Të dhëna të reja për Gjergj Kastriot Skënderbeun
Moikom Zeqo
Përurimi në Dibër të Madhe në Maqedoni i shtatores së Skënderbeut nuk ishte vetëm një simbol përkujtimor i veçantë, por dhe një substancë evokuese, inkandeshente e kujtesës kombëtare.
Disiplina e skënderbeologjisë ka fituar qytetarinë e vet, me një pafundësi studimesh dhe hulumtimesh për epokën e përndritur kastriotase.
Një kontribut sintetik dhe analizues të posaçëm ka sjellë dhe historiani shqiptar i rangut evropian Kristo Frashëri me botimin e veprës së tij “Skënderbeu”.
Hulumtimet vazhdojnë dhe nxjerrin të papritura të reja.
Para ca vitesh miku im Qemal Minxhozi, ish Ambasador i Shqipërisë në Danimarkë më njoftoi në telefon një lajm gati të pabesueshëm: është gjetur një vulë origjinale e Skënderbeut.
Në fillim pas gëzimit të beftë pata një ndjesi skeptike. Por nisa menjëherë korrespondencën jo vetëm me Qemal Minxhozin por dhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë për të futur në një hulli zyrtare afirmimin e këtij zbulimi të veçantë si dhe prurjen e vulës origjinale të Skënderbeut në Tiranë.
Lidhja qe me zbuluesin e kësaj vule, kuratorin e Muzeut Historik të Danimarkës, Dr. Peter Pentz.
Ky kurator arriti ta zbulonte vulën pas një hulumtimi të gjatë, por dhe ndoshta krejt rastësisht.
Vula kishte një kohë shumë të gjatë që ndodhej e depozituar në Arkivin e Muzeut Kombëtar të Danimarkës në një klasifikim paraprak si një objekt i paidentifikuar por me origjinë nga trojet e Perandorisë Osmane.
Historiku i gjetjes së saj është tepër interesante.
Muzeu i Danimarkës e bleu vulën në vitin 1839, në një ankand pas vdekjes së dy koleksionistëve, peshkopit Frieder Munter (1761-1930) dhe Hofsmedemester Peter Johan Timm (1753-1835).
Njëri nga këta e kishte blerë vulën në një ankand në vitin 1824, gjoja si vulë ruse.
Përpara se të sillej në Muze, vula i përkiste Dhomës së Artit Mesjetar.
Pas marrjes vula u regjistrua në Protokollin e Muzeut të Danimarkës, si vulë që i përkiste Perandorisë Osmane, por me një shkrim grek.
Dijetari Penz u mor me studimin e saj.
Ai bëri një studim që sipas rregullave e kaloi në Bordin shkencor të muzeut danez.
Ai e botoi studimin në një revistë autoritative të quajtur « Sfinks », jo vetëm për rajonin danez por dhe me përhapje në krejt Europën Veriore dhe Perëndimore.
Për fat të keq ai nuk ma dërgoi këtë studim edhe mua.
Nga ana e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve ftesa që më kishte ardhur mua për të shkuar dhe për ta parë me sytë e mi vulën në Kopenhagen iu dha një tjetri i cili nuk qe specialist. Duke pas pasur në duar as fotografinë e saktë të vulës dhe as argumentimet e Dr. Pentz, unë mundet që vetëm të besoja në një seriozitet të dijetarit në fjalë por dhe të bordit shkencor.
Në një skicë të shkurtuar të studimit të tij që u botua nëpërmjet ATSH unë njoha disa nga arsyetimet që gjithsesi m’u dukën të çuditshme.
Pentz shprehej se fjala Rom që është mbishkrim mund t’i referohet shumë gjërave. Bizantinët e quanin veten Romaioi që do të thotë « romakë ».
Mundet që kjo t’i referohet një zone gjeografike të caktuar që turqit e quanin Rum dhe venedikasit Romania.
Përsa i përket kafshës që vrapon nën shqiponjën dykrenare sipas studiuesit Pentz duhet të jetë një simbol i Skllovenisë ose Kroacisë Verilindore, gjë që për mendimin tim nuk qëndron dhe nuk ka asnjë kuptim.
Zbuluesi i vulës thotë që kjo kafshë mund të jetë një dhelpër.
Dijetari Pentz është i sigurtë se kjo vulë nuk është e fallsifikuar por origjinale.
Vula prej bronzi me një pjastër me shenjën heraldike dhe mbishkrimin sipas tij duhet të jetë derdhur në një fonderi të specializuar, ndoshta në një nga qytetet e gadishullit italik.
Në datën 29 maj 2003 isha i pranishëm në ceremoninë që u bë në Muzeun Kombëtar « Gjergj Kastriot Skënderbeu » në Krujë, për vulën në bronx, të sjellë nga Danimarka, zbuluar në Muzeun Historik Kombëtar të Danimarkës dhe publikuar në shtypin danez nga Dr. Peter Pentz, kurator i muzeut danez.
Vula prej bronxi e sjellë nga Danimarka qe ekspozuar në një vitrinë të vogël xhami dhe unë për herë të parë pashë me sytë e mi matricën e kësaj vule, duke lexuar qartë figurat e ravizuara në të dhe mbishkrimin në greqisht.
Dr. Peter Pentz e mori fjalën dhe paraqiti në mënyrë dixhitale në monitorin e kompjuterit të tij portativ historikun e hyrjes së kësaj vule në fillim të shek. XVII në Muzeun danez, dha të dhëna historike për vetë muzeun danez si dhe bëri përshkrimin faktografik të vulës, rindërtimin e plotë të mbishkrimit në greqisht, bëri disa krahasime, që lidheshin me shqiponjën dykokëshe, të përdorur si heraldikë edhe nga princër të tjerë shqiptarë por edhe evropianë dhe e paraqiti këtë vulë të zbuluar si vulën origjinale të Gjergj Kastriot Skënderbeut, megjithëse me modesti ai u shpreh publikisht « Nuk jam specialist i kësaj fushe ».
Për hir të së vërtetës, dua të them, që kur miku im, ish ambasadori i Shqipërisë në Danimarkë, Qemal Minxhozi më njoftoi në telefon, se është zbuluar vula origjinale e Gjergj Kastriot Skënderbeut nga Dr. Peter Pentz, unë u gëzova si çdo shqiptar.
Mendova që studimi i Dr. Pentz, i paraqitur në bordin shkencor të muzeut danez, do t’i nënshtrohej një kriticizmi objektiv shkencor dhe do të ishin përdorur metoda bashkëkohore shkencore identifikimi.
Për fat të keq nuk dëgjova arsyetime të tilla në ligjëratën e mikut tonë nga Danimarka, Dr. Peter Pentz.
Megjithatë me kujdes dhe etikë profesionale, duke e falënderuar Dr. Pentz për faktin e mediatizimit të emrit të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe njohjes së historisë shqiptare në Danimarkë, unë guxova dhe bëra një diskutim pas tij, ku në substancë bëra këto vërejtje :
1.Vula zyrtare e Gjergj Kastriot Skënderbeut ka qenë atributi i tij juridik i identitetit të pozitës dhe e vendit që ai përfaqëson.
Është zbuluar vula zyrtare e Gjergj Kastriot Skënderbeut, e cila është botuar shpesh, ajo përfaqësohet nga një fushë rrethore, ku është shqiponja dykrenare me krahë të ulur poshtë dhe sipër saj një yll 6 cepësh, që në të vërtetë nuk ka të bëjë fare me të ashtuquajturin yll hebraik të Davidit.
Kjo vulë ka në latinisht fjalët : DOMINUS ALBANIAE, që do të thotë « ZOT I SHQIPËRISË ». Ky ka qenë titulli zyrtar i pushtetit shtetëror të Skënderbeut.
Në dokumente të tjera ai citohet konvencionalisht edhe si Princi i Epirit.
Nuk është gjetur deri më sot ndonjë dokument, ku ai të mbante titullin hierarkik « Mbret i Shqipërisë ».
Pozita juridike e Skënderbeut lidhet esencialisht me stemën, vulën dhe pozitën e tij zyrtare.
Vula e dytë e ashtuquajtur sekrete, përbëhet nga një gem unaze, ku është një skenë mitologjike në miniaturë, ku paraqitet Zeusi në formë mjellme dhe Leda si një femër nudo me një kapele të tipit kausia në kokë.
Vula e sjellë nga Danimarka paraqet një shqiponjë dykrenare, e cila i ka krahët përpjetë dhe ka mbi krye një kurorë mbretërore, jo nga ata kurora që i takojnë princërve.
Nën shqiponjën është figura e një dhelpre, e një kafshe totemistike, e cila është e pashpjegueshme dhe nuk del askund në heraldikën mesjetare shqiptare.
Kjo vulë është në formë ovale dhe jo të rrumbullakët dhe ka një mbishkrim me fjalë të shkurtuara në greqishten bizantine, që e përkthyer në shqip do të thotë : « ALEKSANDRI PERANDORI I MADH I ROMANËVE, MBRET I TURQVE, SERBËVE, SHQIPTARËVE DHE BULLGARËVE ».
Ndryshimi i krahëve të shqiponjës dykokëshe është shumë i rëndësishëm.
Shqiponja zyrtare dykokëshe e vulës së Skënderbeut, padyshim që ka patur një ikonografi të njëjtë dhe nuk mund të ketë ndryshuar gjatë gjithë kohës që ka jetuar Skënderbeu dhe ka funksionuar kancelaria e tij.
Pra është marrëzi të mendosh që Skënderbeu të ketë pasur disa vula, ku shqiponja dykokëshe të jetë paraqitur ikonografikisht me ndryshime kaq të dukshme.
Kjo është esenciale dhe jo një vërejtje e dorës së dytë.
Figura e dhelprës është gjithashtu një gjë që nuk lidhet fare me heraldikën shqiptare dhe nuk mund të shpjegohet me asnjë lloj arsyetimi qoftë edhe fantazmagorik.
Përsa i përket mbishkrimit në greqishten bizantine duhet studiuar fakti nëse përdoret një lloj shkrimi i tillë në epokën e Skënderbeut, pra në shek. XV si dhe menjëherë mund të kuptosh nga përmbajtja e mbishkrimit, që kemi të bëjmë me një mbishkrim që mbart një absurditet të madh në vetvete.
Këtu do të nënvizoj se Skënderbeu, veten e ka quajtur gjithmonë në të gjitha rastet Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe asnjëherë nuk e ka quajtur veten Aleksandër, titulli gjithashtu fantazmagorik Perandori i madh i romanëve, Mbret i turqve, serbëve, shqiptarëve dhe bullgarëve nuk lidhet fare me realitetin historik.
Skënderbeu jo vetëm që s’ka qenë perandor por s’ka qenë asnjëherë as mbret i serbëve, bullgarëve, e aq më tepër i turqve, sepse ai ka qenë kundërshtar i turqve, armiku i tyre më i madh. Ky argument e hedh poshtë përfundimisht idenë që gjoja vula është origjinale.
Në vulën e tij origjinale Skënderbeu jo vetëm që do të respektonte saktësisht dhe rreptësisht formën e shqiponjës heraldike të tij, por ai kurrë nuk do të gënjente për veten publikisht dhe zyrtarisht se gjoja paska qenë perandor i romanëve, mbret i turqve, serbëve, shqiptarëve, bullgarëve.
Titulli juridik i zotërimit të tij lidhet vetëm me atë të shqiptarëve si Zot i tyre, pra i pari i tyre dhe aspak mbret i shqiptarëve siç mund të jetë thënë në beletristikë.
Ka qenë e domosdoshme të bëhej analizë mikrofizike e aliazhit të bronxit të vulës, për të gjetur ndoshta dhe fonderinë e derdhjes së kësaj vule si dhe kohën e kësaj derdhje.
Pa këtë analizë bashkëkohore nuk do të flitet për datimin e vulës dhe origjinalitetin e saj.
Gjithashtu krahasimi ikonografik me vula të tjera të ngjashme do të krijonte një mënyrë argumentimi tjetër për të vërtetuar se kjo vulë nuk i përket Heroit Shqiptar.
Së fundi mund të them se mund të qenë bërë kërkime serioze nga ana e Muzeut të Danimarkës për të gjetur identitetin e personave që e kanë dorëzuar këtë vulë në shek. XVII.
Ka shumë mundësi që kjo vulë të mos lidhet fare me emrin e Skënderbeut, por të jetë një vulë e një gjenealogjie fantaziste, që lidhet me Aleksandrin e Madh, që në mesjetë qe në temën e shumë romaneve kalorsiak, të stemave të falsifikuara të princërve evropianë etj. etj.
Por ka mundësi që falsifikuesit e kësaj vule, për arsye fitimi si të gjithë falsifikuesit edhe sot modernë, të kenë bërë një kompilim të dhënash historike, por duke mos e njohur mirë historinë kanë bërë kështu një gabim trashanik, që zbulohet pas kaq shekujsh.
Sinqerisht do të gëzohesha shumë nëse do të zbulohej vula origjinale e Skënderbeut, kam menduar se edhe mund të qe e tillë, por kur e pashë vulën me sytë e mi jam i bindur tashmë përfundimisht për gjithçka që thashë më sipër, madje dhe në praninë e vetë studiuesit dhe zbuluesit të kësaj vule, dr. Peter Pentz.
Dy vulat e mëparshme të njohura nga Skënderbeu kanë interes të veçantë shkencor.
Njëra nga ato është gjetur për herë të parë nga studiuesi Dhimitër Pilika në 1961 në materialet e dijetarit sllovak Pavel Shafari (1795-1861).
Kjo vulë është përdorur nga Skënderbeu në 1466.
Kjo vulë si arketip përsëritet edhe tek stema e Kastriotëve por me një ndryshim që përveç yllit me gjashtë cepa janë dhe dy kurora heraldike mbretërore.
Kjo stemë duhet të jetë më e vonë se sa vula.
Simboli më heraldik i Skënderbeut më i njohuri dhe më emblematiku është përkrenarja me kokë dhie.
Për kokën e dhisë është folur shumë nga studiuesit, por nuk është saktësuar se ç’përfaqëson koka e dhisë.
Përsa i përket shqiponjës dykrenare ajo është parë si ndikim i stemave bizantine.
Shqiponja dykrenare është një simbol universal.
Tek vula e Danimarkës në gjoksin e shqiponjës është dhe kryqi i krishterë.
Por në përgjithësi heraldika e Skënderbeut nuk ka simbole të krishtera.
Në një studim timin të mëparshëm kam thënë se e tërë heraldika skënderbejane lidhet me origjinën që sipas vetë Skënderbeut rrjedh nga Epiri, madje në një letër të tij Skënderbeu i quan shqiptarët pasardhës të Pirros së Madh të Epirit.
Kjo është arsyeja pse në vulën sekrete Skënderbeu preferon figurën e Ledës dhe të Zeusit në formë mjellme kurse koka e dhisë është konkretisht dhia Amaltea e cila sipas mitologjisë ushqeu me qumështin e saj Zeusin fëmijë.
Në shekullin I para Krishtit pranë qytetit të Butrintit Pompon Atiku, dijetar dhe mik i ngushtë i Ciceronit ndërtoi vilën e tij të famshme të quajtur Amaltea.
Nga letërkëmbimi i Atikut me Ciceronin mësojmë se vila Amaltea qe plot skulptura dhe vepra arti si dhe përmendore me epigrame poetike madje dhe një bibliotekë me mbishkrime të lashta.
Kështu vërtetohet se pranë Butrintit qe krijuar një nga qendrat më të mëdha kultike dhe mitologjike për dhinë Amaltea. Dhia Amaltea lidhet me Zeusin dhe metamorfoza e Zeusit mjellmë është gjithashtu një motiv i trevës së Epirit.
Skënderbeu si një humanist i madh i Rilindjes Evropiane e lidh origjinën e shqiptarëve jo vetëm me ilirët e Epirit por dhe me simbolet më të spikatura të kultit të qerthullit Zeusian në Epir.
Shumë materiale dhe dokumente arkeologjike të zbuluara në Shqipërinë e Jugut flasin për kultin e Zeusit dhe të dhisë Amaltea. Skënderbeu qe i vetëdijshëm për lashtësinë e shqiptarëve dhe për mitologjitë e tyre pagane, me të cilat krenohet.
Megjithëse Atlet i Krishtit siç u quajt nga papët e Romës, Skënderbeu nuk përdori as në flamurin e tij as në stemat dhe vulat motivin e Kryqit përveç se në rafigurimin e vulës së Danimarkës.
Miniaturat e vulave kanë të bëjnë me një art të veçantë pamor. Kjo gjë na çon në hullinë e përdorimit të shëmbëlltyrave të artit edhe në rrafshe të tjera.
Dhimitër Frëngu mik dhe arkëtari i Skënderbeut, si dhe autori i një biografie të famshme për heroin na jep në librin e tij një dëshmi të çuditshme.
Ai thotë se “albanët kanë origjinë nga Franca, miqësia e princit të Durrësit me mbiemrin Topia vinte prej Karlit të Madh, një statujë prej guri të mrekullueshëm dhe gdhendur me shumë mjeshtëri dhe art prej Karlit të Madh qe vendosur në sheshin qendror të qytetit të Krujës”.
Barleti thotë se qyteti i Krujës u themelua nga familja princërore Topia. Skulptura e Karlit të Madh. Skulptura e tij duhet të jetë skalitur nga ndonjë artist francez por ndoshta dhe vendas. Ky simbol evokon në substancë kohën kur Karli I Anzhu krijoi Regnum Albaniae, pra Mbretërinë Shqiptare, me kryeqytet Durrësin në 1272.
Ka mundësi që anzhuinët ta kenë sjellë në Krujë statujën e Karlit të Madh.
Kjo statujë mund të ketë qëndruar në sheshin kryesor të Krujës për afro dy shekuj.
Përderisa Dhimitër Frëngu e ka parë me sytë e tij këtë statujë padyshim edhe Skënderbeu e ka parë, madje Skënderbeu do të ketë qenë protektor i statujës ose autori kryesor për ta rivendosur në shesh këtë statujë që turqit mund ta kenë hequr para vitit 1443.
Marin Barleti gjithashtu na jep një të dhënë tjetër të çuditshme.
Në librin e tij për Skënderbeun Barleti shënon se “Nikolla i biri i Pal Dukagjinit për nga lavdia luftarake i ka kaluar shumë nderet e të atit dhe të të parëve të vet.
Një përmendore e këtij trimi të pathyeshëm me atë të djathtën e tij si të themi të pavdekshme ndodhet akoma dhe sot në Peneropolis, qytet i Thrakës të cilin sot vendasit e quajnë Prizren, mbi këtë përmendore janë varur mbeturinat e një mburoje armike, të cilën, në një betejë që është ende e freskët në kujtesën e njerëzve Nikolla e çau aq keq me goditjen e shpatës së vet, saqë dhe dorën e armikut luftëtar e bëri të pavlefshme për luftë”.
Dy dijetarë shqiptarë Barleti dhe Frëngu dëshmojnë kështu për ekzistencën e dy skulpturave kushtuar personaliteteve historike, Karlit të Madh të Francës si dhe Nikollë Dukagjinit një luftëtari të shquar. Familja Dukagjini ka dhe një dëshmi tjetër për ekzistencën e një vepre arti në shekullin XV.
Është fjala për një kryq argjendi me figura biblike, ku është shënuar dhe mbishkrimi i artistit.
Një e dhënë tjetër interesante për ikonografinë e Skënderbeut erdhi këto edhe në muze.
Është fjala për një litografi të fundit të shekullit XIX ose fillimit të shekullit XX.
Koleksionisti që e solli tha se e kishte gjetur në Shkodër. Litografia e paraqet Skënderbeun djathtas, në profil, pa përkrenaren me kokë dhie dhe me dafina mbi kokë.
Në dorën e djathtë mban një shpatë me tehun e ngritur përpjetë.
Para njëzet vjetësh unë kam botuar në shtypin shqiptar një artikull për ekzistencën e kësaj litografie duke u bazuar në një fotografi të Leonardo de Martinos, prift dhe poet italo arbëresh i cili qe fotografuar në tryezën e tij të kabinetit kurse prapa shpatullave në mur qe pikërisht kjo litografi.
Ka shumë mundësi që ne të kemi shtënë në dorë pikërisht litografinë e përdorur nga Leonardo de Martini, por kjo duhet saktësuar.
Litografia ka mundësi të jetë shtypur në Korfuz ose në Venedik.
Ajo ka mbishkrimin në shqip „SKËNDER – BEU, MBRET I SHQIPËRISË“, kurse në një cep në anën e djathtë është dhe një shkrim mikroskopik në greqisht që përkthehet „Gjergj Kastrioti, princ i Krujës“.
Artisti që ka bërë këtë litografi nuk është amator por me kulturë akademike pikturikë.
Nuk dimë asgjë për këtë artist, por mund të ketë qenë edhe shqiptar.
Dimë nga të dhënat historike se kemi disa portrete të hershme, nga Gjergj Panariti, madje në formën e një afresku në një kishë të Pejës, por portrete të Skënderbeut ka bërë dhe At Ballamaçi, Spiro Xega dhe Simon Rrota.
Është për t’u vënë në dukje se portretet e tyre kanë një karakter amator, ose kanë imituar vepra të piktorëve të huaj duke e pajisur kalorësin me pamjen e Skënderbeut dhe përkrenaren dalluese me kokë dhie.
Litografia për të cilën po flasim përfaqëson një vepër të shkëlqyer arti në ikonografinë skënderbejane.
Më vjen mirë që e bëra publike për herë të parë këtë litografi e cila në pinakotekën e Muzeut Gjergj Kastrioti në Krujë do të ishte vendosur me dinjitet, jo thjesht e fotografua apo e pikturuar sipas origjinaleve që nuk janë në këtë muze.
Dua të kujtoj lexuesit se një zbulim shumë i rëndësishëm është dhe piktura e Gjergj Kastriot Skënderbeut, që ruhet akoma dhe sot në Malin Athos në qelën me libra të patriarkut me origjinë shqiptare Nifon, i cili e ka njohur fizikisht shumë mirë vetë heroin tonë Gjergj Kastriot Skënderbeun.