Jump to content

Vitviteja/Faik Konica/Vepra 1/Bajram Curri

Nga Wikibooks

Shënime

BAJRAM CURRI
      Me vdekjen e vërtetuar të Bajram Currit, zhduket një fytyrë plaku fisnik nga sheshi i Shqiptarësisë. I pastërvitur, aq sa s´dinte të nënshkruante emrin e tij dhe vente gishtin në vend të emrit në dokumentat, Bajram Curri ish shumë i mençur prej natyre dhe përpiqej me çdo mënyrë që nipërit e tij te hyjin e t ë mësojin në më të mira shkolla të Evropës. Liberal në mes të despotizms, patriot në mes të tradhtësisë ose të ftohtësisë kundrejt Atdheut, i patrembur në armët po përkrahës i brezit të ri dhe i idealit të një Shqipërie të shtruar në qetësi e në punë, Bajram Curri kish shumë virtyte të bukura; po virtyti më i shkëlqyer i tij ish një besnikëri e patundur në fjalën që jepte. Një zotim ga Bajram Curri qe një siguri e plotë dhe pa nonjë hije dyshimi. Mbrojtës i fortë dhe i kthiellt i mive të tij, Bajram Curri qe i ashpër kundër armiqve, po dhe kjo ashpërsi nu kish një ashpërsi aq e egër, sa të mos zbutej nga zëri i urtësisë dhe nga këshillat e matura. Mardhëniet e mia me Bajram Currin kanë qenë të vjetra dhe kurdoherë të pëlqyera U poqëm për herën e parë me Bajram Currin në gusht të moti 1894, në një vakancë të shkurtr që shkova në Shqipëri të Sipërme kur mësoja në Francë. Më vonë, kur rroja në Belgji dhe në London, ishim pak a shumë në marrëdhënie të largme e të rralla. Që më 1913 e gjer më 1921 marrëdhëniet e mia me të kanë qenë të dendura e të përzemërta. Bajram Curri ish një plak 72 vjetsh, i gjatë dhe i fortë, me sy të kaltër e me flok të thinjur, me dukej madhështore ndonëse simple, Mbahej i paqmë, rruhej çdo ditë, vishej mirë, hante pastërisht në tryezë. Në Vjenë e në Romë, ku mbante kapellë me strehë të gjërë, na dukej si nonjë rancher[1] amerikan i pasur nga Texas ose nga Arizoa. Çdo i huaj që piqej me Bajram Currin, largohej me ndienja çudie lavdëronjëse për këtë plak fisnik të kohërave të vjetra. Vdekja e tij më hidhëron posi një zi personale. Humbja për Shqipërinë është e rëndë.
      1925
  1. Farmer


Copë e nxjerrur nga : Faik Konica VEPRA 1, N.B." RILINDJA " f.227-228.