Jump to content

Efesianëve - Kapitulli 3

Nga Wikibooks
Dhjata e Re
< EFESIANËVE >
Kapitulli 3
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6


1 Për këtë arsye unë, Pali, jam i burgosuri i Jezu Krishtit për ju johebrenjtë,

2 dhe nëse keni dëgjuar për dhënien e hirit të Perëndisë, që më është besuar për ju;

3 se si, me zbulesë, ai ma bëri të njohur misterin, sikurse ju shkrova më përpara me pak fjalë.

4 Duke i lexuar këto, ju mund të kuptoni cila është inteligjenca ime në misterin e Krishtit,

5 që nuk iu bë i njohur në epokat e tjera bijve të njerëzve, ashtu si iu zbulua tani apostujve të shenjtë dhe profetëve të tij me anë të Frymës,

6 që johebrenjtë të jenë bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit trup dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të tij në Krishtin nëpërmjet ungjillit,

7 shërbenjës i të cilit u bëra, sipas dhunëtisë së hirit të Perëndisë që m'u dha në sajë të fuqisë së tij.

8 Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m'u dha ky hir për të shpallur midis johebrenjve pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit,

9 dhe për t'u manifestuar të gjithëve pjesëmarrjen e misterit, i cili nga epokat më të lashta qe fshehur në Perëndinë, i cili krijoi të gjitha gjërat nëpërmjet Jezu Krishtit;

10 që nëpërmjet kishës, në kohën e tashme u manifestohej principatave dhe pushtetëve, në vendet qiellore, dituria e shumëllojshme e Perëndisë,

11 sipas qëllimit të përjetshëm që ai kreu në Krishtin Jezus, Zotin tonë,

12 në të cilin kemi lirinë dhe hyrjen te Perëndia në mirëbesimin nëpërmjet besimit në të.

13 Për këtë arsye ju lutem që të mos dekurajoheni për shkak të mundimeve të mia që vuaj për ju, e cila është lavdia juaj.

14 Për këtë arsye unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jezu Krisht,

15 nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë,

16 që t'ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm,

17 që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit,

18 që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia,

19 dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.

20 Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë,

21 atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve. Amen.