Jump to content

Vitviteja/MIGJENI/Të lindet një njeri

Nga Wikibooks

Nga Albasoul: [1]

Të lindet një njeri

        Të lindet një njeri
        nga gjin' i dheut tonë të rim me lot të vakët,
        nga thalb' i shpirtit tonë që shkrihet në dëshirë të flakët
        për një gen të ri, -
        Të lindet një njeri!
        Pa hyll në ball - por që me fjalë të pushton,
        që të rrëmben qetsin e ban gjaku të të vlojë
        rrkajë, e ban synin ligshtin ta zhgjetojë,
        që nëpër shekuj ndërgjegjen na tradhton.
        Të dali një njeri!
        Të mkambi një Kohë të Re!
        Të krijojë një Epope!
        Ndër lahuta tona të këndohet Jeta e Re...
        - Të gjithë kombet po dehen n'epopea të veta,
        flakë e zjarrmit të tyne na i përzhiti ftyrat
        dhe nëpër to një nga një po shtohen rrudhat,
        e nën kambë e mbi krye tinzë po na ikjeta.
        (Liri! - Po, liri dhe gaforrja gëzon,
        porgaforre asht...
        Liri, ku plogsi ndërgjegje gjallon,
        jo, liri nuk asht!),
        Të lindet një njeri
        i madh si madhni
        dhe ndërgjegjet tona t'i ndezi në dashni
        për një ide të re, ideal bujar,
        për një agim të lum e të drejtë kombtar.

Kangë Përendimi

        Kangë Përedimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete
        Kanga e tij një fe tjetër, me tempuj të tjerë, me meshë solemne,
        ku prej mëngjesit deri në mbramje shkrihen ndjesitë tmtë njerzore
        n'apoteozën e hekurit; shpirtënt përshkohen në tymore,
        të cilat në fishkllim i përqeshen zotit të vjetër edhe qiellit
        e me re të ndyt' tymi të dendun ndriçimin ia vrasin diellit.
        Fe tjetër, fe e çmendun e Pëmdimit të mrekullueshëm...
        I ekzaltuem shklet njeriu në delirium të pakuptueshëm.
        Dëgjon zanin q'i thotë feja. Plagos qiellën, e shpon tokën,
        i shkyn horizontet e bardhë, zhvesh natyrën - ia heq kotllën.
        Kult' i tij - kult i zhveshun! Nuk ia bren ma trutë enigmi -
        e varros, mbi varr ia vë një shej përbuzje o nderimi.
        Kangë Pëmdimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete
        Kanga e tij shpres' e bukur, me flatra të një tjetërjete
        në të cilën dielli do ndrrojë udhën: ka për t'u lindë nga Pëmdimi
        - por deh! nga lumnia tash humb kokën rruzullimi.
        Me një "tango" qejfi tash ia ngatrron fijet zotit të vjetër
        ka me ia skandalizue të birtë besnikë në planetë të tjeter,
        Kanga Pëmdimi, kangë njeriu të dehun nga besimi në vete...
        Le të dëgjojmë kangën që mshtillet në shllung' avulli në pika djerse.

Nën flamujt e melankolisë

        Në vendin tonë
        kudo valojnë
        flamujt e një melankolie
        të trishtueshme...
        ... dhe askush s'mund të thotë
        se këtu rron
        një popull që ndërton
        diçka të re.
        Aty këtu në hijet
        e flamujve
        mund të shifet
        një mund, një përpjekje
        e madhe përmbi vdekje
        për të pjellë diçka të madhe,
        për të qitë në dritë një xhind!
        Por, (o ironi)
        nga ajo përpjekje lind
        vetëm një mi.
        Dhe kështu kjo komedi
        na plas dellin e gazit,
        nsa prej marazit
        pëlcasim.
        Në prakun e çdo banese
        ku ka ndoj shenj jetese
        valon nga një flamur
        melankolie të trishtueshme.

  1. 14 Shtator 2010, Informamza: albasoul.com, html:Pavarsia - Migjeni - index