Suretu El Inshikak

Nga Wikibooks

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

1. Kur të pëlcet qielli.

2. T’i bindet urdhërit të Zotit të vet, ashtu si takoi.

3. Dhe kur toka të shtrihet në gjerësinë e saj.

4. E të nxjerr çka ka brenda e të çlirohet,

5. Dhe t’i bindet Zotit të saj, ashtu si takoi.

6. O ti njeri, vërtet ti përpiqesh me një përpjekje të madhe që çon te Zoti yt, e atë (përpjekje) do ta gjesh.

7. E përsa i përket atij që libri i vet i jepet nga e djathta,

8. Ai do të llogaritet me një llogari të lehtë,

9. Do të kthehet te familja e vet i gëzuar.

10. E përsa i përket atij që libri i vet i jepet pas shpinës,

11. Ai do t’i ndjellë vetes shkatërrim,

12. Dhe do të hyjë në zjarr të ndezur fort.

13. Ai ka qenë i gëzuar në familjen e vet,

14. Dhe ka menduar se nuk ka për t’u kthyer.

15. Po, se, vërtet Zoti i tij gjithnjë e ka parë atë.

16. Betohem në kuqërrimin e horizontit pas perëndimit,

17. Dhe në natën dhe çka ajo tubon,

18. Dhe në hënën kur ajo është e plotë.

19. Ju patjetër do të përjetoni gjendje pas gjendjeje.

20. E, çka kanë ata që nuk besojnë?

21. Dhe kur u lexohet atyre Kur’ani, nuk përulen (nuk bien në sexhde)?

22. Përkundrazi, ata që nuk besuan edhe përgënjeshtrojnë?

23. E All-llahu e di më së miri se çka mbajnë fshehtë ata!

24. Lajmëroji, pra me një dënim të dhembshëm.

25. Me përjashtim të atyre që besuan e bënë vepra të mira, të cilët kanë shpërblim të vazhdueshëm!