Vitviteja/Komiteti i Stambollit/Memorandumi i datës 15 prill 1881
Appearance
Vini Re! Tekst i marrun klotë.
Në atë dokument u pasqyruan shkaqet kryesore të rebelimit të popullit shqiptar dhe qëllimet që ka për t’i arritur populli shqiptar nën udhëheqjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pa marrë parasysh çmimin e sakrificave. Në fjalinë e parë të dokumentit, për trazirat dhe kryengritjen gjithëpopullore në Shqipëri, fajësohet qeveria osmane, e cila, qysh nga shtypja e Revolucionit Borgjez Osman të vitit 1876, me administrim joadekuat prodhoi një “gjendje kaotike” në të gjitha viset e Turqisë Evropiane - Rumelisë. Kjo bëri që “shumë krahina të banuara me popullsi myslimane”, pra edhe krahina të tëra shqiptare, të kalojnë “në duar të Bullgarisë, të Austrisë, të Greqisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi. Pjesa e mbetur e Rumelisë me popullsi shqiptare, e cila është e njohur për trimërinë dhe për qëndrueshmërinë e saj, është gati që edhe ajo të kalojë në duar të armiqve dhe në këtë drejtim janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për pushtimin e saj” - theksohej në Memorandum. Portës së Lartë edhe njëherë i tërhiqej vërejtja nga Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare, përkatësisht nga Haxhí Ymer Prizreni, të shkundej nga antishqiptarizma për të parë rrezikun që Ballkani dhe Evropa po ia përgatisnin ardhmënisë së popullit shqiptar e Shqipërisë. Në dokument theksohej: “Nëpër të gjitha viset shqiptare qarkullojnë spiunët dhe diversantët të cilët janë dërguar nga shtetet e lartpërmendura me qëllim të na përçajnë në mes vetes, duke i bërë përgatitjet për okupimin e viseve tona. Mirëpo, armiqtë tanë janë bindur për besnikërinë dhe patriotizmin tanë ndaj atdheut dhe kanë konstatuar se jemi shumë të qëndrueshëm. Mu për këtë arsye atyre nuk u mbetet tjetër gjë përveç dëshira e tyre për të na shkatërruar. Këtë çështje e ka kuptuar çdo njeri i yni, i vogël dhe i madh”. Më tutje, me një oportunitet politik të domosdoshëm për momentin historik, si përpjekje për të ndikuar në ndërprerjen e operacioneve të Dervish Pashës kundër Lidhjes Shqiptare në Kosovë, konstatohej: “Duke marrë parasysh rrethanat se kemi jetuar në pesë shekujt e fundit nën sundimin e Perandorisë Osmane, përsëri e kemi gëzuar lirinë e plotë të ekzistencës sonë në atdheun tonë, prandaj jemi të gatshëm t’i mbrojmë viset tona të cilave u kërcënohet rreziku nga copëtimi”. Në vazhdim, duke iu drejtuar Sulltan Abdylhamidit II, i cili deri në fund të vitit 1880 e përkrahu fuqimisht Lidhjen Shqiptare dhe programin e saj për autonominë e Shqipërisë, duke mbajtur korrespondencë për këto çështje me myderriz Haxhí Ymer Prizrenin dhe me personalitete të tjera shqiptare, në Memorandum u përmblodhën pikat kryesore të Programit politik e luftarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: “Na gjithashtu e njoftojmë Lartëmadhërinë e Tij, Sulltanin, se qe katër vjet jemi bashkuar dhe kemi formuar Lidhjen tonë dhe e ndjejmë veten se jemi shumë të sigurt. Qëllimi i Lidhjes sonë është sa vijon: 1. Të mbrohen të gjitha të drejtat tona ligjore; 2. Të mbrohet e drejta jonë kombëtare; 3. Të mbrohemi nga ata që gjenden përbrenda viseve tona dhe tentojnë të na prishin qetësinë; 4. Të mbrohemi nga sulmet e armiqve dhe nga ndikimet e huaja që vijnë nga jashtë; 5. Të jetojmë nën sezerenitetin dhe nënshtetësinë e Perandorisë Osmane”. Në Memorandumin e Ymer Prizrenit, të 15 prillt 1881, pasqyrohej vendosmëria shqiptare për idealet e shenjta të kombësisë dhe të lirisë së Atdheut: Thuhej qartë: “Duke u bazuar në vendimet dhe idetë e përgjithshme të Lidhjes, kemi ardhur në përfundim që pa e formuar një qeveri të njësuar nuk ka tjetër zgjidhje. Kjo është konstatuar dhe vërtetuar unanimisht”. Së këndejmi, konstatohej në dokument: “derisa të ekzistojë dhe të veprojë Lidhja në Shqipëri të gjitha sulmet do të përballohen me lehtësi. Këshillat e Lidhjes kanë çliruar Plavën dhe Gucinë dhe (shqiptarët) kanë ndryshuar plotësisht. Lidhja e tyre nuk është më e frymëzuar dhe e entuziazmuar të luftojë në emër të idealit fetar, në emër të profetit, as në emër të bartësit të kurorës së Mbretërisë Osmane - Sulltanit”. Ky dokument relevant i historisë pasqyron bindjen politike kombëtare dhe vendosmërinë e hartuesit - Haxhí Ymer Prizrenit, kryetarit të Komitetit Qendror të Lidhjes. Në vazhdim të citatit të mësipërm, i tërhiqej vërejtja Sulltanit dhe Portës së Lartë se “duke marrë parasysh kohën dhe situatën kritike, duhet të shqyrtohen kërkesat e shqiptarëve dhe të aprovohen. Në të kundërtën, edhe ata persona që deri në fund kanë qenë besnikë ndaj Sulltanit, tani, nëse shpërthen ndonjë kryengritje e përgjithshme, do të rrinë anash”. Dhe, Haxhí Ymer Prizreni, para se t’i përmblidhte kërkesat në një pikë të vetme, Portën dhe Sulltanin i bënte me dije se “neve jemi të detyruar që këtë çështje tonën t’ua parashtrojmë dhe t’ua bëjmë me dije të gjithë ambasadorëve (të Fuqive të Mëdha) që gjenden në Stamboll”. Dokumenti përmbyllej me lutjen që kundërmonte erë kërcënimi gjithëshqiptar për një të drejtë legjitime të mohuar nga Porta e Lartë dhe Fuqitë e Mëdha evropiane, të vendosjes dhe të ruajtjes së status quos në Turqinë e mbetur, për ta copëtuar në një të ardhme, në rrethana politike e ushtarake edhe më të përshtatshme; për ta shlyrë popullin shqiptar dhe Shqipërinë nga historia për shekujt që do të vinin: “Me dashamirësi lutet Lartmadhëria e Tij, Sulltani, që kësaj radhe ta shqyrtojë definitivisht mirë çështjen tonë. Nëse ajo vendoset në mënyrë të drejtë dhe reale, atëherë ne do të na keni në besnikërinë Tuaj më të sinqertë dhe të jashtëzakonshme. Në çdo pikëpamje dhënia e urdhrit i takon atij i cili e ka pushtetin”. Dokumenti vërtetohej me vulën: “Komiteti Qendror i Lidhjes së Prizrenit”.