Jump to content

Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë/10

Nga Wikibooks

Shkeljet administrative dhe sanksionet përkatëse


Faqe 9
faqe
- 10 -

Faqe 11
PJESA E I - Shkeljet administrative që ndëshkohen me masa administrative me gjobë dhe zbatimi i këtyre të fundit
NENI 192 - Dispozita të karakterit të përgjithshëm

Në të gjitha rastet në të cilat ky kod parashikon që një shkelje e caktuar ndëshkohet me masë administrative me gjobë, zbatohen dispozitat e përgjithshme të ligjit për kundërvajtjet administrative, duke përjashtuar ndryshimet dhe shmangiet të parashikuara nga normat e këtij kreu.


NENI 193 - Përdorimi i masave administrative me gjobë

1. Masa administrative me gjobë konsiston në pagesën e një shume parash ndërmjet një kufiri minimal dhe një kufiri maksimal të përcaktuar për çdo normë, gjithmonë brenda kufirit të përgjithshëm minimal me dyqind e pesëdhjetë lekë dhe kufirit të përgjithshëm maksimal me dyqind mijë lekë. Ky kufi i përgjithshëm maksimal mund të kalohet vetëm kur bëhet fjalë për masa proporcionale, ose për shumë shkelje sipas nenit 196, ose në rastet e rishikimit sipas pikës 3.

2. Në vendosjen e masës administrative me gjobë të përcaktuar nga ky kod, ndërmjet një kufiri minimal dhe një kufiri maksimal i kushtohet vëmendje rëndësisë së shkeljes, punës së kryer nga personi për mënjanimin ose zbutjen e pasojave të shkeljes, si dhe personalitetit dhe kushteve të tij ekonomike.

3. Vlera e masave administrative me gjobë rishikohet çdo dy vjet në shkallë të njëjtë për gjithë ndryshimin e verifikuar nga ISTAT, me koeficientin e çmimeve të konsumit për familjet (mesatarja kombëtare) e verifikuar në dy vjetët paraardhës. Për këtë qëllim, brenda datës 1 dhjetor të çdo dyvjeçari, Ministria e Financave, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, cakton, duke ndjekur kriteret e mësipërme, kufijtë e rinj të masave administrative me gjobë që zbatohen nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Kufij të tillë mund të jenë ata maksimalë të treguar në pikën 1.


NENI 194 - PARIMI I SOLIDARITETIT

1. Për shkeljet e dënueshme me masa administrative me gjobë, pronari i mjetit, ose në vend të tij përdoruesi, blerësi me marrëveshje për kthimin e mjetit kur nuk paguhen këstet ose përdoruesi me qira, është i detyruar, solidarisht me autorin e shkeljes, të paguajë shumën, për të cilën këta janë të detyruar, në qoftë se nuk provon që qarkullimi i mjetit ka ndodhur kundër vullnetit të tij. Në rastin sipas nenit 83 përgjigjet solidarisht qiramarrësi.

2. Nëse shkelja është kryer nga persona të aftë për të kuptuar, por që janë nën autoritetin, drejtimin ose mbikëqyrjen e tjetërkujt, personi i veshur me autoritet ose i ngarkuar me drejtimin a mbikëqyrjen është i detyruar, solidarisht me autorin e shkeljes, të paguajë shumën që ai detyrohet, përveçse kur provon që nuk ka mundur të ndalojë kryerjen e aktit.

3. Në qoftë se shkelja kryhet nga përfaqësuesi ose nga varësi i një personi juridik ose i një enti a shoqate pa personalitet juridik, ose sidoqoftë nga një sipërmarrës në ushtrimin e detyrave a funksioneve të tij, personi juridik, enti ose shoqata a sipërmarrësi është i detyruar, solidarisht me autorin e shkeljes, të paguajë shumën që ky detyrohet.

4. Në rastet sipas pikave 1, 2 dhe 3, ai që ka derdhur shumën e përcaktuar për shkeljen, ka të drejtën e kthimit të plotë të saj nga ana e autorit të shkeljes.


NENI 195 - PJESEMARRJA E DISA NJEREZVE NE SHKELJE ADMINISTRATIVE

Kur shumë persona marrin pjesë në një shkelje, për të cilën është vendosur një masë administrative me gjobë, secili prej tyre i nënshtrohet masës së parashikuar për këtë shkelje, përveçse kur ligji vendos ndryshe.


Neni 196 - Shkeljet e disa normave që parashikojnë masa administrative me gjobë

1. Përveçse kur përcaktohet ndryshe në ligj, ai që me një veprim ose moszbatim shkel disa dispozita që parashikojnë masa administrative me gjobë, ose kryen shumë shkelje të së njëjtës dispozitë, i nënshtrohet masës së parashikuar për shkeljen më të rëndë të rritur deri në tri herë.

2. Duke shfuqizuar përmbajtjen e pikës 1, në zonat këmbësore urbane dhe në zonat me trafik të kufizuar, shkelësi i ndalimeve të hyrjes dhe i detyrimeve dhe ndalimeve a kufizimeve të tjera të veçanta i nënshtrohet masave të parashikuara për çdo shkelje të veçantë.


NENI 197 - MOSKALIMI I GJOBES TE TRASHEGIMTARET

Detyrimi i pagesës për masat administrative me gjobë nuk i transmetohet trashëgimtarëve.


NENI 198 - PERCAKTIMI DHE VERBALIZIMI I SHKELJEVE

1. Shkelja, kur është i mundur përcaktimi i përgjegjësisë, duhet t'i ngarkohet menjëherë si shkelësit, ashtu edhe personit që është i detyruar solidarisht të paguajë shumën e duhur.

2. Për përcaktimin e shkeljes duhet të hartohet procesverbali që përfshin edhe deklaratat që të interesuarit kërkojnë të shkruhen. Në rregullore tregohet modeli përkatës.

3. Një kopje e procesverbalit duhet t'i jepet shkelësit dhe, kur është i pranishëm, personit solidar të detyruar.

4. Një kopje e procesverbalit dorëzohet menjëherë në zyrën ose komandën, nga e cila varet agjenti verifikues.


NENI 199 - NJOFTIMI I SHKELJEVE

1. Kur nuk mund të përcaktohet menjëherë autori i shkeljes, procesverbali me të dhënat e sakta dhe të detajuara të shkeljes dhe me tregimin e motiveve që kanë bërë të pamundur përcaktimin e menjëhershëm, duhet, brenda 30 ditëve nga verifikimi i shkeljes, t'i njoftohet shkelësit përkatës ose, kur ky nuk është identifikuar dhe bëhet fjalë për shkelje të kryer nga drejtuesi i një mjeti me motor, i pajisur me targë njohjeje, njërit prej subjekteve të treguara në nenin 194, që rezulton nga regjistrat përkatës në datën e verifikimit. Kur bëhet fjalë për ciklomotorin njoftimi duhet t'i bëhet subjektit përgjegjës të qarkullimit sipas nenit 96, pika 1, shkronja "b". Kur shkelësi ose një tjetër nga subjektet e treguara identifikohet më vonë, njoftimi mund t'u bëhet atyre brenda 30 ditëve nga identifikimi.

2. Për banuesit jashtë vendit njoftimi duhet të kryhet brenda 360 ditëve nga verifikimi i shkeljes. Kur banimi ose vendbanimi i subjektit, të cilit duhet t'i bëhet njoftimi, nuk njihen, ky njoftim nuk është i detyrueshëm t'i bëhet këtij subjekti dhe i bëhet subjekteve të tjera sipas pikës 1.

3. Njoftimi bëhet nëpërmjet organeve të treguara në nenin 12, ose nga korrierët komunalë, me mënyrat e parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile, apo nëpërmjet postës, sipas normave për njoftimet nëpërmjet shërbimit postar. Sidoqoftë njoftimet quhen të kryera me korrektësi kur bëhen në rezidencën ose vendbanimin e subjektit, që rezulton nga lejeqarkullimi ose nga arkivi kombëtar i mjeteve apo nga lejedrejtimi i drejtuesit të mjetit.

4. Shpenzimet e verifikimit dhe të njoftimit i ngarkohen personit që është i detyruar të paguajë gjobën administrative.

5. Subjekti, njoftimi i të cilit nuk kryhet brenda periudhës kohore të përcaktuar, nuk është më i detyruar të paguajë gjobën administrative.


NENI 200 - MASA E GJOBES NE VEND

Masa e gjobës në vend për kundërvajtjet e parashikuara në nenet e këtij Kodi jepet nga agjenti verifikues me një shumë deri në pesë mijë lekë.


NENI 201 - SHQYRTIMI I KUNDERVAJTJES TEK ORGANIZMI ADMINISTRATIV

Kundërvajtjet sipas këtij Kodi shqyrtohen sipas rastit (me përjashtim të rasteve të nenit 200) nga organi administrativ shtetëror, në territorin e të cilit është efektiv agjenti verifikues, i cili merr vendimin përkatës.


NENI 202 - ANKIM TEK ORGANET GJYQESORE

Kundër vendimit të dënimit sipas nenit 201 nga organi administrativ shtetëror mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve nga dita e shpalljes në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja, vendimi i së cilës është i formës së prerë.


NENI 203 - VJELJA E GJOBAVE ADMINISTRATIVE

1. Të ardhurat nga masat administrative me gjobë për shkeljet e parashikuara nga nenet e këtij Kodi, paguhen nga kundërvajtësi brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formën e prerë. Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditë vonesë, paguhet 2 për qind kamatë deri në një muaj. Kur gjoba nuk paguhet ose nuk nxirret dot nga të ardhurat e shkelësit, për rastet e drejtuesit të mjetit me motor, bëhet ndalimi i mjetit deri në tre muaj dhe pas këtij afati bëhet shitja e mjetit me ankand, duke i dhënë diferencën në lekë shkelësit.

2. Në të gjitha rastet e parashikuara me gjobë, arkëtimi i vleftës do të bëhet brenda 5 ditëve në zyrat administrative të përcaktuara.

3. Të ardhurat nga gjobat për shkeljet e parashikuara nga ky kod i kalojnë në masën 60 për qind organit që ka verifikuar shkeljen. Këto të ardhura do të përdoren për përmirësimin e shërbimit në zbatim të këtij Kodi, kurse 40 për qind i kalojnë shtetit. Kalimi i të ardhurave në buxhet bëhet sa herë që derdhen para në bankë, duke respektuar raportin e lartpërmendur.


NENI 204 - PARASHIKIMI

Parashkrimi i së drejtës për vjeljen e shumave të detyruara nga masat administrative me gjobë për shkeljet e parashikuara nga ky Kod, është rregulluar me ligjin Nr. 7697, datë 7.4.1993 "Për kundërvajtjet administrative".


NENI 205 - MJETE RRUGORE TE RREGJISTRUARA JASHTE SHTETIT OSE TE PAJISURA ME TARGE PER TE HUAJT

1. Kur me një mjet të regjistruar jashtë shtetit ose të pajisur me targë për të huajt shkelet një dispozitë e këtij Kodi, e cila ndëshkohet me masë administrative me gjobë, shkelësi lejohet të kryejë menjëherë, në duart e agjentit verifikues, pagesën. Agjenti i transmeton komandës ose zyrës së tij procesverbalin dhe shumën e vjelur dhe i jep faturën shkelësit, duke shënuar pagesën në kopjen e procesverbalit që ia dorëzon shkelësit në fjalë.

2. Kur shkelësi nuk kryen, për çfarëdolloj motivi, pagesën në duart e agjentit verifikues, ose kur shkelja dënohet edhe me një masë administrative plotësuese, ai duhet t'i derdhë agjentit verifikues, si garanci, një shumë të barabartë me gjysmën e maksimumit të masës administrative me gjobë të parashikuar për shkeljen. Në vend të derdhjes së garancisë së mësipërme, shkelësi mund të dorëzojë dokumentin e caktuar të dorëzanisë që garanton pagesën e shumës së duhur. Për derdhjen e garancisë, ose për dorëzimin e dokumentit të caktuar të dorëzanisë, bëhet shënim në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes. Si njëri ashtu edhe tjetri dorëzohen në komandën ose zyrën, nga e cila varet verifikuesi.

3. Në mungesë të derdhjes së shumës për garanci ose të paraqitjes së dokumentit garantues sipas pikës 2, bëhet tërheqja e menjëhershme e lejedrejtimit nga agjenti verifikues.


PJESA II - MASA ADMINISTRATIVE PLOTESUESE TE MASAVE ADMINISTRATIVE ME GJOBE
NENI 206 - MASA ADMINISTRATIVE PLOTESUESE TE MASAVE ADMINISTRATIVE ME GJOBE NE PERGJITHESI

1. Kur me normat e këtij Kodi vendoset që një masë administrative me gjobë të pasohet nga një masë plotësuese pa gjobë, kjo e fundit zbatohet sipas normave në vijim

2. Masat administrative plotësuese pa gjobë të parashikuara në këtë Kod ndahen në:

a) masa në lidhje me detyrimet për kryerjen e një veprimtarie të caktuar, ose për pezullimin a ndalimin e një veprimtarie të caktuar;
b) masa që kanë të bëjnë me mjetin;
c) masa që kanë të bëjnë me dokumentet e qarkullimit dhe lejedrejtimin;

3. Kur është parashikuar zbatimi i masës plotësuese të konfiskimit të mjetit, procesverbali i ngarkimit të shkeljes duhet t'i transmetohet brenda 10 ditëve organit administrativ, nga i cili varet agjenti verifikues.

4. Me patransmetueshmërinë e detyrimit të pagesës për masën administrative me gjobë lidhet edhe patransmetueshmëria e çfarëdo detyrimi tjetër që lidhet me masën plotësuese. Me vdekjen e personit të ngarkuar me gjobë ndërpritet çdo procedurë për ekzekutimin e saj. Në qoftë se i është sekuestruar mjeti ose tërhequr lejeqarkullimi ose lejedrejtimi, organi kompetent bën kthimin e menjëhershëm të mjetit trashëgimtarëve.


NENI 207 - MASE PLOTESUESE PER DETYRIMIN E RIVENDOSJES SE GJENDJES SE VENDIT OSE HEQJES SE VEPRES ABUZIVE

1. Kur me normat e këtij Kodi vendoset që një shkelje të pasohet me masën plotësuese me detyrimin e rivendosjes së gjendjes së vendit, ose me detyrimin e heqjes së veprave abuzive, agjenti verifikues bën shënimin në procesverbalin e ngarkimit që përpilohet sipas nenit 198 ose, në mungesë, në njoftimin e përcaktuar në nenin 199. Procesverbali i hartuar në këtë mënyrë përbën titull edhe për zbatimin e masës plotësuese.

2. Ankimi tek organi administrativ nga i cili varet agjenti verifikues, kundër masës administrative me gjobë shtrihet edhe për masën plotësuese. Zbatohen dispozitat e nenit 201. Në rastin kur nuk bëhet ankimi, zyra ose komanda, nga e cila varet agjenti verifikues, i transmeton kopjen e procesverbalit organit administrativ për shpalljen e urdhëresës sipas pikës 3, brenda 5 ditëve nga data e skadimit të afatit të ankimit.

3. Organi administrativ, në urdhëresën kundrejt shkelësit për pagesën e gjobës, e urdhëron, gjithashtu, të përmbushë detyrimin për rivendosjen e gjendjes së vendit ose heqjen e veprave abuzive, në afatin e caktuar që varet nga lloji i punëve që duhen kryer dhe gjendja e vendeve. Urdhëresa përbën titull ekzekutiv. Në rastin kur nuk bëhet ankim, urdhëresa e mësipërme shpallet nga organi administrativ brenda 5 ditëve nga marrja e komunikimit të zyrës ose komandës sipas pikës 2. Kryerja e punimeve bëhet nën kontrollin e entit pronar ose koncesioner të rrugës. Pasi kryen punimet, enti pronar i rrugës lajmëron menjëherë organin administrativ, i cili shpall urdhëresën për ndërprerjen e procedurës për përmbushjen e masës plotësuese. Urdhëresa u komunikohet shkelësit dhe entit pronar të rrugës.

4. Aty ku shkelësi nuk kryen në afat punimet, për të cilat është i detyruar, organi administrativ, pasi njoftohet nga enti pronar ose koncesioner i rrugës, i jep të drejtën këtij të fundit të kryejë punimet e mësipërme. Pas kryerjes së punimeve, enti pronar transmeton faturën e shpenzimeve të kryera dhe organi administrativ shpall urdhrin për pagesë. Kjo urdhëresë përbën titull ekzekutiv sipas ligjit.

5. Në rast se organi administrativ nuk e quan të bazuar verifikimin, urdhëresa për arkivim shtrihet edhe për masën plotësuese.

6. Ankimi sipas nenit 202 shtrihet edhe për masën plotësuese.


NENI 208 - MASA PLOTESUESE ME DETYRIMIN E PEZULLIMIT TE NJE VEPRIMI TE CAKTUAR.

1. Në rastin kur normat e këtij Kodi vendosin që një shkelje të ndëshkohet me masën plotësuese me detyrimin e pezullimit ose ndërprerjes së një veprimtarie të caktuar, agjenti verifikues bën shënimin në procesverbalin e ngarkimit që përpilohet sipas nenit 198, ose në njoftimin që kryhet sipas nenit 199. Procesverbali i hartuar në këtë mënyrë përbën titull edhe për zbatimin e masës plotësuese. Kjo masë, kur qarkullimi e kërkon, duhet të zbatohet menjëherë, përndryshe fillimi i ekzekutimit bëhet brenda 5 ditëve nga procesverbali ose nga njoftimi i tij. Ekzekutimi bëhet nën kontrollin e zyrës ose komandës, nga e cila varet agjenti verifikues.

2. Ankimi tek organi administrativ nga i cili varet agjenti verifikues, kundër masës administrative me gjobë shtrihet edhe për masën plotësuese. Zbatohen dispozitat e nenit 201. Kur organi administrativ hedh poshtë ankimin, urdhëron edhe zbatimin e masës plotësuese. Kur përkundrazi e quan të pabazuar verifikimin, urdhri për arkivim shtrihet edhe për masën plotësuese.

3. Ankimi i parashikuar në nenin 202 shtrihet edhe për masën plotësuese.

4. Kur shkelësi nuk përmbush detyrimin e tij sipas mënyrës dhe afatit të përcaktuar në pikën 1, zyra ose komanda e sipërpërmendur bën denoncimin e shkelësit për krimin sipas Kodit Penal dhe duke bërë lajmërimin paraprak të shkelësit në fjalë, merr masa, me agjentët ose organet e saj, për ekzekutimin me forcë të detyrimit. Për një ekzekutim të tillë hartohet procesverbali, që duhet t'u komunikohet organit administrativ dhe shkelësit. Shpenzimet e mundshme për ekzekutimin me forcë i ngarkohen shkelësit dhe për këtë merr masa organi administrativ me nxjerrjen e një urdhërese shtesë që përbën titull ekzekutiv.

5. Kur bëhet fjalë për një veprimtari të vazhdueshme që u nënshtrohet kushteve të caktuara të këtij Kodi, shkelësi mundet që më vonë t'i plotësojë kushtet e mësipërme; në një rast të tillë ai paraqet një kërkesë në zyrën ose komandën të përmendur në pikën 1 dhe kjo, pasi bën verifikimin për plotësimin e kushteve, lejon që veprimtaria e ndërprerë të rifillojë. Për këtë i komunikohet organit administrativ.


NENI 209 - MASA PARANDALUESE E SEKUESTRIMIT DHE MASA PLOTESUESE E KONFISKIMIT ADMINISTRATIV.

1. Në rastet kur ky Kod parashikon masën plotësuese të konfiskimit administrativ, organi i policisë që verifikon shkeljen, bën sekuestrimin e mjetit ose sendeve a objekteve të tjera që janë objekt i shkeljes, duke e shënuar këtë në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes.

2. Organi i policisë që vepron për sekuestrimin, bën lëvizjen e mjetit dhe e vendos atë në një territor të caktuar, të ruajtur sipas mënyrave të parashikuara nga aktet në zbatim. Për këtë bëhet shënimi në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes.

3. Në kundërshtim me masën e sekuestrimit lejohet ankimi tek organi administrativ, nga i cili varet agjenti verifikues, sipas nenit 201. Në rast të hedhjes poshtë të ankesës, sekuestrimi konfirmohet. Nëse verifikimi i shkeljes quhet i pabazuar, urdhëresa për arkivim përfshin edhe masën parandaluese dhe sjell heqjen e sekuestrimit për mjetin.

4. Kur kanë kaluar 5 ditë nga mospranimi i ankesës nga organi administrativ i përmendur në pikën 3 ose nga skadimi i afatit për ankesë tek organi administrativ, kur kjo nuk është paraqitur, ose nga skadimi i periudhës së caktuar të sekuestrimit, kur nuk është paraqitur kërkesa për heqjen e sekuestrimit, mjeti mund të shitet sipas mënyrave të parashikuara në aktet në zbatim. Çmimi i shitjes shërben për pagesën e gjobës, kur kjo nuk është bërë, si dhe të shpenzimeve të transportit e të ruajtjes së mjetit. Mbetja e mundshme i kthehet atij që i takon. Për objektet e tjera të sekuestruara, në vend të shitjes, bëhet shkatërrimi.

5. Masa e përcaktuar në pikën 1 nuk zbatohet kur mjeti u takon personave që nuk kanë lidhje me shkeljet administrative. Kur nga verifikimi i çështjes del që mjeti është pronë e personave që nuk kanë lidhje me shkeljen administrative, masa e sekuestrimit nuk zbatohet.

6. Masa, me të cilën vendoset konfiskimi i mjetit, komunikohet nga organi administrativ për të bërë shënimet në regjistrat përkatës.


NENI 210 - NDALIMI ADMINISTRATIV I MJETIT

1. Në rastet kur ky Kod parashikon masën plotësuese të ndalimit administrativ të mjetit, organi i policisë që verifikon shkeljen, merr masa për ta ndërprerë qarkullimin dhe për ta depozituar mjetin në vendin e caktuar të ruajtjes, sipas mënyrave të parashikuara nga aktet në zbatim. Për këtë bëhet shënimi në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes.

2. Mjeti i kthehet zotëruesit ose, kur shkelja kryhet nga persona që nuk kanë arritur moshën madhore, prindërve a personave madhorë të deleguar në mënyrë të posaçme, pas pagesës paraprake të shpenzimeve të transportit e të ruajtjes.

3. Për kthimin e mjetit hartohet procesverbali, një kopje e të cilit i jepet të interesuarit.

4. Kundër masës së ndalimit administrativ të mjetit lejohet ankimi tek organi administrativ sipas normave të nenit 201.

5. Kur ankesa pranohet dhe verifikimi i shkeljes deklarohet i pabazuar, urdhri shfuqizon masën administrative plotësuese dhe urdhëron kthimin e mjetit nga organi i policisë i treguar në pikën 1.

6. Kur është paraqitur ankesa sipas nenit 202, kthimi nuk mund të kryhet përpara vendimit të autoritetit gjyqësor që hedh poshtë masën e marrë.

7. Vendoset gjithmonë ndalimi administrativ i mjetit për një periudhë të njëjtë në rastet, në të cilat, sipas normave të këtij Kodi, merret masa e pezullimit të lejeqarkullimit dhe lejes së transportit. Ekzekutimi bëhet nga organet e policisë të përmendura në nenin 12, pika 1. Në aktet në zbatim përcaktohen mënyrat dhe format për zbatimin e kësaj mase plotësuese.


NENI 211 - MASA PLOTESUESE E HEQJES OSE BLLOKIMIT TE MJETIT

1. Kur sipas këtij Kodi parashikohet masa administrative plotësuese e heqjes së mjetit, kjo kryhet nga organet e policisë që verifikojnë shkeljen, të cilat marrin masa që mjeti, sipas normave të rregullores së ekzekutimit, të transportohet dhe ruhet në vende të përshtatshme. Zbatimi i masës plotësuese tregohet në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes të njoftuar në afatet e përcaktuara në nenin 199.

2. Mjetet e hequra sipas pikës 1 i kthehen pronarit, pas pagimit të shpenzimeve të ndërhyrjes, heqjes dhe ruajtjes, me mënyrat e parashikuara nga aktet në zbatim.

3. Në rastet kur lejohet bllokimi i mjeteve, kjo vendoset nga organet e policisë që verifikojnë shkeljen, sipas mënyrave të përcaktuara nga aktet në zbatim. Për bllokimin bëhet shënimi në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes të njoftuar sipas normave të nenit 199. Heqja e bllokimit kryhet me kërkesë të pronarit, pas pagimit të shpenzimeve të ndërhyrjes, bllokimit dhe heqjes së bllokimit, sipas mënyrave të përcaktuara në aktet në zbatim.

4. Me kalimin e 5 ditëve nga njoftimi i procesverbalit që përmban ngarkimin e shkeljes dhe shënimin e kryerjes së heqjes ose bllokimit të mjetit, gjatë të cilave pronari ose i interesuari i dokumentit të qarkullimit nuk janë paraqitur në zyrën, ose komandën nga e cila varet organi që ka kryer heqjen a bllokimin, mjeti mund të tjetërsohet ose të shkatërrohet sipas mënyrave të përcaktuara nga aktet në zbatim. Në rastin e tjetërsimit çmimi i tij shërben për pagesën e gjobës, kur kjo nuk është bërë, si dhe të shpenzimeve të heqjes, ruajtjes dhe bllokimit. Mbetja e mundshme i kthehet atij që ka të drejta mbi të.


NENI 212 - MASA PLOTESUESE E TERHEQJES SE DOKUMENTIT TE QARKULLIMIT TE TARGES OSE TE LEJEDREJTIMIT

1. Në rastet kur sipas këtij Kodi është përcaktur masa administrative plotësuese e tërheqjes së dokumenteve të qarkullimit dhe të certifikatës së pronësisë, ose të autorizimeve a licencave kur parashikohen, të targës, si dhe të lejedrejtimit, dokumenti tërhiqet, në rastin e verifikimit të shkeljes, nga organi verifikues dhe dërgohet, brenda ditës pasardhëse, në zyrat nga varet agjenti verifikues. Për tërheqjen bëhet shënimi në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes. Në aktet në zbatim janë përcaktuar mënyrat për lejimin e udhëtimit deri në endruajtje. Në rastet e tërheqjes së targës, bëhet ndalimi administrativ i mjetit sipas normave të nenit 210.

2. Rikthimi i dokumenteve mund të kërkohet nga i interesuari vetëm kur ka përmbushur detyrimet. Rikthimi kryhet nga entet e përmendura në pikën 1, pas verifikimit paraprak të përmbushjes së përcaktimeve të mësipërme.

3. Tërheqja dhe rikthimi i mëvonshëm shënohen në lejeqarkullimin ose në lejedrejtimin.

4. Ankimi tek organi administrativ, nga i cili varet agjenti verifikues i paraqitur sipas normave të nenit 201, shtrihet edhe për masën plotësuese. Në rast të mospranimit të ankimit, masa plotësuese konfirmohet. Nëse verifikimi quhet i pabazuar, kjo shtrihet edhe për masën plotësuese dhe i interesuari mund t'i kërkojë menjëherë entit të treguar në pikën 1 rikthimin e dokumentit.

5. Ankimi sipas nenit 202 shtrihet edhe për masën plotësuese.

6. Cilido që gjatë periudhës kur është tërhequr dokumenti, qarkullon në mënyrë abuzive me të njëjtin mjet, të cilit i referohet tërheqja e dokumentit, dënohet me arrest deri në 30 ditë dhe me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë.


NENI 213 - MASA PLOTESUESE E PEZULLIMIT TE LEJEQARKULLIMIT

1. Në rastet kur ky Kod parashikon masën plotësuese të pezullimit të lejeqarkullimit, kjo tërhiqet nga agjenti i policisë që verifikon shkeljen. Për tërheqjen bëhet shënimi në procesverbalin e ngarkimit. Agjenti verifikues lëshon një lejeqarkullimi të përkohshme të kufizuar për periudhën e kohës së nevojshme për çuarjen e mjetit në vendin e ruajtjes të treguar nga i interesuari, me shënim në procesverbalin e ngarkimit.

2. Agjenti i policisë që ka tërhequr lejeqarkullimin, e dërgon atë brenda ditës në komandën nga varet, e cila brenda 10 ditëve shpall urdhrin e pezullimit, duke treguar periudhën në të cilën shtrihet ai. Një periudhë e tillë, në kufijtë minimalë dhe maksimalë të caktuar në normat e veçanta, vendoset në varësi nga rëndësia e shkeljes së kryer, sasia e dëmeve që ka shkaktuar dhe nga rreziku që mund të shkaktojë qarkullimi i mëvonshëm. Vendimi i njoftohet të interesuarit. Periudha e pezullimit fillon nga dita në të cilën tërhiqet dokumenti sipas pikës 1. Kur vendimi i pezullimit nuk shpallet brenda 10 ditëve, mbajtësi mund ta marrë dokumentin nga zyra përkatëse.

3. Në përfundim të periudhës së përcaktuar në vendim, lejeqarkullimi i rikthehet të interesuarit nga zyra përkatëse.

4. Ankimi sipas nenit 202 shtrihet edhe për masën plotësuese.

5. Cilido që gjatë periudhës së pezullimit të lejeqarkullimit qarkullon në mënyrë abuzive me të njëjtin mjet, dënohet me arrest deri në 30 ditë dhe me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë. Zbatohet masa administrative plotësuese e heqjes së lejedrejtimit.


NENI 214 - MASA PLOTESUESE E PEZULLIMIT TE LEJEDREJTIMIT

1. Në rastet kur ky Kod parashikon masën administrative plotësuese të pezullimit të lejedrejtimit për një periudhë të caktuar, lejedrejtimi tërhiqet nga agjenti i policisë që verifikon shkeljen. Për tërheqjen bëhet shënimi në procesverbalin e ngarkimit të shkeljes. Agjenti verifikues lëshon një leje provizore për drejtimin e mjetit të kufizuar për periudhën e nevojshme për çuarjen e mjetit në vendin e ruajtjes të treguar nga i interesuari, me shënim në procesverbalin e ngarkimit.

2. Agjenti i policisë që ka tërhequr lejedrejtimin e dërgon atë brenda ditës në organin epror të tij, i cili brenda 10 ditëve shpall urdhëresën e pezullimit, duke treguar aty periudhën në të cilën shtrihet ky pezullim. Një periudhë e tillë, në kufijtë minimalë dhe maksimalë të caktuar në normat e veçanta, vendoset në varësi nga rëndësia e shkeljes së kryer, sasia e dëmeve që ka shkaktuar dhe nga rreziku që mund të shkaktojë qarkullimi i mëvonshëm. Vendimi i njoftohet menjëherë të interesuarit dhe i komunikohet zyrës përkatëse. Periudha kohore e përcaktuar fillon nga data e tërheqjes. Kur vendimi i pezullimit nuk shpallet brenda 10 ditëve, mbajtësi mund të marrë lejen nga organi përkatës.

3. Kur normat e këtij Kodi vendosin që periudha e pezullimit të lejedrejtimit shtohet si pasojë e shkeljes së përsëritur të së njëjtës dispozitë të ligjit, organi i policisë që verifikon shkeljen e fundit dhe që nga shënimet në dosje konstaton qenien e shkeljeve të mëparshme, vepron sipas normave të pikës 1, duke treguar edhe në procesverbal dispozitën e zbatuar dhe numrin e pezullimeve paraardhëse; zbatohet, gjithashtu, pika 2. Kur qenia e pezullimeve të mëparshme konstatohet më vonë, organi administrativ vepron sipas normave të pikës 2.

4. Në përfundim të periudhës së caktuar të pezullimit, lejedrejtimi i kthehet personit, të cilit i është tërhequr.

5. Cilido që gjatë periudhës së pezullimit të lejedrejtimit, qarkullon në mënyrë abuzive, dënohet me arrest deri në 30 ditë dhe me gjobë nga dhjetë mijë deri në dyzet mijë lekë; zbatohet edhe masa administrative plotësuese e heqjes së lejedrejtimit.


NENI 215 - HEQJA E LEJEDREJTIMIT

1. Kur sipas normave të këtij Kodi parashikohet masa administrative e heqjes së lejedrejtimit, masa e heqjes së lejedrejtimit shpallet nga organi që e ka verifikuar shkeljen.

2. Në një rast të tillë organi, zyra ose komanda që verifikon qenien e një prej kushteve, për të cilat ligji parashikon masën administrative të heqjes së lejedrejtimit, jep vendim brenda 10 ditëve. Për këtë vendim njofton degën e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor që ka lëshuar lejedrejtimin, për të bërë evidencimin.

3. Kundër masës së heqjes së lejedrejtimit lejohet ankimi tek organi epror i agjentit verifikues. Brenda 20 ditëve nga komunikimi i vendimit sipas pikës 2, organi epror vendos në 30 ditët pasardhëse. Në qoftë se ankesa pranohet, masa administrative bie poshtë dhe lejedrejtimi i kthehet të interesuarit; kthimi i komunikohet degës së Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor që e ka lëshuar lejedrejtimin, për efekte evidence.


Faqe 9
faqe
- 10 -

Faqe 11