1 i Mbretërve - Kapitulli 5
|
1 Kur Hirami, mbret i Tiros, mësoi që Salomoni ishte vajosur mbret në vend të atit të tij, dërgoi shërbëtorët e tij, sepse Hirami kishte qenë gjithnjë mik i Davidit.
2 Atëherë Salomoni dërgoi t'i thotë Hiramit:
3 "Ti e di që ati im David nuk ka mundur të ndërtojë një tempull në emër të Zotit, Perëndisë të tij, për shkak të luftrave të ndërmarra nga çdo anë kundër tij, deri sa Zoti i vuri armiqtë e tij nën shputën e këmbëve të tij.
4 Por tani Zoti, Perëndia im, më ka dhënë paqe rreth e qark; dhe nuk kam më kundërshtarë, as ndonjë fatkeqësi.
5 Prandaj tani kam ndërmend të ndërtoj një tempull në emër të Zotit, Perëndisë tim, sipas premtimit që i bëri Zoti atit tim David, kur i tha: "Yt bir, që unë do të vendos mbi fronin tënd, ka për të qënë ai që do të ndërtojë një tempull në emrin tim".
6 Jep urdhër, pra, që të priten për mua kedrat e Libanit. Shërbëtorët e mi do të punojnë me shërbëtorët e tu, dhe si pagë unë do t'u jap shërbëtorëve të tu tërë ato që do të më kërkosh ti. Ti e di mirë që ndër ne nuk ka njeri që di t'i presë drurët si ata të Sidonit".
7 Kur Hirami i dëgjoi fjalët e Salomonit, u gëzua së tepërmi dhe tha: "Qoftë i bekuar sot Zoti, që i ka dhënë Davidit një bir të urtë për të mbretëruar mbi këtë popull të madh".
8 Pastaj Hirami dërgoi t'i thotë Salomonit: "E shqyrtova me kujdes mesazhin që më çove. Unë do të bëj të gjitha ato që dëshiron ti lidhur me lëndën e kedrit dhe të qiparisit.
9 Shërbëtorët e mi do t'i sjellin nga Libani deri në det dhe do t'i transportojnë që andej me trap deri në vendin që ti do të më tregosh; pastaj do t'i shkarkojnë atje dhe ti do t'i çosh tutje. Si shpërblim, ti do të plotësosh dëshirën time, duke furnizuar me ushqime shtëpinë time".
10 Kështu Hirami e furnizoi Salomonin me tërë lëndën e kedrit dhe të qiparisit që ai kishte nevojë.
11 Salomoni nga ana e tij e furnizoi Hiramin me njëzet mijë kore gruri për të mbajtur shtëpinë e tij dhe njëzet kore vaj të pastër ulliri; Salomoni i jepte Hiramit çdo vit tërë këto gjëra.
12 Zoti i dha dituri Salomonit, ashtu siç ia kishte premtuar; kështu mbretëroi paqja midis Hiramit dhe Salomonit, dhe të dy bënë aleancë.
13 Mbreti Salomon rekrutoi njerëz për punë të detyruar në tërë Izraelin, dhe ata që u caktuan për punë të detyruar ishin tridhjetë mijë njerëz.
14 I dërgonte me turne në Liban nga dhjetëmijë në muaj; kalonin një muaj në Liban dhe dy muaj në shtëpitë e tyre; Adonirami ishte drejtuesi i punimeve të detyruara.
15 Salomoni kishte gjithashtu shtatëdhjetë mijë njerëz që transportonin ngarkesa dhe tetëdhjetë mijë gurgdhëndës në male,
16 pa llogaritur tremijë e treqind përgjegjës të caktuar nga Salomoni për veprimtaritë e ndryshme dhe për të mbikqyrur personat e caktuar në punimet.
17 Mbreti urdhëroi të nxirreshin gurë të mëdhenj, gurë me vlerë dhe gurë katërkëndësh për të bërë themelet e tempullit.
18 Kështu punëtorët e Salomonit dhe punëtorët e Hiramit dhe Giblejtë nxorën gurët, dhe përgatitën lëndën e drurit dhe gurët për ndërtimin e tempullit.