Vitviteja/Lasgush Poradeci/Vallja e luleve

Nga Wikibooks

VALLJA E LULEVE[1]

Vijnë vashat valle-valle,
gushë-e-gji-stolisura,
Një pëllumb, një sy sorkadhe
Seç vjen më e mbodhisura.

Ç'm'i ka hije shtat' i hedhur,
Hije kraharuari,
pa fillon me zë të dredhur
motra së kënduari:

Ju që niseni për lule,
Shoqe, moj, të mijëza,
merrmëni as edhe mua
ndër pyje korijëza;

Pritni, moj, të vij dhe unë
maleve, lëdinave
ndaj shkëlqen pa të përdhunë
filli i trëndelinave.

Në mos diça të bëj tufë,
shoqem ju dëgjomëni:
bëni moj, një tog me lule
dhe ndër to mbulomëni.

Në ju pyeçin për mua:
Ç'u bë flokbanusheja?
Thoni, se në një përrua
e zu gjarpërueshja.

Thoni se ndaj një burimi
më te patë fluturën:
thoni se ç'e zuri trimi
atë belkëputurën.


  1. GJUHA SHQIPE PËR TË HUAJ DHE SHQIPTARËT JASHTË ATDHEUT fq.274-275 Autor: Gj. Shkurtaj dhe E. Hysa Sh.B. TOENA, Tiranë 2001. ISBN 99927-1-454-9