Gjyqtarët - Kapitulli 11
|
1 Jefteu, Galaaditi, ishte një njeri i fortë dhe trim, bir i një prostitute dhe i Galaadit.
2 Bashkëshortja e Galaadit i lindi bij të tjerë; kur bijtë e gruas së tij arritën në moshën madhore, ata e dëbuan Jefteun dhe i thanë: "Ti nuk do të kesh trashëgimi në shtëpinë e atit tonë, sepse je biri i një gruaje tjetër".
3 Atëherë Jefteu iku larg vëllezërve të tij dhe u vendos në vendin e Tobit. Rreth Jefteut u mblodhën njerëz pa asnjë vlerë, që kryenin sulme bashkë me të.
4 Pas një farë kohe bijtë e Amonit i shpallën luftë Izraelit.
5 Kur bijtë e Amonit filluan luftën kundër Izraelit, pleqtë e Galaadit shkuan ta kërkojnë Jefteun në vendin e Tobit;
6 dhe i thanë Jefteut: "Eja me ne dhe bëhu kapidani ynë, për të luftuar kundër bijve të Amonit".
7 Por Jefteu iu përgjegj pleqve të Galaadit duke thënë: "A nuk më keni urryer dhe dëbuar nga shtëpia e atit tim? Pse vini tani tek unë kur jini keq?".
8 Pleqtë e Galaadit i thanë Jefteut: "Pikërisht për këtë jemi kthyer tani te ti, me qëllim që ti të vish me ne për të luftuar kundër bijve të Amonit, dhe të vihesh në krye të gjithë banorëve të Galaadit".
9 Atëherë Jefteu iu përgjegj pleqve të Galaadit: "Në qoftë se më ktheni tek ju për të luftuar kundër bijve të Amonit, dhe Zoti i lë në pushtetin tim, unë do të bëhem komandanti juaj".
10 Pleqtë e Galaadit i thanë Jefteut: "Zoti le të jetë dëshmitar midis nesh, në rast se nuk veprojmë ashtu si ke thënë ti".
11 Pastaj Jefteu shkoi tek pleqtë e Galaadit dhe populli e zgjodhi komandant dhe udhëheqës të tij; dhe Jefteu përsëriti para Zotit në Mitspah tërë fjalët që pati thënë më parë.
12 Pastaj Jefteu i dërgoi lajmëtarë mbretit të bijve të Amonit për t'i thënë: "Çfarë ka midis teje dhe meje, që ti të vish e të bësh luftë në vendin tim?".
13 Mbreti i bijve të Amonit iu përgjegj me këto fjalë lajmëtarëve të Jefteut: "Sepse, kur Izraeli doli nga Egjipti, ai pushtoi vendin tim, nga Arnoni deri në Jabok dhe në Jordan. Tani, pra, m'i kthe këto toka në mënyrë miqësore".
14 Jefteu i dërgoi përsëri lajmëtarë mbretit të bijve të Amonit për t'i thënë:
15 "Kështu thotë Jefteu: Izraeli nuk shtiu në dorë as vendin e Moabit, as vendin e bijve të Amonit;
16 por kur Izraeli doli nga Egjipti dhe kapërceu shkretëtirën deri në Detin e Kuq dhe arriti në Kadesh,
17 i dërgoi lajmëtarë mbretit të Edomit për t'i thënë: "Të lutem më lër të kaloj nëpër vendin tënd"; por mbreti i Edomit nuk pranoi. I dërgoi lajmëtarë edhe mbretit të Moabit, por edhe ky nuk pranoi. Kështu Izraeli mbeti në Kadesh.
18 Duke ecur pastaj nëpër shkretëtirë, shkoi rreth vendit të Edomit dhe vendit të Moabit e arriti në lindje të vendit të Moabit; dhe ngriti kampin e tij matanë Arnonit, pa hyrë të territorin e Moabit, sepse Arnoni përfaqëson kufirin e Moabit.
19 Pastaj Izraeli i dërgoi lajmëtarë Sihonit, mbretit të Amorejve, dhe të Heshbonit, dhe i tha: "Të lutemi, na lër të kalojmë nëpër vendin tënd për të arritur në tonin".
20 Por Sihoni nuk pati besim ta lërë të kalojë Izraelin nëpër territorin e tij; përkundrazi Sihoni i mblodhi gjithë njerëzit e tij të cilët u vendosën në Jahats dhe luftoi kundër Izraelit.
21 Por Zoti, Perëndia i Izraelit e dha Sihonin dhe gjithë njerëzit e tij në duart e Izraelit, që i mundi; kështu Izraeli pushtoi tërë vendin e Amorejve, që banonin në atë krahinë;
22 pushtoi tërë territorin e Amorejve, nga Arnoni në Jabok dhe nga shkretëtira deri në Jordan.
23 Dhe tani që Zoti, Perëndia i Izraelit, ka dëbuar Amorejtë përpara popullit të Izraelit, ti dëshëron të zotërosh vendin e tyre?
24 A nuk zotëron ti atë që Kemoshi, zoti yt, të ka dhënë në zotërim? Kështu edhe ne do të zotërojmë vendin e atyre që Zoti ka dëbuar para nesh.
25 Mos je ti, vallë, më i mirë se Balaku, bir i Tsiporit dhe mbret i Moabit? A pati ndofta mosmarrëveshje me Izraelin, apo i bëri luftë?
26 Kaluan treqind vjet që Izraeli banon në Heshbon dhe në fshatrat e tij përreth, në Aroer dhe në fshatrat e tij përreth dhe në të gjitha qytetet mbi brigjet e Arnonit; pse nuk ja keni marrë gjatë kësaj kohe?
27 Prandaj unë nuk të kam bërë asnjë padrejtësi dhe ti sillesh keq me mua duke më bërë luftë. Zoti, gjyqtari, le të vendosë sot drejtësinë midis bijve të Izraelit dhe bijve të Amonit!".
28 Por mbreti i bijve të Amonit nuk mori parasysh fjalët që Jefteu i kishte dërguar.
29 Atëherë Fryma e Zotit erdhi mbi Jefteun dhe ai kaloi nëpër Galaadin dhe Manasin, arriti në Mitspah të Galaadit dhe që këtej lëvizi kundër bijve të Amonit.
30 Jefteu lidhi një kusht me Zotin dhe tha: "Në rast se ti më jep në duart e mia bijtë e Amonit,
31 çfarë të dalë nga dyert e shtëpisë sime për të më pritur kur të kthehem fitimtar nga bijtë e Amonit, do t'i përkasë Zotit dhe unë do t'ia ofroj si olokaust".
32 Këshu Jefteu marshoi kundër bijve të Amonit për t'u bërë luftë, dhe Zoti ia dha në dorë.
33 Ai i mundi duke bërë një masakër të madhe, nga Aroeri deri në drejtim të Minithit (duke u marrë njëzet qytete) dhe deri në Abel-Keramim. Kështu bijtë e Amonit u poshtëruan përpara bijve të Izraelit.
34 Pastaj Jefteu u kthye në shtëpinë e tij, në Mitspah; dhe ja që i doli për ta pritur e bija me dajre dhe valle. Ajo ishte bija e vetme e tij, sepse ai nuk kishte djem ose vajza të tjera.
35 Sa e pa, grisi rrobat e tij dhe tha: "Oh, bija ime, ti po më bën shumë fatkeq, ti po më sjell mjerim! Unë i kam dhënë fjalën Zotit dhe nuk mund të tërhiqem".
36 Ajo i tha: "O atë, në rast se i ke dhënë fjalën Zotit, vepro me mua simbas fjalëve që kanë dalë nga goja jote, sepse Zoti ta mori hakun me armiqtë e tu, bijtë e Amonit".
37 Pastaj i tha të atit: "Të më lejohet kjo e drejtë: lermë të lirë dy muaj, në mënyrë që të sillem nëpër male duke qarë virgjërinë time me shoqet e mia".
38 Ai iu përgjegj: "Shko!". Dhe e la të shkonte për dy muaj. Kështu ajo shkoi me shoqet e saj dhe qau ndër male virgjërinë e saj.
39 Mbas dy muajsh ajo u kthye tek i ati; dhe ai veproi me të simbas kushtit që kishte lidhur. Ajo nuk kishte njohur burrë. Kështu u bë zakon në Izrael
40 që bijat e Izraelit të shkojnë çdo vit e të qajnë bijën e Jefteut, Galaaditit, katër ditë me radhë.