Vitet ’90-të dhe Garda e Republikës

Nga Wikibooks

Safet N. Ramolli

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë me Vendimin nr. 562 dt. 06.12.1993, përcakton si datë të krijimit të Gardës 24 qershor 1928 në vend të 12 shkurt 1944, mbajtur si e tillë për gati 50 vjet. Por mjaft dokumente arkivore, hedhin dritë për një strukturë ushtarake specifike me mision: të ruajë e sigurojë drejtuesit e lartë të vendit, pra për një Gardë, më herët në histori. Marin Barleti, ndriçon çështjen e pranisë të formacionit special, e epiteton “Garda Pretoriane” (Praetoria Cohors, S.R), i cili siguronte jetën e prijësve, të komandantëve, por edhe merrte pjesë në veprime luftarake. Pas pushtimit osman, gjatë periudhës së Pashallëqeve dhe të Rilindjes Kombëtare, deri në shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, drejtuesit e vendit kishin, sipas mundësisë, edhe një bërthamë speciale për sigurimin e tyre dhe të funksionarëve të lartë. Më vonë, nga burimet shqiptare dhe italiane, mësojmë se në strukturat e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës ishte prezent edhe një nënrepart kalorie si dhe “Garda e Shtetit”, të cilat shërbenin për shoqërimin dhe ruajtjen e drejtuesve të shtetit. Edhe Princ Viddi kishte një trupë shoqërimi e ruajtjeje. Mandej, gjatë Luftës së Parë Botërore deri në fillim vitin 1920, autoritetet krahinore apo të fiseve mbanin një forcë të vogël të armatosur, e cila kishte edhe detyrën e ruajtjes e të sigurimit të tyre. Qeveria e dalë pas Kongresit të Lushnjës (janar 1920, S.R), krahas strukturave të tjera shtetërore, kishte një forcë speciale, që siguronte drejtuesit e lartë shtetarë. Edhe fillim viti 1925, në dhjetëra dokumente shprehet qartazi për praninë e Gardës: jepet emërtimi i saj, struktura organike, fondet buxhetore, jepen drejtues e deri të dekoruar nga efektivi i saj.

Periudha 1925-1939 është e argumentuar qartësisht për praninë e Gardës, e quajtur fillimisht “Garda e Republikës”, mandej “Garda Presidenciale”, dhe nga 1 shtatori 1928-7 prill 1939 “Garda Mbretnore”. Pushtimi i vendit u pasua me shpërbërjen e gjithë institucioneve, përfshi edhe të Gardës Mbretnore. Më 12 shkurt 1944, drejtuesit e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare krijojnë një strukturë speciale prej 34 vetash, me detyrë të mirëfilltë ruajtjen e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇl si dhe drejtuesit e Partisë Komuniste. Ajo evoluoi në madhësinë e një batalioni, u emërtua Garda e Shtetit, Garda e Republikës, Garda e Republikës Popullore, dhe së fundi Garda e Republikës Popullore Socialiste, deri në vitin 1991. I pandryshuar ka mbetur misioni i saj për të ruajtur e siguruar drejtuesit e Partisë-Shtet.

Vitet ’90, Garda përballë një misioni të ri

Proceset demokratizuese në Shqipëri në vitet ‘90-të, përfshinë edhe Gardën e Republikës. Krahas të tjerash u gjykua që ajo të kishte një datë krijimi më të hershme, bazuar në dokumente autentike, por sidomos misioni dhe mënyra e realizimit të tij duhej të përcaktoheshin qartë juridikisht dhe praktikisht. Ishte domosdoshmëri ristrukturimi, riorganizimi dhe rishikimi i detyrave, që ajo të bëhej Njësi e Specializuar Ushtarake operative, dinamike, e zhdërvjellët dhe e gatshme të përmbushte detyrat me përkushtim, me profesionalizëm dhe me dinjitet, e zhveshur nga politizimi partiak. Si datë krijimi, u vendos 24 qershor 1928, jo thjesht si zhvendosje mekanike date, por si vlerësim logjik i evoluimit historik, më pranë së vërtetës dhe më larg vlerësimeve apo ngjyrimeve partiake. Kjo daton me dekret-ligjin e qeverisë shqiptare të kohës, kur për herë të parë në historinë e Ushtrisë Kombëtare dhe të Xhandarmërisë Shqiptare, jepet një ligj-organik i plotë, mbi bazën e të cilit bëhet organizimi i tyre. Vendimi i ri përbën një akt të rëndësishëm për rivlerësimin e historisë sa më realisht, por edhe homazh e vlerësim të kontributit të qindra-mijëve ushtarakëve, që patën dëshirën e mirë të shërbejnë për atdhe e komb. Në këtë mënyrë Garda, me gjithë pretendimet e mundshme të argumentuara, ka një datë krijimi të bazuar në dokumentet historike autentike.

Ligji “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, misioni dhe detyrat

Veprimtaria e Gardës së Republikës, fillimisht u gjykua të bazohej në paketën kushtetuese të vitit 1991, me fuqi vepruese deri sa të miratohen ligje specifike, vendime përkatëse, akte nënligjore nga institucioni qendror, si dhe të përcaktimeve që bëhen në rregulloren e brendshme të Gardës. Efektet pozitive nuk vonuan të ndihen. Jo shumë pas ndryshimeve të realizuara në vitet ’90-të, Kuvendi i Shqipërisë, me Vendimin Nr. 7602 dt. 09. 09. 1992, miratoi ligjin “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, që Presidenti i Republikës e publikoi me dekretin Nr. 322, dt. 15. 10. 1992. Ligji në fjalë përcakton qartë vendin që zë dhe rolin që luan Garda në sistemin e ri shoqëror, misioni i saj, lidhjet me organet e tjera, kriteret e kompletimit me efektiva dhe detyrat e tyre, përforcimet në rast shpalljeje të gjendjes së jashtëzakonshme, etj., etj. Garda epitetohet: “Njësi e Specializuar Ushtarake”, çka do të thotë që, për nga resurset, sidomos për nga detyra që plotëson, është e barasvlershme me Njësitë Ushtarake të Bashkuara Operative të kohës (Divizionet, S.R), por, mbi gjithçka, e cilësuar “Njësi e Specializuar”, epitetim që rrjedh direkt nga misioni i saj: “Të ruajë Personalitetet e Larta Shtetërore, Selitë dhe Rezidencat Qeveritare të përcaktuara me ligj ose që vendosen me urdhër të Ministrit të Brendshëm”. Ligji normon përfshirjen e Gardës në strukturat e Ministrisë së Brendshme, me vartësi direkte nga ministri. Cilësimi juridik, misioni specifik, resurset njerëzore që i vihen në dispozicion, etj., i japin Gardës realisht atributet e një force ushtarake të konsoliduar dhe të specializuar në shërbim direkt të shtetit. Kësisoj, Garda si repart duhet t’u përmbahet principeve bazë të vlerave të demokracisë dhe të parimeve të Kartës së Helsinkit, të cilat kanë në themel sigurimin dhe garantimin e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Shtetasve. Kjo është arsyeja përse asaj i është besuar detyra e nënvizuar më sipër.

Ligji e ngarkon Gardën me detyra specifike e kombëtare. Ajo merr në ruajtje direkte: Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kryesisë së Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave, të cilët përbëjnë figurat qendrore të shtetit. Por i ngarkohet edhe ruajtja e sigurimi i mjaft funksioneve të tjera shtetërore, përfshi edhe të personaliteteve të huaja që vijnë me punë në vendin tonë. Ndërkohë Gardës i jepet në ruajtje edhe Rezidenca e Presidentit të Republikës, Selia e Kuvendit Shqiptar dhe e Këshillit të Ministrave, por edhe Rezidenca të tjera Qeveritare të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Kësisoj misioni dhe detyrat e saj kanë karakter kombëtar, lidhen me jetën e vendit, po aq edhe në marrëdhëniet me botën e jashtme.

Ligji sqaron mënyrën e plotësimit të misionit; organizimin dhe realizimin e shërbimit për misionin e ngarkuar. Kështu, Presidenti i Republikës ruhet edhe 4 vjet pas lirimit nga funksioni, ndërkohë Kryetari i Kryesisë së Kuvendit dhe ai i Këshillit të Ministrave ruhen edhe 2 vjet, por me kusht që të kenë plotësuar më shumë se ½ e afatit kohor të mandatit. Kjo masë lidhet me kontributin që kanë dhënë dhe me mundësitë potenciale për të kontribuar më tej në interes të vendit. Garda këmbëngul që të gjejnë zbatim rigoroz rregullat e veçanta të caktuara nga Ministri, atje ku marrin pjesë Presidenti i Republikës, Kryetari i Kryesisë së Kuvendit dhe i Këshillit të Ministrave, Grup-personalitetesh të zv/kryetarëve të Kryesisë së Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave, Grup-qeveritarësh, e të tjerë me pjesëtarë të delegacioneve të huaja homologë të tyre. Detyrim ligjor përbën edhe kryerja e pritjeve ceremoniale sipas përcaktimit të bërë në protokollet përkatëse, numri i ceremonialit mund të jetë i ndryshëm, ndërsa uniforma është e njëjtë në të gjitha nivelet ceremoniale. Të gjitha detyrat dhe detyrimet që rrjedhin nga misioni i Gardës, planizohen, kryhen e kontrollohen në bashkëpunim me shërbimet e tjera të Ministrisë së Brendshme, me SHIK, me Ministrinë e Jashtme dhe të Mbrojtjes, si dhe me organe të tjera shtetërore në qendër e në bazë. Ligji specifikon çështje që kanë të bëjnë me të qenit krenar në përmbushjen e detyrës nga efektivi. Kështu për kompletimin e Gardës me personel ka kritere të qarta dalluese; personat juridikë e fizikë krijojnë kushte lehtësuese shërbimeve të Gardës; efektivi pajiset me dokumente të posaçme identifikimi, planizohen e zbatohen masa për kualifikimin dhe shkëmbimin e përvojës me homologet përkatëse; në rast se shpallet luftë apo gjendje e jashtëzakonshme, në varësi operative të Gardës, dhe vetëm me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, kalojnë edhe njësi e reparte të llojeve të ndryshme të Ushtrisë, të cilat parashikohen detyrimisht në planin operativo-strategjik të mbrojtjes, ndërsa efektivi emërtohet “Gardist”; ndërkohë Komandanti i saj emërohet nga Presidenti i Republikës, pas një propozimi të Kryetarit të Këshillit të Ministrave.

Këto kërkesa e përcaktime specifike, kushtëzohen me karakterin e veçantë e specifik të detyrës, prandaj edhe detyra e Gardës mbetet një mision i madh, human, fisnik, atdhetar.

Edhe pse ligji synon të jetë bashkëkohor, e ka nevojë të plotësohet me çështje të karakterit social dhe ekonomik. Ai duhet të marrë përsipër të rritë dinjitetin e gardistit përmes një trajtimi financiar dinjitoz, që t’i bëjë ata të përjetojnë realisht përmbajtjen e emërtimit: “Elitë e Forcave të Armatosura” apo “Repart Prestigjioz”. Ai duhet t’u japë zgjidhje edhe mjaft problemeve të mbartura për strehim e kualifikim, për shkëmbim përvoje e thithje eksperience etj., të jetë realisht më i prekshëm nga efektivi; t’u japë zgjidhje problemeve të uniformës, që të jetë sa më dinjitoze e ceremoniale, kërkesa këto që gjejnë më mirë zbatim në ligjin e miratuar në maj të vitit 2003.

Drejt vlerësimeve pozitive

Viti 1992 konsiderohet vit-kthese në plotësimin e misionit nga Garda. Pas riorganizimit po bëhej me të njëjtën përgjegjësi kompletimi me efektiva. Me efektivin ushtar synimi ishte rivendosja e disiplinës dhe rendit ushtarak pas asaj shkoqitjeje dhe amullie të viteve 1990-‘91. Edukimi psikologjik, juridik e atdhetar, synonte të rrënjoste mendimin se, efektivi gardist kryen detyra kombëtare me përgjegjësi të veçantë, se janë ndër më të zgjedhurit, etj. Përgjegjësia për të kryer detyrat erdhi në rritje. Ndryshimet në organizim u shoqëruan me përkujdesje për kompletimin me teknikë, aparatura dhe mjete e pajisje logjistike të mjaftueshme. Fillim viti 1994 përkoi me rivlerësimin e gradave të funksioneve dhe të shërbimeve. Funksioni i Komandantit u kualifikua me gradën “Gjeneral brigade”; me gradën “Kolonel” u kualifikuan funksionet: Zv/komandant, Shef Shtabi Garde, Kryetarët e Degëve, Shefi i Seksionit Operativ; me gradën “nënkolonel” gradoheshin oficerët që shërbenin në detyrat si zv/kryetarë të Degëve dhe komandantët e batalioneve, ndërkohë për gjithë shefat e seksioneve dhe shefat e armëve e të shërbimeve në Shtabin e Gardës dhe në degët e ndryshme u akordua grada “Major”, një gradë masive kjo si numër funksionesh dhe oficerësh. Për të rritur nivelin cilësor të shërbimeve, të gatishmërisë; për riorganizimin e jetesës sa më cilësore, problem parësor u vlerësua vënia në pozita pune e kuadrove, përpilimi i instruksioneve të shërbimit, hartimi i Rregullores së Gardës, preçizimi i detyrave sipas funksioneve organike, formulimi i teksteve teorike ndihmëse për kuadrot e nivelit të ulët. U vlerësua edhe përmirësimi i metodës së punës dhe i mjedisit të jashtëm, zgjidhja me përgjegjësi e ankesave dhe e problemeve të efektivave. Me kujdes u zbatua edhe nxitja përmes stimujve moralë si dhe duke organizuar e zhvilluar sa më shumë veprimtari sa më festive si: ceremonitë e hapjes së procesit stërvitor, të betimit ushtarak, të datës së krijimit të Gardës, datës së Shpalljes së Pavarësisë e të Çlirimit, spartakiada ushtarako-sportive, veprimtari kulturore e sportive, etj. efektivat e kanë gjetur veten disa herë në organet e shtypit ushtarak, deri edhe në emisione televizive. Për rrjedhojë Garda ka përmbushur me sukses detyrat e shërbimit duke i kryer ato me cilësi, me korrektesë, me kulturë, me dinjitet dhe me profesionalizëm. Puna e saj në vijimësi është vlerësuar pozitive dhe në shërbim të popullit dhe vendit.

Personalitetet më të larta të shtetit e të qeverisë kanë qenë prezentë në kremtime përvjetorësh a ceremoni të ndryshme gjithëvjetore. Më 24 qershor 1994, në kremtimin e parë të 66-të vjetorit të krijimit të Gardës sipas datës së re (24 qershor 1928, S.R), mori pjesë Presidenti i Republikës, nën shoqërinë e disa titullarëve të institucioneve qendrore qeveritare. Pas një ndërprerjeje të gjatë, (të paktën nga viti 1978, S.R), do të ishin të pranishëm atashetë ushtarakë të disa vendeve të huaja të akredituar në vendin tonë, si të SHBA, Rusi, Angli, Itali etj., dhe si rrallë herë morën pjesë edhe përfaqësues të forcave të ndryshme politike dhe nga shtypi ushtarak etj.

Riorganizimi i punës, hartimi i instruksioneve dhe Rregullores së Brendshme të Gardës, vënia në punë e forcave më të kualifikuara, nxitja dhe stimulimi i punës të efektivave, e të tjera si këto, mundësuan që Garda të ngjitë me siguri dhe në vijimësi shkallët e suksesit, si dhe “të arkivojë” përvojën si bazë për startet e mëpastajshme.


Personalitetet më të larta të shtetit të pranishëm në Gardën e Republikës

Pas riorganizimit, Garda do të shndërrohej në njësi drejt së cilës do të hidhej më shpesh shikimi, çka për efektivin do të thoshte më shumë shpresë e besim, se ajo do të bëhet realisht instrument i besueshëm për misionin. Në vijimësi do të jenë të pranishëm personalitete të larta të shtetit. Analiza e vitit 1992 u zhvillua më 4 janar 1993 duke përbërë një event të veçantë, sepse ishte e para pas riorganizimit. Pjesëmarrja e Ministrit të Rendit Publik dhe disa drejtuesve të tjerë të dikasterit vlerësuan pozitivisht punën njëvjeçare, sidomos në përpjekjet për të krijuar një mentalitet të ri për misionin dhe detyrat që plotëson Garda në kushtet e reja, u premtua më shumë ndihmesë logjistike, rritje pagash, por edhe më shumë interes për zgjidhjen e problemeve të akumuluara sidomos në fushën e strehimit.

Në qershor 1993, pas një heshtjeje të gjatë, u mundësua organizimi i spartakiadës ushtarako-sportive, nuk mungoi ministri i rendit publik, kryetari i komisionit parlamentar për Mbrojtjen Rendin dhe ShIK-un. Analiza vjetore për vitin 1993 u zhvillua më 24 dhjetor 1993. Përsëri i pranishëm Ministri i Rendit Publik, dy drejtorë në dikasterin e rendit publik, u vlerësua pozitivisht duke e cilësuar Gardën si një nga strukturat më të organizuara e më të suksesshme të Ministrisë së Rendit Publik. Nuk mënoi të premtojë më shumë mbështetje logjistike e financiare. U kërkua nga efektivi që Ministria të vlerësojë me prioritet njësinë për kualifikim, shkëmbim përvoje e kompletim me teknikë e pajisje të ndryshme. Viti 1994 rezultoi i ngarkuar me më shumë veprimtari e ngjarje. Në fund të shkurtit u bë kompletimi me ushtarë, pas përgatitjes ushtarako-profesionale të domosdoshme, më 24 mars u zhvillua Ceremonia e Betimit Ushtarak. Në këtë eveniment mori pjesë Kryetari i Kryesisë së Kuvendit i shoqëruar nga disa ministra si dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Duke aguar 25 marsi ushtarët e sapo betuar do integroheshin me detyra shërbimi roje, çka mbetet gjatë në kujtesën e ushtarit.

Më 24 qershor 1994, për herë të parë, kremtohet përvjetori i krijimit të Gardës, sipas datës së re (24 qershor 1928 S.R), prandaj edhe u bë përgatitjeje serioze për të pritur një ditë disi të veçantë. Mori pjesë Presidenti i Republikës, zv/kryetari i Këshillit të Ministrave, ministrat e Rendit Publik, Mbrojtjes, Transporteve; Kryetari i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes Rendit e ShIK-ut, si dhe përfaqësues të disa partive politike dhe të pushtetit vendor. Për herë të parë dokumentohet në historinë e Gardës prania e atasheve ushtarakë të SHBA-së, Anglisë, Italisë etj. Po ashtu morën pjesë ambasadorët e SHBA-së, Rusisë, Rumanisë, Gjermanisë. Më 12 prill 1995 u zhvillua ceremonia e çeljes së stërvitjes me ushtarët e rinj. Mori pjesë Kryetari i Kryesisë së Kuvendit, u demonstrua pjesërisht përgatitja profesionale. Më 6 maj po me këta ushtarë, që kishin përfunduar stërvitjen e grupuar, ishin përshtatur me jetën ushtarake, ishin aftësuar tërësisht për të marrë mbi vete detyra shërbimi, u zhvillua ceremonia e Betimit Ushtarak. Mori pjesë Ministri i Brendshëm, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Kryetari i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes Rendit e SHIK-ut, Këshilltari Ushtarak i Presidentit të Republikës, drejtues në Ministrinë e Brendshme e në institucionet e Larta Ushtarake Arsimore.

Gjatë vitit 1996 në Gardë do të ketë të pranishëm disa Personalitete të Larta të Shtetit. Ceremonia e Betimit Ushtarak më 30 mars, midis efektivit erdhi Kryetari i Këshillit të Ministrave, Zv./ministri i Brendshëm dhe disa drejtues të këtij dikasteri. Pas katër muajsh, do të përgëzohej dhe urohej ekipi i boksit “Shqiponja”, i cili zuri vendin e parë në aktivitetin kombëtar të boksit, duke merituar kupën “Demokracia”. Mori pjesë Kryetari i Komitetit Olimpik Shqiptar, Presidenti i Federatës Kombëtare të Boksit, si dhe përfaqësues të tjerë nga fusha e kulturës dhe sporteve. Veprimtaritë e vitit 1996 u mbyllën më 26 dhjetor, kur u zhvillua analiza vjetore. Mori pjesë Ministri i Brendshëm dhe disa drejtorë të dikasterit. U vlerësua mjaft pozitivisht aktiviteti vjetor i Gardës, u premtua ndihmë e përkrahje e gjithanshme, me synimin që Garda e Republikës të fitonte tiparet e plota të një “Reparti Prestigjioz” të veçantë.

Por nuk do të ndodhte kështu. Në të kundërtën, viti 1997 filloi krejt i mbrapshtë për vendin tonë. Natyrisht ai, ashtu si në planin politik, ekonomik e social, do të ishte i tillë edhe për Forcat e Armatosura në tërësi, por edhe për Gardën pjesërisht.


23 Qershor 2018