Jump to content

Efesianëve - Kapitulli 2

Nga Wikibooks
Dhjata e Re
< EFESIANËVE >
Kapitulli 2
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6


1 Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate,

2 në të cilat keni ecur dikur, sipas ecjës së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës, sipas frymës që vepron tani në bijtë e mosbindjes,

3 ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam në lakmitë e mishit tonë duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes, dhe ishim prej natyre bij të zemërimit, ashtu si edhe të tjerët.

4 Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi,

5 edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit),

6 edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus,

7 për të treguar në epokat që do të vijnë pasurinë e pamasë të hirit të tij, me anë të mirësisë ndaj nesh në Krishtin Jezus.

8 Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë,

9 jo nga vepra, që të mos mburret askush.

10 Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.

11 Prandaj kujtohuni se dikur ju johebrenj në mish, të quajtur të parrethprerë nga ata që e quajnë veten të rrethprerë, sepse të tillë u bënë në mish, nga dora e njeriut,

12 ishit në atë kohë pa Krishtin, të huaj në qytetërinë e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjen e premtimit, pa pasur shpresë dhe duke qënë pa Perëndi në botë.

13 Por tani, në Krishtin Jezus, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit.

14 Ai në fakt, është paqja jonë, ai që ka bërë nga të dy popujt një dhe ka shembur murin e ndarjes,

15 duke e prishur armiqësinë në mishin e tij, ligjin e urdhërimeve të përftuar nga porosi, për të krijuar në vetvete nga dy një njeri të ri, duke bërë paqen,

16 dhe për t'i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit, mbasi vrau armiqësinë në vetvete.

17 Dhe ai erdhi për t'ju shpallur paqen, juve që ishit larg dhe atyre që ishin afër,

18 sepse përmes tij që të dy kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetme.

19 Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të familjes së Perëndisë,

20 të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qënë Jezu Krishti vetë guri i qoshes,

21 mbi të cilin gjithë ndërtesa, e lidhur mirë, rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin,

22 në të cilin edhe ju jeni bashkëndërtuar për të qenë një banesë e Perëndisë në Frymë.