Jump to content

Hebrenjve - Kapitulli 3

Nga Wikibooks
Dhjata e Re
< HEBRENJVE >
Kapitulli 3
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13


1 Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjestarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë, Jezu Krishtin,

2 i cili është besnik ndaj atij që e bëri, ashtu si qe edhe Moisiu në tërë shtëpinë e tij.

3 Sepse Jezusi është i denjë për më shumë lavdi se Moisiu, meqenëse ai që ndërton shtëpinë ka më shumë nder se shtëpia.

4 sepse çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt, por ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia.

5 Dhe Moisiu qe me të vërtetë besnik në shtëpinë e Perëndisë si shërbëtor, për të dëshmuar për të gjitha gjërat që duheshin thënë,

6 por Krishti, si bir, është mbi shtëpinë e tij dhe shtëpia e vet jemi ne, në qoftë se e mbajmë deri në fund guximin dhe mburrjen e shpresës.

7 Prandaj, sikurse thotë Fryma e Shenjtë: "Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij,

8 mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në provokim, në ditën e tundimit në shkretëtirë,

9 ku etërit tuaj më tunduan duke më vënë në sprovë, ndonëse i kishin parë veprat e mia dyzet vjet.

10 Prandaj u indinjova me atë brez dhe thashë: Gabojnë gjithnjë me zemër dhe nuk i njohën udhët e mia;

11 kështu u betova në mërinë time: Nuk do të hyjnë në prehjen time".

12 Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë,

13 por nxitni njeri tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: "Sot", që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit.

14 Sepse ne jemi bërë pjestarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit,

15 kur thuhet: "Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes".

16 Kush janë ata që, mbasi e dëgjuan, e provokuan? A thua jo të gjithë ata që dolën nga Egjipti me anë të Moisiut?

17 Dhe kush qenë ata me të cilët u zemërua për dyzet vjet? A s'qenë vallë ata që mëkatuan, kufomat e të cilëve ranë nëpër shkretëtirë?

18 Dhe për cilët bëri be se nuk do të hynin në prehjen e tij, veç se për ata që qenë të pabindur?

19 Ne shohim se ata nuk mundën të hyjnë për shkak të mosbesimit.