Jump to content

Hebrenjve - Kapitulli 6

Nga Wikibooks
Dhjata e Re
< HEBRENJVE >
Kapitulli 6
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13


1 Prandaj, duke e lënë fjalën e fillimit të Krishtit, le të synojmë përkryerjen, pa hedhur përsëri themel pendimi nga vepra të vdekura dhe nga besimi te Perëndia,

2 nga doktrina për pagëzimet, të vënies së duarve, të ringjalljes të të vdekurve dhe të gjyqit të përjetshëm;

3 dhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia.

4 Sepse ata që janë ndriçuar një herë, e shijuan dhuntinë qiellore dhe u bënë pjestarë të Frymës së Shenjtë,

5 dhe shijuan fjalën e mirë të Perëndisë dhe mrrekullitë e jetës së ardhshme,

6 dhe po u rrëzuan, është e pamundur t'i sjellësh përsëri në pendim, sepse ata, për vete të tyre, e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë.

7 Sepse toka, që pi shiun, i cili bie shpesh mbi të dhe prodhon barëra të dobishme për ata që e punojnë, merr bekim nga Perëndia;

8 kurse, po të prodhojë ferra e murriza, shahet edhe afër mallkimit dhe fundi i vet është për t'u djegur.

9 Dhe ndonëse flasim kështu, ne, o të dashur, lidhur me ju jemi të bindur për gjëra më të mira dhe që i takojnë shpëtimit;

10 sepse Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën dhe mundimin tuaj të dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbesën që u bëtë dhe po u bëni shenjtorëve.

11 Dhe dëshirojmë që secili nga ju të tregojë deri në fund të njëjtin zell për të arritur në sigurimin e plotë të shpresës,

12 që të mos bëheni përtacë, por t'u përngjani atyre që nëpërmjet besim dhe durim trashëgojnë premtimet.

13 Sepse kur Perëndia i dha premtimin Abrahamit, duke qenë se s'kishte ndonjë më të madh që të përbetohej, bëri be me veten e tij

14 duke thënë: "Sigurisht do të të bekoj dhe do të të shumoj fort".

15 Dhe kështu Abrahami, duke pritur me durim, fitoi premtimin.

16 Sepse njerëzit bëjnë be për dikë që është më i madh, dhe në këtë mënyrë betimi për ta është garancia që i jep fund çdo mosmarrëveshjeje.

17 Kështu Perëndia, duke dashur t'u tregojë trashëgimtarëve të premtimit në mënyrë më të qartë palëkundshmërinë e vendimit të tij vuri ndërmjetës betimin,

18 që me anë të dy gjërave të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur të Perëndia të gënjejë, të kemi trimërim të madh ne, që kemi kërkuar strehë duke u kapur nga shpresa që na u vu përpara.

19 Kjo shpresë që ne kemi është si një spirancë e sigurt dhe e patundur, dhe që hyn deri në brendësinë e velit,

20 ku ka hyrë Krishti, si pararendës për ne, pasi u bë kryeprift në amshim sipas rendit të Melkisedekut.