Jump to content

Gjyqtarët - Kapitulli 10

Nga Wikibooks
Dhjata e Vjetër
< GJYQTARËT >
Kapitulli 10
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21


1 Pas Abimelekut doli për të shpëtuar Izraelin, Tola, bir i Puahut, biri i Dodit, njeri i Isakarit. Ai banonte në Shamir, në krahinën malore të Efraimit;

2 qe gjyqtar i Izraelit për njëzet e tre vjet me radhë; pastaj vdiq dhe e varrosën në Shamir.

3 Mbas tij doli Jairi, Galaaditi, që qe gjyqtar i Izraelit njëzet e dy vjet me radhë.

4 Ai kishte tridhjetë bij që u hipnin tridhjetë gomaricave dhe kishin tridhjetë qytete, që quhen edhe sot fshatrat e Jairit dhe ndodhen në vendin e Galaadit.

5 Pastaj Jairi vdiq dhe u varros në Kamon.

6 Pastaj bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe për sytë e Zotit dhe u shërbyen Baalit dhe Ashtarothit, perëndive të Sirisë, perëndive të Sidonit, perëndive të Moabit, perëndive

7 Kështu zemërimi i Zotit kundër Izraelit u ndez dhe ai i dorëzoi në duart e Filistejve dhe në duart e bijve të Amonit.

8 Atë vit ata u ranë më qafë dhe shtypën bijtë e Izraelit; gjatë tetëmbëdhjetë vjetve me radhë ata shtypën tërë bijtë e Izraelit që ndodheshin matanë Jordanit, në vendin e Amorejve, në Galaad.

9 Pastaj bijtë e Amonit kaluan Jordanin për të luftuar edhe kundër Judës, kundër Beniaminit dhe kundër shtëpisë së Efraimit; dhe Izraeli u ndodh në një situatë shumë fatkeqe.

10 Atëherë bijtë e Izraelit i klithën Zotit, duke i thënë: "Kemi mëkatuar ndaj teje, sepse kemi braktisur Perëndinë tonë dhe i kemi shërbyer Baalit".

11 Zoti u tha bijve të Izraelit: "A nuk ju çlirova unë nga Egjiptasit, nga Amorejtë, nga bijtë e Amonit dhe nga Filistejtë?

12 Kur ata të Sidonit, Amalekitët dhe Maonitët ju shtypnin dhe ju bëtë thirrje, a nuk ju çlirova nga duart e tyre?

13 Megjithatë ju më braktisët dhe u vutë në shërbim të perëndive të tjera; prandaj unë nuk do t'ju çliroj më.

14 Shkoni, pra, t'u thërrisni perëndive që keni zgjedhur; le t'ju shpëtojnë ato në kohën e fatkeqësive tuaja!".

15 Bijtë e Izraelit i thanë Zotit: "Kemi mëkatuar; bëna çfarë të duash, por na çliro sot, të lutemi shumë".

16 Atëherë hoqën nga mjedisi i tyre perënditë e huaja dhe i shërbyen Zotit që u trishtua për vuajtjet e Izraelit.

17 Pastaj bijtë e Amonit u mblodhën dhe ngritën kampin e tyre në Galaad dhe bijtë e Izraelit u mblodhën dhe ngritën kampin e tyre në Mitspah.

18 Populli, domethënë princat e Galaadit i thanë njeri tjetrit: "Kush do të jetë njeriu që do të fillojë të luftojë kundër bijve të Amonit? Ai do të jetë kreu i të gjithë banorëve të Galaadit".