Suretu Ez Zumur

Nga Wikibooks

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

1. Shpallja e librit është prej All-llahut, të gjithfuqishmit, të urtit.

2. Ne ta shpallëm ty librin për hir të së vërtetës, andaj ti adhuroje All-llahun duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij!

3. Vini re! Adhurim i sinqertë është vetëm ai për All-llahun! Ndërsa ata që në vend të tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër All-llahut, s’ka dyshim se All-llahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim. E, është e vërtetë se All-llahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë, atë që është rrenës, jobesimtarë.

4. Sikur të kishte dashur All-llahu të ketë fëmijë, do të zgjidhte atë që dëshiron nga çka Ai vetë krijon. I pastër është Ai! Ai është All-llahu, i vetmi, i fuqishmi!

5. Ai krijoi qiejt e tokën me qëllim të caktuar; Ai natën mbështjell (vendi të) ditës dhe ditës ia mbështjell natës; Ai nënshtroi diellin dhe hënën, që ssecili lëviz deri në një afat të caktuar, pra Ai është ngadhënjyesi, mëkatfalësi.

6. Ai ju krijoi juve prej një njeriu, mandej prej tij e krijoi palën (çiftin) e tij dhe Ai krijoi për juve tetë nga qiftet e kafshëve. Ai u krijoi në barqet e nënave tuaja, krijim (etapë) pas krijimit në tri errësira. Ky është All-llahu, Zoti juaj, vetëm i Tij është pushteti, nuk ka tjetër pos Tij. E, si pra, i shmangeni (adhurimit të Tij)?

7. Nëse ju nuk besoni, All-llahu nuk është nevojtarë për ju; megjithatë, Ai nuk është i kënaqur me mosbesimin e robërve të Vet, e nëse jeni mirënjohës ndaj Tij, Ai e pëlqen atë për ju. Ndërkaq, nuk do ta bartë asnjë mëkatarë barrën e tjetrit. Pastaj, e ardhmja juaj është vetëm te Zoti juaj, e AI do t’ju njoftojë me atë që keni vepruar. Vërtet, Ai e di shumë mirë se çka mbajnë zemrat.

8. E kur e godit njeriun ndonjë e keqe (ndonjë dëm), ai e lut Zotin e vet duke kërkuar ndihmë vetëm prej Tij, e kur nga ana e TIj i je ndonjë të mira (ia largon të keqen), ai e harron atë që më parë është lutur Atij, dhe i përshkruan shokë All-llahut për të larguar (njerëzit) nga rruga e Tij. Thuaj: “Kënaqu për pak kohë më mosbesimin tënd, se ti pa dyshim je nga banuesit e zjarrit!”

9. (A jobesimtari e ka gjendjen më të mirë) Apo ai që kohën e natë e kalon në adhurim, duke bërëb sexhde, duke qëndruar në këmbë, i ruhet (dënimit të) botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet? Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.

10. Thuaj: “O robërit e Mi që keni besuar, kini frikë ndaj Zotit tuaj. Ata që bënë mirë në këtë jetë, kanë të mirë të madhe, e Toka e All-llahut është e gjërë, ndërsa të durueshmive u jepet shpërblimi i tyre pa masë!”

11. Thuaj: “Unë jam i urdhëruar ta adhuroj All-llahun, të jem i snqertë në adhurimin ndaj Tij!”

12. Dhe jam i urdhëruar të jem i pari i myslimanëve!

13. Thuaj: “Unë i frikësohem dënimit të një dite të madhe, nëse kundërshtoj Zotin tim”.

14. thuaj: “vetëm All-llahun e adhuroj, sinqerisht ndaj Tij e bëj adhurimin tim.

15. E ju pra , adhuroni pos Tij çka të doni!” Thuaj: “Të dështuar në ditën e kijametit janë ata që e kanë hmbur veten dhe familjen e vet. Vini re: ky është dështimi i njëmendët.

16. Se ata do të kenë shtresa të zjarrit edhe sipër edhe prfundi. Me këtë All-llahu i frikëson robërit e Vet: “O robërit e Mi, kinie frikë (dënimin)!”

17. Ndërkaq, ata që u larguan prej adhurimit të idhujve dhe ju drejtuan All-llahut, ata kanë gëzim të madh, e ti përgëzoj robërit e Mi!

18. Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që All-llahu i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe të tillët janë ata të mençurit.

19. E, atij që i është përcaktuar vendimi për dënim, a mund ta shpëtosh ti prej zjarrit?

20. Ndërkaq, ata që u ruajtën për hir të Zotit të tyre, për ta do të ketë dhoma të ndërtuara njëra mbi tjetrën, nën të cilat rrjedhin lumenjtë. Premtimi i All-llahut, e All-llahu nuk e thyen premtimin.

21. A nuk e sheh se All-llahu lëshon ujë nga qielli dhe atë e shpërndanë në tokë nëpër burime, mandej me të mbijnë bimë të llojeve dhe të ngjyrave të ndryshme, pastaj ajo thahet dhe ti e sheh ata të zverdhurar dhe pastaj e bën atë të llomitr. S’ka dyshim se në këtë ka argument për të zotët e mendjes.

22. Atij që All-llahu ia ka zgjruar kraharorin për besim islam, ai është në një dritë të sigurt prej Zotit të vet. Të mjrët janë ata që nga zemërfortësia e tyre nuk përmendin All-llahun, të tillët janë në humbje të qartë.

23. All-llahu e shpalli të folmën më të mirë, librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas herë (me këshilla e dispozita), që prej (dëgjimit të) tij rrënqethen lëkurat dhe zemrat e tyre. Ky (libër) është udhëzim i All-llahut, me të udhëzon atë që do. E atë që All-llahu e le të humbur, për të nuk ka ndonjë udhëzues.

24. E ai që me fytyrën e vet mbrohet nga dënimi në ditën e kijametit (a është i njejtë me atë të shpëtuarin)? Kur mizorëve u thuhet: “Përjetoni të keqen e asaj që punuat!”

25. Edhe ata para tyre përgënjeshtruan, por u erdhi ndëshkim nga nuk e menduan.

26. All-llahu u bëri të përjetojnë në këtë jetë poshëtrimin, por dënimi i botës tjetër është edhe më i madh, sikur ta dinin ata.

27. Ne u kemi sjellë njerëzve në këtë Kur’an shembuj nga çdo lëmi e nevojshme, ashtu që të marrin përvojë, (mësim),

28. Duke qenë Kur’an arabisht që nuk ka kundërthënie, me qëllim që të ruhen prej rrugës së gabuar.

29. All-llahu solli një shembull: Një njeri (rob) në posedimin e të cilit ishin ortakë pa marrëveshje mes vete dhe njëri (rob) që është thjesht në posedimin e një njeriu. A janë ata të dy të një lloji (të një gjendjeje)? Lavdërimi i takon vetëm All-llahut, por shumica e tyre, nuk e dinë.

30. Ti do të jesh i vdekur, e edhe ata do të jenë të vdekur.

31. E pastaj, në ditën e kijametit pranë Zotit tuaj do të grindeni mes vete.

32. E kush është më mëkatar se ai që flet të pavërtetën ndaj All-llahut dhe se ai që kur i erdhi e vërteta e përgënjeshtroi? A nuk është në Xhehennem vendqëndrimi për jobesimtarët?

33. E ai që e solli të vërtetën dhe ai që e vërtetoi atë, të tillët janë të ruajturit.

34. Ata te Zoti i tyre kanë çkado që dëshirojnë, e ai është shpërblimi i bamirësve.

35. All-llahu do t’ua shlyej atyre edhe më të keqen që e punuan dhe do t’u jepë shpërblime më të mira për ata që punuan.

36. A nuk i mjafton All-llahu robit të vet? E ata të friksojnë ty me të tjerët pos Tij. Po atë që e ka humbur All-llahu, për të nuk ka udhëzues!

37. Atë që All-llahu e drejton, atë nuk ka kush e humbë; a nuk është All-llahu i gjithëfuqishëm që ndërmerr ndëshkime?

38. Po nëse i pyet ata se kush i krijoi qiejt e tokën, sigurisht ata do të thonë: “All-llahu!” Ti thuaju: “Më tregoni pra, për ata që i adhuroni, pos All-llahut, nëse All-llahu më godit mua me ndonjë të keqe, a munden ta largojnë ata atë të keqe, ose, nëse All-llahu dëshiron ndonjë të mirë ndaj meje, a munden ta pengojnë ata të mirën e Tij?” Thuaju: “Mua më mjafton All-llahu. Vetëm Atij i mbështeten të mbështeturit”.

39. Thuaj: “O populli im, veproni sipas gjendjes suaj, e edhe unë veproj sipas times e më vonë do ta dini,

40. se cilit do t’i vijë dënimi që e poshtëron dhe do ta goditë dënim i përjetshëm!”

41. Ne ta zbritëm ty librin me argumente për njerëz, e kush orientohet në rrugën e vërtetë, ai e ka për vete e kush e humb, ai i bën dëm vetëm vetes, e ti nuk je garantues i tyre.

42. All-llahu i merr shpirtrat kur është momenti i vdekjes së tyre (i vdekjes së trupave të tyre), e edhe atë që është në gjumë e nuk ka vdekur, e atij që i është caktuar vdekja e mban (nuk e kthen), e atë tjetrin (që nuk i është caktuar vdekja, por është në gjumë), e lëshon (të kthehet) deri në afatin e caktuar. Vërtet, në këto ka argumente për një popull që mendon.

43. A mos kanë zgjedhur ndërmjetësues përveç All-llahut? Thuaj: “A edhe pse janë që nuk posedojnë asgjë e as nuk kuptojnë”.

44. Thuaj: “I tërë shefaati (ndërmjetësimi) i takon vetëm All-llahut, i Tij është pushteti i qiejve dhe i tokës, e më vonë vetëm te Ai ktheheni”.

45. Kur përmendet vetëm All-llahu, zemrat e atyre që nuk besojnë botën tjetër, neveriten, e kur përmenden, përveç Atij, të tjerët, ata gëzohen.

46. Thuaj: “O All-llah, Krijues i qiejve e i tokës, Njohës i të fshehtës edhe i të dukshmës, Ti je që gjykon mes robërve Tu për atë që ata kundërshtoheshin”.

47. E sikur të ishte e atyre që nuk besuan, e tërë ajo çka ka në tokë e edhe njëherë aq, do ta jepnin kompensim për t’i shpëtuar dënimit të tmerrshëm në ditën e kijametit. E prej All-llahut do t’u prezentohet (lloji i dënimit) çka as nuk kanë mund të mendojnë.

48. Dhe do t’ua dalin në shesh të këqiat që i kanë punuar dhe i përfshin ata ajo me të cilën talleshin.

49. Kur e godit njeriun ndonjë e keqe, ai na lutet Neve, e kur nga ana Jonë ia shëndërrojmë atë në ndonjë të mirë, ai thotë: “Kjo më është dhënë në bazë të dijes sime!” Jo, por ajo është një sprovë, por shumica e tyre nuk e dinë.

50. Ashtu patën thënë edhe ata që ishin para tyre, por atyre nuk u bëri dobi ajo çka kishin fituar.

51. Ata i goditën të këqijat që i kishin punuar. Edhe prej këtyre, ata që bënë zullum, do t’i godasin të këqiat e veprave të tyre dhe nuk mund t’i shpëtojnë asaj (goditjeje).

52. A nuk e dinë ata, se All-llahu i jep furnizim të plotë atij që do. Edhe në këto ekzistojnë fakte për një popull që beson.

53. Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!”

54. Dhe, kthehuni te Zoti juaj dhe përuljuni Atij para se t’u vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë.

55. Dhe përmbajuni asaj më të mirës që u është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi befas e ju të mos dini.

56. Dhe të mos thotë ndokush: “O i mjeri unë që kam lënë mangu respektimin ndaj All-llahut dhe ë kam qenë prej atyre që talleshin!”

57. Ose të mos thotë: “Ah, sikur të më kishte udhëzuar All-llahu (në rrugë të drejtë) e të kisha qenë prej atyre që janë të ruajtur!”

58. Apo, kur ta shohë dënimin të thotë: “Sikur të isha kthyer edhe njeherë e të isha bërë prej atyre bamirësve!”

59. Jo, ty të patën ardhur argumentet e Mia, e ti i përgënjeshtrove ato, u bëre kryeneç dhe ishe prej atyre që nuk besuan.

60. E ata që bënë gënjeshtër ndaj All-llahut, do t’i shohësh në ditën e kijametit, fytyrat e tyre të nxira. A nuk është në Xhehennem vendi i Kryelartëve?

61. Ndërsa All-llahu do t’i shpëtojë me atë suksesin e tyre ata, që kishin qenë të ruajtur. Ata nuk dot’i kapë e keqja e as nuk do të jenë të shqetësuar.

62. All-llahu është krijues i çdo sendi dhe Ai ëshë mbikëqyrës ndaj çdo gjëje.

63. Vetëm te Ai janë çelësat e qiejve dhe tokës, ndërsa ata që nuk i besuan argumentet e All-llahut, të tillët janë ata të dështuarit.

64. Thuaj: “O ju injorantë, a mos më thirrni të adhuroj tjetër, në vend të All-llahut?”

65. Pasha Alahun, ty të është shpallur, e edhe atyre para teje: “Nëse i bën shok (All-llahut), veprat tua janë të asgjësuara dhe ti do të jeshë prej të humburve.

66. Prandaj, vetëm All-llahun adhroje dhe bëhu mirënjohës!”

67. Ata nuk e çmuan All-llahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa, në ditën e kijametit e tërë toka është në grushtin e Tij, e qiejt të mbështjellë në të djathtën e Tij. Ai është i pastër nga të metat dhe Ai është i lartë nga çka ata i shoqërojnë!

68. Dhe i fryhet Surit dhe bie i vdekur çka ka në qiej dhe në tokë, përveç atyre që do All-llahu (të mos vdesin), pastaj i fryhet atij herën tjetër, kur qe, të gjithë aa të ngritur e presin (urdhërin e Zotit).

69. Toka është ndriçuar me dritën e Zotit të vet, libri (shënimet mbi veprat) është vënë pranë dhe sillen pejgamberët e dëshmitarët, e kryhet mes tyre gjykimi me drejtësi, e atyre nuk u bëhet padrejtë.

70. Dhe, secili njeri shpërblehet me atë që ka vepruar, e Ai më së miri e di se ç’punuan.

71. E ata që nuk besuan sillen në grupe te Xhehennemi, e kur arrijnë te ai, dyert e tij hapen e roja e tij u thotë atyre: “A nuk u patën ardhur juve të dërguar nga mesi juaj t’ju lexojnë shpalljet e Zotit tuaj, t’ju tërheqin vërejtjen për ballafaqimin tuaj në këtë ditë?” Po, (na kanë ardhur. . . ) thonë ata, por fjala (vendimi) e dënimit domosdo është bërë realitet kundër jobesimtarëve!

72. U thuhet: “Hyni nëpër dyer të Xhehennemit, aty do të jeni përgjithmonë, sa vend i keq është për kryelartët!”

73. E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te Xhenneti, e kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë atyre: “Selamun alejkum” - qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë.

74. E ata (të Xhennetit) thanë: “Falënderuar qoftë All-llahu, i cili premtimin e Vet e bëri realitet ndaj nesh dhe na e la në disponim tokën e Xhennetit që të vendosemi aty ku të duam! Sa shpërblim i mirë është i atyre që vepruan drejtë”.

75. E do t’i shohësh engjëjt të rreshtuar përreth Arshit, e madhërojnë me falënderim Zotin e vet. E në mes tyre (njerëzve) kryhet gjykimi me drejtësi dhe thuhet: “(prej të gjithëve) Falënderuar qoftë vetëm All-llahu, Zoti i botëve!”