Jump to content

Subjektet shqiptare në letërsinë botërore

Nga Wikibooks

MOIKOM ZEQO

Ideja për të shkruar për subjektet shqiptare në letërsinë botërore, të çon drejt hulumtimeve të ndërgjegjshme, diturake, në rrafshin e krahasueshmërisë së motiveve të veprave të shkruara në shumë gjuhë të botës.

Një pikëpamje më zanafillore, do të na çonte tek Homeri i madh.

Në dy epet madhështore të Homerit, përmenden fiset ilire, të cilat luftuan në Trojë.

Kohët e fundit, duke riparë disa tekste në frëngjisht të Homerit, duke lexuar fusnotat, shënimet shoqëruese të shkruara nga homerologët francezë, kanë gjetur veç të tjerave, – gjë që nuk është përmendur deri më sot asnjëherë, – se tek “Iliada” përmendet edhe heroi me emrin Kaon.

Ky është një personazh tipik i ardhur nga Kaonia e Shqipërisë së jugut.

Ky mund të quhet edhe personazhi i parë ilir në letërsinë botërore.


Eshtë e vetëkuptueshme që në eposin latin “Eneida” të Virgjilit, kënga e dytë i kushtohet udhëtimit të Eneut në qytetit Butrint të Shqipërisë. Këtu subjekti është tejet i çuditshëm, gati surrealist.

Eneu, befas shikon në formën e qytetit të Butrintit imitimin e ndërtimit të Trojës së shkatërruar, pra një Trojë të dytë dhe takohet me Andromakën, gruan e devotshme të Hektorit.

Kënga e dytë e Eneidës, mund të quhet teksti më i fuqishëm antik që subjektivohet në territorin shqiptar.

Këtu nuk duhet harruar e dhëna shumë e rëndësishme e autorëve antikë, që Eubeasit, pas rënies së Trojës, erdhën dhe ngritën qytetin e Orikumit. Kështu, Orikumi ka gjasa të jetë qyteti më i vjetër në territorin shqiptar, ndoshta edhe më i vjetër se vetë Durrësi (Epidamni), që u themelua në vitin 627 Para Krishtit.


Dy shëmbëlltyrat e mësipërme janë kuptimplote.

Në mesjetën e hershme, janë disa epose që përmendin Shqipërinë.

Kështu, në Këngën e Rolandit, përmenden vise shqiptare, toponimet e Shqipërisë, si edhe disa ngjarje të vagullta historike, që janë sinkronizuar me ngjarje të eposit frëng.


Më e pabesueshmja dhe më e papritura lidhet me romanin poetik në frëngjishten e vjetër, prej afro 17 mijë vargjesh me emrin “Florimont”, të shkruar nga poeti francez Aimon de Varaneses.

Ky roman unikal, i takon shekullit XII. Tregon historinë mitike të heroit Florimont, i biri i Dukës së Durrësit, pra një personazh i çuditshëm që konsiderohet edhe si gjyshi i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, një gjenealogji kjo tepër e çuditshme.


Në shekullin XIII, Dante Aligeri në kryeveprën e vet poetike përmend edhe qytetin e Durrësit, madje edhe një personazh të këtij qyteti, një peshkatar të varfër,Amilkai, i cili u tregua i guximshëm për ta transportuar Çezarin e madh mes një deti të stuhishëm dhe të frikshëm. Para shumë vitesh, e kam bërë një esse për këtë motiv.


Kryemjeshtri i letërsisë, Shekspiri i madh, në veprat e tij e përmend Ilirinë si dhe qytetin e Durrësit me emrin e vjetër “Epidamne”.

Tek “Komedia e Gabimeve”, Shekspiri rimerr një subjekt të shkrimtarit latin Plauti, pikërisht subjektin e komedisë “Menehmët”.

Eshtë saga e dy vëllezërve binjakë, të cilët vendosen në situata paradoksale për shkak të ngatërrimit me njëri-tjetrin.

Vargjet poetikë të Shekspirit, janë plot të papritura dhe ekzotike për viset shqiptare.


Nuk duhet harruar edhe Rableja i madh, i cili në kryeveprën “Garantua dhe Pantagryel” përmend një personazh me veshje shqiptare, konkretisht Rableja përmendet edhe për faktin e përcaktimit të “kapeles shqiptare” që studiuesit e etnografisë dhe të kostumografisë kanë mëtuar ta gjejnë të ngjashme me kapelet e barinjve që ka pikturuar Onufri i madh në ikonat dhe afresket e tij të shekullit XVI.


Këto ditë, duke dashur të sistemoj bibliotekën time në shtëpi, ku rrëmuja është e përhershme dhe shqetësuese, ripashë edhe njëherë librat me subjekte shqiptare, sidomos të dy gjenive, të Bajronit dhe të Llongfellout.

Çuditërisht, pashë edhe 2-3 romane në gjermanisht me subjekte shqiptare të shkrimtarit dikur shumë të njohur dhe shumë të suksesshëm, gjermanit Karl May.

Ky është pa dyshim që ka botuar numrin më të madh të librave me subjekte shqiptare, të librave me aventurat më të çuditshme, më të ngjethshme në malet e Shqipërisë … pa qenë asnjëherë në Shqipëri.

Me sa di unë, asnjë nga librat e Karl May-t, me subjekte shqiptare, nuk janë shqipëruar. E pra, një numër nga këto libra kanë qenë lekturë shkollore e domosdoshme, duke bërë të njohur emrin e Shqipërisë dhe gjeneratat e reja të Gjermanisë, duke krijuar kështu një mit në distancë, të pazakontë të ekzotikës shqiptare.


Dhe ja diçka tjetër e papritur, në minierën e librave të mi, befas gjej një libër, një roman, me titull “Bujtina me patkua” të një shkrimtari nga Holanda A. den Doolaard.

Çuditërisht, ky libër është shipëruar dhe është botuar në Shkup të Maqedonisë, në vitin 1993.

Shqipëruesi Sherafedin Mustafa, ma kishte dhuruar këtë libër, por siç ndodh shpesh, të stresuar nga përditshmëria, nuk më kishte rënë rasti për ta lexuar.


Romani “Bujtina me patkua” është një roman për të cilin meriton të flitet. Eshtë një nga romanet më të famshëm dhe më të njohur si dhe lekturë shkollore në Holandë. Autori i romanit, lindi në qytetin Zvolo të Holandës në 7 shkurt 1901. Emri i tij është Cornelis Johanes George Spoelstra. Por u njoh me pseudonimin A. den Doolaard.

Ky shkrimtar kishte instiktin e udhëtimeve dhe të aventurave.

Në vitin 1928, shkon në Francë dhe punon si vjelës rrushi në vreshtat e Burgonjës. Pastaj shkon në Marsejë, ku punon si punëtor krahu në port. Romani i tij i parë quhet “Vjelësit e rrushit”. U bë i famshëm menjëherë.

Në vitin 1931, i bie në dorë një botim francez me titull “Shoqëritë sekrete”.

Bëhet fjalë për shoqëritë masonike, konkretisht për masonët e Ballkanit.

Studimi i masonerisë bëhet dëshira dhe ëndrra e tij. Kështu, udhëton në Maqedoni, Bullgari, Serbi si edhe në Shqipëri.

U mahnit nga Ballkani dhe u trondit nga marrëzitë ballkanike.

Në 1939, boton romanin “Dasma e 7 evgjitëve”, subjekti i të cilit ndodh në qytetin e Ohrit.

Madje edhe në vitin 1956, boton romanin “Vendi pas shpinës së Perëndisë”, me subjekt ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore në Malin e Zi.

Në vitin 1933, ky artist nga Holanda, bën një udhëtim me këmbë nga Selaniku, nëpër tërë Shqipërinë, në Durrës, në Shkodër, deri në Sarajevë.

Pikërisht në vitin 1933, ai pasqyron përvojën e tij shqiptare dhe boton romanin “Bujtina me patkua”, me subsancë të frymëzuar nga jeta e malësorëve shqiptarë të Veriut dhe nga realiteti i ashpër ekzistencial.

Ky roman, ishte suksesi më i bujshëm i shkrimtarit. Nga viti 1933, deri në vitin 1993, romani u ribotua 40 herë.

Si edhe është përkthyer në gjermanisht, spanjisht, frëmgjisht, danisht dhe shqip.

Shkrimtari ishte gjallë kur u bë edhe botimi në gjuhën shqipe dhe me këtë rast, shkruajti edhe një fjalë ku thuhet “për një shkrimtar të moshuar, çdo ribotim i një vepre paraqet një kënaqësi. Jam 92-vjeçar, kurse librin e kam shkruar para 60 vitesh. Që nga viti i daljes, në 1933, ky libër është ribotuar 40 herë në gjuhëm time amtare, pa përmendur përkthimet. Këto fakte nuk po i përmend nga mendjemadhësia, se për çdo herë kam qenë i vetëdijshëm se një pjesë e madhe e suksesit, ka qenë borxhi i temës ekzostike dhe sfondi dramatik, që të dyja këto gjëra plotësisht të panjohura për Evropën Perëndimore të stërkultivuar. Vazhdimisht, e kam pyetur veten: “A i kam paraqitur vallë mirë ata malësorë, me shkëlqim shpeshherë të errët para syve, me traditat e tyre për ne të pakuptueshme?”. Përkthimi në gjuhën e atdheut të personazheve të përshkruar, tashmë i largon dyshimet dhe këtë e konsideroj, si një shpërblim të vërtetë”.


Çfarë tregon romani “Bujtina me patkua”? A ka në këtë roman ngjarje të përjetuara nga vetë shkrimtari? Pa dyshim.

Romani nis me një subjekt të thjeshtë. Në zyrat qendrore të trustit “Trepça Mining Company” në Londër, një shkencëtari të gjeologjisë, Ervin Reini, i caktohet një detyrë sekrete, për të shkuar në Shqipëri dhe për të hulumtuar mbi minierat. Drejtori i kompanisë, duke i dhënë pasaportën, si edhe shpërblimin për udhëtimin e ardhshëm, i thotë këto fjalë: “Ju e njihni pak italishten, apo jo? Edhe nga nëna duhet të keni mësuar edhe gjermanishten? Dhe keni punuar tre vjet në minierat e bakrit në Bor? Pra, dini diçka edhe serbishten. Mrekulli. Në Alpet e Shqipërisë Veriore, në rajonin përballë kufirit jugosllav, duhet të ketë shtresa të çmueshme bakri. Ju do të shkoni atje dhe tërë këtë punë, do ta hulumtoni. Ja ku i keni rekomandimet: Për qeverinë e Romës, mbase siç e dini edhe vetë Shqipëria është një protektorat italian, me qeverinë shqiptare dhe për autoritetet jugosllave, nëse rastësisht ju ndodh të kaloni përtej kufirit.

Treva në fjalë, është e njohur si e pasigurtë, prandaj që nga Shkodra, do ju shoqërojnë edhe disa xhandarë, por edhe vetë armatosuni”.


Romani hapet me udhëtimin e Reinit në Shkodër. Gjithë bagazhi i tij përbëhej nga një trastë shpine me mjete për vizatim, instrumente gjeologjike, harta, ndërresa, furça e dhëmbëve dhe revolja Steyr. ai përshkruan qytetin e Shkodrës, ashtu siç e njohim nga fotot e Marubit.

Jep hollësira për “Grand Hotel London”, një bujtinë e çuditshme zbukuruar me poligrafi që paraqisnin Mekën, Napoleonin në Austervic, si edhe skena nga gjahu i Ariut të Bardhë në Detin Polar. Një ekzotikë e përzier oksidentale dhe orientale, e pisët, gati e mjeruar.

Shija e realitetit, është e hidhur.

Personazhi Reini, në fakt është vetë autori.

Në këtë bujtinë, ai shkon në një rrojtore për t’u rruajtur, i shërben një djalosh i ri 15-vjeçar shqiptar, jashtëzakonisht i pashëm dhe me dinjitet i quajtur Leonard. Këtë skenë të rruajtjes, ose një skenë të tillë të ngjashme, mund ta gjesh në koleksionin e mahnitshëm të Marubëve të

Shkodrës. Biseda me djaloshin shqiptar, është lakonike, personazhi holandez, mëson se në Shqipëri çdo 15-vjeçar konsiderohet burrë dhe ka një dinjitet të çdo përgjegjësie të tij.

Djaloshi është malësor, banor i maleve nga fisi i Shoshit.

Ai i hap të ardhurit botën e mbyllur të Shqipërisë, hap perden për të parë kokën e Meduzës së tragjedisë shqiptare.

Ky djalosh është me të vërtetë heroi i gjithë romanit. Historia e tij vetjake, është bizare por edhe e zakonshme për malësorët. Ai ka rënë në dashuri me një malësore shumë të bukur nga Thethi, të quajtur Katarina.

Por ai është i përndjekur për shkak të një gjakmarrje dhe ndiqet nga xhandarët.

Këtu, shpaloset paradoksi i veprimeve të xhandarëve të Mbretësisë Shqiptare dhe pushtetit të plotfuqishëm të Kanunit.

Faqet e tjera të romanit, si një botë dixhitale tregojnë peisazhet e Shqipërisë së Veriut, udhëtimin e gjeologut holandez në malet e Shkëlzenit në Shosh, deri në Theth.

I huaji, habitet nga të folurat me majë-krahu të malësorëve që përbëjnë një nga zakonet më të lashta pagane të botës “telegrafin e malësorëve shqiptarë”. Për këtë zakon ka folur edhe

Shuflai.

Udhërrëfyesi i thotë holandezit: “Ju nuk i njihni malësorët, zotëri”. Shikojini ata dy malësorë, që po ecin pas një gomari. Nëse kaloni gojëmbyllur rreth tyre, atëherë do t’ju përçmonin dhe do t’ju urrenin. Por nëse u uroni jetë të gjatë, siç është përshëndetja popullore këtu, atëherë si i huaj, do të fitoni dy miq. Ata janë krenarë dhe dyshues, por njëkohësisht besnikë dhe naivë si fëmija apo qeni. Por nëse i fyen dikush, janë në gjendje të bëjnë gjithçka”. Intriga e romanit fillon në fshatin e Thethit ku udhëtari njihet me priftin shumë të ditur në Theth, françeskanin At Zefi.

Ky është një dijetar i vetmuar, i mbyllur mes maleve, ku përpiqet të klonojë dhe të fusë disi kulturën evropiane perëndimore.

Thelbi i romanit janë bisedat erudite për mendësinë e shqiptarëve, kryqëzimin e kulturave, mbijetesën e Kanunit, tragjedinë e varfërisë etj. Vizatimi shkrimor i shkrimtarit është i frymëzuar. Ja si përshkruhet Thethi: “Një luginë e gjatë dhe e rrafshët në formë patkoi, faqe të larta graniti nga rrëzohen ujëvara të bardha, bjeshkët me plasaritje pingule, plot ngërçe shkëmborë, me të çara të mprehta, sa të ashpra dhe të vrazhda, bënin që loja gjeometrike e kopshteve të vogla të shtëpive, të dukeshin si një qëndresë qesharake e njeriut ndaj tufanit të natyrës. Në një nga këto shtëpi malësore, është edhe një grua që punon me avlëmëndë: “Shamia e bardhë ia priste ballin mbi sytë e turbullt. Dukej sikur në të shkëlqente drita, por prapë nuk ishte ashtu. Sytë ishin të vdekur edhe pse lëviznin. Kaçurrelat e zezë dhe të trashë, i vareshin mbi faqe. Mbi kraharor me dhjetëra gjerdanë vareshin deri në kollanin e argjendtë. Thonjtë e kuq, i pushonin kundrejt njëri-tjerit, të kapur për cepat e shamisë. Ishte ulur aq e shtangur, sa i ngjante një kukulle të zbukuruar për mrekulli. E vënë në skaj të dhomës, vetëm për stoli. Sikur me çorapin e kuq të djathtë, të mos bënte një lëvizje të shqetësuar, thuajse me atë këmbë tjerrte me qerdhull. Ajo lëvizje e shkathët e këmbës, që vazhdonte me një ritëm të tmerrshëm, bënte që qëndisjet mbi fundin e trashë, prej skajit të poshtën dhe deri tek ijet, të shkëlqenin”. Kjo është një figurë tipologjike e femrës malësore. Gati një statujë. Kjo kontraston me figurën e dashuruar të Katarinës me malësorin Leonard, gjë që përbën një skandal për Kanunin.

Djaloshi 15-vjeçar, ishte njeriu më i dashur për priftin e Thethit, i cili i kishte mësuar shkrim e këndim, e kishte mbajtur pranë dhe i kishte treguar sekretet e qytetërimit perëndimor.

Prifti At Zefi, është një personazh i mrekullueshëm, në fillim i shqetësuar dhe rebel, që e kishin mbyllur “në burgun e maleve”, ndonëse kishte kulturë universitare, kishte mbaruar studimet në Salsburg dhe në Hal të Austrisë.

Ky françeskan që i ngjante “një ipeshkvi mesjetar me mburojë mbi kalë” dalëngadalë ishte natyralizuar me shqiptarët, dhimbja e shqiptarëve, ishte bërë dhimbja e tij. Ai e kupton tragjiken e dashurisë së lirë, shprehet ironikisht për vetveten se “prifti merr vesh nga dashuria, aq sa fshatari merr vesh nga lokomotiva”. Ai kupton që nxënësi i tij shqiptar do të shpaguhet për gjakmarrje, kërkon ta respektojë ligjin e përjetshëm të maleve, por në thellësi të vetëdijes, e kupton se kjo gjë nuk është e drejtë. Prifti ka autoritet të madh, ai thotë: “Malësorët i frikësohen skëterrës sime dhe jo dënimit me vdekje të shqiptuar nga nhjë mbret që mezi e njohin, ose nga gjykatës që kurrë nuk ua kanë parë sytë”.


Fundi i rrëfimit është si në të gjitha tragjeditë e mëdha. Një vesk shekspirian në malet shqiptare. 8 xhandarë i zënë pritë 15-vjeçarit të mrekullueshëm.

Prifti dhe gjeologu holandez janë të pranishëm në skenën e vrasjes.

Po ky nuk është shpagimi.

Atëherë, prifti, ai njeri aq i ashpër dhe i ditur, aq i përshtatur befas, shpërthen, me gjeste të paduruara shkon dhe e merr trupin e 15-vjeçarit të vrarë, dhe e mbart mbi kurrizin e vet, i dëshpëruar dhe i zhgënjyer përjetësisht.

Ku qëndron e drejta?

Kush është e vërteta?

Fundi i romanit, është si një rekuiem. “Disa çaste më parë, vdiq malësori më i vogël dhe më trim.

Ai është nisur tashmë në ato vende, prej nga ku nuk mund ta kthejë dhe as ta kapë e tërë xhandarmëria e Shqipërisë, këmba e tij tashmë shkel mbi ato male, ku askush nuk mund ta godasë më në pritë.

Në ato vise, ku as dhia e egër nuk mund të ngjitet kurrë. Ai është ngjitur në fortifikatën qiellore të vdekjes.”


Romani quhet “Bujtina me patkua”, sepse në Shkodër malësorët vendosën si një emblemë përkujtimi e Romeos shqipar 15-vjeçar, një patkua. “Kur malësorët hynin në bujtinë, ndaleshin një çast mbi prag, hiqnin qeleshen dhe me nderim vinin dorën në zemër. Duke ia ngulur sytë copës të ndryshkur prej hekuri të patkoit, që për ta tani dhe përgjithmonë, ishte bërë shenja e lirisë”.


Shkrimtari A. den Doolaard ka disa vite që ka mbyllur sytë përgjithmonë.

Në të vërtetë, qepallat e syve të tij për ne shqiptarët, janë fletët e librit, që hapen sa herë për të parë atë tragjedi të dhimbshme dhe të thjeshtë që shkrimtari nga Holanda kishte mundur të shihte në vitet 20-30 të shekullit XX.


2 dhjetor 2018