Jump to content

Zbulesa - Kapitulli 18

Nga Wikibooks
Dhjata e Re
< ZBULESA >
Kapitulli 18
1 | 2 | 3 | 4 | 5 | 6 | 7 | 8 | 9 | 10 | 11 | 12 | 13 | 14 | 15 | 16 | 17 | 18 | 19 | 20 | 21 | 22


1 Edhe pas këtyre pashë një engjëll tjetër që zbriste nga qielli, që kishte pushtet të madh; dhe dheu u ndriçua nga lavdia e tij.

2 Ai bërtiti me forcë dhe me zë të madh, duke thënë: "Ra, ra Babilona e madhja, dhe u bë vendbanimi i demonëve, dhe streha e çdo fryme të ndyrë, dhe streha e çdo shpendi të ndyrë dhe neveritshëm.

3 Sepse nga vera e mërisë së kurvërimit të saj kanë pirë të gjitha kombet, dhe mbretërit e dheut me të u kurvëruan, dhe tregtarët e dheut u pasuruan për shkak të luksit të saj të shfrenuar".

4 Pastaj dëgjova një zë tjetër nga qielli, duke thënë: "Dilni prej saj, o populli im, që të mos bëheni pjestarë të mëkateve të saj, dhe të mos merrni nga plagët e saj,

5 sepse mëkatet e saj janë grumbulluar dhe kanë arritur deri në qiell, dhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj.

6 Shpërblejani atë që ajo ju ka bërë juve, përkundrazi, shpërblejani dyfish sipas veprave të saj; në kupën që ajo derdhi derdhini dyfishin.

7 Në masën që u vetlavdërua ajo dhe shfreu në epshe, në atë masë i jepni asaj mundim dhe brenga, sepse ajo në zemër të vet thotë: "Unë rri posi mbretëreshë, e ve nuk jam dhe brengë nuk do të shoh".

8 Prandaj në një ditë të vetme do të vijnë plagët e saj: vdekja, vaji dhe zia e bukës; edhe do të digjet krejt në zjarr, sepse i fuqishëm është Zoti Perëndia, ai që e gjykon atë".

9 Dhe do ta qajnë atë dhe do të vajtojnë për të mbretërit e dheut, ata që u kurvëruan me të dhe u dhanë pas epsheve me të, kur të shohin tymin e zjarrit të saj;

10 ata do të qëndrojnë larg nga frika e mundimit të saj, duke thënë: "Mjerë, mjerë Babilona, qyteti i madh, qyteti i fuqishëm, sepse në një moment erdhi gjyqi yt!".

11 Edhe tregtarët e dheut do të qajnë dhe do të vajtojnë për të, sepse askush nuk do të blejë më mallrat e tyre:

12 mallra prej ari dhe argjendi, gurë të çmuar dhe margaritarë, pëlhura liri dhe purpri, mendafshi e të kuqeje, dhe gjithfarë drurësh erëmirë, e gjithfarë sendesh fildishi dhe druri shumë të çmuar, bronzi, hekuri dhe mermeri,

13 dhe kanellë, dhe parfume, vajra erëmirë, temian, verë, vaj, majë mielli, grurë, gjë e gjallë, dhen, kuaj, qerre, trupa e shpirtra njerëzish.

14 Dhe fryti i dëshirës së shpirtit tënd ikën prej teje, dhe të gjitha gjërat e pasura dhe të shkëlqyerat ikën prej teje dhe ti nuk do t'i gjesh më kurrë.

15 Tregtarët e këtyre gjërave, që u pasuruan prej saj, do të rrijnë larg për shkak të frikës së mundimit të saj, dhe do të qajnë dhe do të vajtojnë,

16 duke thënë: "Ah! Ah! Qyteti i madh, që ishte veshur me li të hollë, me të purpurta e të kuqe të ndezur, dhe e stolisur me ar, dhe me gurë të çmuar dhe me margaritarë! Sepse në një moment u shkatërrua një pasuri kaq e madhe!".

17 Të gjithë kapitenët, të gjithë pasagjerët dhe detarët, dhe të gjithë ata që tregtojnë nëpërmjet detit do të qëndrojnë nga larg

18 dhe, duke parë tymin e zjarrit të saj, do të klithin: "Cili qytet i përngjante këtij qyteti të madh?".

19 Dhe do të hedhin pluhur mbi kryet, do të bërtasin, duke qarë e duke vajtuar, duke thënë: "Ah! Ah! Qyteti i madh, në të cilën u pasuruan të gjithë ata që kishin anije në det nga mrekullia e saj, sepse për një moment u shkretua!

20 Gëzohu përmbi të, o qiell, dhe ju apostuj të shenjtë dhe profetë, sepse Perëndia duke e gjykuar vuri në vend drejtësinë".

21 Dhe një engjëll i fuqishëm ngriti një gur të madh me përmasat sa një mokër dhe e hodhi në det, duke thënë: "Me të njëjtin vrull do të hidhet Babilona, qyteti i madh, dhe nuk do të gjendet më;

22 dhe zëri i harpistëve, i muzikantëve, i fyelltarëve dhe borizanëve nuk do të dëgjohet më te ti; dhe çdo mjeshtër i çfarëdo eksperti i arteve nuk do të gjendet më te ti, dhe nuk do të dëgjohet më te ti zëri i gurit të mullirit.

23 Dhe dritë llambe nuk do të ndriçojë më në ty; edhe zë dhëndri dhe nuseje nuk do të dëgjohet më te ti; sepse tregtarët e tu ishin të mëdhenjtë e dheut, sepse gjithë kombet u mashtruan me magjinë tënde.

24 Sepse në të u gjet gjak profetësh dhe shenjtorësh, dhe i gjithë atyre që janë vrarë mbi dhe".