Suretu Et Tekvir
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
1. Kur dielli të jetë mbështjellur (dhe errësohet),
2. Dhe kur yjet të kenë rënë (e shkapërderdhur),
3. Dhe kur kodrat të kenë udhëtuar (e bërë pluhur në ajër),
4. Dhe kur devetë e shtrenjta të lihen pa bari në fushë,
5. Dhe kur egërsirat të jenë bashkuar (tubuar).
6. Dhe kur detet të vlojnë si zjarr i flakruar,
7. Dhe kur shpirtrat të jenë bashkuar.
8. Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura të gjalla,
9. Për çfarë mëkati ato janë mbytur,
10. Dhe kur fletushkat të jenë shpaluar,
11. Dhe kur qielli të jetë hequr,
12. Dhe kur Xhehennemi të jetë ndezur fort,
13. Dhe kur Xhenneti të jetë afruar,
14. Atëbotë njeriu do të dijë se çka ka ofruar (të mirë ose të keqe).
15. Betohem fuqimisht në yjet që tërhiqen (ditën, e ndriçojnë natën),
16. Që udhëtojnë e fshihen (si dreni në strofkë),
17. Pasha natën kur ajo ia beh me errësirë.
18. Pasha agimin kur ia shkrep!
19. S’ka dyshim se ai (Kur’ani) është thënie e të dërguarit fisnik (që e pranoi prej Zotit).
20. Që është i fortë dhe që ka vend të lartë te Zoti i Arshit.
21. Që është i respektuar atje (në mesin e engjëjve) dhe besnik.
22. Nuk është i marrë shoku juaj (Muhammedi)!
23. Dhe se ai e pat parë atë (Xhibrilin) në horizontin e qartë lindor.
24. Dhe ai nuk është që në të fshehtën (shpalljen) ka dyshim (ose ua lë mangu).
25. Dhe ai (Kur’ani) nuk është thënie e djallit të mallkuar!
26. Pra, ku jeni, kah shkoni?
27. Ai (Kur’ani) s’është tjetër pos këshillë për njerëzit!
28. Për atë nga mesi juaj që dëshiron të gjendet në të vërtetën.
29. Po ju nuk mundeni, por vetëm nëse dëshiron All-llahu, Zoti i botëve!