Suretu Et Tegabun

Nga Wikibooks

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

1. Vetëm All-llahut i shprehin madhërinë e lartësimin çka ka në qiej dhe çka në tokë, dhe se vetëm e Tij është i tërë pushteti dhe vetëm Atij i takon falënderimi, e Ai është i gjithfuqishëm për çdo send.

2. Ai është që u krijoi juve, e nga ju ka mohues dhe ka besimtarë. All-llahu e sheh shumë mirë atë që e punoni.

3. Ai krijoi qiejt dhe tokën me urtësi të përsosur dhe Ai juve u dha formën, e formën tuaj e bëri të bukur dhe vetëm te Ai është e ardhmja.

4. Ai e di ç’ka në qiej e në tokë, e di atë që e fshihni dhe atë që e shfaqni haptazi, sepse All-llahu di edhe atë që mbajnë në zemrat.

5. A nuk ju erdhi lajmi i atyre që ishin më parë e nuk besuan, ndaj edhe përjetuan barrën e rëndë të punës së vet dhe ata kanë një dënim të idhët.

6. Atë (dënim e marrin) për shkak se atyre u vinin të dërguarit e vet me argumente të qarta, e ata thoshin: “A njeriu i thjeshtë do të na udhëzojë neve?” Dhe ashtu nuk besuan dhe u zmbrapsën, po All-llahu nuk ka nevojë për ta; All-llahu është begatshëm, e i falënderuar nga vetvetiu.

7. Ata që nuk besuan, menduan se kurrsesi nuk do të ringjallen. Thuaj: “Po, pasha Zotin tim, pa tjetër do të ringjalleni dhe do të njiheni me atë që keni punuar, e ajo për All-llahun është lehtë!”

8. Atëherë pra, pranonie All-llahun, të dërguarin e Tij dhe dritën që e zbritëm Ne. All-llahu është i njohur për atë që veproni.

9. Ditën e kijametit, kur Ai u tubon juve, ajo është ditë e mashtrimit (ditën e kijametit duket se kush është mashtruar). kush beson All-llahun dhe bën vepra të mira. Ai ia shlyen të këqijat e tij dhe atë e fut në Xhennete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj; aty do të jenë përgjthmonë, e ai është shpëtimi i madh.

10. E ata që nuk besuan dhe përgënjeshtruan argumentet Tona, të tillët janë banorët e zjarrit; aty do të jenë përgjithmonë, e ai është përfundim i keq.

11. çfarëdo e keqe që ndodh (godet), nuk mund të jetë ndryshe, vetëm sipas caktimit të All-llahut, e kush i beson All-llahut, Ai ia udhëzon zemrën e tij; All-llahu është i gjithdijshëm për çdo send.

12. Pra, respektonie All-llahun dhe respektonie të dërguarin, po nëse nuk e respektoni, atëherë detyrë e të dërguarit tonë është vetëm kumtimi i qartë.

13. All-llahu është Ai që pos Tij nuk ka zot tjetër, prandaj vetëm All-llahut le t’i mbështeten besimtarët.

14. O ju që besuat, vërtet, disa nga bashkëshortet tuaja dhe nga fëmojët tuaj janë armiq tuaj, andaj kini kujdes ndaj tyre, e nëse nuk merrni masa, nuk ua vini veshin dhe i falni, ta dini se edhe All-llahu është mëkatfalës, mëshirues.

15. S’ka dyshim se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë sprovë, ndërsa ajo që është te All-llahu, është shpërblim i madh.

16. Andaj, sa të keni mundësi ruanu prej dënimit të All-llahut, dëgjoni, respektoni dhe jepni për të mirën tuaj, e kush i ruhet lakmisë së vetvetes, të tillët janë të shpëtuarit.

17. Nëse All-llahut i huazoni diçka të mirë, Ai juve ua shumëfishon atë dhe ju falë; All-llahu është shumë mirënjohës, i butë.

18. Është i gjithdijshmi i të fshehtës e i të dukshmes, është ngadhënjyesi, i urti.