E mira dhe e keqja/8
Të metat e mendjes së njeriut | ||||
---|---|---|---|---|
| ||||
Vetëm me anën e mendjes sonë, ne nuk do të mund të arrinim asnjëherë tek kërkesat e All-llahut, nuk do të dinim se si t’a adhuronim Atë, gjithashtu, nuk do të dinim se çka do t’i pëlqente, e çka do t’a hidhëronte. Mendja mundi t’ia arrijë qëllimit, sepse arriti t’a njohë ekzistencën e Hyjnisë të universit, pasi ishte munduar të njohë universin, krijimin e qiejve dhe të tokës, të diellit dhe të hënës, e të tjera.
Ajo (mendja) arriti t’a kuptojë se kemi të bëjmë me një Krijues madhështor. Ky është Ai, i Cili i kish krijuar të gjitha këto, sepse njeriu nuk posedon forcë për t’i bërë ato. Askush nuk ka mundësi t’a krijojë diellin, hënën, yjet apo tokën. Askush nuk do të pretendonte të thoshte se ato janë vepra e tij, ose të thoshte se ai e ka krijuar vetveten. Këto gjëra, janë mbi mundësinë e njerëzve, edhe sikur t’i grumbullonin të gjitha forcat e tyre. Pra, ishte e domosdoshme, që të pranohej Krijuesi i këtij universi, i Cili i bëri të gjitha këto, dhe i Cili na krijoi edhe neve. Kush është Krijuesi? Çfarë do Ai nga ne? Këto janë pyetje që e tejkalojnë mundësinë e të kuptuarit të mendjes sonë. Ajo nuk mund të arrijë deri tek një përgjigje. Mendja këtu ndalet, pra stagnon, tek njohja e ekzistencës së Krijuesit. Pra, si e ka emrin Ai? Ç’ka dëshiron nga ne? Si t’i afrohemi Atij? Cilat gjëra i pëlqejnë, e cilat jo? Të gjitha këto pyetje, janë mbi mundësinë e mendjes së njeriut. Le t’a afrojmë këtë edhe më afër mendjes sonë. Le t’a zemë se jemi ulur në një dhomë të mbyllur. Pas pak dëgjojmë se dikush është duke na trokitur në derë. Ajo çka ne mund të dimë, është se dikush është duke trokitur në derë. Po, kush është ai? A është burrë, grua apo fëmijë? Çfarë do ai? Na i do neve të mirën apo të keqen, ka ardhur me qëllim të mirë, apo me qëllim të keq, apo nuk ka asgjë kundër nesh, apo ka ardhur për të na informuar për gjëra, që ne nuk i kemi marrë vesh? Të gjitha këto përgjigje nuk do t’i marrim, pa u ngritur dhe pa ia hapur derën trokitësit, i cili është duke pritur jashtë derës. All-llahu i Lartësuar është fisnik në dhurimet e Tij. Për këtë arsye, Ai nuk na ka lënë që këto përgjigje, ne t’i marrim nga vetja jonë. Ai na dërgoi pejgamberë, na hapi dyert e qiellit dhe na informoi se Krijuesi i këtij universi është All-llahu xh.sh. Ai kërkoi nga ne që t’a adhurojmë Atë, në mënyrë që të mos humbim. Ai përcaktoi për ne adhurimin, dhe këtë formë lutjeje. Ai na mësoi se, përveç kësaj jete, kemi edhe një jetë tjetër, e cila është e amshueshme. Gjithashtu, na ka treguar se Ai, ka paraparë begati të panumërta për ata që kanë besuar, dhe dënim të madh për ata që kanë mëkatuar. Për këtë arsye, nga Mëshira e Tij, ka caktuar që jeta njerëzore të fillojë në tokë, ka dërguar të dërguar apo pejgamberë. Këta do të jenë ata, të cilët do të na informojnë për All-llahun, rreth asaj se çfarë dëshiron Ai, në mënyrë që njeriu të dijë për Të, se Ai është All-llahu, Krijuesi i gjithçkaje, po ashtu edhe Krijues i vetë neve qenieve njerëzore. Ai, gjithashtu, na ka vendosur programin e jetës, të cilin ne duhet t’a ndjekim.
| ||||
|