Teatër apo amfiteatër, dy termat që ndryshojnë tërësisht njëri nga tjetri

Nga Wikibooks

Më gëzon lajmi se së afërmi, pas një rikonstruksioni të plotë, do të vihet në funksionim Teatri veror tek parku i madh i Tiranës, një vlerë e shtuar për veprimtaritë artistike e kulturore për kryeqytetin, kur në fakt është ndierë mungesa e sallave e ambienteve për veprimtari të tilla.

Është momenti që bashkë me rikonstruksionin e teatrit të bëjmë një saktësim të emërtimit të tij mbasi edhe në njoftimet e ditëve të fundit dikush flet për rikonstruktimin e Teatrit veror e të tjerë për rindërtimin e amfiteatrit tek liqeni.

Ky përdorim pa vend i njërit ose i tjetrit term vjen pa dyshim nga mosnjohja e saktë e përmbajtjes së këtyre flakëve, të cilat shpesh njerëzit i marrin si dy fjalë, në mos të njëjta, të paktën të përafërta. Në të vërtetë teatër e amfiteatër janë dy terma që ndryshojnë tërësisht njëri nga tjetri.

Cili është kuptimi i tyre, si kanë qenë ndërtuar e përse kanë shërbyer këto dy monumente të mëdha të antikitetit.

Teatri (që vjen nga greqishtja Theatron – vend për ndenje, për spektarotë), është një nga monumentet e rëndësishme me karakter publik i kohës antike, që ka shërbyer për shfaqje korale, për tragjedi, drama e komedi. Teatrot antikë të zbuluara në vendin tonë kanë formën e një gjysmë rrethi a të një patkoi, janë të hapura, pa mbulesë dhe ndërtoheshin rrëzë kodrave, të cilave u jepej forma e dëshiruar. Shkallët për ndenjen e spektatorëve (teatronet) të ndërtuara me gurë të skalitur ngjiteshin mbi faqen e pjerrët të kodrës në formë gjysmë rrethi.

Nganjëherë teatrot janë të skalitura në shkëmb të gjallë, siç është rasti në teatrin e Klosit (Nikaia) në rrethin e Fierit. Forma gjysmërrethore e teatrit u kushtëzua, jo vetëm nga karakteri praktik i vendosjes së shkallëve për të parë të gjithë spektatorët, po edhe për të zgjidhur problemin e akustikës, sepse në këtë formë teatri i përngjante, e luante po atë rol që luan llapa e veshit për grumbullimin e tingujve.

Para shkallëve ishte orkestra në formë të rrumbullaktë ose gjysmë rrethi, ku dilnin aktorët që jepnin shfaqje, ndryshe nga funksioni që ka vendi i orkestrës në teatrin modern. Pas orkestrës ishte proskena dhe skena, të cilat në fillim ishin shumë të thjeshta, kurse më vonë u rritën dhe u zhvilluan duke u zbukuruar me kolona e skulptura. Në kohën antike skema ka shërbyer gjithnjë si vend ndenje për aktorët dhe si sfond arkitektonik para të cilit zhvilloheshin shfaqjet.

Pesë teatrot e zbuluar në vendin tonë, në Apolloni, në Bylis (Hekal), Në Nikaia (Klos) të Fierit e në Butrint të Sarandës, janë dëshmi e zhvillimit të lartë social ekonomik që arriti Iliria e Jugut në shekujt IV-II para e. sonë. Midis tyre teatri i Butrintit shquhet për ndërtimin e përsosur sipas të gjitha kërkesave të kohës, për konstruksionin e fortë e për ruajtjen në gjendje shumë të mirë. Teatri i hapët i Apollonisë, puna për zbulimin e të cilit po vazhdon me sukses prej disa vitesh, është më i madhi i vendit tonë. Nga llogaritje të përafërta si duhej të nxinte 6.000 deri 7.000 vetë. Teatri i Nikaias dhe teatri i Bylisit të ngritur përkatësisht në dy qytete ilire, Bylis e Nikaia, 1,5 km larg njëri-tjetrit, është një rast i rrallë, një tregues sinjifikativ që dëshmon për nivelin e lartë e shkallën e zhvillimit kulturor që arritën këto dy qytete ilire.

Teatri i Apollonisë dhe i Butrintit u ndërtuan në shek.IV p.e.sonë. Në shek. III p.e.sonë janë ngritur teatrot në Bylis e në Nikaia. Rindërtimet e bëra në teatrin e Apollonisë në shek.II-III të erës sonë, dëshmojnë se ai duhet të jetë përdorur deri aty nga shekulli IV- i e.sonë, kohën të cilën, në gjithë botën antike, teatrot ndërpresin jetën e tyre.

Në shekujt e parë të erës sonë, në periudhën e lulëzimit të sistemit skllavopronar romak, i cili ishte vendosur në tërë territorin e Ilirisë lindi edhe një formë e re argëtimi – shfaqjet e të cilit zhvilloheshin në amfiteatër.

Amfiteatri (nga amfi-rreth dhe – theatron – vend për ndenje spektatorësh, ka formën e një elipsi dhe përbëhet nga dy pjesë: nga arena – fusha ku zhvilloheshin ndeshjet e gladiatorëve dhe nga cavea – shkallët për ndenjen e spektatorëve.

Në vendin tonë është zbuluar vetëm një amfiteatër, në Durrës, i cili është ndërtuar sipas parimeve më të përparuara të arkitekturës antike. Deri tani është zbuluar pjesa më e madhe e tij me shkallarët dhe galeritë, një pjesë e arenës, hyrja veriore etj. Nga përmasat ai është monumenti më i madh i lashtësisë i zbuluar në vendin tonë. Afërsisht nxinte mbi 10.000 vetë. Amfiteatri i Durrësit u ndërtua në shek. II të e.sonë dhe vazhdoi të funksiononte deri në shekullin IV të e.sonë.

Teatri dhe amfiteatri janë dy monumente të antikitetit që ndryshojnë nga forma dhe nga koha e përdorimit, teatri lindi shumë më herët dhe vazhdoi të përdoret për një kohë shumë të gjatë, rreth 8 shekuj (shek. VI p.e.sonë – shek IV e. sonë), kurse amfiteatri e pati jetën shumë të shkurtër (shek.II-IV e.sonë).


Myzafer Korkuti

30 Maj 2018