Teori falsifikimi për origjinën e shqiptarëve

Nga Wikibooks

Moikom Zeqo

( Evlija Çelebiu për katragjyshin ”arab” të shqiptarëve )

Udhëtari i njohur turk Evlija Çelebiu (1611-1684) – pseudonimi Mehmet Zili Ibl Dervishit, -ishte biri i një argjendari në oborrin e Sulltanit në Stamboll në shekullin XVII.

Në harkun kohor 1640-1676 udhëtoi nëpër territoret e Perandorisë Osmane, në shërbim të Portës së Lartë.

Mbresat e udhëtimeve të tij krijuan një vepre prej dhjetë vëllimesh që në turqisht quhet Sejahadname (Libri i Udhëtimeve), në këtë vepër Çelebiu e mbaroi në Kajro (Egjipt ) kur ishte i moshuar.

Në veprën e udhëtarit turk flitet edhe për të dhënat që ai shënon për viset shqiptare të cilat ai i vizitoi tre herë, në vitin 1660 (Shqipërinë Veriore), 1662 (Shqipërinë Jugore) dhe përsëri në vitin 1670 (po në Shqipërinë Jugore).

Këto të dhëna janë përfshirë në vëllimet V dhe VIII të veprës së tij të botuar.

Evlija Çelebiu i ka parë viset me sytë e tij i ka takuar njerëzit dhe shkruan për hollësira për peizazhin, qytetet dhe vendbanimet, me një fjalë na jep një tablo të veçantë të viseve shqiptare në shekullin e XVII, pra një përshkrim që përmban edhe deri diku një historicitet të kohës.

Duhet se Elvijai përmend, se në Betejën e Fushë-Kosovës, ku u vra Sulltan Murati thuhet, se u vra nga një “i pafe ogurzi me emrin Koplaki, i cili u ngrit nga pirgjet me kufoma të ushtarëve të pafe dhe e vrau sulltanin në breg të lumit Llap”.

Çelebiu i jep dhe një version tjetër “Vrasja e sulltanit ndodhi pas betejës kur ai i pafe që përmendëm duke udhëhequr si lajmëtar iu afrua sulltanit për ti puthur dorën, por pastaj nxori kamën dhe e vrau.

Dhe më pas i hipi kalit dhe ia mbathi me të katërta.

Një numur tepër i madh trupash osmane vrik u vunë në ndjekje duke rendur sa andej këndej me armë në dorë, por asnjëri nuk mundi ta qëlloj dhe ta rrezoj nga kali.

Një grua e moshuar u thirri trupave “O luftëtarë, qëllojeni kalin në thundër, sepse ai kali dhe ai vet kanë venë parzmore.”

Sapo ajo e lëshoi këtë fjalë nga goja, një harkëtar krahëfortë qëlloi thundrën e kalit dhe atëbotë të dy, kali dhe kalorësi u plandosën përdhe, luftëtarët u grumbulluan përreth, ia shqyen qaforen e parzmores dhe ia kaluan kamën në grykë.

Që prej asaj kohe, sa herë që ndonjë lajmëtar i vete afër ndonjërit nga Dinastia Osmani, Sulltani rri ulur në fron dhe lajmëtari puth njëmëngë të gjatë, qepur rrobës mbretërore, duke qenë i ruajtur mirë në të dyja anët.

Në fillim lajmëtari duhet të puth tokën dhe më pas mëngën e cila është tetë pash e gjatë dhe nuk lejohet ti afrohet më shumë.”

Ai që e vrau Sulltan Muratin ishte Milosh Kopiliq.

Evlija Çelebiu e quan si Milosh Koplaki.


Në shënimet e tij, udhëtari turk përpiqet të arsyetojë dhe të japë ide dhe mendime për origjinën dhe prejardhjen e shqiptarëve.

Imagjinoni që jemi në shekullin e XVII dhe mund të thuhet se mbas dy shekujsh pushtimi ishin krijuar dhe disa “opinione dhe teori” klienteliste dhe mercenariste dhe gjoja origjina e shqiptarëve nuk ishte as më shumë e as më pak sesa” një origjinë arabe”.

Çelebia shënon se shqiptarët kanë qenë njeri nga fiset Arabe të Kureshëve në Mekës.

Këto fise kur erdhën në territoret e tanishëm,-shton Evlijai-në malet e Shkodrës dhe të Vlorës u përzien me frangët italianë, dhe kështu krijuan gjuhën e tyre që ishte “një gjuhë ndërmjet arabishtes dhe frankishtes”- gjuha e arnautëve quhet kështu nga persishtja “Ar- na-bud” (Mosqoftë turp).

Kuptohet, që Evlija trillon nga fantazija dhe jep etimologji persishte për prejardhjen e emrit arnaut, i cili është në turqisht për fjalën “shqiptar”.

Por aventura e trillimeve dhe fantazi nuk mbaron me kaq për ta bërë më të besueshëm dhe më të konsoliduar opinionin e tij Evlija Çelebiu përshkruan edhe monumentin e gjoja Katragjyshi të Arnautëve në qytetin e Elbasanit.

Dhe ja çfarë thotë konkretisht Çelebiu për një Tyrbe të Xhabal Elhemës të thirrur si Katragjyshi i Arnautëve.

Ai është varrosur jashtë qyteti të Elbasanit, “të gjithë arnautët vijnë për ta parë varrin e tij, duke e menduar si Katragjyshin e tyre.

Për një periudhë të gjatë atij u kanë vënë gurë të mëdhenj mbi varr… Xhebal Elhama ishte nga fisi i Kureshve dhe shok i Profetit të Shenjtë.

Ai mori pjesë në shumë beteja dhe ishte luftëtar dhe prijës arab dhe guximtar i cili i paraqiti profetit të shenjtë kokat dhe gjuhët e prera të shumë të burgosurve.

Më pas, në kohën e Kalifatit të Omarit, të bekuar, ai a me dashje a pa dashje i nxorri syrin një sheiku arab.

Sheiku arab me syrin e nxjerrë në dorë vajti të Omari dhe i tha: “O Omar, është e drejta ime, sipas ligjit të profetit të kërkoj syrin e Xhabal Elhemës për syrin tim”.

E thirrën Xhabalin, i cili kur e pyetën si ishte puna, u përgjigj: “Po, Omar, ai është syri i një arabi të fisit tim. Unë ja nxora.”

Pohimi i tij u shënua në Regjistrin e Sheriatit dhe u dha urdhri që Xhabali t’i nxirrej syri në pajtim me atë që thuhet në Syren vendimtare të Kuranit (5,45) “Dhe ne vendosëm për ta: jeta e njeriut me jetë njeriu, dhe syri i njeriut me sy njeriu”. Duke mos dashur të pajtohet me këtë, me arsyetimin se “Mosqoftë turp” (Ar-na-but), Xhabal Elhema mori arratinë me gjithë fisin e tij dhe shkoi tek Perandori i Bizantit, Herakliu.

U ngul me banim në malet Xhabalia dhe ja përse këto male mbajnë emrin e tyre.

Kur i bekuari Omar pushtoi Jerzualemin, Xhabali nuk mund të rrinte më në atë vend, prandaj ata i hipën anijeve dhe gjetën strehë tek mbreti i Spanjës.

Xhabal Elhemës iu dhanë për të banuar malet e Dukatit, Progonatit në Krahinat arnautëve të Vlorës dhe Delvinës, të cilat në atë kohë gjendeshin në sundimin spanjoll.

Këto toka më parë kishin qenë të pa banuara, kështu që brenda një kohe të shkurtër ai u ngul aty dhe duke u përzier me Frangët ata krijuan gjuhën shqipe nga një përzierje frankishtes me arabishten.

Vendi që zunë në fillim e ku ende banojnë sot pas shumë brezash, sot quhet vendi i Kurjeleshit (Kurveleshit), meqë ata e kanë prejardhjen nga fisi i Kureshëve arabë.

Për këtë arsye Arnautët mburren, që e kanë prejardhjen e Kureshët dhe shokët e Profetit”.


Kjo historie e sajuar, deri në kufijtë e pabesueshmes ka të bëj me manipulimin e gjenaologjive, kuptohet të shumë vendasve të lidhur me pushtetin Osman dhe përbën një subjekt servilizmi dhe përshtatje ideologjike me frymën e pushtuesve, për të krijuar mburrje dhe fiksione, të gjoja prejardhjes së njëjtë të popujve që ndryshojnë nga prejardhjet jo të njëjta.


Asnjëherë nuk është regjistruar një fakt i tillë, që jo vetëm i konsideron shqiptarët në mënyrë ftillëzuese dhe origjinë ”arabe“ në një kohë kur shqiptarët janë një popull i mirëfilltë indoevropiane,- kurse arabët janë një popull i familjes semitike,- kuptohet, që arabët janë në histori një populli i madh dhe me kulturë dhe qytetërim të madh,-por e vërteta shkëncore kundershton çdo ide që i klasifikon shqiptarët me origjinë arabe- gjithashtu për hir të së vërtetës-, nuk ka vlerë as sajimi, se shqiptarët kanë edhe një gjuhë hibride, ose të përzier në gjuhën arabe dhe atë franke.

Me termin “frankët” nënkuptohej në atë kohë popujt e Europës, në një formë simbolike më të përgjithësuar.

Por për t’i dhënë një pamje konkrete kësaj historie të vandaksur Evlija Çelebija flet për një Tyrbe kushtuar Xhabal Elhema.

Celebiu shton, se ”Xhabal Elhema vdiq si mysliman dhe u varros në këtë vend ashtu siç kishte qenë dëshira e fundit dhe amaneti i tij, por pasardhësit u përzien me martesa me frankët e pabesë, dhe vet u bënë frankë dhe të pafe.

Arnautët e Kelmendit të Malit të Zi dhe të maleve te Kurveleshit dhe Progonatit u bën të pafe, ata përleshen ditë e natë me arnautët myslimanë që i kanë kushërinj dhe zënë rob njeri tjetrin.”

Ky arsyetim është tip për të treguar sesi një përfaqësues i Perandorisë Osmane krijon opinionin e tij gati në mënyre zyrtare, për një popull të pushtuar, siç ishin shqiptarët, konkretisht në shekullin e XVII .

Përherë në histori ka një betejë midis fakteve dhe figurave të konceptuara në përballje dhe në kundërshtim.

Kështu ka një Histori të Gjergj Kastriot të Skënderbeut siç ka dhe një Anti-histori të tij, të shkruar nga kronikanët osmanë. Ka teori të ndryshme të shqiptarëve siç janë ato që e lidhin origjinën e shqiptarëve me popujt e Europës Perëndimore por që kundërshtohet nga ”miti ideologjik i origjinës shqiptare nga arabët.”

Në këtë kacafytje dhe përleshje mitesh kemi dhe strukturimin e institucionit të propagandës, madje të propagandës perandorake osmane.

Miti, se gjoja shqiptarët janë me origjinë ”arabe” as nuk ka ekzistuar ndonjëherë as në shekullin e XVII kur shkruan mbresat e tij Elvija Çelebiu.

Përgjithësisht mitet stimulohen dhe reflektohen edhe në folklorin dhe në krijimtarinë gojëdhënore të popullit.

Asnjë gjurmë, asnjë motiv fragmentar, ose dhe aksidental nuk ekziston në Memorien dhe botëkuptimin folklorik të popullit tonë.

Historitë fantaziste, por dhe fabrikimet e shpikjet e gjenealogjive të tilla nuk janë gjë tjetër veçse një dukuri e mirfillt ideologjike e natyralizimit dhe të funksionalizimit të pushtimit si një gjendje jo vetëm reale e sendeve, por pavarësisht përplasjeve dhe paradokseve të historisë është diçka e vijimësuar dhe e njehsuar në bërthamën e një ideje të një origjine të vetme.


Kështu miti i rremë kinse zëvendëson historinë.

Miti e sulmon Historinë dhe për të pohuar vetveten.

Miti kinse anulon Historinë.

Dy shekuj mbas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, figura e tij siç dëshmohet nga shumë autorë dhe udhëtar europian që kanë vizituar hapësirat dhe territoret tona, këndohej në këngët e popullit, për të bëheshin ceremoni përkujtimore dhe gjallonte një folklor me valle, me këngë madje kujtimin e Skënderbeut dhe zinë për vdekjen e tij e regjistronin edhe tek ngjyrat e kostumeve të tyre kombëtare.

Në shekullin e XVII një numër dijetarësh shqiptarë flasin me nderim të pafundëm për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Kështu mund të them se si në asnjë shekull tjetër, pikërisht në shek e XVII dijetarë dhe shkrimtarë shqiptarë të përmasave europiane, siç është Pjetër Bogdani, Frang Bardhi, Pjetër Mazreku dhe të tjerë në librat e tyre të botuar në Itali dhe në Europë e përmendin Gjergj Kastriot Skënderbeun jo vetëm si Heroin kryesor Kombëtar por i japin dhe rolin “mesianik”, atë të një Prijsi, që ka misionin e “paracaktuar providencial “për ta udhëhequr popullin e tij, drejt një të Ardhme,- që parakuptohet si “Toka e Premtuar”, – që është çlirimi i atdheut të Skënderbeut nga pushtimi ogurzi osman.

Imagjinoni tani një tjetër betejë mendore,-imagjinoni një skenë debati, ose përballjeje midis Evlija Çelebiu,- i cili shpreh opinionin e alambikuar, të një formule gati të paqenë, të një alkimie absurde linguistike për origjinën e shqiptarëve (arnautëve) si dhe të Katragjyshit të tyre” arab”,- i cili, paska jetuar në shekullin e VII- dhe paska qenë dhe një mik i ngushtë dhe i afërt i Profetit, pastaj ka ardhur në brigjet Lindore të detit Adriatik, ku ka vdekur pranë Elbasanit,- ka një Tyrbe për të-( po të bëjmë një llogaritje kohore,- ky Katragjysh nga shekulli i VII deri në shekullin e XV,- kur mbas tetë shekujsh turqit sulmuan dhe u përballën me Skënderbeun dhe popullin e tij,- pra nëse arnautët ishin arabë myslimanë paskan luftuar me turqit myslimanë!)– pra, përballoni të gjitha këto, me ato që thonë me dijetarët e shquar shqiptarë Pjetër Bogdani, Frang Bardhi dhe Pjetër Mazreku, të cilët e dinë në mënyrë të mirërfilltë, që shqiptarët krejt tjetër janë një popull europian autokton, se Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk mund të dilte në shekullin e XV nga një popull i emigruar ”arab“ në shekullin e VII, me një gjuhë hibride midis arabishtes dhe gjuhës frënge etj etj.

Pra vet Heroi Kombëtar i shqiptarëve nuk mund të ishte një hero i një populli të imagjinuar” arab”, ose i tjetër populli..

Ja, ku të çon kjo fantazmagori e habitshme dhe e pabesueshme mendore, për të treguar se sa e ashpër e sofistikuar, sa konkrete dhe e abstraguar ishte dhe është lufta midis Historisë Reale dhe Antihistorisë Fantaziste.

Vini përballë, gjithashtu, të ashtuquajtur Katragjysh Xhebal Helhemën me figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut!

Midis tyre ka një raport absurd, që mund të mbi quhet si një Marrëzi Erazmike, ose si “Muzeu Humoristik i Bëmave të Historisë”.


4 Nëntor 2018