Jump to content

Vitviteja/Naim Frashëri/Qosaj për Naimin

Nga Wikibooks
PANTEONI I RRALLUAR[1]
shkruar nga REXHEP QOSJA


KRIJUESI QË S´VJETROHET

'

Kur më është thënë të pregatis fjalën e rastit për Naim Frashërin , problemi i parë para të cilit jam gjetur ishte ky: çka mund të them të re dhe akoma të panjohur për atë poet, mendimtar dhe iluminist, të cilin po e përkujtojmë sonte bashkarisht me rastin e shtatëdhjetëvjetorit të vdekjes së tij? Çka mund të them të re pas gjithë atyre që janë thënë dhe publikuar për artin e tij, për idetë, botëkuptimin, moralin dhe për rolin e tij në zhvillimin e letërsisë shqipe dhe të kultures shqiptare? Në krahasim me shkrimtarët tanë të tjerë, për të cilët nuk jemi kujdesur të shkruajmë gjithmonë sa duhet dhe sa meritojnë, për Naim Frashërin është shkruar më së shumti dhe është shkruar prej studjuesish të profileve dhe të interesimeve të ndryshme; për të dhe për krijimtarinë e tij të gjithanshme e kanë parë të nevojshme ta thonë fjalën e tyre historianë, kritikë, historianë të letërsisë, gjuhëtarë, poetë të tjerë, pedagogë dhe, më në fund, shkrimtarë të filosofisë. Të gjithë ata kanë shkruar mbi Naim Frashërin për shkak se krijimtaria e tij e gjithanshme u ka dhënë mundësi ta shikojnë dhe ta trajtojnë prej aspektesh të ndryshme. Kur për një shkrimtar ose krijues tjetër shkruhet kaq shumë dhe thuaja vazhdimisht — e për Naimin shkruhet tani 70 vite — atëherë kjo do të thotë se veprimtaria e tij krijuese jo vetëm ka luajtur dikur një rol të madh historik dhe kulturor, por se është, me vlerën artistike që ka, e gjallë, kuptimplote dhe aktuale edhe sot e gjithë ditën. Të gjithë ata që kanë shkruar për Naimin, pavarësisht se nga cili aspekt i janë qasur, janë pajtuar në përfundimin se ai është njëri prej krijuesve më të mëdhenj shqiptarë, në radhë të parë për shkak se është kaq i gjithanshëm, ndonëse në ndonjë fushë krijimtarie më i madh se në ndonjë tjetër. Duke u dhënë vepra e Naim Frashërit një voli të tillë, secili prej tyre i ka vënë portretit të tij edhe vulën e interesimit të vet. Fati i veprës dhe i shëmbëlltyrës së tij në mendimin tonë hulumtues ka dëshmuar mendimin e shkrimtarit të njohur francez, Andre Zhid, i cili në një ligjëratë mbi Dostojevskin ka thënë „Pavarësisht se sa mund t´i shëmbëllejë një portret modelit, ai gjithmonë e mban edhe vulën e piktorit, dhe e mban, ndoshta po aqë sa edhe të vetë modelit. Më i bukuri është ai model që lejon shëmbëllesat më të ndryshme dhe ofron mundësinë për një numër sa më të madh portretesh". Edhe mbas të gjitha atyre portreteve që i janë bërë Naim Frashërit prej studjuesve të ndryshëm, unë e kam quajtur të arësyeshme me këtë rast vetëm të provoj të shtroj disa argumente në favor të mendimit se me të vërtetë kemi arësye ta konsiderojmë atë njërin nga krijuesit tanë më të rëndësishëm. Dëshiroj t´ju përkujtoj në fillim se shkalla e zhvillimit letrar, kulturor dhe përgjithësisht intelektual të shqiptarëve të sotëm në njëfarë mënyre është e mbërrijtur edhe në saje të nxitjeve frytdhënëse që i janë bërë në një kohë prej krijimtarisë së Naim Frashërit. Kontributi që i ka dhënë ai zhvillimit kulturor të shqiptarëve nuk është shprehur vetëm në një plan, ashtu sikundër nuk mund të themi se një krijues mund të jetë vërtet i rëndësishëm në qoftë se ndikimi i tij s´realizohet në më tepër se një plan të jetës kombëtare. Ndikimi i krijuesve të mëdhenj, pavarësisht prej kohës në të cilën veprojnë ata, zakonisht është i shumanshëm dhe kap plane të ndryshme të jetës së një shoqërie.

Zotëron, pra, pajtimi se në letërsinë shqipe dhe në kulturën shqiptare, vepra e Naim Frashërit është shumëfish e rëndësishme, por këtë rëndësi, do të mund të thuhej se e provojnë tre faktorë kryesorë: e para, aspekti i ri i shikimit të jetës, të natyrës dhe të shoqërisë, që vjen ne shprehje në krijimtarinë e tij; e dyta, kontributi i madh që i ka dhënë formimit të gjuhës sonë letrare dhe, e treta, misioni i lartë moral dhe formues, respektivisht ndikimi i madh që kjo vepër ka luajtur në kulturën, në letërsinë, në jetën dhe në historinë e shqiptarëve. Brenda këtyre pak minutave që më janë lejuar do të jem në gjendje vetëm t´i shtroj në vija të shkurtëra këta tre faktorë, prandaj ju lus të keni mirëkuptim pse disa ide vetëm do të nxiten, po nuk do të zhvillohen plotësisht. Duhet të theksoj menjëherë se këta tre faktorë provojnë njëkohësisht rëndësinë e përhershme të krijimeve të tij më të mira letrare për shkak se janë realizuar në nivelin e duhur artistik, që u jep atyre vlerë të përhershme.

Sikundër i është e njohur shumicës prej jush, para fillimit të Rilindjes kombëtare, letërsia dhe kultura jonë janë zhvilluar nëpër disa qendra gati të shkëputura njëra prej tjetrës në Veri, në Jug dhe në truallin e arbëreshëve të Italisë. Kulturën shqiptare që do ta sintetizojë kultura e Rilindjes, e përbëjnë, pothuaj, katër kultura të pa një kontinuitet të mirëfilltë: e katolikëve të Veriut, e ortodokësve të Jugut, e bejtexhinjve dhe e arbëreshëve të Italisë. Pjesa më e madhe e krijuesve të asaj kohe të shumtën e herave nuk kanë ditur njëri për tjetrin, prandaj as kanë mundur të pësojnë ndikimin e shoqi-shoqit. Asokohe s´kishte ndonjë shkrimtar që do të mund t´u imponohej të tjerëve me autoritetin e vet, por edhe sikur të kishte, ai nuk do të mund të vinte në shprehje për shkak të karakterit provincial të gjuhës së shkrimeve të tij.

Shkrimtarët që i kanë paraprirë Naim Frashërit, e kanë parë dhe e kanë shpjeguar botën në varësi prej besimit të tyre: shkrimtarët katolikë dhe ortodoksë, duke u nisur prej dogmës kristiane, kurse bejtexhinjtë dhe, në përgjithësi, shkrimtarët muslimanë, duke u nisur prej dogmës muhamedane. Në qoftë se i lëmë anash vargëruesit e parëndësishëm, që kanë pasur bindje më të përparuara, por që në shkrimet e tyre nuk kanë mundur t´u japin shprehje sa të mund të ndikojnë me to, atëherë del se në atë kohë shqiptarët gjendeshin në errësirën e mesjetës, ndërsa te popujt e tjerë ndikonin idetë progresive të nxitura prej Revolucionit të madh francez. Evropa kishte filluar të kuptonte, e diku-diku e kishte kuptuar mirë, se ç´do të thotë populli, kurse shqiptarët akoma e dinin vetëm se ç´do të thotë përkatësia fetare. Kjo nuk do të thotë se ndryshimi fillon me Naim Frashërin, meqenëse aspekti i ri i shikimit të jetës, të natyrës dhe të shoqërisë, që vjen në shprehje të plotë në krijimtarinë e tij, ishte një tendencë që ndër shqiptarët kishte zënë të përhapej ç´prej fillimit të dccenjes së katërt të shekullit XIX. Në letërsi dhe në fjalën e shkruar përgjithësisht, ndërkaq. ajo do të vijë në shprehje të plotë, duke u shfaqur në masën që mund të ushtrojë ndikim në përmasa më të gjera, vetëm në krijimtarinë e tij, e cila kishte karakter të theksuar popullor. Naim Frashëri ka filluar të shkruajë rreth Lidhjes së Prizrenit, domethënë në momentin kur ajo tendencë është e nxitur shumë prej vetë situatës historike në të cilën u gjetën shqiptarët aq sa edhe prej kontekstit historik në Ballkan dhe në Evropë.

Nuk është e thënë kot se koha krijon njerëz të mëdhenj, por duhet shtuar se njerëzit e mëdhenj, zakonisht, pregatiten me vite, me decenje apo me shekuj. Në këtë mënyrë është pregatitur edhe Naim Frashëri në kulturën dhe në letërsinë tonë. Si bir i kohës së vet, ai ka përqafur përgjegjësinë që i ka imponuar ajo, por si krijues i pregatitur gjatë disa decenjesh ai ka mundur të sintetizojë tendencat më pozitive të letërsisë shqipe dhe të kulturës shqiptare deri në atë kohë. Nuk është Naim Frashëri i vetmi krijues që ka përqafur këtë përgjegjësi, mbasi një gjë të tillë e kanë bërë edhe shumë të tjerë. dhe nuk janë bërë krijues të mëdhenj, por ai është i vetmi që, në saje të prirjes së vet të madhe ka mundur t´i japë shprehjen adekuate artistike asaj përgjegjësie dhe të shprehë kahet më pozitive të kohës në të cilën u shfaq ajo.

Ku qëndron rëndësia historike e aspektit të ri të shikimit të jetës, të natyrës dhe të shoqërisë, që është afirmuar në krijimtarinë e Naim Frashërit?

Duket se rëndësia e tij më e madhe qëndron në faktin pse ai ka qenë aspekt, që i është përgjegjur shumicës dhe, duke ju përgjegjur shumicës, ka mundur të ushtrojë ndikim pozitiv në ngritjen e nivelit të vetëdijes e të kulturës së shqiptarëve. Aspekti i tij, pra, ka qenë aspekti më i aprovueshëm për atë situatë historike dhe Naim Frashëri e ka përqafur nën ndikimin e mendimit pozitiv evropian të shekullit XIX. Në veprën e tij të njohur Kursi i filosofisë pozitiviste, Ogyst Konti ka vënë në dukje se mendimi njerëzor ka kaluar nëpër tri gjendje: gjendja teologjike ose fiktive, gjendja metafizike ose abstrakte dhe gjendja pozitive. Dy të parat i takojnë së kaluarës, kurse e treta, si rezultat i zbulimeve shkencore, është gjendja më e përparuar, që i përgjigjet zhvillimit të përgjithshëm shoqëror. I frymëzuar prej saj, Naim Frashëri ka vënë në dukje se kjo filosofi e ka shpëtuar njerëzimin prej kotësive të filosofive të vjetra, duke u dhënë mundësinë që, në vend se me gjëra abstrakte, të mirren me gjëra konkrete, që i hapin rrugën mbrothësisë. Për këtë shkak ai i është vënë me aqë zell popullarizimit të mendimit shkencor, ka shkruar për rezultatet dhe zbulimet e shkencave të natyrës dhe, varësisht prej tyre, është përpjekur edhe vetë t´i japë një shpjegim shkencor jetës, natyrës dhe shoqërisë. Veprimtaria e këtillë e një krijuesi imagjinativ në një kulturë tjetër, më të madhe, ku këso misionesh kryejnë njerëz të tjerë e jo shkrimtarët, nuk do të kishte farë rëndësie të posaçme për vendin e atij krijuesi në letërsinë e tij kombëtare. Në historinë tonë një veprimtari e tillë është shumëfish e rëndësishme për shkak se ua ka çelur shqiptarëve horizontet e dijes dhe mengadalë i ka shkoqur prej obskurantizmit fetar. Nën ndikimin e mendimit pozitiv, gjithashtu, Naim Frashëri ka trajtuar një problematikë historikisht më të rëndësishme se ç´kanë bërë paraardhësit e tij dhe me të ka ndikuar te të tjerët pozitivisht. Duke u nisur prej këtij mendimi, Naim Frashëri i ka kushtuar një rëndësi të madhe edhe formimit moral e shpirtëror të shqiptarëve, dhe aspekti i tij i shikimit të jetës është treguar frytdhënës edhe në këtë pikëpamje. Njerëzit që mendojnë duke u nisur prej dogmave fetare pohojnë se të gjitha të këqiat dhe të mirat i vijnë njeriut prej zotit dhe fati i caktuar që përpara është përcjellësi i vetëm i jetës së tij. Naim Frashëri, përkundrazi, ka vënë në dukje se të gjitha të këqiat ose të mirat, i vijnë njeriut ose prej të tjerëve, domethënë prej shoqërisë, ose prej vetëvetes. Fati i njeriut është, pra, i caktuar në tokë. Një parim të këtillë ai e ka konkretizuar në shkrimet letrare: vuajtjet e Skënderbeut dhe të popullit shqiptar janë të shkaktuara prej pushtuesve të jashtëm, kurse vuajtjet e Aliut me Imam Hasanin dhe Imam Hysenin prej Mavijes dhe përkrahësve të tij.

Naim Frashëri është përpjekur për formimin e një njeriu etik dhe në këto përpjekje s´ka harruar t´i drejtohet shoqërisë, si bashkësi njerëzore por as njeriut si individ. Ai u është drejtuar individëve: njiheni vetëveten, sepse në zemrat tuaja gjenden e mira ose e keqja, engjëlli ose djalli. Ai ka kërkuar prej tyre të jenë jo vetëm të ngritur, të ditur, të drejtë, por edhe të mëshirshëm dhe kësaj mëshire jo njëherë i ka dhënë kuptim social. Mëshirës që ka predikuar, përpos karakterit borgjez, që me të drejtë i është zënë për të madhe, Naim Frashëri i ka dhënë edhe një karakter tjetër: ky është karakteri i saj psikologjik. Njeriu që e ndjen këtë lloj mëshire, të cilën e ka pasur në mend Naim Frashëri, nuk mund të ndërtojë krematoriume, në të cilat do t´i shndërrojë në hi njerëzit e gjallë, dhe nuk mund të krijojë koleksione prej dhëmbëve të kufomave, sikundër kanë vepruar fashistët gjatë luftës; një njeri i tillë nuk mund t´i verë fëmijët dhe pleqtë në majë të bajonetës, sikundër bëjnë sot ushtarët amerikanë në Vietnam. Pa këtë ndjenjë mëshire njerëzit do të shfaroseshin, siç janë shfarosur gjatë historisë sa herë kanë mbetur pa të. Në veprat e tij didaktike, etike dhe shkollore Naim Frashëri ndonjëherë e ka tepruar me moralizime, ka përhapur aso mendimesh, që aspirojnë një njeri, i cili do të ishte, si thotë një fjalë popullore, i mirë aqë shumë sa nuk do të vlente asgjë, dhe ka aspiruar një njeri, pothuaj pasiv. Në qenësi këtë parim moral të Naim Frashërit, megjithatë, nuk mund ta njësojmë me parimin moral të Tolstoit, i cili ka predikuar moskundërshtimin e së keqes me dhunë. Yeprat e tij më voluminoze poetike, Historia e Skënderbeut dhe Qerbelaja, në të vërtetë janë apoteozë e trimërisë, e qëndresës, e heroizmit dhe e luftës së drejtë për mbrojtjen e lirisë, të dinjitetit kombëtar dhe të së mirës njerëzore. Naim Frashëri si poet — e veprat e tij poetike kanë ushtruar ndikimin më të madh — nuk ka aspiruar pra, një njeri pasiv, por një njeri aktiv, të pajisur me ndjenjat e butësisë, të mirësisë, mëshirës, simpatisë dhe të solidarësisë njerëzore. Ai e ka dëshiruar një njeri që e di përse vepron, që do të jetë i liruar prej pasioneve të errëta dhe të pakontrolluara, të cilat i sjellin fatkeqësi të mëdha si individit ashtu dhe shoqërisë. Ai është përpjekur për edukimin e një njeriu emotiv, i cili do të udhëhiqej prej arësyes së shëndoshë dhe këtë njeri e ka dëshiruar jo vetëm për momentin e vet, por edhe për ardhmërinë. Naim Frashëri e ka pregatitur një kulturë racionale të shqiptarëve, megjithëse ka qenë shkrimtar romantik. Si në pikëpamje të aspektit prej të cilit e ka shpjeguar jetën, natyrën dhe shoqërinë, ashtu edhe në pikëpamje të moralit të predikuar, ai shpeshherë nuk ja ka qëlluar, por ato janë gabime sa të idealizmit të filosofisë pozitiviste të shekullit XIX, aqë edhe të tijat, që kanë qenë të kushtëzuara edhe prej zhvillimit të përgjithshëm të kulturës sonë. Gabimi, në fund, është përcjellës i përhershëm i progresit njerëzor.

Përse Naim Frashëri i ka vënë një theks aqë të fortë edukimit moral të njeriut?

Ai e ka njohur mirë popullin e vet dhe e ka ditur se, përpos së keqes më të madhe — robërisë, ai duron edhe shumë të këqia të tjera, që shqiptarët i shkaktonin shoqishoqit. Ligjëratat e tij morale në shumë raste janë të drejtuara kundër këtyre të këqiave dhe ne sot mund të jemi të bindur se ato nuk kanë qenë të kota. Shkrimet e tij jo vetëm se janë lexuar, por, të shumtën e herave, janc ditur dhe përmendësh prej lexuesve. Madje edhe individët e devotshëm i kanë mbajtur nën kokë këto shkrime krahas Kur´anit dhe Ungjillit dhe janë luhatur a t´u besojnë më shumë librave të shenjtë apo librave të Naim Frashërit. Jo një numër i vogël shqiptarësh kanë mësuar shkrim-këndimin vetëm që të mbërrijnë të lexojnë veprat e tij. Disa prej tye, qoftë prej atdheut, qoftë prej kolonive shqiptare në botën e huaj (Bukuresht, Sofje, Kairo) kanë shkuar në Stamboll për të parë Mesinë e tyre, Naim Frashërin, prej të cilit, si thuhet në shënimet që ka lënë ndonjëri prej tyre, janë kthyer të rilindur shpirtërisht dhe moralisht.

Aspektit prej të cilit e ka trajtuar jetën dhe moralit të predikuar, Naim Frashëri është kujdesur njëkohësisht t´u gjejë edhe shprehjen e duhur gjuhësore. Si veprat didaktike dhe etike ashtu edhe veprat poetike, ai është kujdesur t´i shkruajë me një gjuhë, që do të jetë e kapshme për të gjitha shtresat e lexuesve. Naim Frashëri është shkrimtar romantik dhe me De Radën, Gavril Darën dhe Zef Seremben, janë të vetmit në krijimtarinë e të cilëvet, përpos karakteristikave autoktone të letërsisë sonë romantike, vijnë në shprehje edhe disa prej karakteristikave kryesore të romantizmit evropian. është e njohur se shkrimtarët e romantizmit, ndryshe nga klasicistët që kanë kultivuar shprehjen dhe figurën e qartë, janë kujdesur t´i rrallojnë sa më tepër hallkat logjike ndërmjet figurave me shpresë se ashtu do të sugjerojnë një kontekst më të pasur se ç´e shpreh vargu i një strukture të logjikshme. Duke krijuar sipas këtij prosedeu ata kanë mbërrijtur të bëhen paraardhësit shpirtërorë të xhindit të sotëm të hermetizmit. Megjithëse i frymëzuar prej romantikëve të shquar evropianë, e në radhë të parë prej atyre francezë, Naim Frashëri nuk ka mundur të pajtohet me shprehjen e errët, për shkak se nuk ka dashur të privohet kujdesit për lexuesit e vet. Ai e ka ditur se Naim Frashëri nuk duhet të shkruajë vetëm për Naim Frashërin dhe për miqtë e tij më të ngushtë, por për masën e lexuesve, në vetëdijen e të cilëvet është interesuar të ndikojë. Teprimet dhe shfrenimet e romantizmit në asnjë rast nuk janë shprehur në krijimtarinë e tij, prandaj ka mbërrijtur gjithmonë t´i realizojë ndjenjat dhe mendimet brenda një kornize racionale dhe të kuptueshme. Naim Frashëri, si edhe krijuesit e tjerë të mëdhenj të letërsisë, nuk ka lejuar të bëhet rob i teknicizmit krijues, viktima të të cilit bëhen sot ndonjëherë edhe disa prej poetëve të talentuar që, mjerisht, e ndjejnë veten të shkarkuar çdo përgjegjësie morale dhe shoqërore në krijimtari.

Në letërsinë dhe në kulturën tonë Naim Frashëri është i rëndësishëm edhe për shkak të kontributit që i ka dhënë lëvrimit praktik dhe formimit të gjuhës letrare. Përpara shkrimtarëve të brezit të tij gjuha e shkruar shqipe ka pasur, si edhe gjuha e folur, karakter krahinor dhe kryekëput dialektal. Për më tepër, ajo është shkruar e përzier me shumë fjalë të huaja, e në radhë të parë me fjalë prej gjuhësh arabe, turke dhe greke. Naim Frashëri e ka pastruar trungun e gjuhës shqipe prej kulpërave të huaja dhe e ka pastruar jo vëtëm si purist, por, ç´është me rëndësi të posaçme, si artist, megjithëse në këtë mes puristin nuk mund ta veçojmë prej artistit. Në shkrimet e tij gjuha shqipe për herë të parë ka dalë e kulluar, ashtu siç del ari i kulluar pasi t´i hiqen xehet e tjera që ja fshehin bukurinë. Po nuk është kjo merita e tij më e madhe: si krijues i veprave të rëndësishme artistike, ai e ka sjellë gjuhën nëpër provokime të mëdha, e ka vënë përballë idesh, mendimesh, ndjenjash dhe përjetimesh, me të cilat ajo më parë nuk kishte pasur rastin të ballafaqohej në atë masë. Në shkrimet e tij, sidomos në ato poetike, gjuha shqipe për herë të parë është aftësuar për të kapur nuancat më të holla të ndjenjave, të mendimeve e të përjetimeve dhe është bërë gjuhë e aftë si edhe gjuhët e popujve të tjerë të qytetëruar. Edhe pse një toskërishte, gjuha e Naim Frashërit, e shikuar nga perspektiva e sotme, nuk është gjuhë dialektale, por, me ndonjë ndryshim që ka sjellë zhvillimi historik i shqipes, është gjuha e sotme letrare, çka s´mund të thuhet për gjuhën poetike të ndonjë shkrimtari tjetër të kohës së tij. Rëndësia e Naim Frashërit për kulturën tonë do të pohohet, pra, në qoftë se thuhet se ardhmëria i ka dhënë të drejtë edhe sa i përket gjuhës. është e natyrshme që pohimeve të këtilla t´u pasojë pyetja: si është e mundur që një shkrimtar, i cili të gjitha veprat e tij i ka shkruar në një vend të huaj, gjuha e të cilit i është kanosur gjuhës së tij kombëtare, të bëhet themelues i gjuhës letrare të popullit të vet. Nganjëherë paradokset e shpjegojnë qenësinë e dukurisë, prandaj edhe kësaj pyetje mund t´i jepet një përgjegje që, sigurisht, nuk i shter të gjitha përgjegjet e tjera plotësuese: prirja gjuhësore e një talenti të shquar duhet të jetë, zakonisht, në përpjesëtim të drejtë me prirjen e tij të përgjithshme krijuese; duke i zënë kahet e jetës në thellësinë e tyre, ata i zënë edhe kahet e gjuhës sigurisht ndonjëherë me vetëdije e ndonjëherë edhe pa vetëdije. Një përvojë të këtillë, përpos shembëllave nga letërsitë e popujve me kultura më të mëdha, e provojnë edhe shkrimtarët e mëdhenj të popujve të tjerë të vegjël të Ballkanit.

Me krijimtarinë e Naim Frashërit, letërsia dhe gjuha shqipe janë ngritur në një nivel në të cilin nuk kanë qenë asnjëherë përpara tij, dhe një ngritje e tillë është e logjikshme mbasi atë që e bën një shkrimtar me prirje të rrallë, zakonisht nuk mund ta bëjnë në krijimtarinë imagjinative shumë të tjerë me prirje më të vogël. Vargu i tij, në pikëpamje të strukturës figurative dhe ritmike, mund t´i duket sot ndokujt i thjeshtë dhe, njeriu që nuk dëshiron t´i shikojë dukuritë letrare edhe nga aspekti historik, mund të vijë në përfundimin se merita e tij, së paku për poezinë, është më modeste se ç´i atribuohet. Një dyshim i tillë është i mundshëm për shkak se një poet i sotit nuk e ka vështirë të shkruajë vargje të aso strukture figurative dhe ritmike. Duhet të krahasohen, ndërkaq, vargjet e Naim Frashërit me të paraardhësve apo të bashkëkohësve të tij, për të parë drejt se sa më të gjatë e ka ai hapin. Për lexuesit e tij ai ka qenë, sigurisht, po aqë i ri, sa janë për ne poetët e sotëm më të talentuar shqiptarë.

Nuk është çudë, prandaj, pse Naim Frashëri ka qenë aqë i çmuar jo vetëm prej lexuesve, por edhe prej krijuesve të tjerë shqiptarë. Shkrimtarët tanë më të mirë nuk kanë ngurruar ta çmojnë Naimin si babanë e tyre, sepse kanë qenë të vetëdijshëm se puna që ka bërë ai në fushën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, i ka çliruar prej disa pengesash, në të cilat ata do të kishin hasur po të mos kishte qenë ai. Krijuesit tanë të talentuar, por modestë, e kanë ditur, pra, se, si i thonë një fjale „edhe liliputani i hipur në krahët e divit sheh më larg se vetë divi". Ne sot akoma s´dimë mirë se çfarë pasojash ka pasur dhe me çfarë rezultatesh është kurorëzuar ndikimi që ka ushtruar vepra e Naim Frashërit në jetën, në letërsinë dhe në kulturën e shqiptarëve. Ndikimi i një shkrimtari të madh, qoftë vetëm në përmasat e një populli — kur rëndësia e tij është vetëm kombëtare, qoftë në përmasa shumë më të gjera — kur rëndësia e tij është universale, nuk mund të shihet dhe të diktohet lehtë. Format pozitive të ndikimit të tij janë si lumenjtë nëntokësorë, që e din se rrjedhin, por s´i sheh tek fillojnë apo tek dalin ose, më në fund, si rrezet kozmike, të cilat nuk i sheh, por e ndjen ndikimin e tyre frytdhënës.

Këto do të ishin meritat historike, kulturore dhe letrare të Naim Frashërit dhe me këto merita ai mund të jetë i madh vetëm për momentin e vet historik. Disa prej veprave të tij më të mira, ndërkaq, e bëjnë atë një prej krijuesve më të shquar shqiptarë, për shkak se vlera e tyre artistike është e pakaluar; ajo është vlerë e tyre e brendshme. Duke ja lexuar veprat, pavarësisht pse disa prej ideve të tij janë vjetruar, ne e ndjejmë se prej tyre flet një krijues me përvojë të madhe jetësore, një krijues që e ka njohur jetën dhe njeriun, që është frymëzuar prej një fatkeqësie të madhe kombëtare — robërisë dhe prej dëshirës që kjo fatkeqësi të tejkalohet. Të gjithë shkrimtarët e rëndësishëm e realizojnë përmes një shprehje adekuate artistike një përvojë përherë të vlershme, që është mësim i çdo njeriu dhe në çdo kohë. Të gjithë ata e mësojnë njeriun se çka të çmojë e të dashurojë dhe me bukurinë e fjalës së tyre e ngrenë atë në regjione më të larta shpirtërore dhe morale. Naim Frashëri e mëson njeriun të çmojë mbi çdo gjë tjetër lirinë, dinjitetin, dashurinë dhe të drejtën, pa të cilat jeta është e pakuptimtë.

1970.


  1. Nxierr nga : Amza e internetit http://letersi.com/qosja_rexhep/krijuesi_qe_svjetrohet.htm