1 i Mbretërve - Kapitulli 22

Nga Wikibooks
Dhjata e Vjetër
< 1 I MBRETËRVE >
Kapitulli 22
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22


1 Kaluan tre vjet pa luftë midis Sirisë dhe Izraelit.

2 Por në vitin e tretë Jozafati, mbreti i Judës, zbriti të takohet me mbretin e Izraelit.

3 Mbreti i Izraelit u kishte thënë shërbëtorëve të tij: "Ju nuk e dini që Ramothi i Galaadit është yni dhe ne po rrimë të qetë pa e rimarrë nga duart e mbretit të Sirisë?".

4 Pastaj i tha Jozafatit: "A nuk do të vije të luftoje me mua në Ramoth të Galaadit?". Jozafati iu përgjigj mbretit të Izraelit me këto fjalë: "Ki besim tek unë ashtu si te vetja jote, te njerëzit e mi si te njerëzit e tu, mbi kuajt e mi ashtu si ke besim te kuajt e tu".

5 Jozafati i tha gjithashtu mbretit të Izraelit: "Të lutem këshillohu po sot me Zotin".

6 Atëherë mbreti i Izraelit thirri profetët që ishin rreth katërqind, dhe iu tha: "A duhet të shkoj të luftoj kundër Ramothit të Galaadit, apo të heq dorë nga kjo?". Ata iu përgjigjën: "Shko, sepse Perëndia do ta japë në duart e mbretit".

7 Por Jozafati tha: "A nuk ka këtu ndonjë profet tjetër të Zotit, me të cilin mund të këshillohemi?".

8 Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: "Ka akoma një njeri, Mikajahu, bir i Imlahut, me anë të të cilit mund të këshillohesh me Zotin; por unë e urrej sepse nuk profetizon kurrë asgjë të mirë lidhur me mua, por vetëm të keqen". Jozafati u përgjigj: "Mbreti nuk duhet të flasë kështu!".

9 Atëherë mbreti i Izraelit thirri një eunuk dhe i tha: "Sill menjëherë Mikajahun, birin e Imlahut".

10 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, ishin ulur secili në fronin e tij, të veshur me rrobat e tyre mbretërore, në lëmin që ndodhet në hyrje të portës së Samarisë; dhe tërë profetët profetizonin para tyre.

11 Sedekia, bir i Kenaanahut, që i kishte bërë vetes brirë prej hekuri, tha: "Kështu thotë Zoti: "Me këta brirë do të shposh tejpërtej Sirët deri sa t'i shkatërrosh plotësisht"".

12 Tërë profetët bënin profeci të njollojtë dhe thonin: "Shko kundër Ramothit të Galaadit dhe do t'ia dalësh, sepse Zoti do ta japë në duart e mbretit".

13 Lajmëtari që kishte shkuar të thërriste Mikajahun i foli kështu dhe tha: "Ja, fjalët e profetëve përputhen duke shpallur gjëra të mira për mbretin; të lutem, fjala jote të jetë si ajo e secilit prej tyre, dhe shpall edhe ti gjëra të mira".

14 Por Mikajahu u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, unë do them ato që do të më thotë Zoti".

15 Si ariti para mbretit, mbreti i tha: "Mikajah, a duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit të Galaadit, apo duhet të heqim dorë?". Ai u përgjigj: "Shko, ti do t'ia dalësh, sepse Zoti do ta japë në duart e mbretit".

16 Atëherë mbreti i tha: "Sa herë jam përgjëruar të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?".

17 Mikajahu u përgjigj: "Pashë tërë Izraelin të shpërndarë nëpër male, sikur të ishin dhen pa bari; dhe Zoti ka thënë: "Ata nuk kanë më zot; secili të kthehet në paqe në shtëpinë e vet"".

18 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "A nuk të kisha thënë unë që në lidhje me mua, ai nuk do të profetizonte asgjë të mirë, por vetëm të keqe?".

19 Atëherë Mikajahu tha: "Prandaj dëgjo fjalën e Zoti. Unë e kam parë Zotin të ulur mbi fronin e tij, ndërsa tërë ushtria e qiellit i rrinte përqark në të djathtë dhe në të majtë.

20 Zoti tha: "Kush do t'ia prishë mendjen Ashabit që të dalë dhe të vritet në Ramoth të Galaadit?". Tani dikush përgjigjet në një mënyrë dhe dikush në një tjetër.

21 Atëherë doli një frymë, që u paraqit përpara Zotit dhe tha: "Do t'ia prish mendjen unë".

22 Zoti i tha: "Në çfarë mënyre?". Ai u përgjigj: "Do të dal dhe do të jem fryma e gënjeshtrës në gojën e tërë profetëve të tij". Zoit i tha: "Do t'ia dalësh me siguri ta mashtrosh; dil dhe vepro ashtu".

23 Prandaj Zoti ka vënë një frymë gënjeshtre në gojën e të gjithë profetëve të tu; por Zoti parashikon fatkeqësira kundër teje".

24 Atëherë Sedekia, bir i Kenaanahut, u afrua dhe i ra me një shpullë Mikajahut, duke i thënë: "Nga kaloi Fryma e Zotit kur doli nga unë për të folur me ty?".

25 Mikajahu u përgjigj: "Do ta shohësh ditën që do të shkosh, në një dhomë të brendshme për t'u fshehur".

26 Atëherë mbreti i Izraelit tha: "Merre Mikajahun dhe çoje tek Amoni, guvernatori i qytetit dhe tek Joasi, bir i mbretit, dhe u thuaj atyre:

27 Kështu thotë mbreti: "Futeni këtë në burg dhe ushqeheni me bukë dhe me ujë hidhërimi, deri sa të kthehem shëndoshë e mirë".

28 Atëherë Mikajahu tha: "Në rasat se ti kthehesh shëndoshë e mirë, kjo do të thotë se Zoti nuk ka folur nëpërmjet meje". Dhe shtoi: "Dëgjoni, o popuj të tërë!".

29 Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, dolën, pra, kundër Ramothit të Galaadit.

30 Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "Unë do të ndërroj petkat që të mos njihem dhe pastaj do të shkoj të luftoj; por ti vish rrobat e tua mbretërore". Kështu mbreti i Izraelit u vesh me rroba të tjera dhe shkoi të luftojë.

31 Mbreti i Sirisë u kishte dhënë këtë urdhër tridhjetë e dy kapitenëve të qerreve të tij, duke thënë: "Mos luftoni kundër askujt, i madh apo i vogël qoftë; por vetëm kundër mbretit të Izraelit".

32 Kështu, kur kapitenët e qerreve panë Jozafatin, ata thanë: "Ky është me siguri mbreti i Izraelit". Dhe u kthyen nga ai për ta sulmuar; por Jozafati lëshoi një ulërimë.

33 Kur kapitenët e qerreve e kuptuan që nuk ishte mbreti i Izraelit, hoqën dorë nga ndjekja.

34 Por një njeri lëshoi rastësisht shigjetë me harkun e tij dhe goditi mbretin e Izraelit midis sythave të parzmores të tij; prandaj mbreti i tha karrocierit: "Kthehu dhe më ço jashtë rrëmujës, sepse jam i plagosur".

35 Por beteja qe aq e ashpër atë ditë, sa që mbreti u detyrua të qëndrojë në qerren e tij përpara Sirëve, dhe vdiq aty nga mbrëmja; gjaku i plagës kishte rjedhur në fund të qerres.

36 Kur po ngrysej, një ulërimë përshkoi radhët e ushtrisë: "Secili të kthehet në qytetin e vet, secili në fshatin e tij!".

37 Kështu mbreti vdiq dhe u çua në Samari; pastaj u bë varrimi i mbretit në Samari.

38 Pas kësaj lanë qerren dhe armët në një hauz të Samarisëç dhe qentë lëpinë gjakun e tij, sipas fjalës që kishte thënë Zoti.

39 Pjesa tjetër e bëmave të Ashabit, të gjitha ato që ai bëri, shtëpia e fildishtë që ndërtoi dhe tërë qytetet që ngriti a nuk janë të shkruara vallë në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

40 Kështu Ashabin e zuri gjumi me etërit e tij. Në vend të tij mbretëroi Ashaziahu, i biri.

41 Jozafati, bir i Asas, filloi të mbretërojë mbi Judën vitin e katërt të Ashabit, mbret i Izraelit.

42 Jozafati ishte tridhjetë e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e pesë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Azubah dhe ishte bijë e Shilhit.

43 Ai ndoqi tërë rrugët e Asas, atit të tij, dhe nuk u largua prej tyre, duke bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit. Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën; kështu populli vazhdonte të ofronte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta.

44 Dhe Jozafati jetonte në paqe me mbretin e Izraelit.

45 Pjesa tjetër e bëmave të Jozafatit, trimëritë e tij dhe luftrat e tij a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

46 Ai zhduku nga vendi mbeturinat e atyre që merreshin me kurvëri dhe, që kishin mbetur nga koha e Asas, atit të tij.

47 Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Edom, por vetëm një përfaqësues i mbretit.

48 Jozafati bëri që të ndërtohen anije në Tarshish për të vajtur në Ofir, që të kërkohej ar, por anijet nuk arritën kurrë të dalin në det, sepse u shkatërruan në Etsion-Geber.

49 Atëherë Ashaziahu, bir i Ashabit, i tha Jozafatit: "Lejo që shërbëtorët e mi të hipin mbi anijet bashkë me shërbëtorët e tu". Por Jozafati nuk pranoi.

50 Jozafatin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe u varros bashkë me ta në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi i biri Jehoram.

51 Ashaziahu, bir i Ashabit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari vitin e shtatëmbëdhjetë të Jozafatit, mbretit të Judës, dhe mbretëroi dy vjet mbi Izraelin.

52 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe ndoqi rrugën e atit të tij, të nënës së tij dhe atë të Jeroboamit, birit të Nebathit, që e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate.

53 U vu në shërbim të Baalit dhe ra përmbys përpara tij, duke shkaktuar zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, pikërisht ashtu si kishte vepruar i ati.