Jump to content

1 i Kronikave - Kapitulli 14

Nga Wikibooks
Dhjata e Vjetër
< 1 I KRONIKAVE >
Kapitulli 14
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22 | 23 | 24 | 25 | 26 | 27 | 28 | 29


1 Hirami, mbret i Tiros, i dërgoi Davidit lajmëtarë, dru kedri, muratorë, dhe marangozë për t'i ndërtuar një shtëpi.

2 Atëherë Davidi e pranoi që Zoti e kishte vendosur mbret të Izraelit, sepse mbretëria e tij qe lavdëruar shumë për shkak të popullit të tij, Izraelit.

3 Davidi u martua me gra të tjera në Jeruzalem dhe i lindën djem e vajza.

4 Këto janë emrat e bijve që i lindën në Jeruzalem: Shamua, Shohabi, Salomoni,

5 Ibhari, Elishua, Elpeleti,

6 Nagahu, Nefegu, Jafia,

7 Elishama, Beelida dhe Elifeleti.

8 Kur Filistejtë mësuan që Davidi ishte vajosur mbret i tërë Izraelit, dolën të gjithë në kërkim të Davidit. Sa e mësoi këtë, Davidi u doli përballë.

9 Filistejtë arritën dhe u përhapën në luginën e Refaimit.

10 Atëherë Davidi u këshillua me Perëndinë, duke thënë: A duhet të dal kundër Filistejve? A do të m'i japësh në duart e mia?". Zoti u përgjigj: "Dil dhe unë do t'i jap në duart e tua".

11 Ata dolën në Baal-Peratsim, ku Davidi i mundi dhe tha: "Perëndia ka hapur me duart e mia një kalim midis armiqve të mi, si një kalim i hapur nga ujërat". Prandaj i vunë këtij vendi emrin e Baal-Peratsimit.

12 Filistejtë braktisën aty perënditë e tyre dhe Davidi urdhëroi që të digjeshin në zjarr.

13 Më vonë Filistejtë filluan të shpërndahen nëpër luginë.

14 Davidi u këshillua përsëri me Perëndinë, dhe Perëndia i tha: "Mos u dil prapa, por merru krahët dhe sulu mbi ta përballë ballsameve.

15 Kur të dëgjosh një zhurmë hapash në majat e ballsameve, hidhu menjëherë në sulm, sepse Perëndia do të të dalë përpara për të mundur ushtrinë e Filistejve".

16 Davidi bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia, dhe ata mundën ushtrinë e Filistejve nga Gabaoni deri në Gezer.

17 Kështu fama e Davidit u përhap në të gjitha vendet, dhe Zoti solli tmerrin e tij mbi të gjitha kombet.