Vargje…

Nga Wikibooks

HUTI I BARDHË I BORËS


Nën këto re, ne jemi, si nën fragmente kohe,

Që s’kapen nga askush dhe s’ndalen.

Dhe huti i bardhë i borës fluturon,

Duke tmerruar harabelat e kuq!


Sa e qashtër mendja, por qielli i turbullt,

Njëmijë shpirtra nguten të hyjnë në trupin tim.

Dhe gjethet janë si të gishtëzuara,

Si çdo lumë unë dua të rikthehem në det!


Rrufetë e shndruara në peshq salmonë,

Më lëvizin rreth flokëve në flakë.

Çdo gjë e mbulon një heshtje sibiline

Dhe statuja kthehet në pemë.


Durrës 2005



VAJZA QË VJEN NGA HËNA E PESTË


Rrezja si shpatë samuraji ma pret

Pelerinë blu prej princi të hapësirave.

Ç’përrenj buçasin nga sipër fatalisht

Në vijat e lakuara të ylberit?


Se ka përherë një shartesë të ideve

Të ëndërrimit dhe luleve të kumbullës

O, Lajmëtari im hermesian

Më prij në të Panjohurën!


Dhe ajo vajza, që e dashurova dikur

Vjen si nga një Hënë e pestë,

Që fshihet mbas katër të tjerave

Mister shpërthimesh në galaktikë.


Durrës 2005



MALI TOMOR MBI ADRIATIK


Tani përfytyrimet e mia i bashkëngjiten si afreska Kishave të Onufrit!


Kjo hapësirë është si femra me gjinjtë e shalqinjve rrëzuar në pllajë!


Vjeshta shtrin duart e perëndimta!



Mbi detin Adriatik shoh si ngrihet mali Tomor si një Sion i Dytë, ku unë do të gjej Dekalogun e Ri!


Durrës, 5 shtator 2005



KOPËSHTI I DIJEVE TË VJETRA


Zukatin gjinkallat lasgushiane me parashikime të kobshme.


Me trenin e mjegullave mbarten poetët e vdekur!


Vajtojmë në kopështin e humbur të dijeve të vjetra!



Nën tokë do të grinden befas dhe martirët e mëdhenj dhe të harruar!


Durrës 6 shtator 2005



ÇMENDURIA


Jam një siluetë mes dunave lëvizëse,

Shoh kopshtet tej dritareve të arratisura,

Dhe kudo më ndjekin efemeridet,

Sa të pafundëm janë!


Jam mbase hibrid i bimëve dhe shpirtrave,

S’ma thyen dot zotat kristalin e ndërgjegjes

Dhe bijen në shekuj shirat magnetikë,

Që toka e hekurt i thith!


Ndoshta nën qiell s’ka ndryshuar asgjë,

Por në zemër gjithçka!

Dhe duke e bërë vishnje kaltërsinë

Ja behu befas Çmenduria!


Durrës 2005



ËNDËRRAT E QULLURA


Është e sigurt që mbretërit

Do të zhduken një ditë,

Por jo këto jargavanë

Dhe bulkthe!


Po unë si ta bëj prej këtej ajri

Një epigramë?

Ah, sikur njerëzit të kërcejnë

Me këmbëzat e zogjve!


Një kalë i dobët fshehurazi

Ma mbllaçit dorën e majtë.

Dhe bëhen qull ëndërrat

Flokëlëshuar nën shi.


Durrës 2005



SHIRAT JANË KLEPSIDRA


Si ta ribotosh këtë agim të Currilave si një Libër të Ri?


O, pemë të mërguara si kuajt në bjeshkëhënëstërpikurat!


Dhe shoh mbretëri prej letre me shkrepse në dorë!


Orkide prej rrezesh ultraviolet!


Peizazhe të parë nga sy strabikë!


Copëza kristali të Hënës së thyer!



Shirat janë Klepsidra e mbarimit tim!

Durrës 7 shtator 2005



MËNGJESI I VONUAR 5 SHEKUJ


Mbylli sytë përgjithmonë Skënderbeu.


Mëngjesi refuzon,

Që të lindë,


Të paktën për 5 shekuj!


Durrës 8 shtator 2005



BRETKOSAT BLU


Trëndafila të eklipsuar nga zemra!


Poetët janë delfinë që ngjiten sipër një ujëvare.



Kuasin bretkosat blu, gati të bëhen të padukshme krejt!


Durrës 8 shtator 2005



GRIFONËT DALIN NGA SHISHJA


Hëna e bërë shuk si letra e fundit, që të shkrova dhe e hodhe pa ta dërguar kurrë!


Muzgje me kokë zogu fluturojnë dhe përplasen me njëri tjetrin në qiej.


Te një shishe në dyshemenë e studios së librave i kam mbyllur njëqind grifonët e mi!


Gishtat e erërave e hapin Hënën, e bëjnë të lexueshme.


Vallë janë gishtat e tu, e dashur?



Dhe grifonët dalin nga shishja.


Durrës 9 shtator 2005



TRUPI KËRKON NJË TJETËR SHPIRT


Shpesh fjala është korridor pa dyer.


Pse trupi im po kërkon një tjetër shpirt?


Dhe flokët më hapen si kalendari i erërave.


Breshëri godet detin me miliona këpucëza të qelqta

.

Lëviz me gishta akrepat e orës në numëratorin e telefonit të vjetër të bisedoj me të Ardhmen, si me të dashurën time më të re.


Durrës 10 shtator 2005



KALI SI SHENJT I TEBEADËS


Trumbeta triumfi, që kthehen me bishta gjarpërinjsh dhe shira të krishterë mbi buzët e mbyllura të statujave pagane!


Dhe lëvizje të fjalëve si loja e zareve!


Dhe vjen përballë meje një kalë, i zhveshur pikërisht si një shenjt i Tebeiadës?


Ah, lulet plot nimfani!



Dhe më kujtohet gjyshi im Jaho, i burgosur nën rrënjët e qiparizëve të mëdhenj!


Durrës 11 shtator 2005



LËVIZJA E KOHËS


Një merimangë kujtese thurr me flokët e mi gracka për metafora të harruara.


Ç’vlerë ka truri im në tregun e kafkave?


Nën thembrat e mia vijon leja e Marin Barletit!


Me manivel më kot kërkoi të ndez motorin e orëve të mbetura në ndryshk.



Koha të lëvizë më në fund, më në fund.


Durrës 12 shtator 2005



KARNAVALI I ESHTRAVE


Në Karnavalin e Eshtrave

S’e gjej dot një këmishë pranvere!

Delfinët janë bebëza në detet e syve,

Është çasti kur djajtë i hapin arkivolet!


Që nga veza i padalë akoma,

Këndon këndesi im i Universit!

Bukuria është Roja Mitike e gjumit tënd, e dashur,

Bëj relieve babilonase në xham me hukatje.


Në Infinit rri Hyu i Madh, prangosur me ylbere.

Nekropoli lëvizës i Vjeshtës i mbledh

Kufomat dhe shpirtrat e pyjeve!

Në akuarelin e pikëllimit fjalët mjegullohen.


Durrës 14 shtator 2005



BUZËQESHJET E TË VDEKURVE


Unë jam veç pika

Te një Apokalips gjeometrik.

Një Diell i Ri m’i vesh eshtrat

Në një mish, tashmë të artë!


Mbi ikonat e drunjtë të Bizantit

Kanë mbirë sythe të çuditshme

Ca metafora janë jaka të bardha

Për qafat e boshësisë, përtej meje!


S’kam lëvizur nga vendi, por dijeni

Unë s’jam këtu, s’jam këtu!

Si t’i rishfaq në hapësira vallë?

Buzëqeshjet e dikurshme të të vdekurve?


Durrës 15 shtator 2005



NDJEKJA


Më ndjekin, më ndjekin, më ndjekin, – cingaret, – që kam thithur, – si zogj, – me flokë të gjatë nikotine, – dhe më arrijnë, – kudo, – që të fshihem, – për të më çukitur, – mishin, – gjer në kocka!


Durrës 2005



DRU ZJARRI!


Merrini arkivolet

Nga shërbimet funerale!


Dhe jepuani njerëzve,

Mbi akuj,


Që të ngrohen

Me zjarre!


Tiranë 2005



PËRQAFIMI I MUNGESËS


Në shtegun e periferisë së largët

Një kaçubë ndez cingaren me xixëllonja.

Si ta përqafoj mungesën tënde, e dashur?

Ndjenjat, bijat e erës shpërndahen dhe humbin.


Te nofullat e Dragoit befas e gjetëm,

Alfabetin e Ri dhe të Panjohur

Për të shkruar ndryshe mendimet.

Hapat e mi rrokjezojnë vargjet e Sibilave.


Sytë e mi ushqejnë me dritë

Çdo lampadar mbretëror në salla.

Erosi i veshur me rreze ultraviolet

Përshkon zemrat e errëta!


Durrës 16 shtator 2005



FORMA E DYTË E MESISË


Shtrëngata është ceremoni buçitëse

E martesës së një shenjti me një djallushe.

Dhe nën Diell unë shoh Migjenin,

Që lëshon hijen prej fantazme të Remboit.


Vdekja rri e kaltër mbi mua,

Si parabolë kozmike e sekreteve që s’thuhen në çdo çast,

Koha dhe Drita formojnë një sintezë,

Hapësira dhe Uji s’përputhen dhe grinden!


Mes katër horizonteve unë rrotullohem

Kundër lëvizjes së akrepave të orës!

Dhe besoj se lulëzimi i pemëve

Është një formë e Dytë e Mesisë.


Durrës 2005



HORIZONTET ME STRABIZËM


Era është plot buri dhe zambakë,

Kopshti mban erë mërsinë dhe borzilok

Ja stuhia që befas u zhvendos

Si një çarje në çarçafin e Kohës!


Lexoj vargjet poetike të John Ashbery-t

Që janë mahnitje dhe klithma në ambalazhe.

Dhe e kuptoj pse sytë e horizonteve

Janë me strabizëm!


Dhe jam një qenie shumë më e vjetër

Se sa Hapësira dhe Koha.

Dhe më kot, një det leshator

Prej algash, më ulërin përballë.


Durrës 2005



SHQYHET TUNIKA E DRITËS


Marin Barleti i mblodhi ca grigja rrufesh

Dhe bëri me to një vëllim të madh.

Tani Skënderbeu (pa vitet e Jetës dhe pa Vdekjen)

I rrethuar është nga jeniçerët e Mehmetit II.


Yjet i nuhasin shputat e mia

Dhe m’i lëpijnë gërvishtjet!

Ka dhe pyje me dafina njeringrënëse,

Ku unë eci krejt i sigurtë.


Një Diell i patruptë zbret

Tek Mbretëria Blu e të Vdekurve.

Dhe shqyhet tunika e dritës

Nga trupi i të Kryqëzuarit!


Durrës 2005


Moikom Zeqo