Yrte nga ditari i pabotuar për kolonel Gani Malushin

Nga Wikibooks

Më datën 25 maj, ditën e premte, Gani Malushi bëhet “qytetar nderi” në Ersekë me rastin e 65 vjetorit të lindjes. I quajtur “komisari i hekurt”, Gani Malushi u vra në krye të detyrës në gusht 2003. Kolegu i tij Sefer Pasha dhe bashkëpunëtor i afërt në Komisariatin e Policisë së Tropojës në vitet 1999-2000, tregon çaste nga jeta e Komisarit mbështetur në ditarin e tij.

Nga Sefer Pasha

“Ka ndodhur vrasja e komisar Gani Malushit, një oficer i rëndësishëm i policisë. Vendi i gjithë u trondit nga kjo, sepse janë vrasje që të kujtojnë vrasjet tipike mafioze që janë bërë vitet e fundit”

                                                                                                                                                       ISMAIL KADARE

“Intrigat, shpifjet dhe loja e ndyrë që bëhet pas shpine janë më shumë se një plumb”

                                                                                                                   Fragment nga një letër e Gani Malushit


Tropojanët e mirëpresin ardhjen e komisar Gani Malushit si shef i komisariatit

Qyteti i Bajram Currit është në ankth. Herë pas here dëgjohen krisma. Tropojanët lëvizin si nëpër një ciklon. Me vrap për të blerë bukën, qumështin dhe ushqimet nëpër dyqane. Fërshëllimat e plumbave i terrorizojnë. Më keq e kanë ata qytetar që çojnë të sëmurët në spital. Shëtitorja kryesore dhe rrugët janë të boshatisura. Askush nuk shkon në punë. Ligjin e bëjnë kriminelët që lëvizin me shpejtësi me makina të blinduara e me xhama të zinj. Ata nga “frëngjitë” e makinave qëllojnë kot më kot e ngjallin panik. Tropoja si në qytet dhe në fshat është në gjëmë. Dal nga komisariati dhe qyteti më ngjan si një varrezë me pallate. Kafenetë janë bosh. Të gjitha perdet e grillat janë të mbyllura. E vetmja tregti që sjell fitim është ajo e bërjes së dyerve të hekurt. Të gjithë qytetarët janë të armatosur. Edhe lëvizjet nëpër qytet bëhen me kallashnikov. Poshtë monumentit të Bajram Currit më pret Fatmir Haklaj, Jaho Saliu dhe Feriz Kërnaja. Ata edhe pse janë pjesë e efektivit të komisariatit të Tropojës nuk paraqiten në detyrë. Fatmir Haklaj më pyet nëse e njihja Gani Malushin. Ai kishte dëgjuar në stacionin e “Zërit të Amerikës” se komisar Gani Malushi vinte shef i komisariatit të Tropojës. Unë iu përgjigja se nuk kisha asnjë lloj njohje me Gani Malushin dhe se asgjë nuk kisha dëgjuar për të

Qytetarët e Tropojës fillojnë të lëvizin të lirë

Komisar Gani Malushi e vuri në funksion burgun brenda komisariatit. Vetë në krye të grupit të gatshëm me kallashnikov e granada në duar i bie kryq e tërthor Tropojës. Edhe nëpër fshatra. Një bandit shumë të kërkuar e arrestoi në Qafën e Luzhës. Shumë të inkriminuar kanë ikur në male dhe në Kosovë. U ndalua kontrabanda e naftës dhe e cigareve në Qafën e Prushit dhe në Qafën e Morinës. Komisariati u ringrit. Policët me probleme Gani Malushi i përzuri pa mëshirë. Filloj jeta normale. Qytetarët dolën nga strehimi. Kudo flitet mirë për komisar Gani Malushin.

Drama e Gani Malushit për vrasjen e Jonuz Hykës

Gani Malushi ka ditë që është i ngrysur si retë në malin e Shkelzenit. Ai dhe grupi i punës nuk po bien në gjurmët e vrasësve të ish drejtorit të policisë së Kukësit Jonuz Hyka. Pas një stërmundimi të gjatë kemi lënë pas Padeshin, Kosharen dhe kemi ndaluar në fshatin Batushë. Megjithëse nuk më thotë gjë unë e marr me mend se Gani Malushi po ndjek internarin e vrasësve të Jonuz Hykës. S’më thotë gjë se kë do të takoj në Batushë, i cili është fshati i parë në Kosovë pas Padeshit. Kafeneja e Batushës është plotë me malësor. Ne ulemi në tavolinën e fundit. Unë porosita kafe, kurse Gani Malushi çaj boronice. Të gjithë që ishin nëpër tavolina po vështronin nga tavolina jonë. Me sa vura re ata e njihnin Gani Malushin. Ai kishte dhënë dhe një intervistë në një stacion televiziv të Gjakovës.

-A të bën ndonjë gjë përshtypje? – më pyeti Gani Malushi.

-Po, – iu përgjigja. Të gjithë këta malësorë që po pinë kafe e çaj janë të gjymtuar. Nuk besoj se janë të gjithë nga Batusha. Siç e sheh disa janë pa këmbë e pa duar. Njëri, ai pranë banakut, e ka nofullën të copëtuar. Kanë marrë pjesë në luftën e UÇK – së. Në betejat e luftës më serbët janë gjymtuar e janë bërë me fraktura. Ka dhe të vrarë. Batusha ka qenë strehë e UÇK – së.

-Nuk më ka qëlluar të hyj në ndonjë kafene me klient të tillë, – shtoi Gani Malushi. Ai djali që është në të djathtë e pi kafenë me dorën e majtë. Të djathtën kush e di se ku e ka lënë.

-Me siguri tek Rrasa e Zogut, – thashë unë.

-Ku bie Rrasa e Zogut?

-Mbi Koshare. Forcat e UÇK – së me të përzënë serbët e kthyen Kosharen në një fortesë të fuqishme. Vetë pozicioni gjeografik i Koshares është i favorshëm.

Gani Malushi filloj ta pijë çajin e boronicës me pikëllim. Për ta qetësuar i tregova një ngjarje nga lufta. Batushasit ishin larguar nga gjenocidi serb. Në fshat kishte mbetur një sakat. Ai ushqehej me rrënjë e fruta të egra. Qëndronte në zgavrën e një lisi. Sakatin e rrethuan disa herë tufat me ujqër. Këtë sakati e ka pohuar me gojën e tij tek disa barinj. Ujqërit e shikonin, por nuk e hëngër. Dhe kjo kishte ndodhur disa herë. Atë që nuk e bën tufat me ujqër e realizuan paramilitarët e Arkanit. Kur një kompani e tyre kaloi rastësisht rrëzë lisit dhe e pa sakatin ata hapën zjarr dhe e vranë.

-E tmerrshme, – tha Gani Malushi. – Si quhet kjo kafene?

-Nuk pashë gjë të shkruar në hyrje, – u përgjigja pa ndonjë vëmendje.

-Kjo është “Kafe plumbi”! – belbëzoi ai. Kam pirë në jetë lloj – lloj kafesh. Edhe kafe elbi. Por këtu kafja vjen era plumb. Dhe unë sot piva “kafe plumbi”.

-Po ju kolonel nuk morët fare kafe, – i thashë.

-E ndjej, – më kundërshtoi ai. Fundja pas çajës së boronicës po e pi një “kafe plumbi”.

Në orën dhjetë dolëm nga kafeneja. Të gjithë të gjymtuarit u çuan në këmbë. Gani Malushi u dha dorën me rradhë nga i pari tek i fundit. Sytë iu mbushën me lot.

Me komisar Gani Malushin në Lumin e Gashit

Pas 15 ditësh nëpër Luginën e Sylbicajve, të Lumit të Gashit e të Burimit të Çek Hasanit takohem me Gani Malushin në postën e policisë së Çeremit në kreshtën, ku është piramida 19 – të. Gani Malushi e ka vendosur rendin në Tropojë. Shqetësimi i kohëve të fundit janë për kolonelin dëmet që po shkaktojnë minat e vendosura nga serbët gjatë gjithë vijës së kufirit. Ka viktima në njerëz dhe në gjenë e gjallë. Dëme po bëhen sidomos mbi tufat me derra të egër. Era e kufomave ndihet që larg. Kjo është arsyeja që Gani Malushi ka ardhur në fshatin Çerem. Unë pasi i raportova për gjendjen në kufi, që nga Padeshi e deri në Çerem, u ulëm afër piramidës 19 – të.

-Ka dëme në njerëz? – tha Gani Malushi.

-T’i kam dërguar informacionet me shkrim, – iu përgjigja.

-I kam lexuar, – u shkoqit ai. Desha të di për ndonjë ngjarje të freskët?

-Ka tre plagosje me mina në Sylbicaj, – e sqarova. Ata kanë marrë ndihmën mjekësore në Bajram Curri dhe janë kthyer sërish në stane.

-Po në bagëti?

-Tek kreshta e Lumit të Gashit një bariu i kishte rënë e gjithë tufa në mina, – i thashë. Prej tyre i kishin ngordhur 30 krerë dele. E gjithë kreshta ishte e mbushur me korba.

-Punoni me banorët! – tha Gani Malushi. Millosheviçi ka thënë se kufirin me Shqipërinë e kam siguruar për 500 vjet. E kishte fjalën për minimin e madh.

-E kemi shumë të zorshme me banorët, – i thashë. Janë nëpër stane e larg njëri – tjetrit.

-Atje ku të jenë, – foli ai me qortim.

-Çfarë keni dëshirë që të shikoni? – i thashë.

-Plavën e Guxinë, – mërmëriti ai. Por i pashë pa ardhur ti. Dylbitë i kam marrë me vete. Nuk i kisha parë kurrë. Pa mbrritur tek piramida 19 vështrova dhe fshatin Vuthaj, ku ka lindur Rexhep Qosja. Tani do të më shpiesh tek Burimi i Çek Hasanit dhe tek Shkëmbi i Gjon Palit.

-Jo! – e kundërshtova. Biem në mina. Unë mezi kam ardhur i hipur mbi një kal. Jo shumë larg prej këtej vura re një arushë që kishte rënë në mina. Ishte pa këmbë. Më shikonte mua dhe ulërinte si grua.

-Dua që ta shikoi, – tha prerë.

Pas dhjetë minutash mbërritëm pikërisht aty ku arusha ulërinte si mos më keq. Gani Malushi kur e pa i erdhi keq. Ka kohë që nuk kam parë arusha belbëzoi ai. Por nuk paska më keq të shikosh një arushë pa këmbë.

-Po na kërkon ndihmë, – tha Gani Malushi. Me zor çohet në këmbë. Si të jetë njeri. Qysh mundet ta ndihmojmë?

-Ikim! – i thashë. Asgjë nuk i bëjmë dot. Minat surprizë janë me mijëra.

-Më mirë ta vrasim se sa ta lëmë në atë gjendje të llahtarshme, – foli ai me ngulm.

-Unë nuk kam zemër, – i thashë.

-As unë, – belbëzoi ai.

Kur u nisëm për të lëvizur në udhën që të çon për nga Lumi i Gashit, Gani Malushi, pasi bëri disa hapa u kthye sërish mbrapa. Ai thirri një nga malësorët e Çeremit, i tha kush ishte, dhe si të thuash e urdhëroi prerazi, që me kallashnikovin që e kishte në krah ta vriste arushën e bërë copa – copa nga minat. Do të ishte më mirë edhe për arushën fatkeqe, por edhe për ne. Më mirë t’i dal shpirti një sekondë e më parë. Nuk kemi pse ta lëmë që të torturohet. Dhe malësori nuk e bëri fjalën dysh. Ai me një breshëri kallashnikovi e vrau arushën. Gani Malushi nuk e ktheu kokën andej. Bëmë dy orë udhë gjersa mbërritëm tek Lumi i Gashit, por ai nuk më tha asnjë gjysmë fjale. Vrasja e arushës e brengosi.

Gani Malushi dhe ambasadori amerikan Limpreht tek Fusha e Gjasë në Valbonë

Në Fushën e Gjesë në Valbonë Gani Malushi sot në orën 12 priti ambasadorin amerikan Limpreht. Masat e sigurimit qenë të jashtëzakonëshme. Për nder të ambasadorit Limpreht dhe të miqëve të tjerë paria e Valbonës shkoi një dash në hell. Në drekë me sa vura re ambasadori nuk e preku mishin e dashit. Mori pak lakra të egra të pjekura në saç. Ambasadori Limpreht e kishte në krah Gani Malushin. Unë isha pas tyre. Doja të isha më afër për të bërë ndonjë fotografi, por kjo ishte e pamundur. Biseda e Gani Malushit me ambasadorin vazhdoi gjatë. Përkthyesja ndonjë fjali e përsëriste dy herë. Gani Malushi nuk dinte anglisht. Në një fraksion të minutës kur i çova radion komisar Malushit (kishte një ngjarje në Bajram Curri) ambasadori amerikan Limpreht tha: “Komisar Malushi! Të përgëzoj për vendosjen e rendit në Tropojë. Jeta e banorëvë është kthyer në normalitet”. Vetëm kaq mundi të rrok veshi im. Në bisedë ndërhyri dhe ministri Spartak Poçi, që shoqëronte ambasadorin amerikan. Më bëri përshtypje që Gani Malushi, i cili si karakter impulisiv kërkon t’i reklamoj sukseset, për herë të parë po e shikoja, që ai të heshtëte çuditërisht. Vetëm nga fundi i drekës i rrëfeu ambasadorit Limpreht për luftëtarin e Valbonës Mushak Haxhia në luftë me malazezët. I tregoi gjithashtu dhe këngën: – /Në Valbonë gurëve të zallit/ /E hanë korbat ushtrinë e kralit/ /Vishoviçi, kryetuli/ /Tek Gurra e Kikës/ /Topat seç i nguli/.

Një fabul tregimi nga Radovicka e Gani Malushit

Jemi ulur në verandën e komisariatit të Tropojës. Është mëngjes dhe kamarieri na sjell nga një kafe. Kafeneja thuhet se është e Fatmir Haklajt tha Gani Malushi. Gjithashtu thuhet se Fatmiri ka ardhur në kullën e tij në Kërrnajë. Unë nuk fola. Gani Malushi fliste me zë të lart dhe nuk i druhej rrjedhjes së informacionit. Ai çoç kuptoi dhe më pyeti:

-Më thanë se po shkruan një libër për luftën e UÇK – së. Cili është thelbi i romanit?

-Në Koshare ka ndodhur dhe ky fenomen, – iu përgjigja. Kur artileria e forcave ushtarake serbe qëllonte qysh nga Punashevski, ku ishin dislokuar, ato predha që binin aty ku kishte borë e sidomos orteqe nuk ndodhte shpërthimi. Kjo më ka çuditur. Si është e mundur që të mos ndodh shpërthimi i predhave të kalibrave të rëndë. Kë nuk kam pyetur. Ja me këtë temë merrem. Kam të dhëna që vet serbët befasoheshin që predhat e topave dhe të mortajave, që ata i përcillnin saktësisht ato nuk shpërthenin. Në orteqet poshtë Rrasës së Zogut ka me dhjetëra predha të pazbrazura.

-Më the një gjë interesante, – tha Gani Malushi dhe më pa në dritë të syrit. Unë nuk jam artilier, por kam një mik, që është i thekur dhe kur të marrë përgjigjen prej tij do të të them. Por ti nuk duhet të merresh vetëm me motivet e luftës së UÇK – ksë. Jepi librit frymëmarrje. Në Padesh nuk kishte vetëm një lule.

-Më thuaj një temë ti komisar?

-Po të them një nga Radovicka ku kam lindur, – u përgjigj ai tak – fap. Ma ka treguar një miku im. Një bari po nga fshati im po ruante dhitë. Befasisht në livadh futet një kec sorkadhi. Keci filloj të kërcej. E pa qeni i kopesë dhe e ndoqi për ta ngrënë. Keci i sorkadhit nisi të vrapojë. Kur qeni e arriti dhe ishte gati ta kafshonte keci i sorkadhes blegëriti. Qeni që i kishte hipur përsipër ndaloi. Zëri iu duk si i ndonjë dhie dhe prandaj qeni nuk bëri asnjë veprim. Qeni e lëshoi. Sorkadhja e vogël filloi të vrapoi sërish. Qeni kur e pa duke vrapuar i bindur që nuk ishte kec dhie e sulmoi përsëri. Por kur e kapi dhe e futi ndërkëmbë u dëgjua përsëri blegërima. Qeni i ndaloi veprimet. Dhe ky avaz vazhdoi nja një orë. Bariu mbante sehir. Qeni u marros. Që s’ishte kec dhie e kuptonte, por zëri i dukej i ngjashëm. Por ai s’mund të hante një kec dhie, të cilat i ruante nga bishat. Nga kjo rrëmujë qenin e ndau vet bariu. Ai e thirri qenin dhe e la të largohej kecin e sorkadhes. Zëri e shpëtoi kecin e sorkadhes.

-Shumë e bukur, – thashë unë.

-Do të tregoj dhe të tjera, – shtoi ai. Mua më vjen mirë që ti mban ditar.

Pastaj unë mbeta vetëm. Atë erdhi dhe e mori Arben Frashëri, bashkëpuntor i tij, me të cilin kishin lidhje të ngushta dhe kishin bërë në Tropojë punë shumë të mira në vendosjen e rendit.


23 Maj 2018