Teqeja Magauri - Nga Qerim Haxhiu
Appearance
- Në rrëzë të një shkëmbi gati të copëtuar,
- Ngrihet një teqe me pemë hijeshuar.
- Rreth e rrotull saj shtrihet një baçe,
- Mbrenda gjirit saj dalin ca çeshme.
- Uj i tyre i ftohtë dhe i kulluar,
- Freskon ata që venë për t’vizituar.
- Në të djathtë kur hyn,një vreshtë gjelbëron,
- Veringat e tija gojën ëmbëlson.
- Në krah të mëngjer,aty duke hyrë,
- Në një shtyllë flamuri skalitur dhe ngjyrë.
- Lloj-lloj lule sheh njeriu aty,
- Këtu një trëndafil aty një menekshe.
- Kjo lule-mullaga,ajo gojë luani,
- Këtu një hauz me tej shatërvani.
- Në mes të teqesë ngrihet një selvi,
- Sa bukur të tjerat i rrinë përkarshi.
- Që ditën që teqeja këtu u themelua,
- Kjo tokë e thatë në lulishte u ndërrua.
- Se parimi i teqesë,parimi bektashi,
- Është të punosh në këtë gjithësi.
- Kur hedh sytë nga jashtë duket mrekulli,
- Dhe kur hyn brënda gjen një bujari.
- Por vleftën më të madhe,kjo teqe bujare,
- E ka nga që është teqe shqiptare.
- Kryetari i Teqesë Baba Seri Glina,
- Është shqiptar që ka mbajt martina.
- Që ka mbajt martina dhe që ka luftuar,
- Me burra e djem me besë bashkuar.
- Kur nderi i shqiptarit ka qënë në rrezik,
- Është hedhur në luftë me pushkë e me thikë.
- Edhe dervishët të mirë e të butë,
- Dashuri shqiptare në zemër kanë futë.
- Nga goja e tyre mjalt e sheqer del,
- Nga duart e tyre punë me themel.
- Ata për ne vllazër,ata për ne shokë,
- Hallet e Shqipërisë i vajtojmë tokë.
- Kjo teqe e bekuar është bërë shtëpi,
- Çdo zemër shqiptare aty gjen qetësi.
- Kur hyn brënda pritet me nderime,
- Dhe kur del jashtë përcillet me bekime.
- Zemra t’bahet mal kur vete në teqe,
- Gjuha e bukur shqipe tingëllon atje.
- Me një fjalë teqeja këtu në mërgim,
- Na pasqyron atdheun pa asnjë dyshim.
Qerim HAXHIU - 9 korrik 1941 - Kairo,Egjipt.
Poezia "Teqeja Magauri" u shkrua nga Qerim Haxhiu kushtuar teqesë bektashiane shqiptare në Kairo,Egjipt.