mjekut të përcaktuar nga pika 2 i ka lindur dyshimi për përshtatshmërinë dhe sigurinë në drejtimin e mjetit.

5. Në aktet në zbatim të këtij Kodi përcaktohen:

a) kërkesat fizike dhe psikike për të marrë dhe konfirmuar lejedrejtimin e mjetit;
b) mënyrat e lëshimit dhe modelet e certifikatave mjekësore;
c) përbërja dhe mënyra e funksionimit të komisionit mjekësor sipas pikës 4, në të cilin duhet të bëjë pjesë një mjek i shërbimit territorial të riaftësimit, kur komisionit i nënshtrohen kandidatë për drejtues mjeti sipas shkronjës "a" të pikës 4. Në këtë rast në komision duhet të marrë pjesë edhe një inxhinier specialist i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Me kërkesë të të interesuarit mund të ndërhyjë edhe një mjek i tij i besuar.

6. Vizitat e kryera nga zyrat medikoligjore ose, në rastet e parashikuara nga pika 4, nga komisione mjekësore, duhet të shoqërohen edhe me vizita psikologjike që kryhen nga psikologë, të cilët e ushtrojnë këtë profesion.

7. Me urdhëresë të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, në marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mjedisit, formohet një komitet i posaçëm teknik që ka për detyrë t'u japë komisioneve mjekësore informacione për përparimin tekniko-shkencor që ndikon në drejtimin e mjeteve me motor prej të gjymtuarve dhe atyre me të meta fizike.


NENI 118 - KERKESAT MORALE PER TE MARRE LEJEDREJTIMIN E MJETIT

Nuk mund ta marrin lejedrejtimin keqbërësit e zakonshëm, profesionistë ose që kanë tendencë të tillë, sikurse edhe ata që i janë nënshtruar masave të sigurimit personal a masave parandaluese të parashikuara nga vendimi i gjykatës, për masat parandaluese ndaj personave të rrezikshëm për sigurinë dhe moralin publik, duke bërë përjashtim për masat rehabilituese.


Neni 119 - PROVIMI I MARRJES SE LEJEDREJTIMIT

1. Lejedrejtimi i mjetit merret duke kaluar një provë verifikimi të aftësive drejtuese e të sjelljes dhe një provë të kontrollit të njohurive teorike.

2. Provimet sipas pikës 1 kryhen në bazë të udhëzimeve, mënyrave dhe programeve të përcaktuara nga ministri i Punëve Publike dhe Transportit, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe me ndihmën e pajisjeve audiovizive, pyetësorëve të provimit dhe të çdo gjëje tjetër që ndikon në uniformizimin e formulimit të gjykimit.

3. Provimet për lejedrejtimin, për certifikatën e aftësisë profesionale sipas nenit 115 dhe për përshtatshmërinë e mësuesve dhe instruktorëve të autoshkollave kryhen nga vartësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

4. Në aktet në zbatim përcaktohen kërkesat profesionale për vartësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, që janë caktuar të marrin në provim sipas pikës 3.

5. Në aktet në zbatim përcaktohen mënyrat e miratimit, organizimit dhe funksionimit të autoshkollave, normat dhe mënyrat e kryerjes së kurseve të kualifikimit dhe të provimeve të aftësisë së personelit sipas pikës 4.

6. Provimi i atyre që kanë frekuentuar një autoshkollë, mund të kryhet pranë po kësaj autoshkolle, në qoftë se është e pajisur me lokale që janë konsideruar të përshtatshme nga zyra kompetente e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, ose pranë qendrave të instruktimit të formuara dhe të legalizuara nga kjo drejtori.

7. Provimet janë publike.

8. Provimi nuk mund të jepet përpara se të jetë realizuar programi teoriko-praktik sipas kategorisë së lejedrejtimit dhe jo me vonë se afatet e përcaktuara në aktet në zbatim.

9. Ushtrimi praktik i drejtimit të mjetit, duke përjashtuar atë për marrjen e lejedrejtimit të kategorisë A, duhet të kryhet në çdo rast me mjete të pajisura me komanda të dyfishta.

10. Nga një provim me rezultat negativ në një provim tjetër duhet të kalojnë të paktën 30 ditë dhe jo më shumë se afatet e përcaktuara në aktet në zbatim.

11. Pasi kalohet me sukses provimi i përcaktuar, zyra kompetente e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor përpilon dokumentacionin e nevojshëm dhe lëshon lejedrejtimin, sipas mënyrave dhe afateve të lëshimit të përcaktuara në aktet në zbatim të këtij Kodi.


NENI 120 - USHTRIMET E DREJTIMIT TE MJETIT

1. Kursantit që është regjistruar në një autoshkollë, i lëshohet një autorizim për t'u ushtruar në drejtimin e mjetit prej zyrave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

2. Autorizimi i lejon kursantit të ushtrohet me mjete të asaj kategorie, për të cilën është kërkuar lejedrejtimi ose shtrirja e vlefshmërisë së tij, me kusht që në krah të ndodhet, në funksionin e instruktorit të miratuar, një person me moshë jo më të madhe se 60 vjeç dhe jo më i vogël se 30 vjeç, i pajisur me lejedrejtimi të vlefshëm për të njëjtën kategori mjeti, që e ka marrë qysh prej të paktën 10 vjetësh, ose me lejëdrejtimi të vlefshëm për një kategori më të lartë mjeti; instruktori duhet të jetë shumë i kujdesshëm gjatë lëvizjes së mjetit dhe të ndërhyjë në momentin e duhur dhe me efektshmëri.

3. Për kandidatët e autorizuar të kryejnë ushtrime drejtimi mjeti për të marrë lejedrejtimin e kategorisë A, nuk zbatohen normat e pikës 2, por ato të pikës 5.

4. Automjetet e autorizuara për kryerjen e ushtrimeve të drejtimit të mjetit për marrjen e lejedrejtimit, duhet të jenë të pajisura me një shenjë dalluese "Autoshkollë". Karakteristikat e këtyre shenjave dalluese dhe mënyrat e përdorimit të tyre përcaktohen në aktet në zbatim. Cilido që shkel dispozitat e kësaj pike ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.

5. Ushtrimet me mjete, në të cilat, përveç drejtuesit të mjetit, nuk mund të rrijë edhe një person tjetër në rolin e instruktorit, kryhen në vende pak të frekuentuara e të lejuara.

6. Autorizimi i kursantit është i vlefshëm për dymbëdhjetë muaj nga data e lëshimit dhe brenda këtij afati ka të drejtë të paraqitet në prova deri në tri herë.

7. Cilido që drejton mjetin pa pasur autorizim për kryerjen e ushtrimeve të drejtimit, por që ka në krah, në funksionin e instruktorit, një person të përcaktuar sipas pikës 2, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë. I njëjti ndëshkim zbatohet edhe për personin që është në rolin e instruktorit.

8. Cilido që, duke qenë i pajisur me autorizimin për kryerjen e ushtrimeve të drejtimit të mjetit, drejton mjet pa pasur në krah, në rolin e instruktorit, një person të përcaktuar sipas pikës 2, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë. Përveç kësaj, ndëshkohet me masën administrative plotësuese të ndalimit administrativ të mjetit për 3 muaj. Për shkeljet sipas pikës 5 zbatohet masa administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.


NENI 121 - AUTOSHKOLLAT

1. Shkollat për edukimin rrugor, instruktimin dhe formimin e drejtuesve të mjeteve, quhen autoshkolla.

2. Autoshkollat janë subjekt licencimi, mbikëqyrjeje administrative dhe teknike nga ana e zyrave të rretheve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

3. Të drejtat për licencat dhe për mbikëqyrjen administrative të autoshkollave ushtrohen në bazë të urdhëresave të posaçme të shpallura nga ministri i Punëve Publike dhe Transportit, duke respektuar parimet ligjore dhe në mënyrë uniforme për mbikëqyrjen teknike të mësimdhënies, si dhe për kufizimin numerik të autoshkollave në varësi nga popullsia, numri i mjeteve për banor dhe shtrirja territoriale.

4. Personat fizikë e juridikë, shoqëritë dhe entet mund të marrin licencë. Titullari i licencës, sipas pikës 2, duhet të administrojë dhe personalisht aktivitetin dhe pronësinë e autoshkollës, duke qenë përgjegjës përpara lëshuesit të licencës për funksionimin e saj.

5. Licenca i lëshohet atij që ka mbushur moshën 30 vjeç, ka sjellje të mirë dhe është në zotërim të kapaciteteve të duhura financiare, ka diplomë inxhinieri mekanik para vitit 1974, inxhinieri transporti ose oficeri transporti të diplomuar në Akademinë e Forcave Tokësore, me aftësi si mësues i teorisë ose instruktor i drejtimit të mjetit. Për personat juridikë, kushtet e kërkuara nga kjo pikë, me përjashtim të kushtit për kapacitetin financiar që duhet të zotërohet nga personi juridik, i kërkohen përfaqësuesit ligjor ose, për rastin e shoqërive apo enteve, personit të deleguar prej tyre.

6. Nuk mund të marrin licencë keqbërësit e zakonshëm, profesionistë ose që kanë tendencë të tillë sikurse edhe ata që i janë nënshtruar masave të sigurimit personal ose masave parandaluese të parashikuara nga neni 118.

7. Autoshkolla duhet të zotërojë një pajim të përshtatshëm teknik e didaktik dhe të ketë mësues e instruktorë të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, me propozim të organeve të saj, e cila lëshon një vërtetim të posaçëm të aftësisë profesionale. Kur disa autoshkolla të autorizuara bashkohen dhe formojnë një qendër instruksioni automobilistik, të miratuar nga dega e rrethit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, sipas kritereve uniforme të fiksuara me udhëzim të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, pajimi i përgjithshëm dhe personeli mund të reduktohen në mënyrë të përshtatshme.

8. Licenca pezullohet nga organi që e ka lëshuar për një periudhë nga një deri në tre muaj kur:

a) veprimtaria e autoshkollës nuk zhvillohet në mënyrë të rregullt;
b) titullari nuk merr masa për zëvendësimin e mësuesve dhe instruktorëve që janë konsideruar të papërshtatshëm nga degët e rrethit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor;
c) titullari nuk respekton urdhrat e dhëna nga degët e rrethit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me qëllim që të rregullohet funksionimi i autoshkollës.

9. Licenca anulohet nga organi që ka lëshuar licencën kur:

a) konstatohet se mungon kapaciteti financiar dhe nuk plotësohen më kërkesat morale të titullarit të licencës;
b) konstatohet se mungon pajimi teknik dhe didaktik i autoshkollës;
c) janë zbatuar dy masa pezullimi të licencës brenda një viti.

10. Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse përcakton me udhëzim të saj kapacitetin minimal financiar të nevojshëm; kërkesat e përshtatshmërisë për mësuesit dhe instruktorët e autoshkollave për drejtues mjeti; kushtet për lokalet dhe pajimin didaktik, që duhet të bëjnë të mundur edhe zhvillimin normal të provimeve, si dhe kohëzgjatjen e kurseve; programet e provimeve për verifikimin e aftësisë teknike të mësueseve dhe instruktorëve; programet e provimeve për marrjen e lejedrejtimit hartohen nga organi që lëshon lejedrejtimin.

11. Cilido që administron një autoshkollë pa pasur licencën përkatëse, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në dyqind mijë lekë. Kjo shkelje ndëshkohet edhe me masën administrative plotësuese të mbylljes së menjëhershme të autoshkollës dhe të pushimit të veprimtarisë së saj.

12. Cilido që jep mësim teorie në autoshkollë ose instrukton drejtimin e mjeteve të autoshkollës, pa qenë i pajisur me dëshminë e aftësisë dhe kopjen e licencës së autoshkollës, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë, si dhe me pezullimin e veprimtarisë së shkollës për tre muaj.

13. Në aktet në zbatim përcaktohen mënyrat e lëshimit të licencës sipas pikës 2.

NENI 122 - DREJTIMI I MAKINAVE BUJQESORE DHE MAKINAVE BUJQESORE DHE MAKINAVE TEKNOLOGJIKE

1. Për të drejtuar makinat bujqësore, duke përjashtuar ato që drejtohen nga toka, si dhe makinat teknologjike, duke përjashtuar ato me avull, që qarkullojnë në rrugë, duhet pasur një nga lejedrejtimet e treguara në nenin 115, pika 3, dhe konkretisht:

a) të kategorisë A për drejtimin e makinave bujqësore të treguara në nenin 115, pika 3;
b) të kategorisë B për drejtimin e makinave bujqësore dhe të makinave teknologjike;
c) të kategorisë C për makinat teknologjike jashtë norme.

2. Me urdhëresë të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit përcaktohen tipi dhe karakteristikat e mjeteve të treguara në pikën 1 që, pasi të jenë përshtatur siç duhet, mund të drejtohen nga të gjymtuarit ose ata me të meta fizike me lejedrejtimi të posaçme të kategorive A dhe B, të parashikuara nga neni 115, pika 5.

3. Kur nuk është e nevojshme të bëhen përshtatje, e njëjta urdhëresë e përmendur në pikën 2 përcakton tipin dhe karakteristikat e mjeteve të treguara në pikën 1, që mund të drejtohen nga të gjymtuarit dhe ata me të meta fizike.

4. Cilido që drejton një makinë bujqësore ose një makinë teknologjike pa qenë i pajisur me lejedrejtimi, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dy mijë e pesëqind deri dhjetë mijë lekë.


NENI 123 - VLEFSHMERIA E LEJEDREJTIMIT

1. Lejedrejtimet e kategorisë C, D dhe E janë të vlefshme përkatësisht, edhe për drejtimin e mjeteve, për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorisë B dhe për mjetet, për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorive B dhe C, si dhe për mjetet, për të cilat kërkohet lejedrejtimi i kategorive B, C dhe D.

2. Lejedrejtimi i posaçëm i drejtimit të mjeteve të kategorive A, B dhe C, që u lëshohet të gjymtuarve ose atyre me të meta fizike, është e vlefshme vetëm për drejtimin e mjeteve që kanë karakteristika të njëjta me ato që rezultojnë të treguara në këtë lejedrejtimi dhe në lejeqarkullimin.

3. Cilido që drejton një mjet, për të cilin duhet një lejedrejtimi e ndryshme nga ajo lejedrejtimi që ai zotëron, ose drejton një mjet të shërbimit publik i pajisur me lejedrejtimi, por jo me certifikatë aftësie profesionale, kur kjo kërkohet, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë, kur nuk përbën një vepër penale.

4. Në të njëjtën mënyrë, cilido që, i pajisur me lejedrejtimi të posaçëm, drejtimit, drejton një mjet të kategorive A, B dhe C të ndryshëm nga ai i treguar dhe përshtatur posaçërisht sipas gjymtimit apo të metave të tij fizike; ose kur, i pajisur me lejedrejtimi special të kategorive A, B dhe C, si i gjymtuar apo me të meta fizike, drejton një motor, motokarro apo automjet të një tipi tjetër ose për të cilin kërkohet një lejedrejtimi e një kategorie të ndryshme nga ajo që ai ka marrë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.

5. Për shkeljet e parashikuara në pikat 3 dhe 4 zbatohet edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit nga 6 deri në 12 muaj.


NENI 124 - AFATI DHE KONFIRMIMI I VLEFSHMERISE SE SE LEJEDREJTIMIT TE MJETIT

1. Lejedrejtimet e kategorisë A dhe B janë të vlefshme për 10 vjet; kur janë dhënë ose janë konfirmuar për atë që e ka kaluar moshën 50 vjeç në momentin e marrjes së lejedrejtimit, janë të vlefshme për pesë vjet dhe për atë që e ka kaluar moshën 60 vjeç, në momentin e marrjes së lejedrejtimit, janë të vlefshme për tre vjet.

2. Lejedrejtimet e posaçme të kategorive A dhe B, që u janë lëshuar të gjymtuarve ose atyre me të meta fizike, dhe ato të kategorive C dhe D janë të vlefshme për pesë vjet, ndërsa tre vjet për moshat mbi 60 vjeç dhe lejedrejtimet e posaçme të kategorisë C që u janë lëshuar të gjymtuarve.

3. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, me urdhëresë të tij, mund të përcaktojë afate vlefshmërie më të vogla për kategori të caktuara lejedrejtimesh dhe në përputhje me destinacionin e përdorimit të mjeteve, me moshën e drejtuesve të mjeteve ose me veçoritë fizike e psikike të tyre, si dhe duke përcaktuar, gjithashtu, se në cilat raste duhet të bëhet zëvendësimi i lejedrejtimit.

4. Verifikimi i kërkesave të parashikuara në nenin 117, pika 1, për drejtimin e motomjeteve dhe automjeteve sipas nenit 115, pika 8, duhet të bëhet çdo dy vjet. Ky verifikim dyvjeçar duhet të kryhet edhe ndaj atyre që kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe që kanë lejedrejtimi për kamionët me peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë më të madhe se 3.50 tonë, autotrenat, gjysmërimorkiatorët, artikularët e transportit të mallrave që kanë peshë të përgjithshme me ngarkesë të plotë jo më të madhe se 20 tonë dhe makinat teknologjike.

5. Vlefshmëria e lejedrejtimit mund të konfirmohet nga organi që e lëshon atë; për këtë qëllim duhet të paraqitet një certifikatë mjekësore me datë jo më shumë se tre muaj përpara dhe të lëshuar nga një prej organeve mjekësore të treguara në nenin 117, pika 2, nga e cila të rezultojë që zotëruesi i kësaj certifikate plotëson të gjitha kërkesat fizike e psikike të kërkuara. Në rastin e nenit 115, pikat 5 dhe 8, vizita mjekësore kryhet nga komisioni, për të cilin flitet në nenin 117, pika 4.

6. Kur nga verifikimet sipas pikës 5 del që nuk plotësohen kushtet për konfirmimin e lejedrejtimit, njofton zyrën që e lëshon atë, për rezultatin e verifikimit, në mënyrë që të merren masat e nevojshme sipas nenit 127, pika 3, dhe nenit 128.

7. Cilido që drejton një mjet me një lejedrejtimi që i ka kaluar afati i vlefshmërisë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Për këto shkelje zbatohet edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së lejedrejtimit.


NENI 125 - LEJEDREJTIMI I PERKOHSHEM I MJETIT

1. Për rastet e humbjes, vjedhjes ose shkatërrimit të lejedrejtimit, zotëruesi i tij duhet që brenda 48 orëve të bëjë denoncim në organet e policisë, të cilat i lëshojnë një vërtetim për këtë denoncim.

2. Organi që lëshon lejedrejtimin, pasi i është paraqitur vërtetimi sipas pikës 1 dhe deklarata e marrjes së përgjegjësisë administrative, lëshon një dokument të përkohshëm drejtimi mjeti me afat maksimal 30 ditë.

3. Në rastet kur vërtetohet shkatërrimi i lejedrejtimit, kërkesa për dublikatin e tij mund të paraqitet menjëherë.

4. Pasi të kenë kaluar 30 ditë dhe dokumenti i humbur ose i vjedhur nuk është gjetur ose kthyer, i interesuari kërkon dublikatin e lejedrejtimit, duke paraqitur kërkesën përkatëse në zyrën që lëshon lejedrejtimet.


NENI 126 - RIVLERESIMI I LEJEDREJTIMIT TE MJETIT

1. Zyrat që lëshojnë lejedrejtimet mund të marrin vendim për t'i kaluar në vizitë mjekësore pranë komisionit mjekësor lokal, sipas nenit 117, pika 4, ose për t'i marrë në provimin e aftësisë mbajtësit e lejedrejtimeve kur lindin dyshime për mosplotësimin prej tyre të kërkesave fizike a psikike të përcaktuara. Rezultati i vizitës mjekësore i njoftohet zyrës që lëshon lejedrejtimin për marrjen e masave të pezullimit ose të tërheqjes së lejedrejtimit, kur është e nevojshme.

2. Cilido që qarkullon pa iu nënshtruar verifikimeve ose provimeve sipas pikës 1, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. Të njëjtit sanksion i nënshtrohet cilido që qarkullon me mjet, megjithëse është deklaruar, pas verifikimeve shëndetësore të kryera sipas pikës 1, përkohësisht i paaftë ta drejtojë atë.

3. Për këto shkelje zbatohet edhe masa administrative plotësuese e tërheqjes së lejedrejtimit.


NENI 127 - PEZULLIMI I LEJEDREJTIMIT TE MJETIT

1. Lejedrejtimi pezullohet për një periudhë kohe të përcaktuar, si masë plotësuese administrative e ndalimit të drejtimit të mjetit, kur mbajtësi i lejedrejtimit ka shkelur një nga normat e sjelljes të treguara ose përcaktuara në kapitullin 5 për periudhën e kohës së parashikuar nga secila normë.

2. Lejedrejtimi pezullohet për një periudhë të papërcaktuar, kur gjatë verifikimeve shëndetësore për konfirmimin e vlefshmërisë ose për revizionet e kryera sipas nenit 126, rezulton një humbje e përkohshme e aftësive fizike dhe spikike të treguara në nenin 117. Në këto raste lejedrejtimi pezullohet derisa i interesuari të marrë një certifikatë nga komisioni mjekësor lokal që vërteton rifitimin e aftësive fizike dhe psikike të kërkuara. Për masat e mësipërme të pezullimit të lejedrejtimit, njoftohet zyra që e lëshon lejedrejtimin e mjetit.

3. Lejedrejtimi pezullohet nga organi epror i agjentit të policisë që ka tërhequr lejedrejtimin dhe, për lejedrejtimet e lëshuara nga një shtet i huaj, nga organi kompetent i pushtetit lokal i vendit ku është kryer shkelja, sipas pikës 1. Ky i fundit ia njofton masën e marrë autoritetit kompetent të shtetit që e ka lëshuar lejedrejtimin dhe e shënon, kur kjo është e mundur, në dokumentin e drejtimit të mjetit.

4. Kundër masës së pezullimit të lejedrejtimit lejohet ankim, brenda 20 ditësh, tek organet përkatëse të drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Kjo drejtori merr masa brenda 30 ditëve në vazhdim. Kur ankesa gjykohet e drejtë, të interesuarit i kthehet lejedrejtimi.


Neni 128 - ANULIMI I LEJEDREJTIMIT TE MJETIT

1. Lejedrejtimi anulohet nga organi që e ka lëshuar atë, kur mbajtësi i lejedrejtimit:

a) nuk zotëron në mënyrë të vazhdueshme kërkesat fizike dhe psikike të përcaktuara në nenin 117;
b) nuk plotëson më kërkesat morale të përcaktuara në nenin 118;
c) pasi i është nënshtruar revizionit sipas nenit 126, del tashmë i papërshtatshëm për drejtim mjeti;
d) ka kryer zëvendësimin e lejedrejtimit të vet me lejedrejtimin e lëshuar nga një shtet i huaj.

2. Kur nuk ekzistojnë më motivet që kanë përcaktuar marrjen e masës për anulimin e lejedrejtimit, i interesuari mund të procedojë drejtpërsëdrejti, duke dhënë provimet dhe duke bërë verifikimin e kërkesave fizike e psikike të parashikuara për konfirmimin e vlefshmërisë, me marrjen e një lejedrejtimi të një kategorie jo më të lartë se sa ajo e lejedrejtimit që i është anuluar, me kusht që të mos jenë vepruese kriteret e pranimit të parashikuara nga neni 115, për marrjen e lejedrejtimeve të kategorive C, D dhe E. Kufizimet në drejtimin e mjetit, sipas akteve në zbatim, vihen duke iu referuar datës së lëshimit të lejedrejtimit të anuluar.


NENI 129 - TRUPI DIPLOMATIK I HUAJ

1. Shkeljet e këtij Kodi, të kryera nga pjesëtarët e trupit diplomatik dhe konsullor të akredituar në Republikën e Shqipërisë, ose nga persona të tjerë që, në lidhje me këto shkelje, gëzojnë imunitet në kufijtë e parashikuar nga normat ndërkombëtare, sinjalizohen nga zyrat apo komandat nga varen ata që kanë konstatuar shkeljen Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila bën njoftimet e nevojshme në rrugë diplomatike.

2. Për autoveturat dhe automjetet që përdoren për transport të përzier njerëzish dhe mallrash dhe që u përkasin pjesëtarëve të trupit diplomatik, pjesëtarëve të karrierës së konsullatave dhe personave të tjerë të treguar në pikën 1, Ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, me kërkesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke u mbështetur në normat në fuqi dhe mbi bazën e vizitave dhe provave të përcaktuara, lëshon lejeqarkullimin dhe merr masa për regjistrimin e tyre duke dhënë targa të veçanta njohjeje, sipas tipave dhe karakteristikave të caktuara me urdhëresë të ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, në marrëveshje me ministrin e Punëve të Jashtme.

3. Shkeljet e kryera gjatë drejtimit të mjeteve të pajisura me targa speciale sipas pikës 1 nga subjekte të ndryshme nga ato të treguara në pikën 1, ndiqen sipas procedurave të zakonshme ligjore, si dhe bëhen njoftimet përkatëse në rrugë diplomatike për titullarin e automjetit.

4. Vlefshmëria e targave speciale të njohjes dhe e lejeqarkullimeve të lëshuara sipas normave të pikës 2, skadon në momentin që pushon statusi diplomatik i atij që i përket automjeti. Kthimi i targave dhe i lejeve përkatëse duhet të bëhet brenda 30 ditëve nga dita e skadimit.

5. Dispozitat e këtij neni zbatohen me kushtin e reciprocitetit, duke përjashtuar marrëveshjet e veçanta me organizatat ndërkombëtare.


NENI 130 - QARKULLIMI I MJETEVE TE RREGJISTRUARA NE SHTETET E HUAJA

1. Automjetet, motomjetet dhe rimorkiot e regjistruara në një shtet të huaj dhe që i kanë kryer formalitetet doganore, kur këto janë të parashikuara, lejohet të qarkullojnë në Shqipëri për një periudhë maksimale njëvjeçare, në bazë të dokumenteve të regjistrimit të shtetit të origjinës dhe lejes ndërkombëtare të qarkullimit.

2. Për qytetarët që banojnë në Shqipëri dhe për personat juridikë me qendër në Shqipëri, zbatohen dispozitat e nenit 93.

3. Targat e mjeteve të treguara në pikën 1 duhet të jenë qartësisht të lexueshme dhe të përmbajnë shenjën dalluese të regjistrimit të formuar nga numra arabë dhe nga shkronja latine të mëdha, sipas mënyrave që përcaktohen në aktet në zbatim.

4. Mosrespektimi i normave të pikës 1 sjell si pasojë ndalimin e hyrjes në territorin kombëtar.

5. Cilido që shkel dispozitat e pikës 1, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.


NENI 131 - SHENJA DALLUESE SHTETERORE E REGJISTRIMIT

1. Automjetet, motomjetet dhe rimorkiot të regjistruara në një shtet të huaj, kur qarkullojnë në Shqipëri, duhet të jenë të pajisura nga ana e prapme me shenjën dalluese të shtetit ku është bërë regjistrimi; shenja duhet të jetë sipas dispozitave të marrëveshjeve ndërkombëtare.

2. Në automjete, motomjete dhe rimorkio si vendase, ashtu edhe të huaja, që qarkullojnë në Shqipëri, është i ndaluar përdorimi i një shenje të ndryshme nga ajo e shtetit ku është regjistruar mjeti.

3. Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masën administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë.


NENI 132 - QARKULLIMI I AUTOMJETEVE DHE MOTOMJETEVE QE U PERKASIN QYTETAREVE SHQIPTARE ME BANIM JASHTE VENDIT OSE TE HUAJVE .

1. Për automjetet, motomjetet dhe rimorkiot e importuara përkohësisht ose të reja nga fabrika të blera për eksportim, që kanë përmbushur formalitetet doganore, kur duhet, dhe që i përkasin qytetarëve shqiptarë me banim jashtë shtetit ose të huajve që kalojnë nëpër Shqipëri, lëshohet një leje qarkullimi me një kohëzgjatje maksimale 15-ditore, duke përjashtuar ndonjë shtyrje të mundshme afati, si dhe një targë e veçantë njohjeje, siç përcaktohet në aktet në zbatim.

2. Cilido që qarkullon me një lejeqarkullimi që sipas pikës 1 i ka skaduar afati, ndëshkohet me masën administrative me gjobë nga pesë mijë deri në njëzet mijë lekë. Kjo shkelje dënohet edhe me masën administrative plotësuese me konfiskimin e mjetit.


NENI 133 - QARKULLIMI ME LEJEDREJTIME TE LESHUARA NGA SHTETE TE HUAJA

1. Drejtuesit e pajisur me lejedrejtimi ose me lejedrejtimi ndërkombëtare, të lëshuara nga një shtet i huaj, mund të drejtojnë në Shqipëri mjete, për të cilat është e vlefshme lejedrejtimi ose lejedrejtimi ndërkombëtar i tyre, me kusht që të mos jenë banues në Shqipëri për më shumë se një vit.

2. Kur lejedrejtimi ose lejedrejtimi ndërkombëtar të lëshuara nga shteti i huaj nuk janë në përputhje me modelet e përcaktuara në marrëveshjet ndërkombëtare, në të cilat ka marrë pjesë Shqipëria, ato duhet të shoqërohen nga një përkthim zyrtar në gjuhën shqipe ose nga një dokument i barasvlershëm. Bëjnë përjashtim rastet e parashikuara me marrëveshje të veçanta ndërkombëtare.

3. Drejtuesit e mjeteve të pajisur me lejedrejtimi ose me lejedrejtimi ndërkombëtar të lëshuara nga një shtet i huaj, në të cilin për drejtimin e mjeteve të veçanta është parashikuar, gjithashtu, pajisja me një certifikatë aftësie profesionale ose me dëshmi të tjera aftësie, përveç lejedrejtimit ose lejedrejtimit ndërkombëtar të lëshuara nga ky shtet, duhet të pajisen, për drejtimin e mjeteve të sipërpërmendura, me dëshmitë e nevojshme të aftësisë, të dhëna nga autoriteti kompetent i shtetit ku është lëshur lejedrejtimi.

4. Cilido që shkel dispozitat e pikës 2 ose që drejton mjetin e pajisur me lejedrejtimi, por jo me certifikatën e aftësisë profesionale, kur kjo parashikohet, ndëshkohet me masën administrative me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.

5. Drejtuesit e mjeteve të pajisur me lejedrejtimi ose me lejedrejtimi ndërkombëtar, të lëshuara nga një shtet i huaj, janë të detyruar të zbatojnë të gjitha normat dhe rregullat e veprimit të përcaktuara në këtë Kod. Ndaj tyre zbatohen masat e parashikuara për mbajtësit e lejedrejtimit shqiptar.


NENI 134 - NJEVLEFSHMERIA E LEJEDREJTIMEVE TE LESHUARA NGA SHTETET E HUAJA DHE NGA SHTETET E KOMUNITETIT EUROPIAN

1. Mbajtësit e lejedrejtimit, gjatë kohës kur ajo është e vlefshme, e lëshuar nga një shtet anëtar i Komunitetit Europian, që kanë marrë lejen e banimit në Shqipëri, mund të marrin, me anë të një kërkese dhe të dorëzimit të lejedrejtimit të sipërpërmendur, lejedrejtimin e së njëjtës kategori për të cilën është e vlefshme lejedrejtimi i tyre, pa qenë nevoja të japin provimin e aftësisë sipas nenit 119. Lejedrejtimi i zëvendësuar i rikthehet, nga autoriteti shqiptar që ka lëshuar lejedrejtimin e ri, autoritetit të shtetit anëtar të Komunitetit Europian që e ka lëshuar. Të njëjtat dispozita zbatohen për certifikatën e aftësisë profesionale, pa tërhequr në këtë rast dokumentin e mëparshëm të aftësisë.

2. Dispozitat sipas pikës 1 zbatohen në kushte reciprociteti edhe për mbajtësit e lejedrejtimeve të lëshuara nga vende jokomunitare, përveç rasteve kur vendosen me marrëveshje ndërkombëtare.

3. Lëshimi i lejedrejtimeve për zëvendësimin e lejedrejtimeve të një shteti tjetër bëhet pas kontrollit paraprak të plotësimit të kërkesave psikike, fizike dhe morale, të përcaktuara përkatësisht nga nenet 117 dhe 118, të personit që ka bërë kërkesën. Kontrolli i aftësive psikike dhe fizike bëhet sipas normave të nenit 124, pika 5.

4. Verifikimi i aftësive psikike dhe fizike nuk kërkohet, kur vërtetohet se lëshimi i lejedrejtimit që do të zëvendësohet, lëshuar nga një shtet anëtar i Komunitetit Europian, është kushtëzuar nga plotësimi i kërkesave psikike dhe fizike të njëjta me ato të parashikuara nga normat në fuqi. Në këtë rast, për vlefshmërinë e lejedrejtimit të ri nuk mund të jepet një kohëzgjatje e tillë që të kalojë kufirin e përcaktuar për lejedrejtimin që do të zëvendësohet.

5. Në rastin kur kërkohet zëvendësimi, sipas pikave të mësipërme, i lejedrejtimit të lëshuar nga një shtet i huaj për zëvendësimin me një lejedrejtimi shqiptare, lëshohet një lejedrejtimi e re e kategorisë jo më të lartë se ajo origjinale.

6. Për ata që, pasi ka kaluar më shumë se një vit nga dita e marrjes së lejebanimit në Shqipëri, drejtojnë mjete me lejedrejtimi ose dokument tjetër aftësie të caktuar, të lëshuar nga një shtet i huaj, që nuk janë më të vlefshme, zbatohen masat e parashikuara për ata që drejtojnë mjete pa qenë të pajisur me lejedrejtimi, ose me certifikatën e aftësisë profesionale.

7. Për ata që, pasi kanë marrë lejebanimin në Shqipëri prej jo më shumë se një viti, drejtojnë mjete me lejedrejtimi ose me dokument tjetër aftësie, të lëshuara nga një shtet i huaj, të skaduar, ose për ata që, pasi ka kaluar më shumë se një vit nga dita e marrjes së lejebanimit në Shqipëri, drejtojnë mjete me dokumentet e mësipërme brenda afatit të vlefshmërisë, zbatohen masat e parashikuara për ata që drejtojnë mjete me lejedrejtimi shqiptare të pavlefshme.


NENI 135 - LEJE QARKULLIMI PER AUTOMJETE MOTOMJETE E RIMORKIO DHE LEJEDREJTIMI

1. Lejet ndërkombëtare për automjete, motomjete dhe rimorkio, të nevojshme për qarkullimin në shtetet, në të cilat, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, kërkohen dokumente të tilla, lëshohen nga organet e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, pas paraqitjes paraprake të dokumenteve kombëtare të qarkullimit.

2. Organet përkatëse lëshojnë lejedrejtimet ndërkombëtare, pas paraqitjes paraprake të lejedrejtimit.


NENI 136 - MJETE DHE DREJTUES MJETESH TE MINISTRISE SE MBROJTJES

1. Forcat e Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes marrin masa në mënyrë të drejtpërdrejtë në lidhje me mjetet e tyre për kontrollet teknike, regjistrimin ushtarak dhe për lëshimin e dokumenteve të qarkullimit e të targave të njohjes.

2. Mjetet e Ministrisë së Mbrojtjes, kur kalojnë kufijtë e përcaktuar në nenet 61 dhe 62, duhet të pajisen, për të qarkulluar në rrugë joushtarake, me një autorizim të veçantë që lëshohet nga komanda ushtarake, pasi të ketë marrë mendimin e enteve kompetente, në përputhje me sa parashikohet në nenin 10, pika 6. Për shoqërimin e mundshëm ngarkohet komanda kompetente e mësipërme.

3. Forcat e Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes marrin masa në mënyrë të drejtpërdrejtë në lidhje me personelin në shërbim:

a) për stërvitjen dhe verifikimin e aftësive të nevojshme për drejtimin e mjeteve, për provimin e aftësisë dhe për lëshimin e lejedrejtimit ushtarak, që vlen vetëm për drejtimin e mjeteve që i përkasin Forcave të Armatosura;
b) për lëshimin e certifikatave të aftësisë të mësuesve të teorisë dhe të instruktorëve të shkollës së drejtimit, që kanë lidhje me stërvitjen sipas shkronjës "a".

4. Mësuesit, instruktorët dhe drejtuesit të treguar në pikën 3, nuk janë subjekte për dispozitat e këtij kapitulli.

5. Ata që janë pajisur me lejedrejtimi ushtarak mund të fitojnë, pa dhënë provimin e aftësisë, lejedrejtimin për mjete të kategorive përkatëse, sipas tabelës së barasvlefshmërisë të përcaktuar nga ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, gjithmonë kur kërkesa paraqitet nëpërmjet autoritetit, nga i cili varen gjatë shërbimit ose jo më shumë se një vit nga data e lirimit ose e ndërprerjes së shërbimit.

6. Personeli i pajisur me dëshminë e instruktorit ushtarak si mësues i teorisë e praktikës për drejtimin e mjeteve, mund të bëjë konvertimin në certifikatën analoge të instruktorit civil për drejtimin e mjeteve pa dhënë provim dhe sipas mënyrave të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë përkatëse, me kusht që të interesuarit të bëjnë kërkesën brenda një viti nga data e lirimit ose e ndërprerjes së shërbimit.

7. Mjetet e larguara nga Forcat e Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes mund të riregjistrohen me targë civile nëpërmjet verifikimit paraprak të kërkesave të caktuara.

8. Karakteristikat e targave të njohjes së mjeteve me motor ose të atyre të tërhequra që i përkasin Forcave të Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes, përcaktohen me marrëveshje ndërmjet ministrisë, nga e cila varet arma ose trupa, dhe ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse.

9. Forcat e Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes marrin masa në mënyrë të drejtpërdrejtë për transportin rrugor të materialeve radioaktive dhe atyre të zbërthyeshme, duke vënë në zbatim të gjitha normat teknike dhe masat e sigurimit të përcaktuara për këtë qëllim nga normat në fuqi.

10. Për arsye të nevojave publike dhe të përdorimit të tyre në shërbim të institucionit, mjetet e transportit kolektiv ushtarak, që u takojnë kategorive M2 dhe M3, kthehen në mjete të përshtatshme për transportin publik.

11. Cilido që, duke qenë i pajisur me lejedrejtimi ushtarak, drejton një mjet të regjistruar me targë civile, ndëshkohet me masat e parashikuara në nenin 123, pika 3.


NENI 137 - LEJEDREJTIMI SHERBIMI PER PERSONELIN QE KRYEN SHERBIMIN E POLICISE RRUGORE

Personeli që është i pajisur me lejedrejtimi dhe kryen shërbimin e policisë rrugore të treguar në nenin 12, pika 1, për drejtimin e mjeteve të regjistruara vetëm për një përdorim të tillë duhet të pajiset me një lejedrejtimi të veçantë shërbimi, që tregon emrin dhe adresën e mbajtësit, të gjitha të dhënat e nevojshme për identifikimin e tij, kualifikimin dhe armën, zyrën ose komandën nga varet.


Faqe 7
faqe
- 8 -

Faqe 9