Tentativa e parë për pavarësi, 1828?

Nga Wikibooks

Të pathënat e historisë janë diskutuar mbrëmjen e sotme në studion e Byro Politike në panel historianësh në kuadër të 106 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Për historianin Ferit Duka, historia shqiptare ka sot një sërë arritjesh që e kanë ndriçuar në mënyrë optimale këtë ngjarje të madhe, por që mbeten ende të hapura diskutimet e opinionet.

“Është festa më e rëndësishme kombëtare e shqiptarëve, është një ngjarje për të cilën sado që është e njohur përsëri ka mendime e opinione. Askush mos presë që në histori është thënë fjala e fundit, sidomos për ngjarje të tilla që shënojnë ndryshime epokale, ndizen diskutimet, ndërhyjnë edhe historiografia amatore krahas asaj shkencore. E kaluara është shumë demokratike se i përket gjithë popullit dhe ai ka të drejtë të thotë mendimin e tij për ngjarje e dukuri të caktuara. Historia shqiptare ka sot një sërë arritjesh që e kanë ndriçuar në mënyrë optimale këtë ngjarje të madhe dhe atë që e rrethon këtë ngjarje, kushtet historike, sfondi historik, konteksti ndërkombëtarët të gjitha këto e kanë ndriçuar më shumë por kjo s’do të thotë që kanë mbaruar diskutimet”.

Por sipas Dritan Egros në bazë edhe të dokumenteve, tentativa e parë është bërë në vitin 1828 nga elita shqiptare e kohës, të cilët filluan të ndërtonin shtetin e tyre siç ishte fryma e kohës.

“Tentativa e parë është bërë në vitin 1828. Nga studimet e mia ai duhet të jetë nëntori i tretë, pasi gjithë paria e Toskërisë kanë diskutuar se çdo bëjmë me Shqipërinë ndërkohë që Greqia shpalli pavarësinë. E dokumentojnë letrat kur thonë që ka ardhur koha që të mendojmë për avenirin e Shqipërisë. Nuk është rastësi që Ismail Qemali është protagonist i kësaj ngjarjeje të madhe brenda familjes së tij. Perandoria mendonte se nuk do binte kurrë, ndërsa shqiptarët filluan të ndërtonin shtetin e tyre siç ishte fryma e kohës. E vërtetojnë dokumentet që elita megjithëse i kishte të gjitha po mendonte shkëputjen nga Perandoria”.

Në të njëjtën linjë edhe historiani Dorian Koçi tha se pavarësia ishte një proces i gjatë për të mbërritur te akti.

“Pavarësia është një proces. Qe jo vetëm një akt, që të arrihej deri aty ishte një proces i gjatë. Tentativa e shqiptarëve në vitin 1828 është pak e studiuar. Kongresi i Manastirit hodhi piketat për alfabetin dhe përqasjen e shqiptarëve ndaj botës perëndimore, me bashkim unik shpirtëror mes tre besimeve fetare, infrastruktura e duhur kulturore. Pavarësinë e Shqipërisë e bënë familjet e mëdha shqiptare, të 40 firmëtarët vijnë nga familjet e mëdha dhe janë elita e kombit”.


28 Nëntor 2018