Zeqi Agolli dhe Mit’hat Fashëri
I nderuar z.Kryeredaktor
Zeqi Agolli iku nga kjo jetë në moshën 93 vjeç. Për të nuk shkroi asnjë gazetë, nuk u dha asnjë lajm në mjetet e komunikimit masiv.
Kryeministri u harrua në bisedat me këdo në Facebook.
Ministri Bushati nuk u fol se shkoi për ngushëllim (pa le të lironte hollin e ministrisë për ti bërë homazhe e nderime një diplomati karriere që zor se i afrohet kush).
Mendjen e kishin tek eshtrat e kryetarit të Ballit Kombëtar…
1 nandor 1943. Tanë natën lufta vazhdoi pa u ndërpre. Hamdi Lleshi, Zeqi Agolli e shokë të tjerë, që përdorin mitralozët e randë të vendosur nalt, nën pullaz, janë flliqë duersh e turinjsh si të ishin farkëtarë. Por ata, në realitet, janë farkëtarë të jetës së re dhe do të mbeten të tillë derisa të realizohet ideali i tyne”
Është ky një fragment i shkëputur nga shënimet ditë e natë të shkrimtarit partizan Haki Stërmilli në “Shtigjet e lirisë”…
Betejë e zhvilluar në Dibër të Madhe, në anën tjetër të kufirit shqiptaro- shqiptar, betejë midis forcave të rregullta partizane dhe atyre të parisë dibrane nën komandën e Mit’hat Frashërit të Ballit Kombëtar dhe Bazit të Canit të Legalitetit.
Po çfarë donte Mit’hat Frashëri dhe Abaz Kupi në Dibër në një moment kthese historike kur Italia fashiste kishte kapitulluar pa kushte dhe gjeneral Azzi, komandant i Divizioni “Firence” i ishte dorëzuar me gjithçka kundërshtarit të vetëm ndërluftues, Batalionit Partizan të Dibrës?
Shkurt, me pak fjalë, aq sa shënon në një ditar që bie era barot, shkrimtari dëshmitar me sy, me veshë e me laps në dorë tregon se Mit’hati ato ditë ka udhëtuar pa pra që nga Lura, Peshkopia, Dibra e Madhe, Mati etj.
“Krenët e Dibrës, të nxitun prej Mit’hat Frashërit, Hasan Dostit dhe Isuf Luzës që kanë ardhë këtu, kërkojnë me e marrë sundimin e vendit bashkë me depot e materialeve ushtarake që kanë lanë italianët dhe që tash janë në duart tona” (24 gusht 1943)
Dy beteja, dy fitore të forcave partizane në Peshkopi dhe Dibër të Madhe dhe dy humbje, në Peshkopi dhe Dibër të Madhe, kur forcat e Parisë së Dibrës, Ballit e Legalitetit me në krye gjermanët e operacionit “Edelweis” (rreth 3000 vetë) armatosur me topa të kalibrit të lartë, mitraloza, tanke etj. shkatërruan në themele qytetet dhe plaçkitën si barbarë qyetarët.
“16 nandor 1943. Sot, në orën 10.30 paradreke, plasi pushka. Qyteti u sulmue nga të tri anët. Tash lufta zhvillohet e egër dhe sa shkon shtohet furia e saj rritet.. Tash, mbasdreke, anmiqtë filluen me përdorë artileri dhe mortaja të randa. Qëllojnë me përpikmëri. Kuptohet se janë gjermanët ata që gjuajnë me kaq saktësi. Artilerinë e randë e kanë vendosë mbi majat, tej urës së Spiles. Nji predhë e artilerisë anmike tash ra mu në strehën e dritares sime… Nji autoblindë, e mbetur prej italianëve, u riparue dhe u nis me krye aksione kundër pozitave anmike… Autoblinda nuk mundi me ngadhënjye. Ajo paska shku jashtë qytetit dhe paska ndeshë në pritat e anmikut. Gjithashtu qenka gjuejtë edhe prej artilerisë anmike. Hamdi Lleshi dhe shoferi paskan ra dëshmorë…”
Dibra e Madhe ra nën breshërinë e topave, mortajave, bombave të rreth 3000 forcave gjermane, Ballit Kombëtar dhe të parisë së Dibrës. Me pushtimin e Dibrës së Madhe filloi Operacioni gjermano-ballist i Dimrit 1943-1944.
Nuk do ti kisha cituar këto ngjarje huajtur nga ditari “Shtigjet e Lirisë”, sikur plot 75 vjet më vonë, në Tiranë të mos ishin hapur “dy varre”, njeri në Parkun Kombëtar dhe tjetri në Varrezat e Tufinës. Njeri do të mbulonte eshtrat e Mit’hat Frashërit e tjetri trupin e Zeqi Agollit, njeri kryetar i Ballit Kombëtar dhe tjetri partizan.
Zeqi Agolli iku nga kjo jetë në moshën 93 vjeç. Për të nuk shkroi asnjë gazetë, nuk u dha asnjë lajm në mjetet e komunikimit masiv. Kryeministri u harrua në bisedat me këdo në Facebook. Ministri Bushati nuk u fol se shkoi për ngushëllim (pa le të lironte hollin e ministrisë për ti bërë homazhe e nderime një diplomati karriere që zor se i afrohet kush). Mendjen e kishin tek eshtrat e kryetarit të Ballit Kombëtar.
Vetëm një portal, Dibraexpres përcolli një shënim në internet, shoqëruar me një fotografi, po nga interneti. “Zeqi Agolli (shkruante portali) ka lindur në Tiranë më 23 mars 1923, në një familje me tradita patriotike. I ati i tij, Rexhep Agolli, ka mbështetur fuqishëm lëvizjen për pavarësinë e vendit.
Xhaxhai i tij, Vehbi Dibra (Agolli), është një nga drejtuesit patriotë të vendit. Ai ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në ngritjen e flamurit të Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 ku u zgjodh Kryetar i Senatit të qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemali. Arsimin fillor dhe të mesëm Zeqi Agolli e kreu në Tiranë. Studimet e larta i ka kryer në degën Histori- Gjeografi, të cilat i ka përfunduar në vitin 1957 me vlerësimin “shkëlqyer”. Është njohës i shkëlqyer i pesë gjuhëve të huaja: italisht, frëngjisht, rumanisht, rusisht dhe anglisht.
Zeqi Agolli është diplomat i shquar, me një përvojë 44-vjeçare në karrierën e tij. Zeqi Agolli është i shoqi i dramaturges dhe shkrimtares së madhe Drita Agolli, si dhe vëllai i artistes së famshme të Teatrit dhe Kinematografisë sonë Esma Agolli.
Unë e kam njohur Zeqi Agollin në vjeshtë të vitit 1959 kur erdhi në fshatin tim në shoqërim të një delegacioni të huaj. Më tërhoqi pamja e tij, trupi i gjatë e i drejtë, fisnikëria e komunikimi i ëmbël. Më ngeli (edhe sot) në kujtesë zëri i tij melodioz dhe frëngjishtja e rrjedhëshme si në një poezi.
Në vitin 1966-1967 do ta njihsha më nga afër, tash si kolegë pune në bujqësi, ai kryetar i kooperativës bujqësore të Dohoshishtit e unë si përgjegjës sektori në Ndërmarrjen Bujqësore të Dibrës. Nuk erdhi vetëm. Erdhi bashkë me të shoqen Drita Agolli dhe me nënën. La emër në Dohoshisht atyre viteve kur punohej për përmirësimin e jetës në fshat, për daljen në dritë të figurës së gruas dhe vajzës, për shkollimin e të rinjëve dhe të rejave asokohe në dy shkolle të mesme në qytetin e vogël të Peshkopisë, Shkollës së Mesme Pedagogjike dhe Shkollës së Mesme Bujqësore.
Më vonë, sa herë që takoheshim ndjeja ngrohtësinë e një njeriu që dinte të ulej këmbëkryq në shpirtin tënd…
Abdurahim Ashiku / Athinë dhjetor 2018