Jump to content

Vitviteja/Bilal Xhaferri/Krastakraus

Nga Wikibooks

EDHE BORA KISHTE MARRË PAMJEN E VJESHTËS[1]

        Në Dukagjinin e Sipërm kish ardhur vjeshta, Frynin erëra me lagështirë dhe kjo lagështirë e bënte ajrin më të shndritshëm, i bënte retë më të shndritshme.
        Ishte koha kur bagëtitë do zbriteshin nga kullotat verore të bjeshkëve. Së shpejti do zinte bora dhe kopetë do mbaheshin edhe pak kohë rrëzë maleve, pastaj ose do uleshin në kullotat dimërore të fushave, ose do të mbylleshin brenda.
        Dëgjohej kudo jehona e këmborëve, zileve dhe qipareve. Dëgjoheshin blegërima, lehje, fyej, vikama.
        Herë-herë ia behte, nuk di se nga, ndonjë shtrëngatë e zemëruar që rrokulliste mbi kurorat alpine orteqe bubullimash dhe ndizte shkreptima rrufesh, derdhte rrëkera shiu. pastaj binte përsëri qetësia, biente muzgu dhe tërë ajo borë malore e ashpër dhe e egër fundosej me ngadalë në errësirë.
        Kur zbardhte dita tjetër, agimi i kuq vezullues ishte mbushur me fletë që binin nga drutë. Frynte era e shndritshme e lagështirës. Ajo vinte që larg dhe diç murmuriste me atë gjuhën e saj të jugës, pyjet e përshëndetnin, i përkuleshin deri poshtë dhe i hapnin rrugë të kalonte përmes shtigjeve e monopateve, duke ia mbushur krahët me dhurata të arta, me fletët e tyre si flori.

(Nga "Krastakraus". Tiranë, 1993)

  1. GJUHA SHQIPE PËR TË HUAJ DHE SHQIPTARËT JASHTË ATDHEUT fq.295 Autor: Gj. Shkurtaj dhe E. Hysa. Sh.B. TOENA, Tiranë 2001. ISBN 99927-1-454-9