V. ORGANIZIMI TERITORIAL I REPUBLIKES Komuna dhe Qyteti
Kushtetuta e Kaçanikut - pjesa e pestë
Neni 87 Komuna është njësi teritoriale në të cilën qytetarët realizojnë vetadministrimin, në harmoni me statutin e komunës. Republika me ligj mund ti besojë kryerjen e disa punëve komunës.
Neni 88 Komuna në bazë dhe në suaza të Kushtetutës dhe të ligjit nëpërmjet organeve të veta: l. miraton programin e zhvillimit, planin urbanistik, buxhetin dhe llogarinëpërfundimtare; 2. siguron zhvillimin e veprimtarive komunale dhe me dispozitat e veta rregullon kushtet e përgjithshme për kryerjen e tyre; 3. përkujdeset për ndërtimin, mbrojtjen dhe shfrytëzimin e rrugëve lokale dhe rrugicave si dhe të objekteve të tjera publike me interes komunal; 4. rregullon shfrytëzimin e tokës ndërtimore dhe të hapsirës afariste; 5. përkujdeset për përmbushjen e nevojave të qytetarëve në lëmin e kulturës, arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe të fëmijve, të kulturës fizike, zejtarisë, turizmit dhe të hotelerisë, të mbrojtjes e përparimit të mjedisit jetësor dhe në sferat e tjera me interesa të drejtëpërdrejt për qytetarët; 6. siguron zbatimin e dispozitave komunale, si dhe ligjeve dhe dispozitave të tjera republikane, realizimi i të cilave i është besuar komunës dhe 7. formon organe, organizata dhe shërbime të komunës. Komunës i takojnë të hyrat e përcaktuara me ligj. Mjetet për përmbushjen e nevojave të qytetarëve mund të sigurohen edhe me vetëkontribut, në pajtim me ligjin.Për zbatimin e vetëkontributit qytetarët vendosin me referendum.
Neni 89 Komuna ka statutin me të cilin regullohen funksionet e komunës, organizimi dhe puna e organeve komunale, si dhe çështjet e tjera me interes për komunën. Statutin e nxjerr kuvendi i komunës.
Neni 90 Për punët e komunës qytetarët vendosin me referendum dhe nëpërmjet deputetëve në kuvendin e komunës. Kuvendin e komunës e përbëjnë deputet të zgjedhur në zgjedhjet e lira, të drejtëpërdrejta, me vota të fshehta.
Neni 91 Me ligj mund të përcaktohet se komuna ka statusin e Qytetit. Me ligj përcaktohen punët, të cilat Republika ia beson Qytetit.
Neni 92 Qyteti i Prishtinës është njësi e posaçme teritoriale. Qyteti ka statutin me të cilin rregullohen funksionet e qytetit,organizimi dhe puna e organeve të qytetit, si dhe çështje të tjera me interes për qytetin. Statutin e Qytetit e nxjerr Kuvendi i Qytetit. Kuvendin e Qytetit e përbëjnë deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e lira, të drejtëpërdrejta, me vota të fshehta. Qyteti i Prishtinës kryen punët e komunës të përcaktuar me Kushtetutë, të cilat janë me interes për Qytetin e Prishtinës si tërësi. Me ligj, në kompetencë të qytetit, mund të barten disa të drejta dhe obligime të Republikës.