Jeta dhe Vdekja/30
KUSH NA PREMTON USHQIMIN | ||||
---|---|---|---|---|
| ||||
Për t’a përforcuar edhe më shumë shembullin rreth faljes, mendoj se, para se të kryejmë namazin, kemi nevojë për ca kafshata buke. Jo shumë, por aq sa të jemi në gjendje t’a kryejmë rukunë ose sexhden[1]. Pra, marrja e një kafshate buke na jep fuqi për t’a bërë këtë. Për sigurimin e kësaj panineje buke që e blejmë në dyqan, duhet një tregim i gjatë, që merr me vete një mal angazhime ose punë (të shumë e shumë njerëzve). Duhet filluar nga mbjellja e grurit, korrje-shirjet, transporti për në mulli, deri sa ai të bëhet miell. Pastaj mielli duhet bërë brum, e ai brum pastaj duhet bërë bukë, e pastaj bukët transportohen deri në dyqan për t’i blerë ne.
Pra, po shohim se duhen punë jashtëzakonisht të mëdha, derisa të bëhemi të gatshëm për t’a kryer një namaz. Nëse do të qëndronim të gjithë në xhami për t’u falur, e nuk do të merreshim me punë të tjera, kush do të na sillte një copë bez (arën) për t’a mbuluar trupin, ose një panine buke për t’a mbajtur shpirtin gjallë!? Pra, ajo që është e domosdoshme duhet t’a kryejmë si vepër të domosdoshme. Për këtë arsye themi se adhurimi na bën të jemi të gjithë në lëvizje. Përderisa All-llahu e do njeriun që t’a adhurojë Atë, Ai do që njeriu t’i lutet në shtëpi, në zyrë, në xhami, në rrugë. Me fjalë të tjera, Ai e do njeriun që t’i lutet në secilën lëvizje që bën ai në jetën e tij. Islami është nxitës i edukimit të përgjithshëm, përderisa ka bërë që njeriu edhe në rrugë të jetë i sjellshëm dhe i edukuar. Vërtet, All-llahu sevapet i ka shpërndarë tek të gjitha lëvizjet, ose angazhimet e jetës. Programin të cilin e ka përpiluar All-llahu e ka bërë të tillë, që çdo gjë të ketë lëvizje të përgjithshme. E shpërblen atë që e viziton të sëmurin, atë që gjykon me drejtësi ndërmjet njerëzve, atë që i bën një të mirë fqinjit të tij, atë që pastron ose largon ndonjë pengesë nga rruga, atë që ndihmon të hendikepuarin për t’a kapërcyer rrugën, atë që kujdeset për shtëpinë dhe fëmijët, atë që u kryen me edukatë shërbime njerëzve, atë që e largon të keqen, atë që është fjalëdrejtë dhe këshillues i paanshëm, atë që ndihmon të tjerët, atë që ka dalë të kërkojë punë për riskun e fëmijëve të tij, atë që bëhet shkaktar për të penguar ndonjë krim dhe atë që urdhëron për vepra dobiprurëse. Të gjitha këto dhjetëramijëra vepra nuk janë në shtyllat e Islamit, por të gjitha këto kanë shpërblime. Nëse ne, në lëvizjen tonë jetësore, përqëndrohemi vetëm në këto pesë dispozita të Islamit, ne jemi duke e penguar veten nga 90 % të sevapeve të cilat i ka paraparë All-llahu për ne. Përderisa Vetë i Lartmadhëruari ka thënë: “Nuk i krijova xhinn-ët dhe njerëzit, përveçse që të më adhuro-jnë...” patjetër, duhet të kuptohet se i gjithë programi i Tij është adhurim. Programi është ai i cili e komandon lëvizjen e besimtarit në botë. Secila lëvizje në gjithësi është adhurim, përderisa me të ka për qëllim që të dalë para All-llahut të Lartmadhëruar. | ||||
|