Jump to content

Vitviteja/Pashko Vasa/2

Nga Wikibooks
O moj Shqypni, e mjera Shqypni - 1880 [1]

Pjesë

Recitim nga Reshat Arbana

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
kush të ka qitë me krye n'hi?
Ti ke pasë qenë një zonjë e randë,
burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t'mira e begati,
me vajza t'bukura e me djem t'ri,
gja e vend shumë, ara e bashtina[2].
me armë të bardha, me pushkë ltina,
me burra trima, me gra të dlira;
ti ndër gjithë shoqet ke qenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
ka qenë për luftë e n'luftë ka dekun
e dhunë mbrapa kurr s'i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
i ka shti dridhën gjithe Rumelisë;
ndër lufta t'rrepta gjithkund ka ra,
me faqe t'bardhë gjithmone asht da.
Por sot, Shqypni, pa m'thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem perdhe,
Shkon bota sipri, me kambe, te shklet
E nji fjale t'ambel askush s'ta flet.
Si mal me bore, si fushe me lule
Ke pas qene veshun, sot je me crule,
E s'te ka mbetun as em'n as bese;
Vet e ke prishun per faqe t'zeze.
Shqyptar', me vllazen jeni tuj u vra,
nder nji qind ceta jeni shpernda;
Sa thone kam fe sa thone kam din;
Njeni:" jam turk", tjetri:"latin"
Do thone:" Jam grek", "shkje"-disa tjere,
Por jemi vllazen t'gjith more t'mjere!
Priftnit e hoxhet ju kane hutue,
Per me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n'voter,
Me ju turpnue me grue e moter,
E per sa pare qi do t'fitoni,
Besen e t'pareve t'gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t'huej,
Qi nuk ka gjuhen dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog nder leqe!
Qani ju trima bashke me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n'dhe!
E s'i ka mbetun as buke as mish,
As zjarm ne voter, as drite, as pishe;
As gjak ne faqe, as nder nder shoke,
Por asht rrexue e bamun troke!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M'ata sy t'bukur q'dini me qa,
Eni t'vajtojme Shqypnine e mjere,
Qi mbet' e shkrete pa em'n,pa nder;
Ka mbet e veje si grue pa burre,
Ka mbet si nane, qi s'pat djale kurre!
Kujt i ban zemra m'e e lan' me deke
Ket fare trimneshe,qi sot asht meke?
Kete nane te dashtun a do ta lame,
Qi njeri i huej ta shklase me kambe?
Nuk, nuk! Kete marre askush s'e do
Kete faqe t'zeze gjithkush e dro!
Para se t'hupet keshtu Shqypnia,
Me pushke n'dore le t'dese trimnia!
Çoniu, shqyptarë,prej gjumit çoniu,
të gjithë si vllazën n'nji besë shtërngoniu,
e mos shikoni kisha e xhamia:
feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n'Prevezë,
gjithkund lshon dielli vap'edhe rrezë,
asht toka jonë, prind't na e kanë lanë,
kush mos na e prekë, se desim t'tanë[3]!
Te desim si burrat qe vdiqne motit
Edhe mos marrohna perpara zotit.

  1. Nuk e di paraqitësin e tekstit, ndoshta e ka hudhë shpirti i Vasës. E di që e ka hudhë si tekst kotë
  2. bashtina=kopshte - korigjim sipas : GJUHA SHQIPE PËR TË HUAJ DHE SHQIPTARËT JASHTË ATDHEUT fq.264 Autor: Gj. Shkurtaj dhe E. Hysa. Sh.B. TOENA, Tiranë 2001. ISBN 99927-1-454-9
  3. t'tanë=të tërë - spjegim sipas : GJUHA SHQIPE PËR TË HUAJ DHE SHQIPTARËT JASHTË ATDHEUT fq.264 Autor: Gj. Shkurtaj dhe E. Hysa. Sh.B. TOENA, Tiranë 2001. ISBN 99927-1-454-9