Vitviteja/Komiteti i Stambollit/Programi i A.M.Pashës më 1 prill 1880
Appearance
Vini Re! Pjesë klotë, të pa përpunuara. ---
Kështu, në relacionin e Ahmed Muhtar Pashës për Kryeministrinë në Stamboll, më 1 prill 1880, thuhet qartë: ”Kryetari i Lidhjes, Haxhí Efendiu, për të cilin kam folur në telegramet e mia të mëparshme, duke qenë tepër i zemëruar, disa herë kishte shprehur poshtë e lart kundër qeverisë fjalë të papërshtatshme, siç janë këto: ‘Këto apo ato toka ia dhanë armikut, së shpejti do t’ia japin edhe vendin tonë; mirëpo ne nuk do të lëmë që t’ia japin këtë aq lehtë’. Këto kuptohen nga fjalët që ishin dëgjuar nga gojë e tij. Nga veprimet e tanishme dhe nga disa veprime të tjera, del se njerëz të tillë kokëfortë, si i sipërshënuari dhe shokët e tij, që ndodhen aty-këtu, nuk kanë hequr dorë aspak nga mendimet e tyre të gabueshme…” Ushtaraku osman konstatonte se me urdhër të Haxhí Ymerit janë vendosur nëpunës të rinj në vend të të larguarve me dhunë. Nëpunësit e vendosur nga Lidhja me vullnet hoqën dorë nga të ardhurat mujore. Sipas Ahmet Muhtar Pashës, këta nëpunës merrnin vetëm dy të dhjetat e pagës dhe tetë pjesë nga tërësia ia lënin Lidhjes - që “të përdoreshin për të mirën e vendit të tyre”. Kjo fliste se Lidhjen po e financonin edhe nëpunësit e Lidhjes, bëmirës të Atdheut. Ushtaraku Ahmet Muhtar Pasha, Vali i Manastirit dhe komandant i Armatës së Tretë të Perandorisë, pasqyroi edhe përpjekjet e Haxhí Ymer Prizrenit për t’i demaskuar dhe për t’i spastruar anëtarët proosmanë në Komitetin Qendror dhe në degët e Lidhjes Shqiptare. “Midis tyre ishte edhe vëllai i tij i madh, të cilin ai donte gjithashtu ta largonte. Ky njihej përkrahës i qeverisë ...” Dhe, edhe kjo ishte dëshmi për cilësitë kombformuese e shtetformuese të myderrizit Ymer Prizreni - për liri, çdo gjë! Për ta penguar veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare, duke minuar aktivitetin e Ymer Efendi Prizrenit nga brenda, pashai osman propozonte masa dinake e drastike: Qeveria duhej t’i merrte në mbrojtje “Shtatë personat që tanimë kundërshtohen si njerëz që urrehen nga populli”; të veprohet në thellimin e hendekut midis gjakovarëve e prizrenasve, duke pasur adut gjakderdhjen me rastin e vrasjes së Mehmed Ali pashë Maxharrit; të veprohet në masën e popullsisë së Prizrenit për ta ftohur nga veprimet e Haxhí Ymerit, dhe, kur të arrihet kjo ftohje e popullit ndaj tij, të arrestohej së bashku me “nja gjashtë, ose tetëmbëdhjetë vetë që janë shokët e tij më të afërm, të kapen në befasi dhe të internohen (…). Prandaj, është e domosdoshme që nga njëra anë të presim këto (suksesin propagandas osmane përqarëse), kurse nga ana tjetër, të dërgohen këtu sa më shpejt e sa më shumë batalione të ushtrisë së rregullt dhe që i sipërshënuari të largohet patjetër dhe sa më shpejt që këtej!”. Në vazhdim, Ahmet Muhtar Pasha, madje, ia tërhiqte vërejtjen Kryeministrisë: “Së treti”, për ta bërë Ymer Efendi Prizrenin të parëndësishëm, për ta larguar “me të mirë që këtej, duhet pasur parasysh se ai është një njeri i pasjellshëm dhe kokëfortë; prandaj ka mundësi që të mos largohet me këtë mënyrë” dhe theksonte se kërkesat që ai të largohej nga Kosova, me të mire, po e nxiste “atë të shkojë më tej...!”