Të jesh një shqiponjë…
Të jesh një shqiponjë…
Në malet e larta,
sytë se ç’më mbenë,
aty ku e ka,
shqiponja folenë.
Shqiponja e malit,
rron mbi njëqind vjet,
po s’e braktis kurrë,
folezën e vet!
Shqiponja e malit,
dhe pse s’është njeri,
aty lind e rritet,
dhe vdes po aty!
Aty dashurinë,
shqiponja ka mbjellë,
ndaj fole e saj,
është si një kështjellë!
Edhe unë shqiponjës,
dua që t’i ngjaj,
që s’e braktis kurrë,
folezën e saj!
Ndaj shpirti rehat,
s’më gjen asgjëkundi,
iki si veriu,
po kthehem si plumbi!
Po kthehem si plumbi,
nga toka e huaj,
se larg tokës sime,
s’e shty dot një muaj!
Kthehem porsi plumbi,
në viset e mia,
veç këtu kuptohet,
ç’është dashuria!
Ç’është dashuria,
për një prag shtëpie,
për një rrap të lashtë,
për një degë hardhie!
Ndaj vetëm shqiponjën,
kam në jetë model,
se dhe dielli vetë,
aty ndryshe del!
Ndryshe ndrisin yjet,
ndryshe ndriçon hëna,
në viset e mia,
ku më prehet nëna!
Këtu ia zbulova,
jetës mrekullinë,
që iu thaftë goja,
kush shan Shqipërinë!
Arben Duka
TENNESSI-U.S.A,
Dhjetor 2012